Pse intelektualët vazhdojnë të gabojnë në parashikimet e tyre?

July 27, 2018 16:00

Pse intelektualët vazhdojnë të gabojnë në parashikimet e tyre?

 

Prof. Fatos Tarifa

Në një artikull me titull “Një moment europian” (A European Moment), botuar në gazetën britanike The Guardian, më 20 Mars 2007, Wolfgang Ischinger, në atë kohë ambasadori gjerman në Londër, me të cilin unë jam njohur nga afër në vitet 2001-2005, kur ai dhe unë përfaqësonim secili vendet tona – Gjermaninë dhe Shqipërinë – si ambasadorë në Uashington, shkruante ndër të tjera se: “Momenti njëpolar, nëse ai ka ekzistuar ndonjëherë, tashmë ka kaluar… Përballë një krize besimi ndaj Shteteve të Bashkuara, disa presin që Europa të marrë iniciativën për të mbushur vakumin e krijuar”.

Vetë Ischinger pohonte në atë artikull se Bashkimi Europian ishte konsoliduar tashmë si një aktor kryesor në skenën e politikës globale, në atë masë sa mund ta sfidojë Amerikën për rolin e lidershipit ndërkombëtar. Sipas tij, BE ka treguar se është sot në një pozitë më të favorshme sesaSHBA për t’u dhënë përgjigje shumë “çështjeve kritike të globit”, si ndalimit të prodhimit dhe përhapjes së armëve bërthamore, vendosjes së paqes në Lindjen e Mesme, ndryshimeve globale të klimës etj. Këtë avantazh, pohonte Ischinger, e dëshmonin disa iniciativa, ose “ide europiane”, siç ishin fillimi (në vitin 2004) i negociatave mes Anglisë, Francës dhe Gjermanisë me Teheranin në lidhje me programin nuklear të këtij të fundit; krijimi i Kuartetit (BE, OKB, SHBA, Rusi) për zgjidhjen e konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës, si dhe roli i BE-së për t’i dhënë fund luftës në Liban,në vitin 2006, përfshirë edhe dërgimin e një force paqeruajtëse europiane në atë vend. Sidoqoftë, pavarësisht “euro-optimizmit” të tij dhe të shumë të tjerëve, Ischinger detyrohej të pohonte në atë artikull se: “Pa mbështetjen aktive politike dhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara, asnjë nga këto sfida të mëdha nuk mund të zgjidhet”.

Pa kaluar veçse pak muaj nga publikimi i atij artikulli, ambasadori Ischinger u ngarkua me detyrën e negociatorit të Bashkimit Europian për zgjidhjen e çështjes së statusit final të Kosovës, pasi Këshilli i Sigurimit të OKB-së, nën presionin e Rusisë, ia la zgjidhjen e kësaj çështjeje Brukselit. Në atë mision të rëndësishëm e të vështirë, Ischinger u bë dëshmitar okular i një fakti që i kundërshton dhe rrëzon hapur pretendimet e tij mbi aftësinë e Europës “për të mbushur vakumin e krijuar” në arkitekturën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe për të marrë përsipër lidershipin global pas “krizës së besimit ndaj Shteteve të Bashkuara”.

Ambasadori Ishinger, si shumë politikanë, diplomatë, intelektualë dhe ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare, duhet të ketë kuptuar tashmë se Brukselit, edhe pasi Traktati i Lisbonës i zgjeroi kompetencat e Përfaqësuesit të Lartë të Unionit për Çështjet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, i mungon tërësisht aftësia për t’i bindur qeveritë e shteteve anëtare të BE-sëqë të formulojnë një qëndrim unik për shumë çështje të rëndësishme të politikës së jashtme e të sigurisë. Dy fakte, veç të tjerash, e konfirmojnë më së miri këtë pohim: (a) paaftësia totale e BE-së për t’i dhënë fund

Fatos Tarifa

Fatos Tarifa

tragjedisë në Bosnje në mesin e viteve 1990 dhe (b) refuzimi prej qeverive të pesë vendeve të BE-së (Spanja, Greqia, Qipro, Rumania dhe Slovakia), për të njohur pavarësinë e Kosovës, edhe pse kjo – pavarësia e Kosovës – ishte e vetmja zgjidhje e mundshme dhe e drejtë, e pranuar si e tillë nga Britania e Madhe, Franca dhe shumica e vendeve anëtare të BE-së, pa përmendur se ajo kishte pasur mbështetjen konstante e të vendosur të Shteteve të Bashkuara.

