I ngacmuar nga një fizarmonikë virtuoze

October 11, 2018 13:00

I ngacmuar nga një fizarmonikë virtuoze

Limos Dizdari*

Nuk besoj se është bërë ndonjë punë më e vyer në jetën kulturore e artistike për vendin, në këto 25 vitet e fundit, se sa nis-ma e Drejtorisë së Përgjithshme e RT Shqiptar, vënien në funksionim të emisioneve shumëplanëseh të stacioneve televizive me siglën e disa qyteteve të vendit, si: Shkodra, Kukësi, Korça, Durrësi, Berati, Gjirokastra etj.

Është një nismë e madhe, me shumë vlera të veçanta për informacionin, kulturën, estetikën, folklorin, prirjet e qyteteve, veçantitë dhe dinjitetin e qyteteve përkatësisht, të cilat ndihmojnë dhe nxitin garën dhe pjesën shpirtërore në çdo qytet dhe brenda tyre. Është një fillim i shkëlqyer, që, me sigu-ri, do të vazhdojë me një shkallë më të lartë përgjegjësie si vlerë, dobi shoqërore, dhe proces njohës më shkencor e promovues.

Nga ky këndvështrim dhe nga kjo vlerë komunikimi kombëtar, kulturor, filloj të shpresoj e të pra-noj se mund të kemi një respektim të pavarësisë së qeverisjes vendore dhe Qeverisë qendrore. Tamam këtë respektim të domosdoshëm për demokracinë, vetëm qarkullimi i vlerave ndërmjet qyteteve, mund ta realizojë, si shprehje e një obligimi shpirtëror qytetar dhe i institucioneve të zgjedhura, apo institucioneve shtetërorë.

I gjithë ky meditim, lindi fare rastësisht, duke ndjekur një koncert të mahnitshëm në një kala të mahnitshme, siç është ajo e Gjirokastrës, në një emision me siglën e Gjirokastrës.

Në një nga korridoret e lashtë të asaj Kalaje, ishte vendosur varfërisht, pa ndonjë përgjegjësi e angazhim, profesional, një fizarmonicist virtuoz, që luante me të dyja duart: të djathtën në tastierë dhe të majtën në bllokun e basit, duke bërë të mundshëm një komunikim si me spektatorin, ashtu edhe me telespektatotorin, në një mënyrë të jashtëzakonshme dhe tepër befasuese. Kënaqësia ishte shumë e madhe. Vazhdova rreth 40 minuta ta ndjek atë instrumentist të magjishëm.

Kjo ngjarje më ka ndodhur edhe një herë tjetër, rreth ca më shumë se 60 vjet më parë.

Përsëri në Kalanë e Gjirokastrës, por atëherë në prani të disa qindra spektatorëve, në sheshin e Kalasë. Atje dëgjuam, ndër të tjerë të ansamblit nga Bullgaria, edhe fizarmonicistin Boris Karlov. Unë isha atëherë fëmijë dhe ëndërroja shumë. Më nge-li në mendje Boris Karlovi. Duke më dhënë vetëm guxim dhe shumë shpresë.

Sot jam i moshuar dhe ai instrumentist më mahniti. Kishte një teknikë shumë të lartë, një estetikë shumë fine dhe një gamë të gjerë emocionale në lojën e tij magjike.

Me mendje artikulova në mënyrë të zëshme…Dëgjova të thoshja se fizarmonika është një instrument “pan-botëror, për të gjitha kategoritë shoqërore të njerëzimit. Kur je para një virtuozi të tillë, të duket sikur je para Çaplinit, që, edhe pse fëmijë, plak, punëtor a filozof, merr kënaqësi të paharruara. Ky është tipari i gjenive.

Ndenja shumë gjatë para ekranit të televizorit, por nuk ia mësova dot emrin atij virtuozi. Nuk kishte shumë rëndësi. U mundova të orientohem si të verbërit. Kërkova ndihmën e profesionit…përmes temave muzikore që ekzekutonte, si shprehje shpirtërore dhe emocionale, pak a shumë, thashë se ky duhet të jetë diku nga viset tona ballkanike. Shpresoj të mos kem ga-buar. Bajroni nuk na dëfton rrugën e Çajld Haroldit, por na përcakton praktikisht, duke na a thënë…Kryqi po zbret/ po ngrihen minaretë/ e zbehtë ndrin Hëna/ nëpër selvi, në agor të çdo qyteti…, duke u ndjerë të mirëinformuar për rrugëtimin e Haroldit, por që do të na bënte të nderuar e krenar diku në cep të Poemës: Lejomë, o Shqipëri, të kthej sytë e mi/ mbi ty, o nënë e rreptë/ burrash të egër/.

Këtë bëri edhe ai fizarmonicist virtuoz në një nga kubetë e armëve të asaj Kalaje, ku, me një sensibilitet mahnitës, thurri temat muzikore të popullit të tij, që ngjanin aq shumë me aromën, kujtimet dhe atmosferën e të gjitha kalave ballkanike: me gjakun, dhimbjen dhe brengat e popujve të këtij gadishulli punëtor, të sertë e të hareshëm, të vetëm si ata.

Gjatë gjithë koncertit të tij, ai fizarmonicist vetëm këndonte, që më shumë se i tillë, ai mërmëriste nën shpirtin e atyre nga vinte, por jo se nuk i mjaftonte instrumenti që përdorte. Asaj vegle muzikore, që kishte tri pjesë përbërëse, që ishin: tastiera, kaceku, që fryhej e shfryhej dhe sistemi i basit, që aktivizohej si një komunikim ideal nga krahu i majtë i tij, sikur të mos mjaftonin këto pjesë, ky artist i kishte shtuar edhe zemrën e tij, në dispozicion të së cilës ishte e tërë qenia e tij. Nuk vibronte vetëm fizarmonika, por i tërë trupi i tij ishte i akorduar në atë mbrëmje, si një vazhdim organzik i nënshpirtit të tij artistik. Dhe, sikur të mos mjaftonte vënia në dispozicion e zemrës dhe trupit të tij, në favor të koncertit, artisti fton dhe publikun t’i bashkohet isos së madhe fondamentale, që, së bashku me sektorin e basit, të krahut të majtë, si një “Ostinato” i gjatë apo si një “Bordun”, që vjen nga kohë të largëta, bashkohet dhe zëri njerëzor, që rrit fuqinë emocionale dhe shton së tepërmi kolo-ritin e koncertit të atij solisti.

Ishte një instrumentist virtuoz, me një koncert vetiak, që zor se do ta harroj, sadopak.

Nëse do të kisha mundësinë ta shihja atë koncert, çmimi i asaj bilete, sado i lartë, do të ishte përsëri modest.

Ju falenderoj, i dashur artist, që nuk ta mësova emrin, por të premtoj se asgjë nga ajo që pashë dhe dëgjova, nuk kam për të harruar.

*Ksamil-Sarandë

October 11, 2018 13:00
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*