I kthyer në vendin e krimit

September 10, 2018 11:38

I kthyer në vendin e krimit

Nga Bedri Islami

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ishte në këtë fund javë vizitor në Kosovë. Bëri mirë që shkoi. Jo për tjetër, por edhe një herë, i gjithë mentaliteti, paraqitja dhe mendësia serbe, u shfaq e plotë dhe në të nuk kishte asgjë të papritur për shqiptarët e Kosovës. Në fund të fundit, me fjalimin e tij të së dielës, ai saktësoi se qendra e mendimit politik në Beograd nuk ka ndryshuar dhe vazhdon të mos ndryshojë. Ndryshe nga sa paraqitet në takimet bilaterale apo me funksionarë të lartë të Brukselit, në bisedat me zonjën Merkel apo në paraqitjet televizive europiane, Vuçiç është, pa asnjë dallim esencial, vazhdim i politikës së Milosheviçit në Kosovë dhe i njëjti birrëmbajtës në tavolinën e Sheshelit.

Asgjë e keqe nuk vjen vetëm për të keq. Edhe paraqitja nacionaliste e nivelit të egërsuar e Vuçiç , në fund të fundit, duhet të mbushë në mend politikën shqiptare se serbët asgjë nuk kanë mësuar nga humbjet, nuk kanë asnjë pendim nga e shkuara, janë të gatshëm përsëri të ndezin flakët e urrejtjes dhe këtë nuk duan vetëm në një drejtim: drejt jugut, ku është shteti i Kosovës, por me të gjithë fqinjët e tij.

Është një mësim për politikën në Prishtinë, ku Vuçiç i Brukselit nuk është i njëjtë me atë që turfullon para mbështetësve të tij; nuk është ai që bie dakord në bisedat paraprake për të njohur shtetin e Kosovës dhe për të bërë një ndryshim të kufirit në shkëmbim të më shumë të drejtave për serbët e Kosovës; nuk është ai që duke iniciuar një amnisti të përgjithshme në të dyja anët , synon të ulë tensionin politik, kombëtar e qytetar; nuk është ai që shkoi në Kosovë me dafinat e paqes, por që kërcënoi rishtas, duke sjellë si shembull të një burrë shteti të madh serb, pikërisht vrasësin masiv, Millosheviçin.

Është një mësim edhe për politikën në Tiranë, të cilët shpesh herë mund të mendojnë se njeriu i sjellshëm – rëndesë nga koha e birrëmbajtjes – i frazave miqësore, nuk është i njëjtë me atë  që synon të rifutë Kosovën nën mantelin e përgjakur serb, por që vjen dita dhe ai shfaqet ashtu si ka qenë në të vërtetë dhe, si duket, do të mbetet edhe për shumë kohë.

Në fakt ai u kthye në vendin e krimit të fundit serb, që ishte po aq i përgjakshëm sa edhe në Kroaci dhe në Bosnje. Duke u kthyer në këtë vend dhe me të njëjtën mendësi, ai nuk mund të dilte nga vetja dhe, edhe po të guxonte ta bënte këtë, si guxon jo pak herë në bisedimet me përfaqësues të lartë europian, sidomos me Zonjën Mogerini, ai nuk do të mund të mbante vendin e tij si president. Sepse, e gjithë kupola drejtuese e sotme e Beogradit, ka ndërruar emrat, por jo qëndrimin ndaj një çështje të humbur.

Me këtë mendësi të atij që kthehet edhe një herë në vendin e krimit, ai synoi të shkonte edhe në Drenicë, në zonën ku janë bërë masakrat e para dhe më të përgjakura serbe. Nuk kërkoi të shkonte për të kërkuar ndjesë, por si shëmbëlltyrë e pushtetit të tij, i cili, edhe pse mund të ketë petka moderne, është po aq kasap sa edhe më herët.

Sidoqoftë, edhe pse i trullosur nga ajo që i ndodhi në Drenicë, Vuçiç mësoi disa gjëra që do i vlejnë edhe në të ardhmen.

Ai mësoi se, edhe po të ketë mundësi të bëjë për vete një pjesë të klasës politike në Kosovë, në fund të fundit, rrugët do të jenë të prera dhe të pafund. Mësoi se, megjithë ec e jaket e tij, ka një kufi që ai duhet ta respektojë dhe të kthehet mbrapsht. Refuzimi i Drenicës, kjo do të kishte ndodhur edhe në zona të tjera, për t’i bërë vend një radikali Sheshelist, pavarësisht se ai bisedon me krerët kushtetues, do të thotë shumë për Beogradin, i cili, edhe pse synoi të trembë me lëvizjen e ushtrisë drejt  Kosovës, e di krejt mirë se kjo është një disfatë e hidhur.

