Ilir Shaqiri , “Shejt” që shkon tuj knue!

November 8, 2017 09:34

Ilir Shaqiri , “Shejt” që shkon tuj knue!

Elinda Marku

Këndon Ilir Shaqri, t’vjen me besu se sapo u takove me një hero, anipse e din se heroi ka ra’ në njanen prej luftrave për liri. Këndon Ilir Shaqiri, t’vjen me shiju një udhtim nëpër krejt gjeografinë e Ilirisë! Shkruan Ilir Shaqiri, t’vjen e t’mbushen sytë e shpirti me fjalë të lashta e të reja që i bajnë bashkë të gjitha moshat e Gjuhës Shqipe.

Vjen Ilir Shaqirin, mrekullohesh prej thjeshtësisë e fisnikërisë së tij të urtë! T’vjen me u krenu që e ke një vëlla që erdh me t’pa, që erdh me t’dashtë, që erdh me t’nij e me t’fole ilirisht, shpirtnisht , kudo’JE. … Ndoshta vetëm Iliri e mban mend saktësisht se cila ka qenë kënga e tij e parë .

Ndërsa secili nga admiruesit e tij e mban mend Ilir Shaqirin me kangën “Moj Europë” . Nëse për të gjithë këngëtarët jemi mësuar të themi , X kangë i dha fame X këngëtari, në rastin e Ilir Shaqirit, e dijmë se,: Ilir Shaqiri e bani të famshme kangën. Bashkë me kangën e bash në kangë e bani dhimbjen me folë, e bani Europën me nij.

Askund si në knagën e Ilir Shaqirit nuk i sheh shqiptarët kaq bashkë. Ilir Shaqiri nuk këndon kangë folklorike të veriut, kangë folklorike të jugut, kangë popullore qytetare, apo kangë konteporane. Ilir Shaqiri e këndon krejt kangën shqiptare. Të gjitha kangët e të gjitha trevave, e të gjitha zhanreve, janë të unifikuara tek kanga e Ilir Shaqirit.

Po të mund t’a shtrija kangën e Ilir Shaqirit si shtrihet harta, shoh hartën e Shqipnisë etnike! Që shqiptaria të ketë një kange të tillë, etnike , Zoti fali një djalë, një za, një t’përkushtuem, një dashni, një vullnet, një dhunti, ILIRIN. Ilir Shaqiri përpos që i këndon vargjet, edhe krijon e i shkruan ato. Ilir Shaqiri asht Poeti i kangëve të tij.

Mbi 600 tekste kangësh kanë firmën e tij prej poeti brilant! Nëse shumica këngëtarëve u bënë këngetarë nga dëshira për famë, nga të paturit e një zani të nalt, ose nga të paturit talent. Ilir Shaqiri asht ndër të rrallët artistë që përvec zanit e stilit krejt të veçantë e unik e ka zgjedh bash shpirti i dhimbjes e i dashnisë me u dhane za’, jehonë, kujtesë e përjetësi.

Këngëtari Ilir Shaqiri me autoren Elinda Marku

Ilir SHAQIRI ndoshta jo rastësisht ka lindur në Drenicë, aty ku gjaku, loti e vaji duheshin shndërru në kangë. Që të mund ta mësosh ku ka lindur Ilir Shaqiri, duhet me pyet, duhet me kërku . Përndryshe vendlindja e Ilir Shaqirit asht në secilën trevë shqiptare, në secilën kullë. Dëgjojmë Ilir Shaqirin dhe, e gjejmë arsyen pse kullat shqiptare kanë lindur ma shumë se një djalë sall për vedi, një djalë sall për kullën.

