IKËN…përse ikën; ERDHËN…përse erdhën

Bedri Islami December 14, 2014 02:18

IKËN…përse ikën; ERDHËN…përse erdhën

Fakti që opozita e sotme për plot pesë muaj u largua nga Kuvendi nuk përbën asnjë lajm. E po ashtu, edhe fakti tjetër, që më në fund, vendosën të kthehen, përsëri nuk përbën asnjë veçanti. Pas trukut politik që desh përdorën me ardhjen në Tiranë të presidentes së Kosovës, e cila, ndoshta edhe pa dashje, për pak u bë pjesë e lojës së prapshtë të opozitës, duke u bërë palë në një shfaqje të shëmtuar të përdorimit të personalitetit, opozitës nuk i mbeti asgjë tjetër, veçse të kthehet përsëri. Loja e kungulleshkave” e ke, nuk e ke, do të vij e nuk do të vij”, tashmë nuk mund të ecë më tej, aq më tepër se çdo gjë ishte në pragun e skadimit të mandatave. Sado e pamarrur vesh që është kjo opozitë dhe sado mospërfillëse ndaj të gjitha ligjeve të shtetit që është shfaqur, edhe kur ishte në pushtet, ajo e dinte krejt mirë se profili i saj politik, jo vetëm brenda, ku është nën nivelin e detit, por edhe jashtë, atje ku është qarë me ditë e me netë, do të kishte një akullzim të skajshëm. Bota e qytetëruar, e konstruktuar në strukturat legjislative europiane, e cila është lodhur tej mase me të gjithë atë që ndodh në politikën shqiptare, kishte kohë që kërkonte një modus vivendi, një zgjidhje të përkohshme e të nevojshme, që mendjet e lodhura të opozitës të ktheheshin në vendin që u ishte caktuar. Tani që gjetën një kompromis me pesë pika, për zgjidhjen e disa problemeve,të cilat ishin të krijuara në shumicën e tyre nga qeverisja e mëhershme, opozita duket sikur ia hodhi lumit dhe, megjithëse kali i tyre duket i plakur, dhëmbët i skërmit sa herë që të mundet. Kohët e fundit i skërmit edhe përmes dhëndurëve, por kjo është një temë tjetër.

Ikën nga parlamenti…po përse ikën? Cili shkak madhor i detyroi ata të braktisin sallat e Kuvendit, komisionet parlamentare, diskutimet, çfarë kishte ndodhur që të mos ishin pjesë në diskutimin e ligjeve dhe përcaktimin e tyre? Mos vallë, gjithë ajo shpullë që i u dha një deputeti, Strazimiri quhej më duket, ishte gjithë çka kishte mbushur kupën e durimit dhe nuk mund të durohej më tej se kaq?

Parlamenti i kësaj legjislature ka fatin që deri tani të mos ketë ngjarje të jashtëzakonshme, ku qeveria për të ruajtur pushtetin e saj, jep urdhër të qëllohet mbi demonstruesit, duke i vrarë ata qetësisht dhe me një cinizëm të pashoq njerëzor. Ky parlament, megjithëse ka në mesin e tij njerëz që kanë dhënë urdhër që të qëllohet, pra pjesëmarrës në vrasje, për fat ato nuk janë në qeverisjen e vendit. Megjithëse ka deputetë që, menjëherë pas vrasjeve, sajuan prova të qëllimshme për të fshehur provat, fabrikuan dosje, morën në mbrojtje vrasësit që qëlluan dhe mbështetën ata që urdhëruan, përsëri ata nuk gjenden në shumicën parlamentare. Ky parlament nuk ka një kryeministër, i cili, veç mëkateve të së shkuarës, ka mbi kurriz edhe krime të rënda, ndaj të cilave, çdo gjykatë evropiane do të kishte vepruar me kohë, do e kishte marrë për veshësh dhe do e kishte nxjerrë aty ku e ka vendin, në bankën e të akuzuarve. Për më tepër, shumica e sotme parlamentare nuk është fajtore as për vjedhjet masive në Rrugën e Kombit, që në fakt përbën vjedhjen e kombit; nuk është pjesë as e hedhjes në erë të njerëzve në një fabrikë vdekje, ku ishte mëtues biri i kryeministrit të kohës, që sot gjakun e të rënëve po e shndërron në butik për të dashurën; nuk është fajtore për marrëveshjet e dyshimta të armëve me Gadafin e Libisë apo me lëvrimet e fshehta të armëve në vende të tjera të botës e po ashtu, për fat të keq, asnjë nga institucionet e pavarura nuk janë zgjedhur prej saj; por pikërisht nga opozita e sotme, që aty vendosi kukulla të bindura politike.

Nëse do të kishte qenë njëra nga këto shkaqe, opozita do të kishte pasur të drejtë, gjithë ditën e gjithë natën, të braktisë parlamentin, sepse aty po vendosej kundër interesave të popullit, si për shembull, po dhurohej pjesë e territorit shqiptar, kriminelët po zyrtarizoheshin, selia e qeverisë po kthehej në një strehë për gjakun e derdhur. Çdo opozitë në botë ka të drejtën e protestës, të dëshmimit të aferave të qeverisë që është në pushtet, dhe në fund të fundit edhe të braktisë sallën e Kuvendit, për aq kohë sa asaj i duket se gjërat janë në kundërshtim me aspiratat e kombit.

Por të braktisësh parlamentin për një shpullë të atij deputetit, Strazimi quhej më duket, i cili ende nuk e ka mësuar të vërtetën se në këtë botë më i keq është gërgasi se sa dorasi, është më shumë se qesharake.

Kjo opozitë, në të vërtetë, ka një fat që nuk e ka pasur asnjëherë opozita e dikurshme: ka para vetes një shumicë parlamentare, shumë të spikatur numerikisht, por shumë anemike politikisht. Ajo nuk ka asnjë të krahasuar me shumicën e djeshme, me agresivitetin dhe egërsinë; ajo ende nuk ka marrë askënd për veshi dhe ta nxjerrë jashtë prej zhelesh; shumica e sotme qeveritare është aq e duruar, saqë të duket sikur nuk ka ardhur në pushtet përmes një referendumi politik një milionësh, por sikur ia kanë dhuruar pushtetin dhe kanë frikë se po ia marrin dhuratën. Kjo tolerancë e paskaj, që në fakt është pjesë e nënshtrimit të dhunës verbale të një skote të larguar nga pushteti, e ka bërë opozitën edhe më të dhunshme, më të çakërdisur dhe më qaramane. Opozita ka mësuar se duke përdorur dy skajet, e dhunshme brenda vendit, dhe qaramane jashtë vendit, ka fituar më shumë se duke qenë në tryezat e bisedimeve. Në fakt, ky është edhe faji i qeverisjes së sotme, e cila duhet të presë edhe riskun e saj.

Deputetët ikën për dy arsye madhore, të cilat nuk kanë lidhje as me shpullën e atij deputetit, e cila u duk sikur ia ndriti pjesën e sipërme të kokës; as me faktin se në sallë kishte deputetë të shumicës me probleme ligjore, (sepse në opozitë ka shumë e shumë më tepër); as se koha e dhënë për diskutime e replikë nuk ishte e ngjashme me kohën e dhënë për shefin e qeverisë,(ligj që e kishin miratuar vetë, me forcën e kartonit, duke e vendosur brutalisht në rregulloren e Kuvendit) e as me faktin se shefit të tyre, Berisha, po ia ngushtonin kohën për të folur. Ky i fundit, jam i bindur, ia ka sjellur në majë të hundës edhe njerëzve me mend brenda në PD.

Opozita iku, e para, sepse shefi juridik i PD-së, Basha, duke qenë vetë jashtë parlamentit dhe thjeshtë një marionetë lëvizëse në dorën e familjes politike Berisha, kërkoi të bënte provën e parë të forcës brenda llojit. Në këtë botë, vetëm një njeri i politikës me mballoma berishiane bën një provë të tillë force. “Si i ati, ashtu edhe i biri”, thotë një fjalë e urtë; dhe në fakt, i biri politik i Berishës nuk mund të jetë tjetër, veçse kopje e tij. Edhe pse kopje e keqe e së keqes, ai përsëri kërkon të jetë me doemos figurë politike vendosëse, të paktën në dukjen e jashtme. Duke i lënë të vetët jashtë parlamentit, ai i mbylli ata në një shishe të lëngshme, përmes së cilës turbullohej e zhdukej mirazhi i secilit veç e veç, dhe i të gjithëve së bashku. Deputetët qëndruan jashtë parlamentit, jo se kishin frikën Bashën, por sepse e njihnin mirë atë që ishte mbi Bashën dhe që tërhiqte fijet. Qëndruan, edhe pse nuk besuan se duke qenë jashtë një loje që e njihnin mirë, në fund do i nxirrnin kartonin e kuq të politikës. Duke i lënë jashtë përkohësisht deputetët Basha arriti qëllimin e parë, zbehu mirazhin e tyre dhe futi në lojë lojtarët e tij. Ai, në fakt, dëshmoi forcë, sepse përdori hijen e njeriut të fortë; por edhe përsëriti atë që kishte bërë babai i tij politik, spastroi opozitën nga mendimi i ndryshëm.

