Importi i cigareve, më i ulëti në 15 vjet

February 29, 2016 15:36

Importi i cigareve, më i ulëti në 15 vjet

Importi i ligjshëm i duhanit në Shqipëri gjatë vitit 2015 ra me 17 për qind në krahasim me vitin paraardhës si dhe me 33 për qind në krahasim me vitin 2013, duke shënuar kuotën më të ulët të regjistruar që nga viti 2001.

Të dhënat e detajuara të publikuara nga Ministria e Financave tregojnë se gjatë vitit të kaluar, në Shqipëri u importuan vetëm 2,478 tonë cigare, nga mbi 4 mijë tonë që duhet të importohen zakonisht për të mbuluar konsumin në vend.

Një nivel i tillë importesh të ulëta është regjistruar vetëm në vitet 2000 dhe 2001, kur kontrabanda e cigareve qe në nivele shumë të larta. Të dhënat historike të Ministrisë së Financave tregojnë se importi më i lartë i cigareve është regjistruar në vitin 2010 me mbi 4,500 tonë.

Cigaret janë mall shumë i taksuar dhe niveli i importit të tyre përcakton një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave buxhetore. Rënia drastike e importit të cigareve në vitet 2014 dhe 2015 aludohet se është shkaktuar pjesërisht si pasojë e rënies së konsumit, pjesërisht si pasojë e devijimit të konsumatorëve drejt duhanit vendës të pataksuar dhe pjesërisht si pasojë e rritjes së kontrabandës.

 Konsumi final, 5 deri në 6 mijë tonë

Në Shqipërinë e viteve 1980, konsumi i duhanit në vend vlerësohej në 5 mijë deri në 6 mijë tonë në vit, por kontrabanda e stërmadhe gjatë viteve 1990 solli rënien drastike të konsumit të taksueshëm. Në vitin 2000, në Shqipëri u importuan në mënyrë të ligjshme vetëm 2,257 tonë cigare ndërsa në treg cigaret shiteshin “me pullë” ose “pa pullë” ndërsa niveli i kontrabandës qe i stërmadh. Në atë kohë, në Shkodër u zbulua një shtypshkronjë, e cila prodhonte pulla fiskale të cigareve në mënyrë të falsifikuar, pasi pullat fiskale të ligjshme në atë kohë kishin kushte sigurie minimale, të cilat mund të realizoheshin në mënyrë të falsifikuar me shtypshkronja fare të thjeshta.

Qeveria shqiptare përmirësoi kushtet e sigurisë në pullat fiskale në vitet në vijim, fillimisht duke i shtuar një fill fosforeshent dhe më pas duke përdorur elementë të tjerë identifikues për të shmangur prodhimin e pullave të falsifikuara. Por në tërësi, lufta kundër grupimeve të krimit të organizuar që qenë angazhuar në trafikun e cigareve, solli rritje të importeve të taksueshme. Në vitin 2004, psh, një anije me cigare kontrabandë u konfiskua në Durrës pasi kishte ardhur nga Mali i Zi.

Në periudhën 2006-2010, importi i cigareve të ligjshme shënoi kulmin me mesatarisht 4 mijë tonë në vit ndërsa në periudhën 2011-2015, importi mesatar qe vetëm 3,200 tonë në vit.

Pulla të shtrenjta, importe të ulëta

Në vitin 2012, qeveria e kohës dha një koncesion të shumëdebatuar për prodhimin e pullave fiskale moderne nga SICPA, një kompani zvicerane, me supozimin se këto pulla do të ndihmonin në luftën kundër evazionit fiskal. Këto pulla kushtojnë aktualisht disa milionë euro në vit, nga disa dhjetëramijëra euro që kushtonin më parë, para që paguhen nga konsumatorët. Dhe pikërisht që nga koha e zbatimit të koncesionit SICPA, importet e ligjshme të cigareve në Shqipëri kanë njohur vetëm rënie.

Taksa të larta, importe të ulëta

Qeveria shqiptare i rriti taksat mbi cigaret dy herë, në vitet 2014 dhe 2015, duke e rritur akcizën nga 70 lekë për paketë në 110 lekë. Këto rritje taksash sugjerohet se i bënë cigaret e taksuara tepër të shtrenjta për një pjesë të madhe të popullsisë, e cila për këtë shkak besohet se i zëvendësoi me cigare kontrabandë apo duhan të hapur. Në Tiranë psh, në treg filluan të shiten paketa cigaresh kontrabandë me çmimin 80 lekë, nga mbi 200 lekë, që është çmimi i cigareve më të lira të ligjshme.

Njëkohësisht, tregtarë të ndryshëm nisën të prodhojnë cigare në mënyrë gjysmë artizanale, të cilat u shitën në treg përkundrejt një çmimi prej 50 lekësh për paketë.

Qeveria reagoi fillimisht me një fushatë konfiskimi të duhanit të hapur të tregtuar nga fshatarët në Elbasan e Shkodër, pastaj përmes vendosjes së rregullave strikte të importimit të letrës së duhanit, por pa rezultat.

Duke pranuar dështimin, qeveria vendosi vitin e kaluar të mos e rrisë më tej akcizën e cigareve në vitin 2016, me shpresë se konsumi do të stabilizohet. / BIRN

February 29, 2016 15:36
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim