Ilir Meta takohet me homologun çek

March 31, 2016 09:56

Ilir Meta takohet me homologun çek

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta priti ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, z. Lubomír Zaorálek, me të cilin biseduan rreth forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe situatës në rajon.

Ministri çek vlerësoi rolin stabilizues të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit dhe theksoi se nën Presidencën Çeke të Grupit të Vishegradit, do të punohet për intensifikimin e bashkëpunimit jo vetëm në planin dypalësh, por edhe në kuadër të projekteve rajonale.

Duke biseduar mbi procesin e integrimit evropian, Kryetari i Kuvendit Meta shprehu besimin se klasa politike shqiptare do të arrijë konsensusin e duhur për miratimin sa më shpejt të ndryshimeve kushtetuese të nevojshme për reformimin e sistemit të drejtësisë, ndërkohë që Ministri Zaorálek shprehu vlerësimin dhe mbështetjen e Republikës Çeke për avancimin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Në përfundim, z. Meta dhe z. Zaorálek diskutuan mbi zhvillimet e fundit në rajon duke ndarë bindjen se rajoni i Ballkanit ka nevojë për stabilitet politik, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për një të ardhme të sigurt brenda Bashkimit Evropian./E.T

March 31, 2016 09:56

Njoftim

Njoftim