Hysni Zela, Mjeshtër i Madh i këngës popullore

June 8, 2018 13:50

Hysni Zela, Mjeshtër i Madh i këngës popullore

 

Nga Dhimitër Shtëmbari

Në odeonin kulturor të Myzeqesë së Lushnjes qendrojnë dinjitozë pranë njëri – tjetrit artistë të mëdhenj të Shqipërisë, siç janë Artistët e Popullit Kristaq Dhamo, Vaçe Zela e Margarita Xhepa, ose siç janë Artistët e Merituar Ilia Shyti, Pavlina Mani, Todi Bozo e Luan Qerimi.

Pjesë e krenarisë së Lushnjes janë edhe shkrimtarët e shquar Vath Korreshi, Faslli Haliti e të tjerë.

Ky odeon do të ishte i paplotë pa artistë të tjerë të shquar myzeqarë, si mjeshtrit e Baletit Llaqi e Albi Nako, skulptori i talentuar Maksim Bushi, piktori i përmasave botërore, Helidon Haliti dhe mjaft të tjerë.

Në këtë odeon gjëndet edhe një karrike, që do të mund të qendronte bosh po të mos ulej pikërisht ai që e meriton, Mjeshtri i Madh i këngës popullore – Hysni Zela, vëllaj i mbretëreshës së këngës shqiptare, Vaçe Zela.

Ka këngëtarë që duartrokiten në fund të interpretimit. Ka të tjerë që duartrokiten në mes të intepretimit. Por ka edhe nga ata që duartrokiten sapo që u përmëndet emri se do të këndojë.

Një i tillë është edhe Hysni Zela.

Në rrugën e bukur drejt këngës

I lindur në qytetin e Lushnjes në një familje të thjeshtë që e kishte të sajën këngën, Hysniu i vogël nuk mund të mos fuste brënda vetes magjinë e tingujve të këngës popullore. Siç e pohon edhe vet, e ëma, Maja, edhe kur punonte, këngën e kishte në majë të buzës.

Me transferimin e familjes së Hasan Zelës në Tiranë, edhe pse fare i ri Hysniu do të joshej nga magjia e këngëve. Duke qënë i pranishëm thuajse në të gjitha koncertet e së motrës, Vaçes, në mënyrë intuitive do të përvetësonte edhe teknikën e të kënduarit. Dhe nuk do të vononte të ishte vetvetja. Tashmë, jo nën hijen e së motrës.

Kur e kuptoi se mund të jepte, iu fut konkurseve. Shkoi në konkursin e organizuar në Ansamblin e Ushtrisë. Fitoi. “Fillo që nesër, mo prit të të dalë emri në listë – i pat thënë Gaqo Avrazi, dirigjenti i famshëm i këtij Ansambli. – Ke fituar … i ngjake sat motre, Vaçes!”

Mbas disa ditësh Hysniu kishte shkuar në konkursin e organizuar në Teatrin e Operas. Edhe këtu pat fituar. “Hysni, – i patën thënë në familje, – futju këngës popullore”. Ca më pas u fut në konkursin e tretë, atij të organizuar nga Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe i Valleve Popullore. Edhe këtu fitoi.

Tanimë do të bëhej pjesë e trupës së Ansamblit Shtetëror të Këngëve e të Valleve Popullore. Kuptohet, fillimisht si korist, por shumë shpejt do të ishte një zë i veçantë. Falë dhuntisë që i kishte dhuruar natyra, nisi të ishte një solist me unin e vetë muzikor.

Ata që i kanë pas ndjekur veprimtaritë kulturore ku merte pjesë Hysniu nuk mund të mos kenë duartrokitur interpretimin e këngëve të tilla, si ato “Çelu trëndafil, hapu borzilok”’, “Çu ngrita me natë”, “Këngë për Ali Pashanë”, “Me gërshetin mbytmë mua!”, “Tanë, moj e zeza Tanë!” e mjaft të tjera.