Ishinger nuk është as i pari dhe as i vetmi që mendon se koha e supremacisë amerikane ka mbaruar dhe se tani Europa ka fituar, ose po fiton, një pozitë dhe një influencë dominuese në sistemin global të marrëdhënieve ndërkombëtare. Andrew Moravcsik dhe të tjerëeuro-entuziastë, nga pozitat e neoliberalizmit, mendojnë se Europa është bërë tashmë një “superfuqi e heshtur”, pozita dhe roli ndërkombëtar i së cilës do vazhdojnë të forcohen edhe më tej në shekullin e 21-të.

* * *

Këtu dëshiroj të hap një parantezë për të vënë në dukje se në trajtimin e çështjeve politike dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, shumë intelektualë dhe ekspertë perëndimorë kanë të përbashkëta dy karakteristika: E para, shumica e tyre bëhen “skllevër” të modës në tregun e ideve dhe, e dyta, për probleme të mëdha, ata gjykojnë përgjithësisht gabim. Edhe pse ne besojmëse intelektualët shquhen për vlerësimet e tyre kritike ndaj dukurive dhe marrëdhënieve politike, pas dallimeve të tyre sipërfaqësore dhe pakënaqësisë së përbashkët ndaj ortodoksisë fshihet zakonisht një shkallë e habitshme pranimi për pikëpamje të gabuara lidhur me statusin e gjërave dhe tendencën e zhvillimit të tyre.

Ky konstatim mund të ilustrohet me disa episode nga historia e mendimit intelektual të shekullit të 20-të. Për shembull, po të ishe një intelektual tipik aty rreth vitit 1910, do tëbesoje dhe përkrahje idealizmin e propaganduar në atë kohë nga Norman Angell, në librin e tij Iluzioni i madh (The Great Illusion), se lufta ishte shndërruar tashmë në një fenomen që po merrte fund dhe se forcat e kapitalizmit – teknologjia, tregtia e lirë dhe racionalizmi liberal – po krijonin një botë paqësore, pa kufij dhe pa luftë. Vetëm pak vite më vonë, kur Europa u bë arenë e një luftë të përgjakshme, të paparë deri atëherë, ky optimizëmu provua se nuk kishte asnjë mbështetje në realitetin shoqëror të kohës, edhe pse kjo nuk e pengoi Angell-in qëtë merrte, Çmimin Nobel për Paqe, në vitin 1933.

Në vitet 1930, një intelektual tipik europian besonte krejt të kundërtën, se me Depresionin e Madh, kapitalizmi dhe liberalizmi po jetonin ditët e tyre të fundit, se ky sistem “i dështuar” po “vetëshkatërrohej” për shkak të “kontradiktave të tij të brendshme”. Ai do të zëvendësohej nga një “luftë për pushtet që po afrohej” (The Coming Struggle for Power), nësei referohemi titullit të njërit prej librave më me influencë në atë kohë, shkruar nga John Strachey, me çka ky autor kuptonte një luftë për jetë a vdekje mes Fashizmit dhe Komunizmit.

Në të vërtetë, besimi se kapitalizmit i kishte ardhur fundi dominoi në radhët e intelektualëve europianë deri në fundine viteve 1940.Më 1945, A.J.P. Taylor, një ndër historianët anglezë më në të njohur, i siguronte dëgjuesit e tij të BBC-së se “Askush në Europë nuk beson më në modelin amerikan, që është ndërmarrja e lirë private. Nëse ka njerëz që akoma besojnë në të, ata i përkasin një partie të humbur”. Të gjitha këto thuheshin në një kohë kur Perëndimi ishte në vigjilje të prosperitetit më të madh ekonomik që kishte njohur deri atëherë historia e njerëzimit, prosperitet të cilin e solli po ai sistem kapitalist që intelektualët europianë e konsideronin si një sistem që po jepte shpirt.