Së dyti, opozita iku, sepse para saj është një test politik i rëndësishëm, sidomos për shefin e ri juridik të partisë: zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Sprovat që u bënë në disa qytete e zona elektorale, treguan se PD-ja është drejt një humbje totale, ndoshta edhe në bastionet e saj. Më mirë se të gjithë këtë e di lidershipi i partisë, pasi edhe nga vetë sondazhet e bëra, humbja do te jetë katastrofike. Për të evituar këtë, dhe sidomos humbjen e imazhit të një lideri që po sjell një frymë të re politike, Bashës i duhen dy gjëra: shtyrja e zgjedhjeve dhe në mos kjo, përfitimi sa më shumë nga tundimi i mos bërjes së tyre, dhe, alibia për humbjen. Basha dhe lidershipi që është para tij e pas tij, nuk e votuan ndarjen e re territoriale dhe menjëherë deklaruan se me këtë ndarje shumica qeverisëse e ka të siguruar që në tavolinë fitoren në zgjedhje. Droja e tyre është se edhe në bastione, si Shkodra, Tropoja apo Kukësi, të kenë humbje të ndjeshme ose lëkundje deri në momentin e fundit. Ekipi i ri që ka zgjedhur Basha është në shumicën e tij anonim; përgjithësisht njerëz të panjohur nga politika dhe të sjellë aty si shenjë besnikërie ndaj një stature politike që shumë shpejt edhe ata vetë do e braktisin. Humbja në zgjedhjet e para si lider partiak do të ketë kosto të rëndë për Bashën dhe Berishën. Do të jetë dërmuese për staturën e tij politike, megjithëse alibitë që po krijon do të mbajnë ende në drejtimin e partisë, qoftë edhe si marionetë.

Në fakt, gjendja është në limitet e saj. Me këtë agjendë parlamentare dhe me presidentin militant të verbër politik, shansi për zgjedhjet e ardhshme lokale është gjithnjë në minimizim. Ai ka rrezikun të shtyhet edhe më tej, duke dhënë kështu shkeljen e parë madhore të ligjeve dhe humbjen në letër të shumicës qeverisëse. A do e lejojë këtë një shumicë, që edhe pas kartonat e opozitës mund të miratojë ligje të detyrueshme për të gjithë? Ajo që është shfaqur deri tani më shumë ka të bëjë me fjalët, se sa me veprimet.

Erdhën…po përse erdhën.

Deputetët e opozitës do të kthehen në parlament. Kam drojën se ajo që u paraqit me “rebelimin” e partnerëve opozitarë, më shumë se sa një ligjësi e natyrshme, ishte një truk politik, për të shpallë pastaj një rikthim të detyruar. Me përjashtim të ndonjë deputeti si Dashamir Shehu, nuk besoj se të tjerët do të kishin këllqe të ktheheshin në parlament pa një vendim politik të lidershipit. Ata, përmes Berishës, e morën mesazhin se “janë larguar vetë”, që do të thotë se, “në mos u largofshin, i largojmë”.

Ne kemi një opozitë që kërkoi të dublifikojë parlamentin duke krijuar një simbiozë të turpshme shqupase, duke dëshmuar njëkohësisht se si mund të tallet një trupë parlamentare, qoftë edhe me ata që i kanë zgjedhur.

Kthimi i saj, sado i domosdoshëm, nuk është një ogur se kanë ndërruar ves. Ata janë të detyruar të kthehen dhe, po ashtu, që në fillimet e rikthimit, do të jenë të detyruar të nisin sherret. Për një vit e gjysmë në opozitë, ende nuk kemi dëgjuar nga opozita dhe liderët e saj një mendim racional, një vizion, një sjellje të toleruar dhe aspiruese. Në këtë periudhë opozitare ajo është dëshmuar se ende politika e saj është tritoliste, në praktikë dhe në koncept, ashtu si ka dëshmuar shteti i sotëm në ndëshkimin e atyre që e kanë mbushur kupën.

Opozita po kthehet. Nuk është ndonjë lajm. Është vetëm parathënia e sherreve të ardhshme, nga i cili nuk shpëton dot ky parlament, në të cilin, një pjesë e tij, është ende i mbarsur me plojën e krijuar në vite nga mentaliteti i një njeriu të prapshtë, të cilin zoti e krijoi për të keqen e Shqipërisë.

Bedri Islami December 14, 2014 02:18
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*