Imagjinata njerëzore dhe përsosja e vazhdueshme e species sonë humane

February 19, 2021 13:34

Imagjinata njerëzore dhe përsosja e vazhdueshme e species sonë humane

Fatos TARIFA

Vlerësime për librin Transhumanizmi: Përtej njeriut, shkruar nga Prof. Ethem Ruka

Kur vendos të shkruash e të shprehesh publikisht për një libër të ri, këtë e bën i motivuar ose nga vlerësimi që ke për autorin e librit, ose për shkak të përmbajtjes së e tij dhe mënyrës se si është shtjelluar ajo. Me këtë libër, shtysë u bënë të dy këta motive njëherësh.

Njohja ime me Prof. Ethem Rukën shkon disa dekada më parë, kur ai ishte një pedagog ende i ri, i doktoruar në Francë, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe unë, pak më i ri në moshë se ai, predagog në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike të Universitetit të Tiranës, në atë kohë i vetmi universitet në Shqipëri. Prof. Ruka ishte atëherë—siç është edhe sot—një ndër pedagogët më të lexuar, më interesantë e më të admiruar të brezit të vet për studentët e tij. Për të është folur gjithnjë me respekt, ndërsa librat e tij, edhe pse më së shumti kanë për subjekt një fushë specifike të shkencës, siç është biologjia, lexohen me interes nga një publik i gjerë. Libri Transhumanizmi, jam i sigurt, do të pritet gjithashtu me shumë interes, jo vetëm nga brezat e studentëve që e kanë pasur Dr. Rukën profesorin e tyre dhe nga kolegët e tij të djeshëm e të sotëm por, sidomos, nga studentët dhe të rinjtë e sotëm, të cilëve, ky libër, siç e vlerësoj unë, u adresohet kryesisht.

Njohja e vjetër me kolegun tim Ruka dhe vlerësimi e respekti për të, sidoqoftë, nuk do të kishin mjaftuar, që unë, një sociolog, të merrja guximin të shkruaja parathënien e një libri, subjekti i të cilit, në vështrim të parë, duket se nuk ka të bëjë aspak me fushën time të studimit, por ka të bëjë, kryesisht, me biologjinë evolucioniste, me gjenetikën dhe me shumë aspekte të tjerë të zhvillimit shkencor sot e në të ardhmen. Por, duke e lexuar këtë libër, konstatova se shumë nga subjektet që trajtohen në të kanë qenë dhe janë pjesë e interesimeve të mia në fushën e sociologjisë, veçanërisht në sociologjinë e njohjes, në sociologjinë e kursit të jetës dhe në ato sfera të kësaj shkence “moderne dhe perëndimore”, siç e ka cilësuar atë Peter Berger, të cilat studiojnë ndryshimet sociale e kulturore, marrëdhëniet mes zhvillimit shkencor e teknologjik dhe progresit shoqëror. Shoqata Amerikane e Sociologjisë, në të cilën autori i këtyre radhëve është anëtar qysh nga vitit 1992, ka dy seksione të veçantë që mbajnë emërtimet “Science, Knowledge and Technology” (krijuar në vitin 1990) dhe “Evolution, Biology and Society (krijuar në vitin 2007). Qoftë edhe vetëm ky fakt dëshmon se shumë nga problemet që shtjellohen në këtë libër janë pjesë integrale e interesimeve të gjera të sociologëve të sotëm perëndimorë. Libri në fjalë, edhe pse i shkruar nga një biolog, mund të lexohet fare mirë edhe si një tekst modern sociologjie dhe unë do të përpiqem të shpjegoj përse.

 

* * *

Kur në gjysmën e dytë të viteve 2000 jepja mësim në Universitetin e Miçiganit Lindor, njëra prej lëndëve që zhvilloja në Departamentin e Sociologjisë ishte “Ndryshimet sociale e kulturore”. Një libër i mikut dhe kolegut tim të çmuar në atë universitet, të ndjerit Jay Weinstein, i titulluar Social and Cultural Change, sapo ishte botuar dhe ai libër shërbeu si një tekst bazë. Studentëve që e merrnin këtë lëndë u kërkoja, si një detyrë kursi, të hartonin një ese, në të cilën, mbështetur në disa prej zbulimeve të fundit në shkencë dhe në arritjet më të mëdha teknologjike të atyre viteve, të “guxonin” të parashikonin se si mund të ishte shoqëria amerikane njëzet ose tridhjetë vite më vonë dhe se si e në ç’drejtim teknologjitë e reja do të mund t’i ndryshonin jetët e tyre. Më kujtohet se shumë prej ideve të shprehura dhe parashikimeve të bëra nga ata studentë ishin vërtetë mbresëlënëse, edhe pse, në pjesën më të madhe, ato ishin thjesht produkte të kulluara të imagjinatës e të fantazisë së tyre. Të një imagjinate e të një fantazie që progresi i sotëm shkencor e teknologjik, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, i ushqen si asnjëherë më parë në historinë e njerëzimit.