Dy dekada më vonë, pikëpamja që sundoi në radhët e intelektualëve europianë u bë ajo, sipas të cilës, sistemi totalitar komunist ishte i pashkatërrueshëm dhe se Bashkimi Sovjetik po e fitonte Luftën e Ftohtë, të cilën Amerika – e mundur nga një ushtri fshatarësh në Vietnam, e lodhur nga konfliktet e brendshme dhe me një imazh të dëmtuar rëndë nga skandali i Uotergejtit – po e humbiste.

Akoma më tipik ka qenë konkluzioni i Klubit të Romës në vitet 1970 se, nëse nuk merreshin masa të menjëhershme dhe drastike për të pakësuar popullsinë dhe zhvillimin industrial, në fund të shekullit të 20-të bota do të vetëshkatërrohej, pikëpamje kjo të cilën e përqafuan me mjaft entuziazëm shumica e intelektualëve europianë në ato vite.

Deri në vitin 1984, ekonomisti më i preferuar i intelektualëve perëndimorë, John Kenneth Galbraith, vazhdonte të insistonte se “sistemi sovjetik ka arritur një progres të madh material” dhe se suksesi i modelit sovjetik shpjegohej me faktin që, “në dallim nga ekonomitë industriale të Perëndimit, ai përdor në maksimum fuqinë punëtore”.

Edhe në fund të viteve 1980, një ndër librat më të shitur në Perëndim, Ngritja dhe rënia e fuqive të mëdha(The Rise and Fall of the Great Powers), shkruar nga Paul Kennedy, ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në qarqet intelektuale të kohës pasi ai e përshkruante Amerikën si një vend që po vuante për shkak të “ekspansionit imperialist” të saj dhe po dobësohej si një fuqi e madhe. Madje, deri në fillimin e viteve 1990, në radhët e intelektualëve europiano-perëndimorë ishte shumë i përhapur besimi se Japonia, ndoshta edhe Gjermania, shumë shpejt do e linin pas Amerikën nga pikëpamja e zhvillimit teknologjik dhe e fuqisë ekonomike, njëlloj siç predikojnë sot disa intelektualë europianë se Europa do të bëhet gjoja “superfuqia e vërtetë e botës post-moderne në shekullin e 21-të”.

* * *

Mund të vazhdonim të sillnim shembuj të tjerë, por edhe vetëm këta mjaftojnë për t’i dhënë një përgjigje paraprake pyetjes: Përse intelektualët, të cilët, në përgjithësi, konsiderohen si interpretues seriozë të kursit të historisë njerëzore, madje edhe ata që janë ekspertë, gabojnë kaq shumë dhe kaq shpesh?

Kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjemi pjesërisht me argumentin se intelektualët synojnë qëtë gjejnë një kuptim—ose një lidhje koherente—në problemet e shoqërisë, si dhe të krijojnë një model universal e të qëndrueshëm, i cili të shpjegojë tendencat e zhvillimit të shoqërisë dhe lëvizjen historike të saj. Në Mesjetë, një model të tillë e ofronte feja, ndërsa gjatë dy-tre shekujve të fundit, shumica e intelektualëve, në një mënyrë ose në një tjetër, e kanë gjetur atë në formën e ideologjisë. Ideologjitë janë të llojeve të ndryshme, por çdo ideologji ka si veçori kryesore të saj atë se ajo u referohet fakteve empirike në mënyrë shumë selektive. Kjo do të thotë se, çdo ideologji evidenton dhe propagandon ata fakte empirikë, të cilët mbështesin kredon ose  dogmën e saj, duke nënvlerësuar apo mohuar në mënyrë absolute çdo evidencë tjetër empirike që e vë në pikëpyetje, ose e përgënjeshtron këtë kredo. Ky proces seleksionimi mund të vazhdojë për një kohë të gjatë, madje edhe kur faktet empirikë që e kundërshtojnë një doktrinë ideologjike të caktuar bëhen një realitet që nuk mund të mohohet.

Projeksioni ideologjik në mendimin intelektual është në kundërshtim me çdo kërkim të mirëfilltë empirik dhe me çdo formë të tëarsyetuari kritik që përpiqet të provojë hipoteza – ose të vlerësojë prova empirike të ndryshme, ose të kundërta nga ato të pranuara “universalisht” – të cilat mund të çojnë në revizionimin ose në heqjen dorë nga supozimet e pranuara më parë.Tipar esencial i çdo ideologjie është se të vërtetën që duhet zbuluar ajo e konsideron të njohur dhe të pranuar qysh më parë.