Në gjirin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve e të Valleve Popullore interpretonin këngëtarë të mirënjohur, që ishin ikona të këngës popullore, si Sali Brari, Naile Hoxha, Zeliha Sina, Irini Qirjako, Valdete Hoxha, Sabahet Vishnja e mjaft të tjerë. Mes tyre, do të ishte po kaq dinjitoz si artist i këngës popullore edhe Hysniu nga Lushnja.

Pyetjes që i është drejtuar Hysniut, se sa herë ka kënduar së bashku me të motrën, ai i është përgjigjur shkurt: vetëm tri herë. Dhe e di pse? Sepse Vaçja në çdo rast e ruante masën.

Falë zërit të fuqishëm e drithërues…

E veçanta e zërit tingëllues të këngëtarit Hysni Zela është tonaliteti i lartë. Ndërsa interpreton, spektatorin e ve nën pushtetin e këngës. Në të tilla raste, te këngëtarë të tjerë zëri mundej edhe të shteronte, por te ky artist zëri rrëshqiste lirshëm lart, herë – herë edhe shumë lart, por në çdo rast bukur e më bukur. Brënda një vargu, o – ja dhe i – ja e zgjatur muzikore e tij të zgjojnë emocione të fuqishme. Zëri i dalë prej kraharorit të tij të gjërë të vjen në vesh i shndërruar në tinguj të shumtë e të ngrohtë, në përmasat e habisë.

I dashuruar mbas këngës popullore, Hysniu, kush e ka vënë re, nuk del jashtë vijës melodike origjinale popullore, duke u bërë kështu shprehës jo vetëm i ndjenjës popullore, por edhe interpretues i timbrikës së këngës së mirëfilltë popullore. Dëgjon Xhirxhilenë dhe nuk e ke të vështirë të diktosh të veçantën që ky interpretues i ka shtuar kësaj kënge, por pa i cënuar dhe pa i dëmtuar asgjë asaj. Ky artist është ngritur deri në pikën më kulmore të kësaj kënge, duke e bërë dhe duke e lënë atë model për tërë këngëtarët e tjerë të ardhshëm popullorë.

Në kohët që jetojmë, kur muzika e kënga po “sëmuren” në një farë mënyre për shkak të globalizmit që vazhdon të verë përposht çdo gjë, filluar që nga ekonomia, Hysni Zela ka mundur të dërgojë te dëgjuesi një model të tillë kënge, të cilën e ka qëmtuar te burimi, domethënë te vendi ku ka lindur. Mbetesh pa frymë teksa dëgjon këngën “”Çelu trëndafil, hapu borzilok”. Ngjet kështu, sepse ky magjistar i këngës të bën dhuratë atë çka i ka vjelë artistit të gjetur në gjirin e popullit.

Zëri i këngëtarit Hysni Zela është vibriues. Tepër vibrues. Vibrues në tërë shtrirjen e dallgëzuar të zërit. E dëgjon me kënaqësi të madhe kur nis ta ngrejë e ta ulë tonalitetin në mënyrë dridhëruese dhe nuk ke se si të mos pyetësh veten: ku e gjen tërë atë frymëmarrje?! Te kënga “Fryj, moj erë!” ky këngëtar nxjerë së brëndshmi të gjitha ngjyrat e zërit. Një pasuri e tërë tingujsh, një galeri ngjyrimesh zëri, të cilat, të gjitha ashtu së bashku krijojnë një sinfoni shumë interesante.

I bëshëm fizikisht, Hysni Zela zbukuron edhe veshjen popullore. Në mjaft raste është veshja që zbukuron artistin, ndërsa te ky interpretues ngjet e kundërta: është ky që u jep lezet veshjeve popullore. Dhe jo vetëm kostumit popullor myzeqar, por edhe atij lab, kolonjar, tropojan etj.