Sot, kur njohuritë tona teknologjike dyfishohen thuajse në çdo dy vite, parashikimi i zhvillimeve të ardhshme në shkencë dhe në teknologji bëhet gjithnjë e më i vështirë. Por, paradoksalisht, ai bëhet edhe gjithnjë e më i mundur. Sepse historia e zhvillimit shkencor e teknologjik të këtyre dekadave të fundit dëshmon se thuajse asgjë nuk është e pamundur të zbulohet, ose të arrihet. Në fakt, shumë prej fantazive të studentëve të mi amerikanë pak më shumë se një dekadë më parë sot nuk janë më të tilla.

Ky libër i Prof. Rukës, i cili përmban një informacion të ri dhe shumë të pasur kryesisht sa u përket katër teknologjive të reja “që po trondisin botën”, siç shprehet vetë autori, dëshmon pikërisht këtë gjë. Ai bën fjalë për zhvillimet e fundit në Nanoshkencë dhe arritjet e sotme e ato të pritshme të nanoteknologjive, për arritjet në fushën e bioteknologjisë, të teknologjive të informacionit dhe të shkencave konjitive. Këto janë, në fakt, në kohën tonë, shkencat e së ardhmes.

 

* * *

Dëshiroj të vë në duke qysh në hyrje se kushdo që, pas leximit të këtij libri, mund të mbetet “i zhgënjyer”, ngaqë ka pritur që përmbajtja e tij të pasqyrojë përpjekjet kërkimore origjinale të autorit dhe gjetjet e tij në këto katër shkenca të së ardhmes, duhet të kuptojë se zhgënjimi i tij është tërësisht—dhe fatalisht—i palegjitimuar. Madje, më shumë se kaq, një “zhgënjim” i tillë do të ishte një shembull domethënës për të gjithë ata që mendojnë se shkenca është një sipërmarrje e lehtë, që mund të mësohet e të zhvillohet nga kushdo, që mund të shkojë përpara pa pengesa dhe që mund të japë rezultate brenda një tremujori. Një lexuesi të tillë i them se ky libër nuk është për të. Ai do të bënte mirë të lexonte çfarëdo libri tjetër që flet për alkiminë, për astrologjinë, për çudira dhe mrekullira në këtë botë tonën ose në botë të tjera të imagjinuara, por jo një libër si ky, që merr përsipër të popullarizojë (një detyrë kjo shumë e vështirë edhe për një shkencëtar) arritjet më të fundit në shkencë e në teknologji dhe të hedhë dritë në hapësirat e palimituara që pritet të eksplorojë mendja e njerëzve të sotëm dhe e brezave që do të vijnë—këtë shekull dhe në shekujt që do të pasojnë.

Prof. Ethem Ruka ka shkruar një libër të shkëlqyer—dhe të vështirë—sepse nuk mjafton vetëm që ta ilustrosh progresin në shkencë e në teknologji me shembuj konkretë nga këto katër shkenca të së ardhmes—dhe shkenca të tjera—por, së pari, t’i kuptosh ato dhe të jesh në gjendje që t’i bësh njëlloj të kuptueshme edhe për njerëzit e zakonshëm. Mjaft shkencëtarë të shquar, në të kaluarën dhe sot, kanë bërë pikërisht këtë—kanë popullarizuar dijen shkencore të kohës së tyre, duke e sjellë shkencën më pranë “publikut të lexuar”, nëse përdor një shprehje të Kantit, dhe duke i rritur si interesimin publik për zhvillimin shkencor e teknologjik, ashtu dhe përgjegjësinë profesionale e morale të vetë shkencëtarëve e teknologëve. Astrofizikanti i famshëm american Carl Sagan (1934-1996), biologu evolucionist i shquar anglez Richard Dawkins (1941-), biologu amerikan Jerry A. Coyne (1949-), si dhe shumë shkencëtarë të tjerë të shquar si këta—kanë tëhequr vëmendjen e publikut të gjerë dhe i kanë zhvilluar njohuritë tona mbi botën dhe kuptimin tonë mbi të në mënyra që vetë shkenca akademike do ta kishte shumë të vështirë ta bënte. Në kushtet e Shqipërisë dhe për publikun e lexuar shqiptar, këtë detyrë, si edhe më parë, e synon dhe e arrin më së miri ky libër i Prof. Rukës. Ky libër nuk është një vepër shkencore; ai është një libër për shkencën, i dedikuar shkencave së të ardhmes.

 

* * *

Çdo shkencë është një disiplinë ekumenike, me kufij të hapur në të gjitha drejtimet. Nuk duhet të habitemi nëse gjatë shekullit të 20-të—dhe akoma më shumë në kohën tonë—zbulimet më të mëdha në shkenca janë bërë pikërisht në pikëprerjet e disiplinave të ndryshme. Nga ana tjetër, duhet vënë në dukje ajo marrëdhënie e ngushtë dhe e ndërsjellë që ekziston midis investimeve për zhvillimin shkencor e teknologjik, nga njëra anë, dhe përfitimeve nga ky investim për ekonomitë e vendeve më të zhvilluar.