Në esenë e tij të njohur mbi analistin politik amerikan James Burnham, George Orwell identifikon edhe një karakteristikë tjetër të intelektualëve, për shkak të së cilës,këta, shumë herë, gjykojnë në mënyrë të gabuar.Kjo karakteristikë, sipas tij, është “adhurimi për pushtetin” (power worship).Gjatë karrierës së tij, Burnham, autor i njërës prej veprave më me influencë në kohën e tij, Revolucioni menaxherial(The Managerial Revolution), i ndryshoi pikëpamjet dhe qëndrimet e tij politike përgjatë të gjithë spektrit politik, nga e majta ekstreme, në ekstremine djathtë. Nga pozitat e të dy ekstremeve, Burnham bëri parashikime, të cilave, në atë kohë, u jepte peshë autoriteti i tij intelektual i padiskutueshëm. Por, George Orwell vuri në dukje se parashikimet e tij kishin dy karakteristika: së pari, ato varionin në një shkallë të madhe dhe herë-herë kundërshtonin njëra-tjetrën; së dyti, këto parashikime shumë shpejt provoheshin të gabuara nga ngjarjet që pasonin. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, për shembull, për shkak të sukseseve të shpejta të pushtimeve naziste në vitet e para të luftës, Burnham parashikoi se Gjermania do ta fitonte luftën, se Hitleri nuk do ta sulmonte Bashkimin Sovjetik para se të pushtonte Britaninë e Madhe dhe se Bashkimi Sovjetik do të bënte aleancë me Japoninë për të parandaluar disfatën e plotë të kësaj të fundit. Të gjitha këto parashikime u provuan të pavërteta.

Orwell kishte të drejtë kur e kritikonte si të gabuar tendencën për të besuar se kushdo, ose çfarëdo, që duket se po triumfon në një moment të dhënë, do të triumfojë përfundimisht, ose për një kohë të gjatë. Intelektualët gjykojnë shpesh – madje, ndoshta edhe instinktivisht – në këtë mënyrë.Gjatë 40 viteve të fundit ata kanë provuar në shumë raste se kanë gabuar në parashikimet e tyre mbi të ardhmen e demokracisë liberale. Në mesin e viteve 1970, demokracitë liberale të Perëndimit kishin pësuar një sërë goditjesh nga disa drejtime – nga protestat kundër luftës, nga eksponentë të “kundërkulturës”, nga demonstratat e mëdha të studentëve, nga trazirat sociale, nga terroristë brenda shoqërive të tyre, nga korrupsioni në hierarkinë shtetërore dhe, në Shtetet e Bashkuara, nga humbja e luftës në Vietnam. Reagimi imediat i intelektualëve – përfshirë edhe disa ndër ata më të shquarit – ndaj të gjitha këtyre ngjarjeveishte se, ato sinjalizonin fundin e demokracisë liberale. Kështu, në mesine viteve 1970, intelektuali i shquar Daniel Patrick Moynihan, i cili gjithnjë është shquar për optimizmin e tij lidhur me vitalitetin e institucioneve perëndimore dhe që, më vonë, u bë ambasador i Shteteve të Bashkuara në OKB dhe anëtar i Senatit Amerikan, shpalli se: “Demokracia liberale e modelit amerikan tenton gjithnjë e më shumë të shndërrohet në njëmonarki të shekullit të 19-të: një formë e vjetëruar qeverisjeje, e cila thjesht nuk ka asnjë rëndësi për të ardhmen. Ajo i përket botës që ishte, jo asaj që do të vijë”.

Një pikëpamje e tillë gjeti në atë kohë jehonë në shkrimet e filozofit të njohur francez Jean-François Revel, i cili, në vitin 1971, tronditi botën me bestsellërin e tij Pa Marksin dhe pa Krishtin (Ni Marx Ni Jesus). Revel deklaronte në atë kohë se “Demokracia mundet të provojë se ka qenë vetëm një aksident historik, një parantezë e shkurtër, e cila po mbyllet përpara syve tanë”.

