Të jesh i dobishëm…

April 8, 2018 10:47

Të jesh i dobishëm…

Arben Duka*

 

Unë nuk shkruaj vargje,

thjesht të mbush gazetën,

këtë s’e kam bërë,

asnjëherë gjithë jetën!

 

Nuk e zbardh të zezën,

nuk e nxij të bardhën,

s’shkruaj e s’kam shkruar,

për të shkuar radhën!

 

Askush s’mund të jetë,

përditë i magjishëm,

por gjithnjë mjafton,

të jetë i dobishëm!

 

Të jetë i dobishëm,

të mendojë për mirë,

të jetë si një dritëz,

në një errësirë!

 

T’i thotë vegjëlisë,

hapur e më hapur,

se kjo qeveri,

jetën u ka kapur!

 

T’i thotë vegjëlisë,

dhe pa varg të zgjedhur,

se kjo qeveri,

shumë keq ju ka vjedhur!

 

Shumë keq ju ka vjedhur,

dhe përditë ju vjedh,

dhe përmbi kufoma,

valle vdekje hedh!

 

T’ju thotë e t’ju thotë,

sot e përsëri,

se të nxihet jeta,

kur s’ka drejtësi!

 

T’ju thotë e t’ju thotë,

natë e ditë shqiptarëve,

Atdheu është yni,

nuk është i kusarëve!

 

Të kem gjuhën time,

dhe jo të Ezopit,

mos e ulni kokën,

as përpara Zotit!

 

Askush e askush,

nuk më komandon,

kjo është jeta ime,

i vetmi Mision!

 

Edhe përmbi veten,

drejtësinë e dua,

veten kini sharë,

nëse shani mua!

 

Askujt e askujt,

s’kam mbajtur anën,

tani me të drejtë,

jam me Edi Ramën!

 

Se sot është bërë,

zëri i shqiptarëve,

dhe e vetmja shpresë,

kundër gjithë shpellarëve!

 

*8 Prill 2011  (shkruar në kohën e qeverisjes PD-LSI. Duket që shumë gjëra nuk kanë ndryshuar dhe sot)

 

 

April 8, 2018 10:47