Ikja e Milotit, “patriotizmi” dhe “tradhtia”

August 18, 2016 14:20

Ikja e Milotit, “patriotizmi” dhe “tradhtia”

Nga Bedri Islami – Kur mësova se futbollisti i kombëtares shqiptare, Milot Rashica, kishte ikur nga ekipi ynë kombëtar dhe kishte vendosur të përfaqësonte Kosovën, edhe u dëshpërova, edhe më erdhi mirë.

U dëshpërova se po ikte njeri nga futbollistët e talentuar, i cili, më shumë nesër se sa deri më tani, do të kishte dhënë për ngjyrat kuq e zi, sidomos tani, kur edhe falë tij, nuk jemi më të panjohur.

E dija se pas tij, edhe të tjerë, do të ndiqnin këtë rrugë, rrugën e largimit, e cila nuk është asgjë tjetër, veçse rikthimi në një strehë të njohur. Kështu edhe ndodhi.

Më erdhi mirë sepse ai po shkonte të luante me një tjetër ekip të kombit tonë, me ekipin e Kosovës, dhe për të qenë kjo ditë, që në fakt është e tejpritur, kanë ëndërruar kaq shumë breza.

 Nuk dua ta politizoj ikjen e tij dhe as ta quaj Milotin tradhtar. As të tjerët pas tij.

Mjaft njerëz, analistë apo jo, u skërmitën menjëherë duke u kapur pas “atdhedashurisë” dhe “tradhtisë”, të cilat, në këtë rast, më pak se askund tjetër, nuk kanë asnjëfarë vendi.

Ata zgjodhën të jenë pjesë e Kombëtares Shqiptare në një kohë kur ishte e nevojshme prania e tyre dhe nuk dua të besoj se kanë ikur nga që marazi i mos përfshirjes mbizotëroi mbi ndjenjën e saktë.

Ata ikën kur një pjesë e kombit, pra një pjesë Shqipërie, mori të drejtën të jetë edhe ajo pjesë e futbollit ndërkombëtar.

Më vjen mirë që iu erdhi ky çast. Trazohem kur mendoj se mund të jetë diku, mes tyre, një ish futbollist, i cili shumë vite më parë, kur Kushta i “Flamurtarit” shënonte golin e njohur ndaj “Partizanit” të Beogradit, i thoshte neveritshëm, “t’u thaftë ajo kambë”. Jam i bindur se asnjëri prej tyre nuk da e harrojë ndeshjen e tyre të parë me përfaqësuesen e kombit, sepse ajo ishte kombëtarja e të gjithëve.

Nuk bënë asnjë tradhti dhe nuk janë më pak atdhetarë se sa të tjerët që desh i “bënë hasha”.

Ata e dinë, se tani, ndoshta më shumë se sa shteti amë, shteti i ri i Kosovës, ka nevojë për deputimin e tyre dhe ndoshta, edhe përmes tyre, si përmes Majlinda Kelmendit, mund të ketë më shumë njohje se sa përmes shumë konsullatave.

 Leçitja (akuzimi), edhe kur është individuale, edhe kur vjen nga kozmopolitë të politikës dhe të kombit, nën çfarëdo emri qofshin, është një dalldisje e çastit, që sado të përsëritet, nuk bëhet kurrë motiv.

Bubullitja e sotme, si për një “tradhti” të lartë, më kujton heshtjen e tyre ndaj shqiptarëve të shtetit amë që u bashkuan denjësisht, pa asnjë paragjykim e përfitim në Luftën e Shqiptarëve në ish Jugosllavi.

Pak kush e di sot se kush ishte Tahir Sinani, ushtaraku i lartë, heroi i të gjitha luftrave. Se kush ishte ushtar Kavaja, çfarë bëri Dilaver Goxhaj, sa shqiptarë të këndej kufirit u vranë, çfarë ndodhi me Skerdilajdin. Heshtja ndaj tyre dhe bubullima ndaj Milotit, për një zgjedhje vetjake, nuk është e rastësishme.

Në fakt nuk njoh asnjërin nga futbollistët e kombëtares sonë, por njoh shumë nga ndjekësit e saj, shqiptarë të Kosovës. I pashë edhe në Francë, ashtu si kam parë kudo që ka qenë ekipi ynë. Të zhurmshëm, gazmorë, të dinjitetshëm.

