Ilir Meta takohet me Presidentin e Gjeorgjisë

September 16, 2015 11:47

Ilir Meta takohet me Presidentin e Gjeorgjisë

 Në përmbyllje të qëndrimit të tij në Tbilisi, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Gjeorgjisë Giorgi Margvelashvili me të cilin vlerësuan ndjenjat e forta të miqësisë dhe simpatisë reciproke që ekzistojnë mes dy popujve.

Presidenti i Gjeorgjisë Margvelashvili i uroi mirëseardhjen Kryetarit të Kuvendit z. Meta në Gjeorgji dhe u shpreh se pas kësaj vizite të parë, shkëmbimet ndërparlamentare dhe ndërqeveritare duhet të shumëfishohen në interes reciprok. Presidenti Margvelashvili e siguroi Meta për mbështetjen e plotë ndaj të dy parlamenteve si institucione në avantgardë të avancimit të marrëdhënieve.

Kryetari i Kuvendit Meta, duke vlerësuar mikpritjen e mrekullueshme gjeorgjiane, shprehu bindjen se pas bisedimeve me homologun gjeorgjian Usupashvili, bashkëpunimi dypalësh do të njohë një fazë të re shumë më dinamike se në të kaluarën.

Në këtë kuadër, Meta shprehu vullnetin për identifikimin e platformave të përbashkëta të bashkëpunimit dhe për plotësimin e kuadrit ligjor, ku dy parlamentet do t’i mbështesin qeveritë reciproke për të përshpejtuar ritmin e marrëdhënieve.

Në përfundim të takimit, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e plotë të Shqipërisë, Presidenti Margvelashvili nënvizoi se dëshira e popullit gjeorgjian është që rajoni i Kaukazit të kthehet në një zonë shkëmbimesh tregtare, lidhjesh njerëzore dhe partneriteti me vendet e tjera të Evropës, ku Shqipëria do të jetë një partner i denjë për bashkëpunim.

September 16, 2015 11:47
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*