Ilir Kernit i sugjeroj tërheqjen e dorëheqjes

August 2, 2016 10:27

Ilir Kernit i sugjeroj tërheqjen e dorëheqjes

 

Nikolin Gurakuqi

Drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar i Operës dhe Baletit, zoti Ilir Kerni, dha dorëheqjen nga posti të shtunën. Personalisht mendoj se është drejtori i parë në historinë e TKOB-it që jep dorëheqjen. Në jetën time të gjatë artistike në TKOB, kam parë drejtorë që për mos të ikur janë mbyllur në zyrë e kanë bërë grevë urie me birra e qofte, kam parë drejtorë që kanë ikur për pak muaj, kam parë drejtorë që nuk vinin në shfaqjet e TKOB, kam parë drejtorë që ditën që u shkarkuan nga detyra, kërcënonin stafin se unë nuk iki këtu do jem, kam parë drejtorë që megjithëse kishin mbushur moshën e pensionit, nuk iknin nga detyra me lloj-lloj justifikimesh e mashtrimesh publike si i pazëvendësueshëm, kam parë mitomanë të sëmurë e narcizë të paskrupullt, kam parë diktatorë të shpifur me teserë partie në dorë që tërë ditën mbanin fjalime partie, por një dinjitar profesionist si Kerni nuk kam parë. Edhe se mandati i mbaron pas një viti ai pa ngurruar jep dorëheqjen. Motivet mund t’i marr me mend, por nuk i di realisht.

Me këtë dorëheqje, Kerni tregon një akt të lartë dinjiteti, profesionalizmi, demokracie e mosnënshtrimi karshi presioneve. Opera kombëtare ka kohë që është shndërruar në arenë grindjesh në majën e piramidës së saj, çka e ka dëmtuar rëndë sidomos aktivitetin operistik, në kundërshtim me atë koreografik që në këto tre vite njohu shumë rritje. Personalisht mendoj se Kerni vendosi disiplinë të lartë artistike e administrative në TKOB, respektoi si asnjëherë tjetër krijimtarinë artistike, bëri teatrin me kontrata si në tërë botën e qytetëruar, e hapi teatrin ndaj të gjithë artistëve shqiptarë kudo ku janë, bëri shumë turne jashtë shtetit.

Por konfliktet e brendshme e frenuan zhvillimin e nisur në sektorë të tjerë dhe reforma në operan kombëtare nuk u implementua në të gjithë sektorët, ndaj dhe mbeti e pjesshme. A bëri mirë Kerni që dha dorëheqjen? Arsyet duhet t’i ketë të forta një idealist si ai. Personalisht mendoj se bëri edhe keq, edhe mirë. Keq se nuk e mbaroi punën e nisur, mirë se vuri dinjitetin e artistit të madh, përballë presioneve gjithfarësh. Shqiptarët nuk besojnë se Shqipëria do të bëhet, ndërsa unë gjithnjë kam menduar se Shqipëria do të bëhet kur të bëhet OPERA. Imagjinoni një teatër opere që ka 25 vjet në demokraci që rrotullohet rreth vetes e bën një vrimë në ujë e kurrë nuk reformohet sipas modeleve eurpiane, e jo më të reformohet Shqipëria. Ndaj zotit Kerni, si regjisor i TKOB-it, si koleg, si mik, i sugjeroj tërheqjen e dorëheqjes e përfundimin e mandatit për vazhdimin e reformave aq të domosdoshme për të vetmin teatër opere e baleti që kemi. Shpresoj në reflektimin tuaj zoti Ilir. Kultura e bashkëpunimit mund të sjellë rezultatet e dëshiruara dhe jo kultura e dhunës. Demokracia është bashkëpunim miku im.

August 2, 2016 10:27
Komento

3 Komente

  1. intelektuali i ndershem August 2, 14:18

    Njerezit e mencur e te afte profesionalisht nuk e kane problem karriken,perkundrazi ,te paaftet paguajne per te hipur ne karrike,paguajne per te mos zbritur nga karrikja.Prandaj edhe une jam i te njejtit mendim.Kjo eshte aresyeja qe ky vend NUK BEHET!

    Reply to this comment
  2. Moza August 2, 16:28

    Shume respekt per artikullshkruesin N Gurakuqi.Argumentetet per terheqjen e Ilir Kernit i mbeshtesim dhe ne si publik.Nuk ka patur me shume ndricim shfaqjesh se me Ilir Kernin. Ai u lodh ,u deprimua nga pengesat e qellimshme te MKultures.Ne fillim nuk e kuptuan dhe artistet,por ja qe si pjese idealiste dhe e perparuar e kultures se kombit, e mbeshtesin dhe kerkojne moslargimin e tij.E turpshme dhe e denueshme eshte prononcimi i MKultures.E ben per interesat materiale e komoditet mediokrish.
    Zoti Rama,te degjoje zerin e artisteve te shquar,deputeteve si Brace,publikut etj. dhe jo kakaritjet e znj. Kumbaro.
    Z Kerni me ju ne misionin fisnik keni nje armate njerezish idealiste e atdhetare,prandaj terhiqeni doreheqjen!

    Reply to this comment
  3. Artan Sejko August 2, 21:03

    Jam teresisht I nje mendje me Nikolin Gurakuqin. Mendoj se do te ishte mire qe kushdo qe ka te njejten mendje te postoje ketu.
    Pershendetje nga larg Nikolin.
    Artan Sejko

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*