Jam i detyruar ta vë në dukje këtë fakt pasi pjesa më e madhe e zbulimeve shkencore dhe teknologjitë më inovative sot realizohen në vendet më të pasur të globit, ndër të cilët, Shtetet e Bashkuara zënë vedin e parë. Nuk them ndonjë gjë të re nëse pohoj se ekonomia amerikane jo vetëm mbështetet në teknologjitë më të avancuara, por ajo është, gjithashtu, ekonomia më dinamike në botë. Kjo vërehet sidomos nëse u referohemi industrive të së ardhmes, për të cilat shkruan Prof. Ruka në këtë libër. Ndër to, nanoteknologjia (Nanotechnology), e cila është zhvilluar si një shkencë e aplikuar që merret me kontrollin e lëndës në shkallë atomike dhe molekulare, duket se u ka hapur rrugë një sërë zhvillimesh revolucionare në fushën e teknologjisë e të prodhimit, madje në atë masë sa, në një të ardhme të afërt, njerëzit do të mund të prodhojnë produkte të ndryshëm në shtëpitë e tyre, duke përdorur lëndë të para, ndërsa bizneset thjesht do të krijojnë formulat përmes të cilave atomet do të mund të shndërrohen në produkte për konsum.

Dihet se progresi ekonomik e shoqëror ka qenë dhe është më i shpejtë në ato shoqëri, të cilat kanë investuar dhe investojnë për të ardhmen e tyre. Sot Amerika dominon në fushën e nantoteknologjisë në një shkallë të tillë, që asnjë vend tjetër nuk do të mund t’i afrohet dot për një kohë të gjatë. Shtetet e Bashkuara kanë sot më shumë “qendra nano” (nanocenters) sesa tri shtetet që vijnë pas saj—Gjermania, Anglia dhe Kina—të mara së bashku. Shumë nga qendrat e reja të saj fokusohen në veprimtari shumë të specializuara, me potenciale veçanërisht të mëdha për aplikime praktike e të marketueshme. Investimet e shtetit amerikan për zhvillimin e nanoteknologjisë janë dy herë më të mëdha sesa ato të konkurruesit më të madh që vjen pas saj në këtë fushë—Japonisë—ndërkohë që Amerika ka krijuar më shumë patenta për nanoteknologjitë sesa të gjitha vendet e botës të marra së bashku. Përveç kësaj, më shumë se sa çdo vend tjetër i globit, Amerika ka aftësinë të gjenerojë rritje ekonomike nga inovacionet shkencore. Kina, Franca, madje edhe Britania e Madhe, të cilat investojnë në mënyrë të konsiderueshme për zhvillimin e kërkimeve shkencore, nuk arrijnë t’i aplikojnë sa duhet arritjet e këtyre kërkimeve në fushën e biznesit. Rreth 85 për qind e investimeve kapitale në teknologjitë nano në shkallë globale kanë shkuar në kompanitë amerikane.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për bioteknologjinë, e cila ka të bëjë me përdorimin e sistemeve biologjikë për krijimin e produkteve mjekësorë, bujqësorë dhe industrialë. Kjo industri shumëmiliardëshe dominohet, po ashtu, nga Shtetet e Bashkuara. Të ardhurat prej saj në atë vend janë rreth pesë herë më të mëdha sesa ato të vendeve të Europës të marra së bashku, ose sa 76 për qind e të ardhurave globale nga kjo industri.

Nëse flitet për inxhinierinë e teknologjive të informacionit, edhe në këtë fushë Amerika është shumë përpara në krahasim me çdo vend tjetër. Gjatë dekadave të fundit, veçanërisht në një zonë gjeografikisht të ngushtë të industrisë civile elektronike të teknologjisë së lartë dhe të teknologjisë së informacionit në Kaliforninë e veriut, e njohur si Silicon Valley, ky vend i ka dhënë një zhvillim të jashtëzakonshëm komunitetit më të madh teknologjik në botën e sotme. Se ç’përfaqëson Silicon Valley në inxhinierinë e teknologjisë së sotme të informacionit mjafton të përmendim emrat e disa prej gjigandëve të industrisë amerikane dhe asaj globale, të cilët i kanë qëndrat e tyre në këtë rajon të ngushtë pranë San Françiskos, si: Hewlett-Packard, Abode Systems, Apple Computers, eBay, Sisco Systems, Oracle Corporation, Agilent Technologies, Google, Yahoo, Tesla, Intel Corporation, PayPal, Netflix, Facebook, Twitter, Hitachi Data Systems e shumë të tjera. Ndër 25 rajonet dhe qendrat më të mëdha të kërkimit e të aplikimit të teknologjisë elektronike të informacionit në kohën e sotme, më shumë se një e treta (9 prej tyre) ndodhen në SHBA, ndërkohë që në Europë janë vetëm 5, në Indi 3 dhe në Kinë 1.

Sot, ne vetëm mund të përfytyrojmë se cila është e ardhmja e këtyre teknologjive të reja, pa mundur të parashikojmë dot zhvillimet në këto fusha qoftë edhe në dhjetëvjeçarin e ardhshëm. Sidoqoftë, një gjë duket se është e sigurt: shekulli i 21-të do të jetë shekulli më kreativ e më produktiv në historinë e njerëzimit. Libri i Prof. Rukës argumenton pikërisht këtë.