Parashikimet e këtyre dy intelektualëve të shquar u provuan shumë shpejt se ishin krejtësisht të gabuara, pasi edhe në kohën kur ata shtjellonin pikëpamjet e tyre, dekada “e keqe” për demokracinë (mesi i viteve 1960 deri në fillimin e gjysmës së dytë të viteve 1970) po i afrohej fundit të saj për t’ia lënë vendin një kthese spektakolare. Duke filluar nga mesi i viteve 1970, një valë e re demokratizimi filloi në Europën Jugore (Portugali, Spanjë dhe Greqi), e cila u pasua nga valë të tjera demokratizimi në Amerikën Latine dhe në rajonin e Azisë dhe të Paqësorit (Koreja e Jugut dhe Taivani). Shembja e Bashkimit Sovjetik dhe shpërbërja e bllokut komunist krijuan (në fundin e viteve 1980 dhe në fillimine viteve 1990) një numër demokracish të reja në Europën Qendrore dhe Lindore.

Në fundine viteve 1980 dhe në fillimine viteve 1990, Francis Fukuyama pretendonte pikërisht të kundërtën e asaj që kishin parashikuar rreth dy dekada më parë Moynihan dhe Revel, se demokracia liberale, e vetmja ideologji që mundi të mbijetojë pas një shekulli kaotik e të dhunshëm, kishte triumfuar dhe se triumfi i saj ishte përfundimtar. Sipas tij, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, historia, në kuptimin e një lufte mes vizioneve konkurruese mbi botën, kishte marrë fund.Fukuyama gjithashtu u provua se ishte i gabim.

* * *

Të gjithë këta shembuj mbështesin argumentin që ofronte George Orwell se intelektualët janë të prirur të besojnë se “kushdo që fiton sot, do të duket gjithnjë se është i pathyeshëm”. Analogjia me shumë prej pikëpamjeve që shprehin intelektualë të ndryshëm në ditët e sotme është evidente: Bashkimi Europian po zgjerohet në një hapësirë gjithnjë e më të gjerë dhe po zhvillohet ekonomikisht, në mënyrë paqësore, duke u bërë një superfuqi financiare dhe, ipso facto, një shembull zhvillimi për mbarë botën; Amerika, e lodhur dhe e dobësuar pas luftrave në Irak dhe në Afganistan dhe me një imazh të dëmtuar nga politika e jashtme e Presidentit Donald Trump, e ka humbur madhështinë dhe rolin e saj të dikurshëm si e vetmja fuqi hegjemone e botës; Kina, me ritmet e saj të zhvillimit, do të zërë vendin e Shteteve të Bashkuara si fuqia e re hegjemone e globit.

Historia e shekullit të 20-të ofron shumë shembuj, që konfirmojnë atë çfarë besonte George Orwell në kohën e tij. Teza që argumentonte George Orwell mbi “adhurimin e pushtetit” mund të ndihmojë për të shpjeguar pse intelektualët, në përgjithësi, vazhdojnë të gabojnë në parashikimet e tyre mbi tendencat e zhvillimit shoqëror, edhe kur bëhet fjalë për ndryshimetë mundshme në arkitekturën globale të shekullit të 20-të dhe për rolin e Shteteve të Bashkuara në të. Arsyetimeve të mësipërme mund t’u shtojmë edhe një tjetër. Në shumë raste, gabimet e intelektualëve në parashikimet e tyre mund të mos e kenë burimin aq te veneracioni që ata kanë ndaj pushtetit, sesa tenjë formë narcisizmi dhe besimi egoist se, ajo çfarë ndodh aktualisht, në kohën kur ata janë gjallë, ka një vlerë dhe rëndësi të papërsëritshme. Një dukuri e tillë, së cilës zakonisht i referohen si “parokializëm i së tashmes”, përfaqëson një dështim të plotë të perspektivës historike nga ana e atyre intelektualëve që besojnë në të.