Talenti çan çdo barrierë që mund t’i dalë

Mbas ndryshimit rrënjësor politiko – ekonomik të vendit Hysni Zela vazhdoi të mbijetojë si artist. Nuk i ngjau si disa të tjerëve, që humbën duke mos iu dijtur as adresa! Mbeti në skenë këngëtari myzeqar, nga që kishte me vete talentin. Dhe koha që erdhi shërbeu si selektore: kush pati me vete talentin, çau; bëri përpara.

Erdhi një kohë, aty nga viti 2001, dhe Hysniu u ftua të ishte pjesë e “Fanfara Tirana”. Me përfshirjen në këtë formacion të ri muzikor, formacion i një lloj krejt të veçantë, ai do të fillonte e do të krijonte një përvojë të re. Në përbërje të këtij grupi muzikor do të interpretonte në mjaft skena të Europës e të botës.

Përmbajtja dhe niveli artistik i programit të “Fanfara Tirana” kishin mundur të joshnin estetikisht deri edhe spektatorin europian. Dhe pse? Sepse muzika e këtij formacioni muzikor merte frymëzim në folklor, mbështetej fuqishëm në muzikën urbane shqiptare. Natyrisht, e gjitha kjo gatuhej profesionalisht nga kompozitori i shquar Robert Bisha, multiinstrumentist i talentuar. Dhe i tërë ky prodhim artistik i siguruar nuk do të mund të dilte i arrirë dhe i pëlqyeshëm pa zërin e shkëlqyer të Hysni Zelës.

“Fanfara Tirana”, si pjesë e Bandës Frymore të Ushtrisë, ishte e njohur dhe e preferuar në Shqipëri, po edhe në mjaft vende të Europës. Erdhi një kohë që ky formacion muzikor bashkëpunoi me grupin Etno – Tekno Transglobal Underground me qëndër në Londër. Kuptohet, këtu u arrit një përzierje elektronike ritmesh e stilesh të ndryshme muzikore. Dhe u krijua kësisoj një album muzikor prej katërmbëdhjetë këngësh.

I përfshirë në prodhimin artistik bashkëkohor, i hedhur në masë për konsum muzikor, ky album u bë tepër preferencial. Në mesin e mijëra albumeve muzikore të hedhura në treg, sipas mediave të ndryshme ndërkombëtare albumi i “Fanfara Tirana” pat arritur në Top 5 në renditjen Uord Muzikë Chart. Qe vlerësuar me 5 yje në Itali nga Manifesto. Me po 5 yje qe klasifikuar edhe në Francë nga Mondoniks. Me 4 yje qe renditur nga disa gazeta prestigjioze, si The Timmes, The Guardian, The Indipendent, Roling Stone etj.

Njëri nga videoklipet e “Fanfara Tirana” pat marrë çmimin më prestigjioz në botë, duke u klasifikuar i pari në Independent Musikë Avards në Amerikë.

Në këtë album shpalosej folklori shqiptar dhe ai ballkanas, në të cilin zëri pikant i Hysni Zelës kulmon vlerat e vërteta të krijimtarisë shpirtërore të popullit shqiptar.

Së bashku me trupat artistike ku ka bërë pjesë, Hysni Zela ka pas dhënë shfaqje në skenat e mbi 35 shteteve, duke përfshirë këtu edhe Kanadanë e Australinë.

Mbështetur në kontributin e madh në fushë të këngës popullore, Presidenti i Republikës i ka akorduar Hysni Zelës titullin: Mjeshtër i Madh.

Me gjuhën e disa prej gazetave gjermane

Afrimi i sa më shumë spektatorëve dhe, sidomos, stuhia e duartrokitjeve të pjesëmarrësve në spektakle janë tregues të asaj që shfaqet në skenë. Se njeriu, sikundër zgjedh ushqimin biologjik, me po këtë kërkesë zgjedh e konsumon edhe ushqimin shpirtëror. Janë mijëra ata që kanë ndjekur me shumë ëndje shfaqjet e “Fanfara Tirana”.

Ajo që është e bukur dhe interesante në Shqipëri, nuk ka pse të mos jetë e tillë edhe jashtë vendit. Se arti ka një gjuhë, me të cilën mund të komunikojë në Europë e në botë. Te arti i vërtetë shkon e ndalet ai që ngacmohet në ndjenjë e në mendim. Ja pse grupi artistik ku ishte edhe Hysniu ndiqej me interesim kudo jashtë Shqipërisë.

I pranishëm në një festival muzikor në Koblenz të Gjermanisë, në të cilin merrnin pjesë mbi dhjetëmijë spektatorë, edhe “Fanfara Tirana” dha koncertin e vetë. U duartrokit gjatë. Zëri i Hysni Zelës jehoi fort. Gazeta vendase “Rhein Zeitung”, nën titullin “Melankolia e polifonisë dhe kabasë së Jugut nën vokalin drithërues të Hysni Zelës” do të shkruante: “Zëvendësim?! E kush do të donte ta përdorte këtë fjalë me konotacion negativ, pasi ka ndjekur i habitur performancën e “Fanfara Tirana”?!…Një shumëllojshmëri ritmike, tekste interesante … Hysni Zela i “jep zërin e së shkuarës”, duke e ndërthurur me artin e këngës tradicionale shqiptare, duke vepruar me finesë dhe me dinamikë të pabesueshme…”.

Pak ditë më pas, në një tjetër shfaqje të dhënë në Shtuttgard po të Gjermanisë, gazeta vendase Stutgarter – Zeitung” do të shkruante, ndër të tjera, se e tërë shfaqja ishte “Një eksplozion gëzimi dhe hareje e alternuar me melankolinë e polifonisë, apo të kabasë së Jugut, në vokalin drithërues të ikonës folklorike shqiptare, Hysni Zela”.

Dhe nisur nga ky sukses i arritur, “Stuttgarter-Zeitung” shkruante, se “…ky interpretim të njeh me Shqipërinë, për të cilën shumë njerëz nuk dinë shumë… Shqipëria është një vend fantastik për të udhëtuar. Ka plazhe, male dhe banorë shumë të këndshëm e miqësorë”.

Dëshirë që Hysniu do të donte ta gjente te çdo këngëtar

Gjatë pyetjeve që i kanë pas drejtuar miq e shokë se ç’e frymëzon në rrugën e vetë si artist, këngëtari i mirënjohur Hysni Zela iu është përgjigjur, se gjithmonë e ka frymëzuar publiku i gjërë artdashës, nga që është karakterizuar nga ideja, se, në një farë mënyrë, artisti është ambasador kulturor në Europë e në botë. I huaj dëgjon artistin dhe përfytyron e krijon respekt për vendin nga je.

Duke folur për këngën, rëndësinë dhe rolin e saj, ai është shprehur se “kënga është jeta ime; motivet e reja më emocionojnë; harrohem mbas një kënge të re dhe ndihem sërish i ri”…

Kur e kanë pas pyetur se si i vlerësonte prodhimet artistike shqiptare të këtyre dy dekadave të fundit, ai iu është përgjigjur me një farë dhimbjeje: Shikojmë një fryrje artificiale të pseudo-solistëve! Si mund të quhet e jotja një këngë me tekst të dikujt dhe me muzikë të dikujt tjetër, ndërkohë që këngëtari as nuk e këndon dot drejtpërdrejt, pasi i mungojnë parametrat minimale?! – është shprehur me dhimbje. Në Shqipëri kemi humbur konceptin e të kënduarit drejtpërdrejt. Lëre, pastaj, atë të kantautorit, që, ndoshta, nuk ka ekzistuar kurrë.

Lushnja, mbarë Myzeqeja kanë shumë të drejtë të krenohen me motrën e Hysniut, Vaçen e paharruar. Sakaq, kanë po kaq të drejtë të mburren edhe me vëllain e Vaçes, Hysniun – Mjeshtër i Madh i këngës popullore.