 

* * *

Pavarësisht subjekteve të shumtë që trajtohen në këtë libër, atë e përshkon nga kreu në fund një subjekt kryesor—origjina e njeriut dhe e ardhmja e tij. Kjo shprehet edhe në vet nëntitullin e këtij vëllimi “Njeriu, nga vjen e ku shkon”. E para gjë që vlen të thuhet lidhur me trajtimin e origjinës së njeriut në këtë libër është se në të nuk ka vend për Zotin si demiurg i botës dhe i jetës në Tokë. Ky libër, siç mund të pritej, është shkruar nga pozitat e ateizmit; ai i kushtohet natyrës dhe krijesës më të përsosur e më çuditshme të saj—njeriut. Ky aspekt duhet theksuar veçanërisht me forcë dhe është një ndër tiparet që unë e çmoj shumë në këtë libër. Ne s’duhet të harrojmë për asnjë çast rolin që ka luajtur ateizmi në krijimin e qytetërimit modern. Besnik ndaj kredos shkencore të disiplinës së vet, Prof. Ruka gjen përsëri rastin të shtjellojë pikëpamjen e biologjisë evolucioniste, tashmë të provuar përtej çdo dyshimi. “Provat mbi evolucionin”, shkruan Richard Dwarkin, “shtohen gjithnjë e më shumë dhe ato nuk kanë qenë asnjëherë më të forta”. Ky libër sjell për publikun shqiptar shumë prej këtyre provave. Sidoqoftë, ajo çfarë e bën tepër interesant këtë libër është një analizë dialektike e provave të studimeve gjenetike mbi të kaluarën tonë si specie humane, me arritjet e sotme të gjenetikës, të cilat mund të ndihmojnë të kuptojmë evoluimin e mëtejshëm të species sonë në të ardhmen.

Gjatë dekadës së fundit, studimi i gjenomit në ADN-në e eshtrave të njerëzve të lashtë mund të thuhet se ka shënuar fillimin e një revolucioni të vërtetë në gjenetikë, përmes të cilit është bërë e mundur të zbulohen fakte dhe të hidhet një dritë e re në të kaluarën tonë si qenie humane, shumë herë duke hedhur poshtë pikëpamje që deri vonë besoheshin si të vërteta të fundit. Sot pranohet se gjenomi njerëzor përmban jo vetëm të gjithë informacionin që i duhet një veze humane të fekonduar për t’u zhvilluar, por edhe vetë historinë e species sonë. Studimi i ADN-së në eshtrat e njerëzve të lashtë i ka dhënë përgjigje një pyetjeje esenciale mbi të kaluarën e hershme të species sonë, që deri dje kishte mbetur pa përgjigje—pikërisht pyetjes se çfarë ndodhi me të parët tanë dhe si marrëdhëniet mes njerëzve të lashtë dhe migrimi i tyre sollën ndryshime të tilla në historinë e species sonë, për shpjegimin e të cilave vetëm provat e arkeologjisë nuk mjaftonin?

 

* * *

Mbështetur mbi një bazë të gjerë të dhënash gjenetike që i japin përgjigje pyetjes së parë “nga vjen (njeriu)?”, që Prof. Ruka shtron në librin e tij, ai shtjellon më tej arsyetime tepër inreresante mbi të ardhmen e species sonë. Këtu, pikërisht, lexuesit do të gjejnë jo vetëm përgjigje që ata i intrigojnë më shumë, por edhe një subjekt jashtëzakonisht të gjerë mbi të cilin mund të hamendësohet më shumë dhe për të cilin mund të ushqejmë jo vetëm optimizëm dhe shpresë për një përmirësim pafundësisht të mëtejshëm të racës sonë humane, por edhe pasiguri dhe frikë se ndoshta njeriu mund të humbasë kontrollin mbi fatin e vet. Ky është, në fakt, një libër që të hap sytë lidhur me mundësitë e shumta të krijuara nga zhvillimi i teknologjisë biomjeksore. Tashmë, pavarësisht se në ç’forma dhe për ç’qëllime mund ta aplikojmë atë, bioteknologjia e ka transformuar të kuptuarit tonë mbi atë se çfarë do të thotë të jesh njerëzor.

Prof. Ruka ka bërë një punë të shkëlqyer për shpjegimin e shkencës, si dhe të ligjeve e të politikave që do t’i bënin të mundura aplikimet e saj në praktikë (sot për sot në kontekstin e Shteteve të Bashkuara dhe të shoqërive më të zhvilluara). Bioteknologjia ka zbuluar se indi njerëzor është shumë më fleksibël dhe i ndryshueshëm nga çfarë kishim imagjinuar më parë. Çdo qelizë e trupit—qoftë edhe një qelizë e lëkurës—mund të jetë burim jo vetëm i shumicës, ose edhe i të gjitha llojeve të indeve, por edhe i qenieve të tjera të gjalla. Në qendër të këtyre skenarëve është kultivimi dhe manipulimi i qelizave burimore, prej të cilave zhvillohen të gjitha qelizat e tjera. Qelizat burimore më të gjithanshme janë qelizat e embrioneve njerëzorë, sepse ato janë “pluripotente’’, të afta për t’u zhvilluar në çdo lloj indi. Ato mund të përdoren për rigjenerimin e indeve të dëmtuar, si indi nervor, muskulor ose ai kockor.