 

July 27, 2018 16:00
Komento

11 Komente

  1. Zani Burimi July 27, 16:15

    Zoti Tarifa,
    Na paske bombarduar me teori dhe prova te te kundertave, megjithate nuk na thua se ku do te shkoje bota, nga do te ecim ne te ardhmen. Pse duhet te parashikojme me mire se ne cilen rruge do te ecet?
    Dy gjera megjithate mund te thuhen. Rruga socialiste ka vdekur, kapitalizmi i vjeter nuk mund te jete modern, por shoqeria demokratike do nje busull, se ja kane kaluar mbi 20 vite dhe kurrkush s-e merr vesh se ccfare behet. ne vendet e vogla, por dhe ne vende te medha. Pastaj si do te lihen vendet islamike te ecin edhe me teper me Isis apo edhe vende si Kina ku do te shkojne?

    Reply to this comment
    • anticensurë25642654 July 27, 16:34

      “Rruga socialiste ka vdekur,”
      o zano,e ke gabim!!
      falimentuan shtete që praktikuan,ose thanë se praktikuan socializmin!!por ndryshe nga shtetet kapitaliste,të cilat falimentojnë gjithashtu,shumë më shpesh se ato 20 socialiste,njerzit nuk patën më besim në punën e tyre!pushtetarët,shumica,përfituan nga falimentimi i shteteve të tyre për tu bërë bosa kapitali!!
      nëse bota do të vazhdojë të ecë në mënyrë lineare,të drejtë!?
      atëherë do të kemi hyrje në rrugën sociale,socialiste!por këtë radhë të vërtetë dhe jo të detyruar!!
      por për fat të keq,historia na tregon se nuk ecet në vijë të drejtë!!
      historia ka treguar se pas një “maje” vjen një “tatëpjetë”!!
      në të gjitha majat e historisë që njohim,përkojnë me një tatëpjetë,me një pus!për të filluar pra me një ngjitje! e kështu deri në pafundësi(në fakt,fundin e njerzimit)!!

      Reply to this comment
  2. anticensurë25642654 July 27, 16:21

    sipas këtyre fjalive e frazave të shkruar nga tos tarifa,të vetmen gjë që kuptova është se ai i është këthyer mësuesisë!!
    pra bëri një çarçaf për të treguar se njerëzit,intelektualët,të arsimuarit gabuakan!!
    dhe pastaj??
    ndërmjet këtyre gabimeve ka dhe gjëra që kanë qëndruar!!
    këto gabime kanë bërë që të jemi këtu ku jemi!
    sa përpara dhe pas!!
    pra hapa përpara dhe hapa pas!!
    mos vallë nuk ka qënë e tillë historia botërore??
    mos vallë persët e para krishtit nuk bënë të njëjtat gabime për të humbur në betejat me helenët dhe të shkatërroheshin nga aleksandri??
    mos vallë rromakët nuk bënë të njëjtat gabime për tu shkatërruar nga gjermanikët!!
    e kështu me radhë tërë perandoritë!!
    intelektualët!?!?
    jo të gjithë kanë gabuar!jo të gjithë kanë pasur të drejtë! gabimet dhe përkimet e tyre kanë çuar botën përpara!!
    të bësh parashikime,si ato mbi të cilat mësues tosi gjykon të tjerët,është tmerrësisht e vështirë të kesh sukses!suksesi zhduket me kalimin e kohës!!
    tosi vuri në ballancë SHBA dhe BE,pra çfar ishte parshikuar dhe çfar ndodhi e nuk ndodhi!!
    janë dy shtete,konfederata, të mëdhaja!!
    e para e krijuar 200 vjet më parë nga “hiçi” dhe e dyta në krijim e sipër!!
    e para fuqinë e saj e ka filluar në fillim të viteve ’40, e dyta e ka patur deri në ’40ën dhe po përpiqet ta rimarë!!
    ndryshe nga ngritja e shpejtë e SHBA,BE,do më shumë kohë!ndoshta nuk do të jetë asnjëherë e para,por me një bashkim dhe me një unifikim të urdhërdhënjes mund të jetë një nga tre kryesorët!!
    sot kemi një ish koloni,ose një vënd të harruar për perëndimin që po përparon ekonomikisht në një mënyrë marramëndëse!!
    kina është amerika e fillimit të viteve ’40!!ndryshe nga amerika që përfitoi nga konflikti europian,botëror,kina po punon për tu zgjeruar ekonomikisht!kina po zgjerohet në mënyrë paqsore!!pa marrë pjes në konflikte dhe pak a shumë pa shfrytëzuar konfliktet!!
    investimet e saj në botë po tregojnë një largpamje të jashtëzakonshme!!largpamjen më të madhe të bërë nga një shtet!!
    ndyrshe nga europa,e ndarë në “klane”,”fise”,ndryshe nga amerika liberale por jo diktatoriale,kina me dhunën e urdhërit,po çan në rrugë që të tjerët e kanë, për të mos thënë të pamundur,të vështirë!
    ato anë të mira që ka europa dhe amerika,kina asqë i vë në pyetje,nuk i vë fare në llogari!!
    ngritja e kinës me urdhër do të jetë më e shpejtë se ngritja demokratike e amerikës dhe europës!!
    nga “sot” nuk do të diskutohet më se kush do të jetë i pari i botës!!
    nga “sot” do të diskutohet kush do të jetë i pari i të parëve!!
    rrëmuja që po bën trampi,ka shumë mundësi që ti bëjë njerëzit të kuptojnë se ka dhe diçka tjetër përveç SHBAsë!
    në atë moment!?
    do të kemi një ndryshim!
    zonat e influencës do të rindahen dhe njëherë!!
    shpresoj që të mos kemi prapë në konfederatë që të marrë rrolin e gjermanisë së të dy luftërave!!