Kanë rendur sa kanë mundur, megjithëse nuk janë quajtur as “Plisat”, as “Kuq e Zi”, pikërisht për të ndjekur djemtë e kombëtares, të cilët kishin vendlindje të ndryshme e gjuhë të njëjtë. Nga i njëjti komb.

Ndoshta duhej pritur një moment i tillë, momenti i largimit i disa futbollistëve shqiptarë të Kosovës, të cilët, edhe kështu, të larguar, kanë bërë një pjesë të detyrës së tyre dhe na kanë kthyer pjesë të dinjitetit, jo vetëm në sport.

Nëse federata Shqiptare e Futbollit nuk ka menduar deri më tash se mund të vinte një ditë e tillë, ajo e ka për detyrë të bëjë një gjest tejet njerëzor: t’i falenderojë këto djem, të cilët, për një kohë të caktuar, ishin rrjeshtuar nën dy ngjyrëshin kuq e zi.

Miloti bëri atë që i tha zemra. Por që edhe i dha mendja.

Në skuadrën ku do të jetë, dhe i uroj mbarësi e fitore, ai përsëri do të jetë mes shokëve që flasin të njëjtën gjuhë, dhe, megjithëse do të jenë nën një flamur ende të panjohur, gjithësecili do të kishte dashur të ishin sa më lart.

Në ndeshjet e deritashme të ekipit tonë kombëtar shqiptarët janë gëzuar e hidhëruar njëlloj, si në Mitrovicë, si në Sarandë; si në Shkodër, ashtu në Gjakovë; si në Prizrenin, kryeqytetin e ëndërruar të Ukshin Hotit, ashtu edhe në Tiranë, kryeqytetin real të të gjithë shqiptarëve; kudo njëlloj janë ndjerë, kuq e zi.

Pas Milotit mund të shkojnë edhe të tjerë, ashtu si mund të vijnë të tjerë.

Endrra ime është për një kombëtare të vetme, në një shtet të vetëm, por kjo ka kohën e saj.

Deri atëhere le të luajmë kështu, në fund të fundit edhe shqipen e kemi me dy kokë…

Urime, Milot.

Ti zgjodhe rrugën tënde, edhe ajo është rrugë drejt zemrës së shqiptarëve.

 

August 18, 2016 14:20
Komento

5 Komente

  1. Sabo August 18, 16:13

    Urime gazetar Bedri Islami ,si gjithmon shpreh vlera shembellore plot mendime te drejta .Te lexoj me shume vemendje Filadelfija

    Reply to this comment
  2. Leonardo August 19, 08:31

    E saktë Z Bedri djalit i qoftë rugë e mbarë dhe zoti e ndimoftë që të ketë të tillë sukses si kidhte dhe në Shqipëri

    Reply to this comment
  3. paci August 19, 10:26

    Respekt per mendimet e sinqerta te Bedri Islamit , Uroj qe te kemi sa me shpejt nje komb nje kombetare dhe skuadrat e Kosoves te luajne bashke ne nje kampionat me suprligen shqiptare . Mendoj se fshf duhet te afroje Rudi Vaten e Sokol Kushten ne organiken e saje mbasi ka shum talenta qe u mbyllen padrejtesisht dyert e kombetares .

    Reply to this comment
  4. Fatmir Lohja August 26, 10:59

    Jam me mendimin tuaj.Ne futbool nuk ka tradheti.Si ne ç’ do sport,ka mabicje per te ecur perpara ne kariere dhe interes ekonomik.Djemt e Kosoves,para pak vitesh u mblodhen rreth UÇK-se,dhe mire ben.Tani te mlidhen rreth ekipit kombetare te futbollit. Nese kuslifikohen,per te cilen une shpresoj nga djemt e talentuar dhe grupi ku kane rene,do ta shohim nese Rusia nuk do te ju jape viza.

    Reply to this comment
  5. Niku. September 1, 09:50

    Kombëtarja Shqiptare përfaqesin flamurin Kuq e zi po ajo e Kosovës kë përfaqëson!!!.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*