In memoriam / Hysen Sharra la pas gjithë mirësinë

September 21, 2016 17:40

In memoriam / Hysen Sharra la pas gjithë mirësinë

 

Nga Ilirian Balla

Para pak ditësh u nda nga jeta legjenda e disa sporteve, një Ginnes i vërtetë i boksit, notit dhe vaterpolit, por po aq mjeshtër në stërvitjen e forcave tw Ministrisë së Mbrojtjes e të Rendit në luftimin ndeshës. Ai ishte figura më e kompletuar e një sportisti të hekurt, që për pesë dekada, punoi e qëndroi përherë në ballë, në krye, në pararojë. Ai ishte ushtaraku, sportisti dhe mësuesi i talentuar, ai ishte i palodhuri dhe i kudondodhuri, i paqetuari e i parehatuari. Të tillë njerëz rrallëherë përsëriten. Rrallë në historinë e sportit tonë mund të gjesh një figurë me një spektër kaq të gjerë veprimtarish. Noti, dhe vaterpoli janë aq pranë, por  edhe  larg,  që vështirë t’i bësh bashkë. Ndërsa boksi është ekstremisht larg me dy të tjerat, por Ceni i bashkoi e i përafroi duke qëndruar në krye të treve. Por edhe më tej do të kishte shkuar ai me boksin në se nuk do të ishin prerë rrugët për arsye që dihen.

Ceni e kaliti dhe e skaliti vullnetin e tij të fortë prej Herkuli që në moshën e tij të njomë ku provoi edhe punë të vështira, deri edhe hamall, aty u pikas ai e u tërhoq nga mjeshtër të mëdhenj të kohës në veprimtarinë e tij sportive. Ai po me  vullnetin e tij kreu studimet në Teknikumin e Fiskulturës e më vonë edhe në Institutin e Fizkulturës. Për karakterin e tij të fortë, të hekurt e të pamposhtur deri në ekstrem u evidentua fillimisht si boksier, pastaj notar e lojtar vaterpoli. Mjeshtër i merituar në boks dhe në not, e shkoi deri në Laipcig më 1958-ën, burrw me trup atleti i peshës 120 kilogramë shkoi në Xhakartë në vitin 1963, në not tre medalje kampioni ,dy stafetë dhe një 100 metërsh,  9 herë kampion kombëtar në boks në pesha të ndryshme, vaterpol 6 medalje kolektive kampioni, dy në Durrës e katër me Partizanin. Ai ishte mjeshtër i merituar, mjeshtër sporti, nder i sportit shqiptar,ka përfaqësuar klubet sportive Puna e Partizani, etj.

Kanë shkruar e i kanë thënë cilësitë e tij edhe të tjerë, specialistë të sporteve, personalitete e shokë të tij, ai ka qenë i përzgjedhur disa herë ndër 10 sportistët shqiptarë më të mirë, ka qenë formulues e hartues i instruksioneve për stërvitjen e sportistëve e të specialiteteve të mbrojtjes e të rendit. Një si Cen Sharra zor se vjen më sidomos për dy vlera qënësore të tij, për dy cilësi të dukshme e të shprehura me bollëk: për zemrën e tij të bardhë, të madhe e të pastër dhe për përkushtimin ekstrem për punën, për vullnetin e tij të fortë e të pathyeshëm në çdo lloj vështirësie, kontratë të cilën e kishte bërë një herë dhe nuk e shkeli asnjëherë.

Unë jam nga ata që kam punuar gjatë me Cenin, plotë 15 vjet, me prindërit e mi kam jetuar vetëm 12 vjet, sepse u largova për shkollë e punë. Ceni ishte frymëzimi ynë, ishte morali ynë, ishte buzëqeshja jonë, ku ishte ai ishte alegria. Ai gjente prehje e kwnaqësi kur e shikonte pishinën e madhe të Zall-Herrit plotë me notarë që e kalonin atë edhe nw dimër, kur lagunat rreth saj nuk dukeshin se kishin plotë 5o vetë poshtë ujit,  e që po në maskim, bënin kalimin e vijës së frontit me mjete rrethanore.

Shokët dhe miqtë e nderuan Cenin ditën e përcjelljes, shoku i tij me të cilin kishte punuar gjatë i cili kishte qenë edhe epror i Cenit ia qëndisi bukur të gjitha vlerat e karakterit e të punës. Të gjithë shokët e tij të ngushtë, që nga Pata i madh, ishin aty. Edhe shoku e ish eprori i tij njëkohësisht, ia qëndisi gjithë vlerat e tij njerëzore e profesionale. Por mundet të ishe përcjellë edhe  më mirë, siç e meritonte, pa mund të ishin hapur edhe dyert e Ministrisë së Mbrojtjes e të Rendit a Federatës Shqiptare të Sporteve, për të bërë homazhe, pa mund të ishte edhe një televizion e të jepte njw kronikë atë mbrëmje, etj. Ani thotë malësori, njerëzit e mëdhenj kështu ikin: qetë e pa bujë e sikurse thotë një nobelist indian “si me majat e gishtave e pa u kuptuar”.

September 21, 2016 17:40
Komento

1 Koment

  1. Ceni September 21, 18:55

    Jo vetem sportist i MADH por edhe njeri i MIRE.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*