    Reply to this comment
  3. Idjoti i Bathores July 27, 16:22

    ‘Ka njerez q edhe pse jane deri ne gryke ne mut vazhdojne e shikojne yjet”Oskar Wilde
    Njeri prej tyre eshte edhe ky ‘òuni i bllokut’ qe si personazhi ‘Koçi’ tek Zonja nga qyteti mbi qerren e barit vazhdon e flet per Honolulune…

    Reply to this comment
  4. anticensurë25642654 July 27, 16:25

    “Pse intelektualët vazhdojnë të gabojnë në parashikimet e tyre?”
    sepse ata janë njerëz dhe se njerzimi ka të paktën 10 mijë vjet që bën të njëjtat gabime!!
    njeriu drejtohet nga emocionet!
    të cilat janë 150 milionë vjetë më të vjetra se ndërgjegjia!!
    gabimi do të vazhdojë deri atëherë kur ndërgjegjia të kalojë emocionet në moshë!!
    rrezulatti!?
    e pamundur!!
    gabimet do të vazhdojnë të njëjta përsa kohë të egzistojë njerzimi!!

    Reply to this comment
  5. intelektuali July 27, 17:10

    O cuni i Sevo Tarifes, kalemxhiut te Enverit:

    Intelektualet Enveriste gabojne sepse i parashikojne zhvillimet ekonomike ne Bote sipas mesimeve te Partise se Punes qe predikonte sipas teorise se Marksit dhe Leninit:

    VDEKJEN E KAPITALIZMIT DHE FITORJEN KOMUNHIZMIT NE BOTE

    ndersa:

    Intelektualet e mirefillte qe u vrane dhe u masakruan nga Enveri dhe xhelatet e tij vetem sepse e parashikuan fundin e Komunizmes ne Bote si nje sistem te gabuar ekonomikisht dhe ideollogji mashtruese per “barazi ne mjerimin e perbashket”, keta intelektuale o enveristi familjar, Fatos Tarifa qe shkruan dacibao me llogje fillozofike pa kurfare kuptimi rea, keta intelektuale te vertete me diplloma perendimore ne xhepl nuk gabuan asnjehere ne parashikimet e tyre kur i thane Enverit ne sy dhe banditeve te tij perpara se te jepinin shpirt nga torturat apo nga plumbi i skuadres se pushkatimit:

    FUNDI YT DHE I SISTEMIT TEND GJAKATAR ESHTE I PASHMANGSHEM!

    prandaj o Fatos Tarifa:

    Shih endera me sy hapur sa te duash per Kinen Komuniste si Superfuqi qe do te mposhte SHBA dhe do ta largoje nga vendi i pare ne Bote me kinezet qe i pushtoi Japonia brenda nje jave lufte ne vitin 1940, shaje edhe Presidentin Trump me liber shpie sa te duash njashtu sic beri edhe Edvin Droga nga CNN me porosi nga mashtruesi George Soros,

    por:

    Mos i perdhos intelektualet e mirefillte shqyptare qe parashikuan mjaft drejt fundin e regjimit enverist ne Shqypni qe familja yte i sherbeu me kaq fanatizem per vite me radhe.

