Hysniu tenton t’i mësojë rakinë Doktorit

May 14, 2013 17:25

Hysniu tenton t’i mësojë rakinë Doktorit

–      Doktor, – i thashë unë mbrëmë, – do e kthesh një herë?

–          Jooo, – përgjigjej doktori prerë.

–          E di si është apo jo, prush, ta shpie mendjen në vend.

–          Posi, o Hysni, posi. Ndaj je intelektual i madh ti nga ajo që pi raki, – përgjigjej Doktori!

–          Intelektual nuk jam, o Doktor, po ja unë duke pirë raki as Shqipërinë kam djegur e shkretuar, as voten e kam vjedhur, as korrupsion nuk kam bërë, as njerëz nuk kam vrarë.

–          Kjo nuk do të thotë asnjë gjë. Ti nuk ke pasur gjë në dorë, ndaj nuk ke bërë këto mysybete. Se ja raki pinte Fatos Nano! Po maskarallëqe bëri plot.

–          Sado të ketë bërë, si ato të tuat nuk ka bërë kurrë. Pastaj problemi me Fatosin qëndron se ai po mos të pinte, ishte normal e kur dehej bëhej lolo, ndërsa ti je normal po të pish, e je lolo kur je esëll.

–          Nuk qëndrojnë këto shpjegime, o Hysni, përgjigjej Doktori.

–          Ore po pije një dopio të shkretën, ta provojmë një herë. Po të bëri dëm, nuk të japim më.

–          Jooo. Nuk e filloj unë pijen në këtë moshë! Nuk dua të bëhem si Fatos Nano!

–          Po ti vetëm me rakinë e ke kunjën, se të gjitha veset në moshë të madhe i fillove. Këtë që duhet të kishe provuar të parën, e ke lënë për të fundit.

–          Nuk bëhem pijanec dhe pikë.

–          Ore ne po kërkojmë të të bëjmë esëll, se ti si i dehur je 24 orë.

–          Provoje një herë, o Doktor, aman, provoje, – i lutej edhe Ylli.

–          Joooo, – ngrinte zërin Doktori. – ka hile këtu! Ju doni të më dehni mua edhe të merrni pushtetin.

–          Ore po ti je koqe fare, – i thoja unë. – Po ne po të duam të marrim pushtetin, ikim e bëhemi me opozitën e nuk rrimë këtu mbas bythës tënde. Ne duam të të bëjmë normal si puna jonë.

–          Po ti nuk je normal, o Hysni!

–          O t’ëmën e s’ëmës. Unë nuk jam normal që ha, pi, këndoj e bëj muhabetin sipas tavolinës e qenke ti normal që kur vete për vdekje thua: “Jam i gzuar që marr pjesë në hidhërimin tuaj”.

–          Mos u nxeh, o Hysni, se nuk e kisha me atë kuptim, e kisha në aspektin intelektual, të shkollimit!

–          Si do i vejë filli? – m’u kthye Ylli me zë të ulur. – Si do i mbushim mendjen të pijë raki ky firaun?

–          Nuk di ç’të them more shoku im, – pëshpërisja unë. – Bela e madhe me këtë, por për punën e moshës unë nuk e kam merak. Se ja, edhe hajdut nuk ka qenë ky kur ka qenë i ri, po në pleqëri u bë kusar e kaluar kusarit. Rakinë nuk e ka mësuar se andej nga vjen ky, nuk pihej rakia. Kur shkova unë andej mbas çlirimit, më i zgjuari në fshatin e Saliut u thoshte fshatarëve se kur domatet skuqeshin, ishin të prishura dhe duhet t’i hidhnin poshtë, sepse e dinin se domatet haheshin vetëm turshi jeshile.

May 14, 2013 17:25
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*