I arti Bardhyl Xhama…

Sejdo Harka November 30, 2015 15:15

I arti Bardhyl Xhama…

Bardhyl Xhama, ky emër i mirënjohur i letrave shqipe, shquhet jo vetëm në fushën e arsimit, por dhe në atë të krijimtarisë së mirëfilltë artistike. Ai ka një jetë të tërë që shkruan e shkruan pa mbarim, për t’u dhuruar lexuesve një krijimtari të bollshme dhe tepër cilësore. Është kjo arsyeja që kritika jonë letrare dhe lexuesi i gjerë e kanë thirrur atë me epitete të tilla karakterizuese, si: ”I arti Bardhyl Xhama”, ”Shkrimtari i detit”, dhe kohët e fundit ”Mjeshtër i rrëfenjave”. Shkrimtari Bardhyl Xhama është fitues i “Çmimit të Karrierës” dhe i dhjetë çmimeve letrare në konkurset kombëtare të letërsisë për fëmijë e të rinj. Kohët e fundit Shtëpia Botuese “Toena” ka filluar botimin e kolanës tematike prej 8 librash me rrëfenja për fëmijë e të rinj. Libri i parë i kësaj kolane , me titullin “Shtëpia pa libra, si trupi pa shpirt”, i cili përmban 32 rrëfenja dhe që i kushtohet librit, shkollës dhe diturisë, ka kohë që ndodhet në duart e lexuesve. Në Panairin e Librit të këtij viti u paraqit dhe libri i dytë i Kolanës me 36 rrëfenja, me titull “Dora me baltë, buka me mjaltë”, kushtuar punës dhe fitimit. Ndërsa 6 të tjerët, “Guri i rëndë në vendin e vetë” me rrëfenja për emigracionin, “Pse u ndërpre xhirimi i filmit”, për atdhetarinë dhe trimërinë, “Hakmarrja e shpendëve” për ruajtjen e mjedisit, “Fjala si bleta”, për jetën e fëmijëve ,”Gardhi kalbet,armiqësia mbetet” dhe “Një krimb than një lis”, me rrëfenja për punën dhe ndershmërinë në punë, presin të botohen.

Të katër librat me rrëfenja të botuara më parë nga “Toena” (“Pse qau delfini”, “Djaloshi që kapte rrufetë”, “Pëllumbi me fjongo të kuqe” dhe “Gota e lumturisë”), nga të cilat janë hartuar 8 librat e kolanës, kanë marrë shumë vlerësime pozitive nga shkrimtarë, studiues e lexues të thjeshtë, ndërsa tre prej tyre kanë fituar çmimet: “Mitrush Kuteli”, “Bekim Harxhi”, e “Tasim Gjokutaj” në konkurset kombëtare të letërsisë për fëmijë e të rinj.

Më poshtë po japim disa fragmente nga vlerësimet e shkrimtarëve dhe studjuesve për rrëfenjat e këtij autori:

       Vlerat e rrëfenjave të kolanës janë të shumëfishta. Më poshtë po i rreshtojmë shkurtimisht disa prej tyre: Të mbi 240 rrëfenjat që përmblidhen në këto tetë libra të kolanës kanë vlera të mirëfillta edukative, veçanërisht për fëmijët e të rinjtë, që japin mesazhe të qarta dhe herë-herë universale për të mirën dhe të keqen, për virtytin dhe vesin, për mirënjohjen e sinqeritetin, për vjedhjen dhe ndershmërinë, për vlerën e diturisë e të shkollimit, për atdhetarizmin e trimërinë, për mbrojtjen e mjedisit, për fjalën e mençur dhe bujarinë…Leximi i tyre, veç anës edukative, të jep edhe kënaqësi estetike. Sikurse thekson dhe kritika letrare, rrëfenjat e këtij autori shquhen për një gjuhë të gjallë e të bukur , në përshtatje me moshën e fëmijëve. Gjuha e rrëfenjave është e pasur me fjalë, sentenca dhe shprehje të rralla e të reja, të cilat e bëjnë atë të ëmbël, ndërsa naracionin herë të shtruar e herë dinamik. Në këtë kolanë gjenden mbi 2500 fjalë e shprehje figurative, që ndikojnë fuqishëm në pasurimin e të folurit e të shkruarit të nxënësve. Për shumëllojshmërinë e fjalëve e të shprehjeve që gjenden në rrëfenja, mjafton të përmendim si shembull konkretizues faktin se vetëm në aparatin pedagogjik të librit me titull “Fjala si bleta”, janë mbi 300 fjalë e shprehje figurative, që duhen shpjeguar e përvetësuar nga nxënësit. Gjithashtu, fëmijët e të rinjtë mësojnë domethënien e mbi 200 fjalëve të urta dhe thënieve të personaliteteve të shquara të fushave të ndryshme të dijeve e të letërsisë botërore. Kështu, për shembull, vetëm në librin e parë të botuar për shkollën e diturinë gjenden 18 të tilla.

Librat e kësaj kolane kanë dhe vlera të mëdha didaktike . Bardhyl Xhama, “Mësues i Merituar”, si njohës i mirë i pedagogjisë dhe i psikologjisë së fëmijëve, ka arritur me sukses të na japë vepra letrare me vlera të spikatura didaktike. Të tetë librat e Kolanës janë konceptuar edhe si libra shkollorë, të ngjashëm me librat e leximit letrar. Ato kanë një parathënie, ku parashtrohen vlerat artistike dhe edukative të librit, zbërthehen mesazhet që jepen, gjuha e përdorur , etj. Pastaj vjen lënda, rrëfenjat e veçanta, treguesi i lëndës dhe, çka është më me rendësi, aparati pedagogjik me shënimin pasues.

Mund të themi se kolana me 8 libra me rrëfenja për fëmijë e të rinj e shkrimtarit Bardhyl Xhama, që po vazhdon të botohet nga Shtëpia Botuese “Toena”, ka vlera të papërsëritshme edukative, artistike, gjuhësore dhe didaktike, të shprehura qartë edhe nga kritika letrare. Ato ruajnë në brendinë e tyre mençurinë dhe bukurinë e shpirtit të të gjithë popujve të botës.

Sejdo Harka November 30, 2015 15:15
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*