    Reply to this comment
  6. intelektuali July 27, 17:12

    O cuni i Sevo Tarifes, kalemxhiut te Enverit:

    Intelektualet Enveriste gabojne sepse i parashikojne zhvillimet ekonomike ne Bote sipas mesimeve te Partise se Punes qe predikonte sipas teorise se Marksit dhe Leninit:

    VDEKJEN E KAPITALIZMIT DHE FITORJEN KOMUNIZMIT NE BOTE

    ndersa:

    Intelektualet e mirefillte qe u vrane dhe u masakruan nga Enveri dhe xhelatet e tij vetem sepse e parashikuan fundin e Komunizmes ne Bote si nje sistem te gabuar ekonomikisht dhe ideollogji mashtruese per “barazi ne mjerimin e perbashket”, keta intelektuale o enveristi familjar, Fatos Tarifa qe shkruan dacibao me llogje fillozofike pa kurfare kuptimi real, keta intelektuale te vertete me diplloma perendimore ne xhep nuk gabuan asnjehere ne parashikimet e tyre kur i thane Enverit ne sy dhe banditeve te tij perpara se te jepinin shpirt nga torturat apo nga plumbi i skuadres se pushkatimit:

    FUNDI YT DHE I SISTEMIT TEND GJAKATAR ESHTE I PASHMANGSHEM!

    prandaj o Fatos Tarifa:

    Shih endera me sy hapur sa te duash per Kinen Komuniste si Superfuqi qe do te mposhte SHBA dhe do ta largoje nga vendi i pare ne Bote me kinezet qe i pushtoi Japonia brenda nje jave lufte ne vitin 1940, shaje edhe Presidentin Trump me liber shpie sa te duash njashtu sic beri edhe Edvin Droga nga CNN me porosi nga mashtruesi George Soros,

    por:

    Mos i perdhos intelektualet e mirefillte shqyptare qe parashikuan mjaft drejt fundin e regjimit enverist ne Shqypni qe familja yte i sherbeu me kaq fanatizem per vite me radhe.

    Reply to this comment
    • Per Inteloleshin July 27, 20:10

      Nuk te lexon kush ty idjot , qe di vetem te derdellisish , bile cdo koment tendin na i dublon . Hiqu nga syte se nuk te llogarit kush ne “sofren” e burrave !

      Reply to this comment
  7. olimpia July 27, 20:54

    Te gjithe kane gabuar….kush nuk ka gabuar….Shoqeria njerezore,megjith dominimet e perkoheshme te nje shteti ,grup shtetesh apo perandorie,,ecen perpara ne menyre objektve.Dhe e vetmja rruge humane eshte socializmi demokratik.Eshte e pamundur qe pabarazia e tmerreshme materiale ,shoqerore dhe politike te dominoje te ardhmen.Zhvillimi arsimor,teknologjik dhe shoqeror i zgjojne qindramilionet qe jetojne ne mjerim.Do te kete evolucion apo revolucion ,kjo do te diktohet nga rrethanat ,momentet,..Nje rend shoqeror qe perjashton shumicen ngfa mirqenia eshte i destinuar te ndryshohet,gradualisht apo me dhune…Praktikisht vendet veriore te Europes kane evoluar ,nuk mund te quhen kapitaliste..Ne se shteti garanton arsimin ,shendetin ,punen ,strehimin,atehere jemi ne nje stad te avancuar…ne nje shoqeri humane…Zhvillimi teknologjik,taksat progresive,barazia para ligjit jane pikat kyce per mirqenien dhe harmonine.Kina eshtte duke realizuar nje menyre zhvillimi qe ka tronditur nga themelet boten .Le te shikojme fundin

    Reply to this comment
  8. Roza August 3, 00:44

    Artikuj tuaj i respektuar Profesor Tarifa I lexoj me shume interes dhe mesim shume shume.
    Faleminderit dhe respekte.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*