Ikëm nga diktatura, ramë në xhungël…?

September 22, 2015 02:06

Ikëm nga diktatura, ramë në xhungël…?

I takoj një brezi që i kam jetuar të dyja sistemet, pothuajse në mënyrë të barabartë të kohës. Nga ai sistem komunist kam jetuar e mësuar shumë gjëra, e që do t’i kujtoj e përjetoj si pjesën më krenare të jetës sime, e po përmend disa nga këto. Mora një arsim në shkollë që ndoshta nuk jam kam zili çdo vendi tjetër të Europës, mora edukatë familjare e shoqërore, civilizim, ndjenjën e punës dhe të respektit, të dashurisë për familjen, atdheun, ndjenjën e humanizmit dhe interesit të përgjithshëm dhe mësova shumë për historinë tonë kombëtare. Pra u bëra një njeri i formuar dhe i përgatitur për të përballuar vështirësitë e jetës.

Kur e ndërrua sistemi veshët tanë çfarë nuk dëgjuan si tam-tame për sistemin që lamë pas, nga gojët e klasës politike, të shtetarëve e pushtetarëve, të deputetëve e politikanëve, që morën fatet e vendit tonë nga viti 1992 e për 23 vite me radhë. Por këto i dëgjuam edhe nga goja e politikanëve “demokratë” europianë. Dëgjuam se shteti komunist ka qenë shtet diktatorial, shkelës i të drejtave të njeriut, i fjalës së lirë, i pronës private, shtet që të vriste, të burgoste, të internonte, të bënte një mijë e një të zeza po të ishe kundërshtar i atij shteti e regjimi. Pra kur dëgjuam nga gojët e kësaj klase politike dhe Europës “demokratike”, thashë me vete shyqyr që paskemi shpëtuar gjallë nga ai shtet dhe regjim komunist dhe tani do të jetonim të lirë, të lumtur, me të gjitha të drejtat e garantuara me ligj.

Por nuk që e thënë të ishte ashtu siç na e përshkruan sistemin e shtetin demokratik vetë kjo klasë politike. Sepse kur dëgjojmë edhe tani mbas 23 viteve “demokraci”, se si shahen e akuzojnë njëri-tjetrin këta politikanë, kjo klasë politike, nga të dyja krahët e politikës, të klaneve të tyre, për interesat e tyre që nuk përputhen, por edhe nga akuzat që vinë në drejtim të tyre, nga SHBA-ja dhe nga BE-ja, zë kokën me të dyja duart. Ju i keni dëgjuar e parë vetë, por unë po ju përmend vetëm disa nga këto akuza, sharje, ofendime, kërcënime dhe shantazhe që bëjnë për njëri-tjetrin dhe si e cilësojnë po vetë shtetin dhe qeverinë, sidomos nga opozita e drejtuar nga Saliu dhe Luli. Ata i thonë shtetit dhe qeverisë shtet e qeveri mafiozësh e kriminelësh, banditësh e vrasësish, drogmenësh dhe huliganësh, oligarkësh dhe kuislingësh, që janë të shitur dhe agjentë të shërbimeve e agjenturash të huaja, bile arrijnë deri aty sa merren me jetën private deri tek të mbathurat.

Pra kur dëgjojmë këto, them me plot gojën time: Lavdi atij sistemi që lamë pas dhe mallkuar ky sistem që na erdhi mbas vitit 1992, gjoja demokratik, por që në fakt ishte dhe është vetëm një xhungël ku nuk ka asnjë vlerë apo parim të jetës njerëzore. Përse na kanë dënuar ne si popull me këtë klasë politike, bastardësh dhe mafiozësh?

 

Letër e nënshkruar,

Bujar Cani

September 22, 2015 02:06
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*