Kullave tona u asht dashtë një djalë për pushkën e për lirinë e, një djalë për kangën e për vazhdimësinë. Falesh me Ilir Shaqirin e t’bahet se e ke nij, se e ke pa’ e njohur tash njëqind a dyqind vjet ma parë. Teksa ke qysh njëqinq a dyqind vjet që e prêt me e pa e me u cmallë prapë! Erdh Iliri, krejt shejtnitë shqiptare I pru’ ndër Ne, Dhe pse kaq t’ikun, kujtohemi se prap e gjith’here Jem’ e Kem’ Atdhe! Në Tetor të Vitit 2017, Ilir Shaqiri u ftua dhe u prezantua në “Ditët e Letërsisë Shqipe” ne SHBA, si Shkrimtar, me romanin e “Lemza e Dheut”.

Që në fakt asht vazhdim i një kange që s’mbaron, dhe filli i filozofisë, mendimit e ndjenjës pa rimë e metrikë, pa za e melodi. “Lemza e Dheut”asht një tjetër kryevepër e Ilir Shaqirit, që i ofrohet bujarisht lexuesit. “Lemza e Dheut “ asht një komunikim i drejtpërdrejtë e ma intensive. Në romanin “Lemza e Dheut”outori me një mjeshtri e një gjuhe që pasurohet prajshëm prej fjalëve të rralla dhe fjalëformimeve të reja, i përshkon e i ban bashkë të katër anët e atdheut, duke krijuar një kulm të veprës tuj e prue në të tashmen “Diellin e Rilindjes” .

Në romanin “ Lemza e Dheut” nuk asht vetëm subjekti ai që të merr me vete , nuk janë vetëm personazhet dhe karakteret, vendet e peizazhet prej nga ku këto personazhe shkojnë e vijnë, nuk asht vetëm ndërthurja e të tashmes me të dy anët e veta, djeshmes prej në lashtësi, të nesërmes deri në përjetësi.

Asht sidomos ndërtimi i kësaj vepre me një estetike,stil e mjeshtëri të lakmueshme edhe prej prozatorëve me përvojë të njohur në fushën e letërsisë Romani “Lemza e Dheut” asht një tjetër dëshmi që Artisti i Madh nuk s’terron, përkundrazi gjen shtigje e hapësira të reja për të dhanë ende nga vetja. … Heronjtë bien dhe e japin jetën për atdhe, teksa artisti i “shpëton” të rënët!

Me dhanë jetën asht gjëja ma asublime që njeriu ban për vendin e kombin e tij. Ndërsa arti na mëson se, po kaq sublime asht edhe të jetosh e këndosh, dëshmosh e shkruash për të rënët, për brezat, për Lirinë! Nganjëherë, shpesh, ende historianët e shkruajnë historinë e shqiptarëve me gabime jot ë vogla, kështu që kombit shqiptarë i asht dashtë me lindë e me rritë artistë si Ilir Shaqirin, me e këndue, shënue, përcjellë historinë.

E nëse historia nuk mbahet mend, kanga e arti nuk shkojnë pa ra n’sy, pa u mbajtë mend! Tek arti dhe vepra e Ilir Shaqirit, bashkejetojne brezat e kombit ILIRE! Tek arti dhe vepra e Ilir Shaqirit, mbijeton Shqipnia Etnike, ILIRIA!

Michigan, 3 Nandor 2017

November 8, 2017 09:34
Komento

1 Koment

  1. Nje shqiptar November 8, 10:22

    Nje shkrim qe, sikurse Ilir Shaqiri me kenget e tij, shpreh ndenjat e te gjithe shqiptareve brenda trojeve tona dhe kudo ku ndodhen neper bote. Ne kenget e tij jetojme dashurine per atdheun tone te lashte, mallin per vendin dhe protesten tone per padrejtesite qe kemi pesuar ne shekuj. Ne kenget e Ilirit , nuk ka qarje, nuk ka lote, por buçet zemra dhe forca e nje populli te vogel e shume te lashte evropian qe ka luftuar kurdohere per LIRI dhe jeton krenar ne trojet e tij. Faleminderit Elinda Markut per kete shkrim.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*