I ‘dogji’ dekriminalizimi, por lëvizin ende me pasaportë diplomatike

October 24, 2017 19:30

I ‘dogji’ dekriminalizimi, por lëvizin ende me pasaportë diplomatike

Më 17 dhjetor 2015, maxhoranca dhe opozita bashkuan votat për të miratuar ligjin e dekriminalizimit, ligjin “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen ose emërohen apo që ushtrojnë detyra publike”.

Zbatimi i këtij ligji solli si pasojë dorëzimin e mandatit të dy deputetëve, Dashamir Tahiri të Partisë Demokratike dhe Shkëlqim Selami i LSI-së, por dhe kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi.

Por edhe pse deputetët e humbën mandatin e tyre, pasi nuk kishin deklaruar dënime të tyre nga gjykatat jashtë vendit, ata nuk kanë humbur privilegjet e tyre që burojnë nga statusi i deputetit. Deputeti Mark Frroku e kishte humbur mandatin për shkak se kishte fshehur dënime të tij në Belgjikë.

Instituti i Studimeve Politike që drejtohet nga Afrim Krasniqi, ka konstatuar se edhe pse tashmë dy deputetët kanë lënë mandatin, ata dhe familjarët e tyre vijojnë të mbajnë pasaportat diplomatike që ligji ua lejon për sa kohë janë deputetë.

Instituti i Studimeve Politike vëren se ligji “Mbi statusin e deputetit” ka mospërputhje me ligjin për dekriminalizimin sa u takon privilegjeve të deputetëve pasi dorë- zojnë mandatin. Në një letër dërguar Kuvendit, Instituti i kërkon rregullime në ligjin “Mbi statusin e deputetit”

ISP LETËR KUVENDIT

Instituti i Studimeve Politike-Kuvendit: Hiqni imunitetin diplomatik për deputetët e inkriminuar Të gjithë deputetët që kanë humbur mandatin për shkak të dekriminalizimit gjatë viteve 2015-2017, vijojnë të udhëtojnë deri në 2018-2020 me pasaporta diplomatike për veten dhe familjen.

Gjatë monitorimit të Parlamentit në legjislaturën e kaluar dhe atë aktuale, përmes database www.deputetim.al Instituti i Studimeve Politike ka konstatuar problematikë interesante mbi Parlamentin dhe deputetët.

Një prej tyre lidhet me privilegjin e parlamentarëve, pajisjen me pasaportë diplomatike për veten dhe bashkëshorten/bashkëshortin, privilegj që vijon të mbahet edhe nga deputetët që kanë humbur mandatin për shkak të ligji të dekriminalizimit.

Konkretisht, bazuar në ligjin 8850, datë 18.11.1999 të ndryshuar “Mbi statusin e deputetit”, neni 16: “deputetit dhe bashkëshortes (bashkëshortit) të tij/saj u njihet e drejta e pajisjes me pasaportë diplomatike gjatë kohës së kryerjes së mandatit, si dhe 3 vjet pas mbarimit të tij… Imuniteti diplomatik i deputetit garantohet nga shtetet e tjera sipas detyrimeve që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare”. Ky është një rregull klasik, por që në rastin shqiptar paraqet një problematikë tjetër.

Gjatë 2016-2017, pesë deputetë dorëzuan mandatin parlamentar ose iu hoq mandati parlamentar në kuadër të neneve të ligjit të dekriminalizimit. Ky është rasti i parë gjatë tranzicionit kur politikanët humbasin mandatin parlamentar për shkak të kufizimeve nga një ligj specifik. Me gjithë masën e ashpër dhe dorëzimit të mandatit, Kuvendi nuk e reflektoi frymën e re të ligjit të dekriminalizimit në aktivitetin e tij parlamentar dhe legjislacionin rregullator brenda tij.

Konkretisht, të gjithë deputetët e dorëhequr ose me mandat të hequr, vijojnë të gëzojnë privilegjet ligjore të statusit të ish-deputetit, përfshirë edhe mbajtjen e pasaportës diplomatike për veten dhe bashkëshorten.

Disa nga deputetët e identifikuar si të inkriminuar dhe të penalizuar për këtë, vijojnë ende të kenë pasaportë diplomatike dhe imunitet diplomatik dhe e kanë përdorur atë në udhëtime të ndryshme jashtë vendit edhe gjatë kohës kur e kanë humbur mandatin parlamentar./ISP

October 24, 2017 19:30
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*