Hysa-Periç drejt largimit, priten rishikime kontratash

July 17, 2014 09:01

Hysa-Periç drejt largimit, priten rishikime kontratash

Dilema dhe konfirmime te Kukësi. Në stërvitjen e djeshme ka pasur tri mungesa të titullarëve, nga të cilët të paktën dy konsiderohen me arsye, ndaj nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Mesfushori Igli Allmuça, i cili mungoi dhe një ditë më parë, është me leje jashtë kryeqytetit. Sot ai do t’i bashkohet grupit në stërvitje. Nga ana tjetër, mesfushori Yll Hoxha ka marrë një ditë pushim në shtëpinë e tij në Tiranë, pas mjekimeve që ka marrë. Hoxha kishte dëmtim që para ndeshjes në muskujt e belit dhe stafi mjekësor i ka rekomanduar edhe një ditë pushimi. Tashmë Kukësi do t’i bëjë llogaritë dhe pa Bicajn, që ka pasur një klauzolë në kontratë, që e linte të lirë atë nëse gjente një ekip jashtë Shqipërisë. Lojtari është prezantuar në Iran te skuadra e Traktor Sazit. Ndërkohë shqetësuese deri diku për lojtarin dhe shumë më pak për klubin është mungesa e Vilfor Hysës. Mësohet se ky i fundit ka munguar për dy ditë, për shkak dhe të mosmarrjes së njoftimit për stërvitje. Vetë Hysa ka pranuar se mund të ketë dhe një rishikim të kontratës dhe, nëse ai nuk bie dakord me klubin, do të largohet. Gjithsesi është edhe një vit nën kontratë. Përveç tij, larg Kukësit është edhe sulmuesi serb, Ivan Periç. I ardhur vetëm para një muaji te kuksianët, duket se ky lojtar nuk i ka bindur drejtuesit e klubit, ndaj me shumë gjasa ai do të largohet nga skuadra. Ndërkohë, stërvitjes dje i janë bashkuar edhe Hallaçi e Brahja, të cilët munguan një ditë më parë për shkak të lëvizjeve të tyre jashtë Tiranës. Sot pritet dhe mbërritja e nigerianit Solomon Izuçuku, i cili u largua më leje para dy javësh. Ai mund të jetë i vetmi nigerian te Kukësi, pas largimit të pesë të tjerëve që erdhën në merkaton e dimrit dhe që nuk dhanë atë që pritej. Në ekip thuajse janë piketuar gjithë lojtarët që do të vijojnë sezonin e ardhshëm, por nuk përjashtohet mundësia e të tjerëve që do të afrohen.

Sytë nga Gilberto – Sulmuesi brazilian Gilberto mund të transferohet te skuadra e Kukësit, pasi lojtari pëlqehet shumë nga trajneri Agim Canaj. Braziliani ka qënë pjesë e skuadrës së Tironës gjatë kampionatit. Ai siguronte një pagë prej 3500 Dollarësh dhe për rinovimin kërkoi 10 mijë Dollarë, por drejtuesit e bardhebluve i ofruan futbollistit 7500 Dollarë dhe e pritën deri ne momentet e fundit dhe me pas investuan për Bushiç. Gjithsesi për Gilberton në lojë ka hyrë Kukësi dhe me siguri që presidenti Gjici do të bëjë maksimumin për ta marrë brazilianin.

July 17, 2014 09:01
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*