Dëshira për të shmangur shumë sëmundje serioze me një komponent gjenetik të përcaktuar qartë dhe arritjet e bioteknologjisë në kërkim të mundësive të tilla kanë bërë të mundur që sot të shmangen më shumë se 250 defekte gjenetike të rënda nëpërmjet skrinimit gjenetik të embrionit disaditor gjatë fekondimit in vitro (IVF—in vitro fertilization), duke identifikuar dhe përzgjedhur për transferim vetëm embrionet jobartës të këtyre mutacioneve. Kjo procedurë njihet me emrin “diagnozë gjenetike para implantimit” (PGD—Preimplantation Genetic Diagnosis) dhe përdoret kryesisht te çiftet që kanë risk të lartë për të trashëguar te foshnja e tyre një sëmundje gjenetike shumë të rrezikshme.

Sot, më shumë se kurrë më parë flitet për mundësitë e përsosjes së fëmijëve që lindin përmes përzgjedhjes gjenetike të embrioneve. Disa studjues mendojnë se deri në 60 për qind e variacioneve të inteligjencës në një popullsi të dhënë mund të shpjegohen nga ndikimet gjenetike. Nëse është vërtet kështu, atëherë bën kuptim të shtrohen pyetje të tilla: Nëse mundemi vërtet ta ulim rrezikun e shfaqjes së një sëmundje te fëmijët tanë, fjala vjen diabetin, atëherë përse të mos e bëjmë këtë? Nëse jemi të gatshëm të paguajmë shuma të mëdha për tarifat e shkollimit të fëmijëve tanë, përse të mos shpenzojmë që në fillim për t’ua “qëndisur” gjenet fëmijëve që lindim? Nëse duam më të mirën për fëmijën tone, pse të mos kemi fëmijën më të mirë që mundemi?

Falë progresit të jashtëzakonshëm në teknologjitë e riprodhimit dhe në gjenetikë nuk do të duhej të habiteshim nëse, në një të ardhme që mund të mos e jetë shumë e largët, PGD do të bëhej metoda standarde e ngjizjes së fëmijëve (edhe pse seksi do të vazhdojë të jetë argëtimi kryesor i njeriut). Nëse kjo nuk ju tingëllon edhe aq alarmuese, mund të ndodhë që, në ardhmen, të ketë një shumëllojshmëri mënyrash të çuditshme (dhe opsionesh alarmuese) në menunë e “prodhimit” të fëmijëve, si për shembull, përdorimi i vezëve dhe i spermës me origjinë nga një njeri i vetëm (“uniprind”), kromozome të krijuar me porosi nga kimistët, ose IVF me detritin biologjik të vjedhur prej njerëzve të famshëm.

Ky libër i Prof. Rukës e njeh lexuesin me një larmi të jashtzakonshme jo vetëm mundësish, por edhe spekulimesh lidhur me të ardhmen e species sonë si Homo sapiens, shumë prej të cilave të vënë në mendime të thella. Nëse opinioni im u sjell ndonjë farë qetësie lexuesve “të shqetësuar”, unë besoj se përzgjedhja gjenetike e embrioneve për të krijuar “fëmijë të përsusur”, ose “fëmijë më të mirë”, përtej aftësisë për të shmangur disa sëmundje të rënda, nuk ka gjasa të japë atë që premton, njëlloj si fantazitë se klonimi do na bëjë të pavdekshëm. Mbi të gjitha, ato çfarë na dallojnë si qenie humane dhe na kanë zhvilluar si të tillë në raport me të gjitha qeniet e tjera të gjalla janë, veç të tjerash, edhe vlerat e dashurisë e të përkujdesjes njerëzore për njëri-tjetrin, të cilat nuk mund të zhbëhen nga kurrfarë determinizmi gjenetik.

 

* * *

Këtu dëshiroj të çel një parantezë sa u përket implikimeve morale të progresit teknologjik. Progresi në shkenca dhe keqpërdorimi i teknologjisë moderne kanë qenë një preokupim i vazhdueshëm për klasikët e teorisë sociale. Si shumë karakteristika të shoqërisë moderne, teknologjia është një thikë me dy presa. Ajo mund të na çlirojë, por edhe mund të na skllavërojë. Për Marksin, gjithçka varej nga fakti se kush e kontrollon atë. Sipas tij, teknologjia në vetvete është neutrale. Nëse ajo zotërohet privatisht, mund të përdoret për të fituar përmes shfrytëzimit të të tjerëve. Nëse ajo nuk zotërohet privatisht, teknologjia, sipas tij, mund t’i shërbejë zgjerimit të lirisë së individit për të përmbushur aspiratat e tij dhe të shoqërisë për progres të vazhdueshëm ekonomik e social.

Weber-in, Simmel-in dhe, më vonë, sociologun Michel Foucault, i preokuponte invazioni i kulturës objektive, racionalizimi dhe forcat e fuqishme institucionale në jetët e individëve për shkak të mundësisë potenciale që ato kanë për t’u bërë instrumente të kontrollit e të dhunës. Këta të fundit ishin më pak optimistë sesa Marksi dhe Durkheim-i mbi potencialin emancipues të teknologjisë moderne. Weber ishte në mëdyshje për sa i përket prirjes së teknologjisë për efiçiencë dhe racionalitet, dy karakteristikat themelore të kapitalizmit, pasi, edhe pse ajo mundëson rritjen e prodhimit me një kosto të ulët, nuk është e mjaftueshme për civilizimin e shoqërisë. Teknologjia, sipas tij, nuk mund ta zëvendësojë racionalitetin substantiv apo krijimin e një shoqërie të mbështetur mbi disa vlera bazë. Këtej duhet nisur, sipas tij, për të vlerësuar si dobinë, ashtu edhe pasojat shoqërore (të dëshiruara ose jo) të teknologjisë së avancuar.

Fakti që diçka mund të bëhet teknologjikisht ose shkencërisht nuk do të thotë domosdo se ajo duhet bërë. Vlerat humane komunitare duhet të kenë përparësi mbi zhvillimin teknologjik si të tillë, ose mbi interesat e individëve të veçantë. Nëse Weber do të ishte sot mes nesh dhe do ta pyesnim, fjala vjen, nëse krijimi teknologjik i hapësirës kibernetike përbën progres, unë mendoj se ai, në përgjigje të kësaj pyetjeje, do të pyeste nëse kjo arritje teknologjike e bën shoqërinë më humane dhe më të civilizuar apo më pak të tillë? Kjo qasje ndihet dukshëm edhe në këtë libër të Prof. Rukës. Lexuesit nuk i imponohet një pikëpamje e vetme. Ai udhëzohet ta lexojë këtë libër me mendje të hapur dhe të përdorë intelektin dhe gjykimin e vet. Sapere aude! Këtë shprehje, përmbajtja e së cilës mund të lexonte “guxo të përdorësh arsyen tënde”, Kanti, në esenë e tij brilante Ç’është Iluminizmi (1784), e cilësoi si moton e të gjithë lëvizjes iluministe dhe e përdori atë për të theksuar nevojën e përdorimit të arsyes në sferën publike. Ky libër i Prof. Rukës, në frymën e iluminzimit, u kërkon lexuesve që informacionin e pasur dhe herë-herë kundërthënës që ai përmban këta ta shqyrtojnë duke vënë në punë intelektin dhe gjykimin e tyre.

 

* * *

Siç mund ta kini vënë re, unë jo pa qëllim i jam shmangur deri tani përdorimit të termit transhumanizëm. Edhe pse me këtë emër sot njihet një trend dhe një lëvizje mendore gjerësisht e përhapur (dhe Prof. Ruka e pasqyron fare qartë këtë), mundet që vetë termi të mos i qendrojë dot kohës dhe kritikave. Formulime të tilla janë zakonisht efemere; pas një periudhe kohe ato mund të humbasin shumë nga kuptimi i tyre dhe përdoren gjithnjë e më rrallë. Në këtë arsyetim nisem veçanërisht nga kritika e njohur që Anthony Giddens i ka bërë nocionit mbi “postmodernizmin”, që filozofët francezë Jean Baudrillard dhe Jean-François Lyotard e popullarizoi në fund të viteve 1980.

Giddens argumenton se stadi i sotëm i zhvillimit të shoqërisë nuk është një epokë “postmoderne”, por është thjesht pasojë logjike e vetë natyrës së modernitetit. Sipas tij, zhgënjimet nga racionaliteti, nga shkenca dhe nga shumica e atyre gjërave që Lyotard dhe shumë filozofë e sociologë të tjerë i përshkruajnë me termin “postmodern” janë, në fakt, pasoja të paevitueshme të iluzioneve fillestare mbi të cilat moderniteti u krijua. Prandaj, në vend që të themi se sot jetojmë “përtej modernitetit”, në një periudhë “postmoderne”, epoka në të cilën jetojmë, sipas Giddens-it, është, në thelb, tërësisht dhe më intensivisht moderne. Pavarësisht se qëllimi kryesor i projektit të modernitetit ka qenë që të prodhonte dhe të akumulonte dije ekzaktësisht të sigurta, sot, sipas Giddens-it, ne jemi më pak të sigurt për shumicën e gjërave sesa kurdoherë më parë në periudhën moderne.

Atë që Lyotard e quante “shoqëri postmoderne”, Giddens e konsideron si “një periudhë të modernitetit kur ky fillon të kuptojë natyrën e vet”. Radikalizimi ka ndodhur kryesisht për shkak të kritikës së vetë bazave filozofike të modernitetit―evolucionizmit, besimit tek arsyeja dhe te dija e sigurt. Në vend që moderniteti të jetë tejkaluar, projekti modern duket se po i afrohet fundit të vet logjik. Giddens, sidoqoftë, nuk është pesimist kur bën fjalë për atë se çfarë pritet të vijë më pas, në periudhën e vërtetë postmoderne. Edhe pse ne, për shkak të marrëdhënieve të pabarabarta me pushtetin dhe për shkak të dallimeve në vlera dhe në interesa, nuk do të mundemi dot kurrë të parashikojmë dhe të kontrollojmë siç duhet pasojat e padëshiruara të zhvillimit shoqëror, ne, përsëri, thotë Giddens, duhet të përpiqemi t’u bëjmë ballë forcave sociale shkatërruese përmes modelesh pozitivë të mbështetur në realitet dhe të orientuara drejt së ardhmes, në formën e një realizmi utopik, i cili nuk ngjason me sociologjizmin marksist të modelimit të një “shoqërie të mirë” që mund të arrihet në rrugë revolucionare.

Pikëpamja transhumaniste se në gjeneratat e ardhshme, falë zhvillimeve në fushën e bioteknologjisë, do të mund të arrihet që jetëgjatësia e njeriut të rritet, aftësitë e tij konjitive të zhvillohen përtej kufizimeve të sotme, cilësia e jetesës të përmirësohet radikalisht dhe plakja e tij të shtyhet përtej limiteve të sotëm dhe përtej hamendësimeve tona, që vetë qenia njerëzore të përsoset gjenetikisht dhe konjitivisht në atë shkallë sa mund të flitet për një “njeri të ri”, ose për “pasnjeriun”, ndoshta përmban të njëjtin kufizim që Lyotard nuk e pa në konceptin e tij mbi shoqërisë “postmoderne”. Edhe këtu, në vend që të flasim për një periudhë “post-njeri”, “super njeri”, ose për një qenie humane krejt të re, ndoshta do të duhej të pranonim se zhvillimi ynë si specie humane ka arritur në atë shkallë, sa tani jemi bërë tërësisht të vetdijshëm për kufizimet tona të gjithanshme dhe gjithnjë e më të aftë që t’i tejkalojmë ato përmes zhvillimit të shkencës dhe teknologjive të reja. Ne kemi arritur, ndoshta, më në fund, të kuptojmë se kapacitetet tona konjitive dhe analitike janë ende shumë të kufizuara në krahasim me madhësinë dhe kompleksitetin e problemeve jetësore e shoqërore që kërkojnë zgjidhje dhe, prandaj, kërkojmë që t’i rrisim këto kapacitete përtej limiteve të sotëm me anë të metodave, të instrumenteve e të teknologjive më të sofistikuara. Madje, këto metoda e teknologji për zgjerimin e kapaciteteve tona konjitive dhe analitike janë kaq të vlefshme—dhe gjithnjë e më shumë të domosdoshme—pikërisht për shkak se mendjet tona janë kaq të kufizuara.

 

* * *

Përsosja e kapaciteteve njerëzore dhe e vetë njeriut si një specie e gjallë është jo vetëm e mundur, por edhe e dëshiruar. Vetë përsosmëria, sidoqoftë, është një koncept i papërsosur. Më saktë, ajo është një gjendje të cilën e synojmë, ose një lloj Idealtypus në kuptimin weberian të fjalës, së cilës mund t’i qasemi, por që nuk e gjejmë në realitet. Nanoteknologjitë, bioteknologjia, teknologjitë e sofistikuara të informacionit dhe zhvillimi i shkencave konjitive mund të na ndihmojnë që ta rrisim shkallën e përsosmërisë njerëzore në limite që sot e kemi të pamundur t’i parashikojmë, madje edhe që t’u afrohemi në hamendësimet tona, pa pasur frikë se një ditë do ta humbasim kontrollin tonë mbi thelbin dhe fatin e qenies sonë. Njeriu gjithnjë do të jetë në gjendje t’i kontrollojë kushtet dhe mjetet e riprodhimit e të ekzistencës së vet, sepse këto kushte janë esencialisht humane. Madje, aftësia për t’i mbajtur nën kontroll kushtet dhe mjetet e riprodhimit e të ekzistencës së vet përbën një motiv dhe, njëherësh, një garanci për kërkime dhe gjetje gjithnjë e më të rëndësishme në shkencë dhe në teknologji.

Prof. Ruka ka shkruar nje libër të dobishëm për të gjithë. Ky është një libër mbi gjëra që dihen, por më shumë është një libër mbi gjëra që nuk i dimë, mbi gjëra që ia vlen t’i mësojmë, për të cilat është e dobishme të arsyetojmë, pse jo edhe thjesht si një ushtrim i dobishëm intelektual—dhe një libër për gjëra që ne, brezi i rritur i sotëm, ndoshta nuk do i njohim kurrë.

Përpjekja për të kuptuar se deri ku mund të shkojë njeriu në marshimin e vet historik për t’u përsosur gjenetikisht, konjitivisht e moralisht dhe për të përmirësuar mjedisin e vet natyror e shoqëror që e ndihmojnë këtë përsosje, s’mund të jetë veçse një përpjekje e dobishme. Një përpjekje e tillë kërkon mendje të hapur, tolerancë ndaj pikëpamjeve të kundërta, kurajë intelektuale, debat të informuar dhe—sidomos—guxim për të imagjinuar edhe të paimagjinueshmen. Me këtë libër, Prof. Ruka na ka ofruar një mundësi për të gjykuar mbi njeriun përtej asaj kornize tradicionale të ngushtë që ka ndikuar formimin tonë deri më sot, duke na dhënë si avantazhin e besimit në përsosjen e indivit njerëzor përmes progresit shkencor e teknologjik, ashtu edhe benefitin e dyshimit në mundësitë për një përsosje të tillë. Qoftë edhe vetëm për këtë arsye, autori duhet përgëzuar për një punë mjaft të arrirë.

Individi njerëzor nuk ka qenë gjithnjë ky që është sot, dhe ky inivid njerëzor që jemi sot nuk do të mbetet i njëjti gjithnjë. Ne njohim qeriun që ka qenë dhe atë që jemi; ne nuk mund ta njohim—ende jo—njeriun që mund të bëhemi, pa e humbur në thelb socialitetin tonë. Unë gjithnjë kam besuar se ne, njerëzit, jemi ajo çfarë hamë, ajo çfarë lexojmë, ajo çfarë mësohemi të besojmë, mjedisi ku rritemi e socializohemi, teknologjia që përdorim. Këto të gjitha kanë ndryshuar nga koha në kohë dhe gjithnjë do të ndryshojnë edhe në të ardhmen dhe, për rrjedhojë, do të ndryshojmë edhe ne.

 

* * *

Në përfundim, dua të vë në dukje se, vetë hartimi dhe botimi i një libri si ky, i cili flet për procese e dukuri, shumë prej të cilave nuk i njohim, që sot mund të na duken të pamundura, thjesht produkte të magjinatës, fantazi, madje edhe “marrëzi”, është në vetvete një akt intelektual kurajoz. Shkenca ka lindur dhe është zhvilluar nga imagjinata. Anaksimandri na tha i pari se universi drejtohet nga ligjet e veta. Empedokli hodhi i pari idenë mbi origjinën e njeriut dhe seleksionin natyror. Leukipi dhe Demokriti ishin të parët që formuluan idenë mbi strukturën atomistike të lëndës dhe Epikuri e Lukreci e zhvilluan atë më tej, duke imagjinuar madje edhe botë të tjera të banuara si e jona. Aristarku hodhi i pari idenë e sistemit heliocentrik. Asnjëra prej ideve të grekëve të lashtë nuk ishte dije shkencore; të gjitha ishin produkte të imagjinatës së tyre. Kjo imagjinatë dhe ateizmi i tyre çuan në zbulime të mëdha shekuj më vonë. Zbulimet dhe teoritë e Kopernikut, Brunos, Gasendit dhe më vonë Darvinit e kanë origjinën e tyre pikërisht në idetë fantastike dhe në imagjinatën e grekëve të lashtë.

Francis Bacon u dha shkencave moderne metodën e studimit dhe një varg idesh të jashtëzakonshme, frut i imagjinatës së tij në veprën Atlantida e Re (1626), e cila, edhe pse një vepër utopike, pati një ndikim të drejtpërdrejtë në krijimin, rreth 40 vite më vonë, të asaj që sot është akademia kombëtare e shkencave e Mbretërisë së Bashkuar (The Royal Society). Ne nuk mund ta dimë se sa larg dhe sa thellë në të fshehtat e natyrës dhe të vetë species humane mund t’i çojë kërkimet e shkencëtarëve të sotëm dhe atyre të nesërm imagjinata njerëzore. Ky është një tjetër këndështrim nga i cili duhet lexuar me mendje të hapur dhe duhet vlerësuar ky libër i Prof. Ethem Rukës, të cilin gjej rast ta përgëzoj publikisht për këtë kontribut të ri.

 

o.j/dita

February 19, 2021 13:34
Komento

2 Komente

  1. Pardon February 19, 19:04

    E di si me duket Migjeni i madh mua sot,kur lexoj shkrimet e F.Tarifes?
    Si injorant!
    E cfare beri Migjeni deri ne 27 vjec sa rrojti?
    Kritikoi regjimin e satrapit Zogoll cep me cep dhe pa iu drudhur qerpiku,ndersa ky Tarifa sot,jo vetem qe nuk kruhet me SULLTANIN,por as qe do t’ia dije se cfare vuan ky popull,sikur vete jeton ne hene!
    Ja ky Tarifa eshte i mencur,se zbaton parimin otomzn “Larg bythes time”!
    Ka qene ne Michigan ky filozofi,por kurre nuk i shkon nder mend te thote ndonje gje nga jeta e KAPITALIZMIT ne ate shtet,qe mund te zbatohej edhe ne Shqiperi!
    Une fukarai 6 muaj qendrova atje dhe pashe jashtezakonisht shume gjera,qe pa anje shpenzim shtese mund te zbatohen ne Shqiperi!
    Por ketu nuk te degjon as ministrja e Arsimit,as kryebashkiaku,qe ka studiuar edhe ai ne Michigan,por as kryeministri,se NUK E KANE MENDJEN T’I SHERBEJNE POPULLIT POR PPP-ve!

    Reply to this comment
  2. Milano Moda ... February 22, 18:42

    Mese e vertet ..PARDON…Te njejten gje ndieja dhe une kur ndenja ca kohe ne NJY CITY..cfare mund te behej ketu si atje…??!! Por fatkeqesisht as une nuk kisha gje ne dore, pervec ” revoltes” perse ne keshtu??Vafshin ne ferr te tere ata qe e shkateruan kete vend me kete natyre perle dhe na duhet te zvaritemi atyre vendeve !!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim