In memoriam / Mark Gurakuqi shkëlqeu në yllësinë e letrave shqipe

September 16, 2020 13:33

In memoriam / Mark Gurakuqi shkëlqeu në yllësinë e letrave shqipe

Me rastin e 50-vjetorit të vdekjes

Pedagogu, shkrimtari dhe studiuesi i shquar i letrave shqipe. Jetëshkurtër Marku, jetëshkurtër edhe veprimtaria e tij letrare, por e begatë, e vlertë. Gjatë një çerekshekulli botoi 15 libra…

Prof. Hamit Boriçi

 

Gjysmë shekulli më parë, më 16 shtator 1970, papritmas u nda nga jeta mësuesi, pedagogu, poeti, prozatori, kritiku dhe studiuesi i mirënjohur,  profesor Mark Gurakuqi.

Një nga bijtë e familjes së Gurakuqëve të Shkodrës me emër e tradita të lavdishme historike, atdhetare, artistike, kulturore, shkencore dhe shoqërore, u lind më 2 nëntor 1922. Babai i tij, Kolë Gurakuqi i kualifikuar kryesekretar gjykate, me këto atribute shërbeu në Shkodër, Pogradec, Korçë, Tiranë, Elbasan.

Mësimet e para i kreu në Pogradec, në qytetin e Elbasanit kreu Shkollën Normale, studimet e larta i filloi në Firence të Italisë, por i ndërpreu në pranverën e vitit 1943 për të marrë pjesë në lëvizjen antifashiste për çlirimin e atdheut. Ishte anëtar i Komitetit të Universitarëve Antifashistë dhe pjesëmarrës në Aktivin Letrar të Rinisë Antifashiste të Tiranës.

Pas çlirimit të atdheut ishte ndër gazetarët e parë të së vetmes së përditshme “Bashkimi”. Bashkëpunoi edhe me revistat e kohës dhe Radio-Tiranën, prirur për shkrime letraro-publicistike dhe aktivizohej në Qarkun Letrar të Rinisë Antifashiste të Tiranës.

Studimet e larta i vazhdoi për letërsi dhe u diplomua në Sofie.  Me dëshirë e këmbëngulje që në vjeshtën e vitit 1950 iu përkushtua arsimit, si mësues i letërsisë. Që nga shtatori 1950 deri në themelimin e Universitetit të Tiranës dha mësim në gjimnazin “Qemal Stafa”; pastaj,   për 13 vjet me radhë, deri në fund të jetës së tij, më 16 shtator 1970, ishte pedagog i letërsisë shqipe në Fakultetin e Histori-Filologjisë.  Për këtë kontribut, pas ndarjes nga jeta, u nderua me titullin “Mësues i Merituar”.

 

* * *

Adriatik Kallulli kritik e studiues i letërsisë, ish-nxënës në gjimnazin “Qemal Stafa”, më vonë edhe student, kujtonte:

“…Me mësues profesor Markun ora e  letërsisë u bë ora e frymëzimit, e ëndërrimit dhe e konkretizimit; e prirjeve tona për të shkruar hartime, referate apo skica dhe vjersha… Ishte studiues i zellshëm dhe njeri zemërmadh, që i gufonte zemra prej gëzimit për një talent të ri, për çdo sukses të letërsisë sonë kombëtare. … Si sot e kam ndërmend atë orë mësimi, kur mësues Marku nxori prej xhepit vëllimin e parë me vjersha “Frymëzime djaloshare” të Ismail Kadaresë të sapodalë  dhe na tha këto fjalë: Dymbëdhet lekë, më pak se një galetë kushton, blejeni, lexojeni dhe shihni ç’ka shkruar një moshatar i juaji në qytetin e Gjirokastrës dhe, për ta bërë më bindëse konsideratën e tij,  na lexoi (recitoi) tri vjersha nga ai vëllim”. (Gazeta “Rilindja Demokratike”, Tiranë, 15 shtator 1995).

Të shumtë janë ish-studentët që tregojnë se ligjëratat e profesor Gurakuqit ishin interesante si për dituritë që ai kumtonte, ashtu për metodën që praktikonte. Ai gjithherë sillte në auditor një libër, një poezi a cikël poezish, një tregim a novelë që lidhej me temën, objekt trajtimi dhe jo vetëm paraqiste përmbajtjen e tyre, por bënte analiza tekstesh. Që në ato kohë praktikonte metodën interaktive në procesin e ligjërimit, duke aktivizuar studentët me pyetje-përgjigje, me shkëmbim mendimesh dhe arsyetime.  Një prej ish-studentëve,  profesor Murat Gecaj, gazetar, publicist dhe studiues e kërkues shkencor, në kujtimet e veta nxjerr në pah edhe mendimin e profesor Markut për kontrollin e dijeve të fituara nga studentët.

Marku me vëllezërit

“Nuk ishte  “dorëlëshuar”, përkundrazi ishte mjaft korrekt. Por kryesoren te studenti  vlerësonte horizontin e përgjithshëm dhe jo datat ose numërimin e veprave “me gishta”, si matës të dijeve të fituara”.

Rasti e solli që unë të isha i pranishëm në një provim të studentëve pa shkëputje nga puna. Ndërkohë që një student po përgatitej për provim, me profesor Markun dolëm në korridor për një pushim të shkurtër. Kur hymë në auditor, studenti që kishte radhën për t’u pyetur sapo kishte ikur duke lënë tezën. Profesori dërgoi një prej studentëve ta gjente e të kthente në auditor.

Dhe kur ai erdhi e pyeti:

– Pse e dorëzove tezën?

E ai me kryeulur tha:

– Nuk dija jetën e autorit…

– Ma lexo pyetjen:

– “Dramaturgu Fadil Paçrami dhe drama “Shtëpia në Bulevard”.

– A e ke lexuar dramën…?

– Po profesor, madje edhe e kam parë, kur është shfaqur në Teatrin Popullor.

– Atëherë na fol për dramën dhe për ndonjërin prej aktorëve që ju ka pëlqyer.

Studenti, pasi mori frymë, u çlirua dhe foli rrjedhshëm për përmbajtjen, për rolet e aktorëve, duke shfaqur edhe mendimin e tij. Profesori e ndërpreu me disa pyetje jashtë tezës, mori librezën dhe shënoi notën 5, e duke ia dorëzuar librezën i tha studentit: “Shkoni në shtëpi, lexoni jetëshkrimin dhe veprat e autorit për njohuri!”

Mua m’u drejtua:

Ne duhet t’i vlerësojmë studentët edhe për të dhëna nga jeta e veprimtaria e autorëve, në rastin konkret, të dramaturgut, por kryesor është formimi i tyre, dituritë dhe aftësitë që kanë për të analizuar veprat artistike në poezi, në prozë, dramaturgji.

 

* * *

Mark Gurakuqi i përket brezit të ri të shkrimtarëve të periudhës pas çlirimit të atdheut, të anëtarësuar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, si Shefqet Musaraj, Dhimitër Shuteriqi, Llazar Siliqi, Vehbi Bala etj, që poezitë, tregimet dhe studimet e tyre fillimisht i botonin në revistën “Bota e re”.

Ai e riniste krijimtarinë letrare pas sprovave që kishte bërë në Shkollën Normale të Elbasanit me vjersha e skica prozaike, që  recitoheshin në orët letrare e veprimtari kulturore jashtëmësimore të normalistëve dhe që vlerësoheshin nga mësuesit.

Nuk ishte rastësi që djaloshi shkodran Mark Gurakuqi hyri në rrethet krijuese letrare që në vitin 1945. Ai ecte në gjurmët krijuese artistike të babait të tij Kolë, që njihej edhe tej Shkodrës për dramat “Shqiponja”, e “Erminia e vorfën” (vënë në skenë  më 10 gusht 1919) dhe komeditë “A thue më do xhanëm…!” e“Nastradini”. (Besi  Bekteshi – Gazeta “ Sot”, Tiranë, 14 mars 2018, f. 19),

Për dellin krijues artistik njihen edhe dy vëllezërit e Markut, (Luigji me Zefin), djali i tij, Iliri dhe nipi Nikolin, duke përbërë natyrshëm, si familje, një njësi, bërthamë artistike e kulturore në qytetin e Tiranës. Luigji ishte regjisor i parë në Teatrin e Operas e Baletit; Zefi gazetar te “Zëri i Rinisë” dhe sekretar kolegjiumi i revistës “Nëntori”; Iliri, gazetar dhe publicisti i shquar në të përditshmen “Bashkimi” dhe pas emigrimit në Itali , korrespondent i BBC-s. Por ashtu si i ati, edhe ai u nda papritmas nga jeta në moshën 45-vjeçare. Ndërsa Nikolini vazhdon edhe sot të jetë regjisor i Tetarit të Operas dhe Baletit duke vazhduar rrugën artistike të të atit.

Marku, Lasgush Poradeci dhe Dritëro Agolli

* * *

Jetëshkurtër Marku, jetëshkurtër edhe veprimtaria e tij letrare, por e begatë, e vlertë. Gjatë një çerekshekulli botoi 15 libra, duke filluar nga vëllimi “Skica e tregime” (1945) deri “Në rrjedhën e viteve” (1968). Pas ndarjes së tij nga jeta u botuan vëllimi “Gjurmë të padukshme” (1971), lënë në dorëshkrim. Në vitin 1986 krijimtaria e Mark Gurakuqit u përmblodh në dy vëllime me gjithësej 710 faqe: Vepra letrare 1 (poezi) dhe Vepra letrare 2 (prozë).

Poeti e pedagog Mark Gurakuqi ishte një nga kritikët e studiuesit aktivë të letërsisë kombëtare të traditës dhe bashkëkohëse. Ai, me syrin e mendjen e kritikut letrar të kohës paraqiste, analizonte se “…e kishte mjaft të zhvilluar sensin kritik, të masës, në shtjellimet kritike nisej nga struktura e veprave që analizonte, duke i dhënë përparësi përmbajtjes dhe formës që mishëronte atë përmbajtje”. (Profesor Vehbi Bala, revista “Nëntori”, 1982, nr. 12, f. 135).

Me këtë prirje shkroi për romanin e parë shqiptar “Bardha e Temalit” të Pashko Vasës; për poetin Mjeda; për “ Autorë dhe probleme të viteve ’30” (1967); për shkrimtarë si Naimi, Fan Noli, Çajupi, Luigj Gurakuqi, Migjeni, Gavril Dara (I riu), Gaspër Pali, Sterjo Spasse, Kolë Jakova, Jakov Xoxa, Dritëro Agolli, Drago Siliqi etj.

Mark Gurakuqi kontribuoi edhe në letërsinë për fëmijë, jo vetëm me vjersha, skica e tregime të botuara kryesisht në gazetën “Pionieri” dhe revistën “Fatosi” (sot “Filizat”), por dhe me dy vëllimet me tregime “Porosia e fundit e Gjergj Kastriotit” (1967) e “Në rrjedhë të viteve” (1969), si dhe me trajtesa studimore si ajo kushtuar Qamil Guranjakut, mësues e shkrimtar për fëmijë, publikuar në gazetën “Zëri i Rinisë” ( 7 mars1964).

Shkrimtari Odhise Grillo në një artikull përkujtimor për Mark Gurakuqin vinte në dukje se “emrin e tij e gjen pareshtur në periodikun letrar e artistik”, (Gazeta “Rilindja javore”, Tiranë, 6-12 gusht 1995, f.22), ndërsa shkrimtari Llazar Siliqi e vlerësonte si një bashkëpunëtor i përgjegjshëm, “serioz e kompetent” edhe për artikujt divulgativë. (Gazeta “Drita”, Tiranë, 24 shtator 1995). Fjala është për Mark Gurakuqin  si publicist, që zë fill me të përkohshmet “Letrari i ri”, “Letërsia jonë”, “Drita” e “Nëntori” dhe të përditshmen “Bashkimi”, gazetën “Zëri i Rinisë”, revistën “Ylli” etj. Në faqet e këtyre periodikeve botoi për shkrimtarë të Rilindjes dhe bashkëkohës, por edhe një varg shkrimesh të letërsisë publicistike, reportazhe, përshkrime, shënime udhëtimi dhe skica letrare dhe etyde me bazë humoristike e satirike me tematikë shoqërore.

 

* * *

Krijimtaria e Mark Gurakuqit është vlerësuar nga shkrimtarë, pedagogë të letërsisë dhe kërkues shkencorë duke e renditur atë “midis poetëve më të mirë në periudhën që jetoi.” (Gazeta “Drita”, 29 tetor 1972, f. 14); poezia e tij është karakterizuar si “kronika poetike në të cilën rreh pulsi i kohës…me hove të një lirizmi, herë-herë me shpërthime apostrofike, me frymën e një stili solemn e hyjnizues”. (Gazetën “Drita”, Tiranë, 5 dhjetor 1982, f. 11).

Profesor Muzafer Xhaxhiu, pasi nxjerr në pah veçoritë stilistike të poezisë së kolegut të tij, pedagog i letërisisë shqipe, shkruan: “Gjuha e përdorur në krijimtarinë poetike është e folmja e zbutur e Veriut, me ndonjë element të rrallë dialektor kur e kërkon tema, situata apo portretizimi i personazhit si te Gjeto Plaku. Por edhe në këto raste poeti i shmanget atnografizmit dhe folklorizmit dhe këndon me një gjuhë të qartë e të limuar, shumë afër normës së gjuhës së sotme letrare, të vendosur pak vjet pas vdekjes së poetit, studiuesit dhe pedagogut të shquar me plot passion.” (Revista  “AKS”, Tiranë,16-17 shtator 1905, f. 7 ).

Akademiku Jorgo Bulo në recensën për librin “Jeta dhe vepra e Ndre Mjedës”, shkruante: “Mark Gurakuqi është autori i njohur me studimet e veta kushtuar letërsisë së viteve ’30 dhe me një varg studimesh për traditën letrare të Rilindjes sonë Kombëtare, pa lënë mënjanë shkrimet kritike për letërsinë e sotme”…”Me këtë vepër afirmon veten si studiues që është marrë më shumë se kushdo me jetën dhe krijimtarinë e Ndre Mjedës dhe që ka arritur ta ndriçojë atë i pari në planin tërësor monografik” (Revista “Studime filologjike”, 1981, nr. 4, f. 231).

Këto shënime i përmbyllim me fjalën e Akademikut Bedri Dedja: “Poezia e Mark Gurakuqit bën pjesë në fondin e artë të letrave shqipe. Mark Gurakuqi qe një nga studiuesit më të mëdhenj të letërsisë shqipe, një edukator i qindra talenteve të reja, një kritik i klasit të parë, një historian i shkëlqyer i rrugës së arsimit kombëtar…Po të kishte  jetuar Mark Gurakuqi gjer në janar 1973, ai, pa asnjë lëkundje do të merrte, jo vetëm titullin e Profesorit shqiptar, por edhe të Anëtarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.” (Gazeta “Kombi”, Tiranë, 29 shtator 1995, f. 6).

Profesor Mark Gurakuqi u nda shumë i ri nga jeta. Ishte një talent shumë premtues dhe me aq sa mundi të shkruante dhe botonte hyri dhe mbeti në yllësinë më të mirë të letrave shqipe. Ai vlerësohet si shkrimtar, por edhe si një njeri me zemër të madhe që gëzonte një respekt të veçantë te bashkëmoshatarët e tij, kolegët krijues dhe mësimdhënës. Ai mbeti një model i intelektualit me interesa të larta për të dhënë më të mirën për kulturën shqiptare dhe për t’iu shërbyer brezave. Për të gjitha këto e përkujtojmë me një nderim të veçantë Mark Gurakuqin në këtë 50-vjetor të ndarjes së tij nga jeta.

September 16, 2020 13:33
Komento

1 Koment

  1. Sqepari September 16, 17:07

    Prehu ne paqe Mark! Kam qene 10 m larg jush, kur ne St. Q. Stafa Tirana barazoi me Ajaks. Zemra juaj nuk e perballi dot emocionin dhe u shembet perdhe te aneksi i tribunes B

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim