Hysnia, vajza e gurit të pushtetit

January 9, 2019 13:04

Hysnia, vajza e gurit të pushtetit

Entela Resuli

Ajo punon mes gurëve të vegjël dhe me shumë vlerë. Është vazhdimisht e rrethuar nga rrezja e tyre që thonë se të fal pushtet, pasuri dhe dashuri. E çfarë do më shumë një njëri në jetë! Të gjitha këto i gjejmë në gurin e diamantit me të cilin punon Hysnie Kastrati.

Ajo konsiderohet si e para shqiptare në botë që ka një linjë diamantesh. Nuk ka qenë e thjeshtë për të, të arrijë deri këtu, pasi është shumë e re, por pasioni për gurët e çmuar dhe për të bukurën ka bërë që ajo të mos i ndahet kësaj rruge.

Nuk ishte e lehtë për mua ta gjeja në një moment të lirë Hysnien për të bërë me të një bisedë mbi punën dhe jetën e saj.

Është gjithmonë interesante të bisedosh me njerëz që punojnë me grimca të cilat vlejnë sa një pasuri. Ajo mund të konsiderohet ndryshe si vajza e diamanteve.

E ftova Hysnien të na tregonte eksperiencën e saj të kërkimeve në këtë fushë, e të na zbulonte disa sekrete të gurëve të çmuar. Pavarësisht se jeton mes tyre, ajo nuk është e “dehur” nga magjia që ato kanë. Hysnia i sheh profesionalisht dhe i studion në imtësi ato.

Hysnie Kastrati, është vajza nga Kosova, që jeton mes Romës dhe Stambollit. Le të themi, është kudo në Evropë, përmes punës së saj. E keni dëgjuar atë shprehjen: “A diamond, is forever”, por kjo nuk është thjesht e vetëm një thënie klishe. Ajo nuk i ka pasion gurët e çmuar, diamantet në veçanti, ajo punon mbi to për t’i kthyer në kryevepra arti.

Nuk i ka mbushur ende 30 vjeç, ama prej pak kohësh ka ndryshuar statusin e saj përgjithmonë! Është bërë mama e një djali, i cili për të është diamanti i vërtet që i ka ndryshuar jetën.  Një mbështetje e madhe  për të në këtë ka qenë familja dhe bashkëshorti i saj.

Nëpërmjet bisedës me Hysnien do të udhëtojmë për pak çaste në botën e gurëve të çmuar, duke njohur edhe veçoritë e tyre të rralla. Çfarë nuk ka kjo tokë!

-Hysnie, kam lexuar këto ditë në media se ju jeni shqiptarja e parë në botë me një linjë diamantesh, mund të na flasësh diçka më tepër për këtë pjesë?

Po unë jam ndër të parat shqiptare që ka krijuar një brand me gurë të çmuar pra në këtë sektor jam një ndër të parat. Po ashtu edhe në kohën kur e kam krijuar kam qenë ndër më të rejat në botë e tash nuk kam informacion nëse ka të tjerë edhe më të rinj.  Është një punë që më ka pëlqyer gjithmonë dhe kam punuar gjithmonë me dëshirën e madhe për të qenë e suksesshme në këtë fushë.

-Cila është lidhja jote me diamantin?

Është një lidhje e veçantë, nuk është se vetëm punë me tej, tashmë në këtë gurë është një pjesë e imja.

-Hysnie, na fol diçka për veten ku keni lindur? Po tani ku po jetoni?

– Kam lindur në Kamenicë të Kosovës, jetoj në mes Romës dhe Stambollit. Me familjen time pra burrin, djalin dhe nënën e burrit . Kam përfunduar shkollën për Muzikë të Përgjithshme dhe Shkencat Politike, pretendoj që pas disa viteve të futem në politikë, në vendin tim. E kam me shumë  dëshirë.

-A është e vështirë të punosh me “vogëlsira” që kanë shumë vlerë?

Patjetër që është e vështirë sepse kemi të bëjmë me gjera të vogla që kushtojnë shumë. Përpara dy viteve më ndodhi që një gabim i vogël, ose e thënë më qartë një besim i tepruar ndaj njerëzve që bashkëpunoja me solli një humbje prej afro 200.000 euro ku nga ajo humbje kompania vetëm sa nuk falimentoi, por falë ndihmës së familjes dhe të burrit arrita që ta tejkaloj gradualisht atë humbje që më ishte shkaktuar nga një gabim i vogël .

-Jeni një vajzë që punoni mes gurëve të çmuar, mes diamanteve, cila është përditshmëria juaj?

Përveç që punoj me diamante unë jam edhe një grua, një nënë. Zgjohem shumë herët kaloj kohë me djalin, gjithmonë ha mëngjes me familjen kur jam në shtëpi pasi që, unë edhe udhëtoj shumë gati çdo 3 dite.

Pastaj shkoj në zyrë merrem me punët, takimet. Nuk dal shumë shpesh sepse mundohem që të gjithë kohën e lirë t’ia  kushtoj djalit. Udhëtimet janë tashmë pjesë e imja, siç thashë udhëtoj shumë shpesh dhe kjo më bën të ndihem mirë.

-Ju analizoni dhe punoni më së shumti diamantin, mund të na tregoni disa nga karakteristikat apo të fshehtat e tij?

Diamanti është një simbol i rrugës alkimike të zgjimit dhe transformimit që shpirti i njeriut duhet të arrijë, në mënyrë që të shoqërohet me hyjnoren.  Në lashtësi besonin se ata që mbanin një diamant të futur me flori në dorën e majtë, ai u sillte pushtet, pasuri, dashuri, shëndet etj. Diamanti është në gjendje të përforcojë emocionet dhe energjitë e kujtdo që e mban atë.

-A është diamanti guri më i rrallë dhe i çmuar që ekziston apo ka edhe të tjerë më interesantë. Ku gjenden ata?

Diamanti është Mbret i Xhevahireve, emri buron nga greqishtja “adamas” që do të thotë i Pamposhtur. Gjenden në Botsvana, Rusia, Angola, Kongo, Kanada etj.. Këto vende janë prodhuesit më të mëdhenj të diamanteve.

-Është bukur të punosh me diamante?

Patjetër që është bukur të punosh me gjëra të çmueshme.

-Një vajzë që merret me diamantin, a mos jeni në “konflikt interesi”, pasi do të donit t’i kishit të gjitha për vete?

–  Hmm jemi pak po ç’të bëjmë po ia lejojmë vetes ndonjëherë.

-Pse keni zgjedhur këtë profesion, e keni të trashëguar?

Jo, nuk e kam të trashëguar, thjesht më ka pëlqyer gjithmonë andaj kam zgjedhur këtë profesion.

-Çfarë synoni me linjën e diamanteve që keni hapur, ku doni të arrini?

Synoj të renditem në rangun e top brandeve botërore më të njohura.

-A mund të flasim për tendencë në këtë periudhë, apo njerëzit vijnë dhe porosisin bizhu të personalizuara?

Stolitë me diamante janë gjithmonë në modë.

-Cili është sezoni më me fluks pune për ju?

Gjithmonë, por festat patjetër që janë më me fluks.

Brand

Shqiptarja e parë në botë me një linjë diamantesh

HRK quhet linja e saj e diamanteve, e cila është një industri e mirëfilltë dhe një biznes që është ideuar dhe drejtohet suksesshëm nga Hysnie Kastrti.

Krijimi i koleksioneve të veçanta të bizhuterive, nga byzylykët tek unazat me diamant, e kanë shndërruar Hysnien në një emër të dashur dhe me reputacion publik. Përfshirja në këtë biznes, ka ardhur si rezultat i punës disa vjeçare të saj në kompani të ndryshme diamantesh, aty ku ajo ka marrë leksionet e para rreth kësaj fushe. Studimet në Itali dhe eksperienca e bashkëpunimit me firma të ndryshme, ishin shtysa parësore që ajo të përfshihej në një investim të madh në kompaninë dhe linjën që vendosi ta etiketojë me inicialet e emrit të saj dhe të babait, HRK.

Gjithçka nisi nga pasioni për të bukurën dhe dashuria për punën! Ende një vajzë e re, por me shumë ide të qarta dhe fikse në kokë në lidhje me të ardhmen profesionale, ajo arriti që t’i jepte jetë linjës së parë të diamanteve që drejtohet nga një shqiptare. Tashmë, si një brand ndërkombëtar, emri i Hysnie Kastratit njihet në shumë shtete të Evropës, në Kosovë, Shqipëri, e gjetkë.

January 9, 2019 13:04
Komento

1 Koment

  1. demo January 9, 17:53

    Nga titulli duket sikur e ka bere rama ministre.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*