Igli Allmuça, njeriu i trofeve te Kukësi

April 19, 2014 08:32

Igli Allmuça, njeriu i trofeve te Kukësi

Igli Allmuça është një nga lojtarët e Kukësit që e di se si fitohen trofetë. Mesfushori synon titullin me katër skuadra të ndryshme, pasi e ka fituar më parë me Tiranën, Dinamon e Skënderbeun. Këtë javë Kukësi duhet të kapërcejë një pengesë serioze, Partizanin, skuadra me të cilën Allmuça ka luajtur për herë të parë në Kategorinë Superiore, ndërkohë që me të kuqtë ka fituar të vetmen Kupë të Shqipërisë. Të gjitha këto suksese mesfushori ka mundësi t’i përsërisë edhe me Kukësin, që lufton në dy fronte, megjithatë sugjeron që skuadra t’i marrë ndeshjet një nga një, pa shkuar shumë larg. “Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për ne, por shpresoj që ta kalojmë me sukses”, thotë mesfushori i Kukësit. “Ne kemi pesë fitore radhazi në kampionat, të cilat na japin shumë besim dhe tregojnë formën që kemi. Nuk duam të ndalemi me kaq, prandaj do të luajmë vetëm për fitore kundër Partizanit”. Allmuça nuk druhet se skuadra e tij mund të ketë rënë në grackën e euforisë pas ecurisë pozitive të këtyre javëve. “Nuk besoj se do të kemi problem motivimi, përkundrazi jemi shumë të motivuar”, siguron 33-vjeçari. “Tani është fundi i sezonit dhe ne jemi pranë objektivave të mëdhenj, çka na bën që të jemi më të përqendruar se kurrë”. Kukësi pa t’i rihapej rruga për titull pas tri humbjeve radhazi të Skënderbeut. Megjithatë, Allmuça nuk sheh nga korçarët, duke u përqendruar vetëm te skuadra e tij, edhe pse për titullin duhet që Skënderbeu të humbasë detyrimisht pikë të tjera. “Ne të gjithë shohim vetëm skuadrën tonë. Nëse fitojmë ndeshjet tona, atëherë mund të shohim edhe të tjerët, por për momentin nuk mund të shpërqendrohemi”. Këshilla e Allmuçës merr vlera të mëdha, duke pasur parasysh javën e kaluar, kur kuksianët shpresonin në humbje të Skënderbeut në Vlorë, duke harrur fillimisht të fitonin ndeshjen e tyre kundër Kastriotit, gjë që e arritën vetëm në fund, pas shumë vuajtjesh. Pikërisht për këtë arsye, Allmuça nuk dëshiron të mendojë shumë edhe për Kupën e Shqipërisë, megjithëse ky është trofeu më i mundshëm, pasi tashmë Kukësi ka dalë në finale, ku do të ndeshet me Flamurtarin.

April 19, 2014 08:32
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*