Vuçiç mësoi se edhe drejtuesit e lartë të Kosovës, të cilët, herën e parë i dhanë leje të udhëtonte drejt Drenicës, janë të tërheqshëm, pikërisht atëherë kur e rishohin se nuk janë ata që vendosin.

Ndaj, tani, në bisedimet që mund të vazhdojnë një ditë, ai, pas hijes së kujtdo qoftë si përfaqësues i Kosovës, duhet të shohë edhe ata që lëvizin dhe që janë në të vërtetë fryma që i duhet Kosovës.

Në fund të fundit ai mësoi se edhe presidenti i Serbisë, pavarësisht tonit e mesazhit ultranacionalist, nuk mund të bëjë më shumë se kaq; atij i duhet dhënë leje për të vizituar një shtet fqinj; atij i duhet shikuar e miratuar agjenda e lëvizjes; atij i priten rrugët kur lëvizja e tij synon të destabilizojë. Si çdo vend i pavarur.

Vizita e Vuçiç, jam i bindur, se do të sjellë përfitimet e saj edhe nga mendimi politik në Kosovë.

Premtimet e Vuçiç në Bruksel nuk duhen marrë kurrë të njëmendta dhe seriozisht. Ai është në gjendje të ndryshojë premtimet e tij për hir të politikës së ditës, por kjo nuk ka të bëjë me Kosovën.

Pas vizitës dhe fjalës së tij, Prishtina zyrtare duhet të ketë një ritëm tjetër:

Ajo nuk duhet të ulet rishtas në tryezën e bisedimeve pa u vënë pikat mbi “i”; pra, pa u qartësuar gjërat.

Dhe gjëja e parë që duhet të jetë e qartë edhe për Vuçiç, është se po bisedojnë përfaqësues të dy shteteve fqinjë, që, më parë se të bëjnë fjalë për programe e marrëveshje, duhet të njohin njëri tjetrin.

Nëse ata nuk e njohin njëri-tjetrin, nuk kanë as se për çfarë të bisedojnë.

September 10, 2018 11:38
Komento

4 Komente

  1. Drinzi Bardhi September 10, 11:57

    Z. Bedri shkrimi konkludimi për vizitën e” atij” është i qartë, i vërtetë. Elita serbe, që ju drejt e përcaktoni që nuk merr në konsideratë humbjet, por ato arrin ti përkthejë edhe si fitore, personalisht më sjell ndër mend edhe këta “elitarët” tanë, të cilët asnjëherë nuk pranojnë dhe as që flasin për humbjet e tyre partiake jo dhe jo, por “këta” nuk kanë tjetër synim veç të rrëmbejnë kutitë e votimeve për të siguruar vetëm dhe vetëm marrjen e pushtetit. Komenti im ka këtë dyshim: ” Mos vallë qëndrimet e elitës serbe dhe të elitës tonë, me qenë se kanë të njëjtin qëndrim ndaj humbjeve, tregojnë një ” binjakëzim” mes tyre?”. Ka rastësi, por kur rastësia përsëritet mendoj se del në pah domosdoshmëria e koordinuar për të realizuar finalizimin serbo-grek, duke përdorur me sukses edhe bashibozukët e blerë për të marrë pushtetin?”
    Drinzi Bardhi

    Reply to this comment
  2. Arben September 10, 12:22

    E degjuat fjalimin e ketij die ne kosove.

    “Milloshevicit e kishte mire si ide, po zbatimi caloi”

    Ideja e ketij ishte qe milloshevicit deshtoi ti zhdukte te

    gjithe shqipetaret nga faqja e dheut.

    Reply to this comment
  3. Dardan September 10, 14:00

    Ne vazhdim te shenimit te shkelqyer te gazetarit Bedri Islami shtoj nje keshille vllazerore per pushtetaret ne Prishtine:

    Kurre me te mos lejoni politikanet serbe te kryejne vizita ne komunat me shumice banore serbe, por vizitat te fillojne nga institucionet shteterore kosovare ne Prishtine; pastaj, po qe se nuk jane persona te rrezikshem, si puna e Aleksander Vucicit, te lejohen te qarkullojne ne Kosove nen masa te rrepta vezhgimi dhe sigurie shteterore kosovare!

    Reply to this comment
  4. Aliu nga Selenic September 10, 19:43

    Evrpa vertet eshte mjafte e qete madje shpesh her duke se ne problemet me Serbein sikura ajo konsideron se nuk ka” ndodhur” agje me Kosoven.
    Po te mendosh krimet monstruoze qe ket bene ne funde te shekullit te XX-te ket duhet te mbahen nen kujdestari te madhe dhe jo te mbeshtetn dhe te ledhatohen kaqe shume sice po bejen kete Ecropiane!
    Ju te gjith i keni pare skemat mahnitese gjenocidale qe ben ne popullsine e pafajshme.
    Ndaj ketyre duhet te merren masa dhe jo te ledhatohen.
    Te pakte keta te ken ndergjegjen e vrar.!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*