Nga ARBEN DUKA (1957-2021)
Mbaj mënd në kohë të fëminisë,
kur isha fare kalama,
se si në koshtin rreth shtëpisë,
dhe unë mbolla një hurma!
Kishim shumë gaz në fëmini,
ndaj di që isha plot gëzim,
hurmaja ime-për çudi,
zuri në tokë pa mundim.
Unë që nga ballkoni e shikoja,
një orë të tërë s’ja ndaja sytë,
edhe me vete ëndërroja,
sikur të rritet për një ditë?!
Ja thoshja vehtes këto alë,
se gjuhë pemësh unë nuk di,
po ajo rritej shumë ngadalë,
dhe s’mund ta rrisja unë me sy!..
Shpesh e më shpesh ja hidhja sytë,
dot s’e kuptoja atë punë,
se si ajo vitin e dytë,
u rrit dy herë më shumë nga unë!
Po unë s’kisha veç hurmanë,
kisha mësime edhe lodra,
një befasi-kur sytë më panë,
se si hurmaja kish bërë kokrra!
Më shumë e desha unë hurmanë,
dhe veten më s’e ndjeva kot,
shumë kokrra poshtë në tokë i ranë,
po prapë në dega mbetën plot!
Kur kokrrat poqi krejt hurmaja,
u ndjeva burrë i vërtetë,
për herë të parë në jetë haja,
një frut që kisha mbjellë vetë!
U rrit ajo-u rrita unë,
po jo njëlloj e s’qe çudi,
unë e kuptoja atë punë,
ajo qe pemë e unë njeri!