June 8, 2018 13:50
Komento

6 Komente

  1. Shoku June 8, 14:35

    Te lumte ,mendja qe i kujton ,te lumte dora se ato qe i kujton i hedh , jo ne pentagramin muzikor ,ashtu si Hysni Zela tekstet e kengeve, por pentagrami juaj eshte ndryshe, ai eshte me i madh se pentagrami muzikor. Shkrimet tuaj per korifenjte lushnjare ,hidhen ne pentagramin e historise se Myzeqese e te Shqiperise. Ndoshta brezat s’do te kujtojne dot ndonje kenge te Hysniut,por do mesojne se Hysniu ka qene nje kengetar i madh,i cili i kendonte Atdheut ,punes ,dashurise e njeriut te thjeshte. E ne kete pentagram te historise ,ne krahe te korifenjeve ,do te jete gdhendur edhe emri juaj si publicist i shquar i Lushnjes.

    Reply to this comment
  2. Lala June 8, 18:54

    Mos harroni sepse edhe Profesor Dhimitri eshte nje nga penat me te mira te gazetarise se vertete shqipetare(nuk flasim per kazan).RROFSHI E T’JU RROJNE GJITHE TE DASHURIT TUAJ! Pershendetje nga Krutja ne kurbet. Shenim : Po kam bere gabime orthografike faji eshte i profesorit-nje -dhe e dyta kam 23 vjete ne kurbet te zi.

    Reply to this comment
  3. DhShtembari June 8, 21:07

    Pershendetje “Shoku”” dhe “”Lala”‘! Faleminderit per fjalet e mira qe thoni per shkrimin e botuar prej meje, po perse dilni me pseudonime perderisa thoni diçka te sinqerte te dale prej zemres suaj?! Une do t’jua dija qindfish per nder keto qe thoni ne qofte se do t’ju mesoja emrin. Me pseudonim shkruanj dikush qe orvatet te fshihet. Gjithesesi, ju uroj shendet te plote dhe gjithe te mirat kudo qe mund te ndodheni.

    Reply to this comment
  4. DhShtembari June 8, 21:50

    Pershendetje “Shoku” dhe “Lala”! Faleminderit per fjalet e ngrohta qe adresoni ndaj meje dhe artistit per te cilin shkruhet! Perse me pseudonime, kur nuk keni shkak pse te fshiheni! Do te isha i nderuar dhe i gezuar sikur t’jua mesoja emrin. Sidoqofte, ju uroj gjithe te mirat, ne radhe te pare shendet te plote dhe njofshit vetem gezime!

    Reply to this comment
  5. kenga qe me mungon June 9, 21:06

    Respekt per shkrimin Dhimiter Shtembari, por me shume per ato te verteta qe thua. Magjepsem kur lexoj per keta artista, pavaresisht se di shume gjera dhe i kam shijuar dikur. Njekohesisht edhe te falenderoj, por , mendoj se; ke bere nje pyetje me larte qe pse dilni me pseudonime dhe mendimi im do te ishte ky: Eshte fat qe kemi mundesine te shprehim mendim te lire, por ketij fati i shtoj fatkeqesine qe nuk e perziej dot veten me analiza te disa mediokerve, naiveve apo qe vetem dine te shkruajne shqip dhe nuk dine se çfare thone. na liri ashtu anonim, se fundja kur shkon ne Toke ashtu ngelesh si shumica. Edhe nje here ju falenderoj e pres te lexoj gjera te tilla per te kuruar sadopak dhimbjen e kohes.

    Reply to this comment
  6. Germicoku June 10, 13:16

    Eh,mor i nderuari Dhimiter! Edhe une te pershendes e te falenderoj per shkrimin ne radhe te pare e ne radhe te dyte per mendimin qe jep qe komentuesit te dalin me emrine vertet. Une e kisha ndermend te dilja me emrin e vertet,por kur lexova komentin e ” Kenga qe me mungon ” thash:
    – Ky qenkerka ajka e kombit , si ti dal une perpara. kete mendim ia shpreha nje shoku,por ai foli prer: ” Ai qe lavderon veten,kur se njohin e shan te tjeret kur si nje , eshte zero. Lexoi fjalite e komentit e fol”

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*