Ina Rama: S’do të jem deputete, por gjyqtare
Ish-kryeprokurorja Ina Rama përgënjeshtron deklaratat e PD-së për mundësinë e përfshirjes së saj në listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të qershorit.
Në një njoftim për mediat ish-kryeprokurorja hedh poshtë çdo mundësi për t’u përfshirë në politikë, duke nënvizuar faktin se synimi i saj është të vijojë të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë.
Për këtë ajo tashmë ka depozituar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë kërkesën për t’i propozuar Presidentit të Republikës emërimin e saj si gjyqtare në Gjykatën e Apelit, Tiranë, ku ndodhej në detyrë para se të emërohej Kryeprokurore.
“Pas përfundimit të ushtrimit të funksionit të Prokurorit të Përgjithshëm, në mesin e muajit janar, kam paraqitur zyrtarisht pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë një kërkesë për t’i propozuar Presidentit të Republikës emërimin tim si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë. Për këtë kërkesë gjithashtu kam bërë me dije zyrtarisht edhe Presidentin e Republikës, Z. Bujar Nishani. Kjo kërkesë është mbështetur në garancitë që jep neni 7 i ligjit “Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, për Prokurorin e Përgjithshëm që mbaron mandatin e tij kushtetues dhe në faktin që para kësaj detyre, kam ushtruar funksionet e gjyqtares së Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda. Neni 7/1.3 i ligjit parashikon se “Pas përfundimit të mandatit, me pëlqimin e tij, ai ka të drejtë të emërohet në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme ose në vendin e mëparshëm apo në një vend të barasvlefshëm me vendin e mëparshëm.” Përtej të drejtave që jep ligji i mësipërm, kjo kërkesë mbështetet në vullnetin tim për të vazhduar dhe ndjekur profesionin tim, brenda sistemit gjyqësor, pjesë përbërëse e të cilit kam qenë që nga fillesa e karrierës time. Këto fakte tregojnë qartë për mungesën e interesit tim për tu përfshirë në ndonjë projekt politik dhe për ekzistencën e plotë të dëshirës sime për të mbetur pjesë e sistemit të drejtësisë. Për më tepër mbetem në pritje që Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ta trajtojnë këtë çështje dhe të marrin një vendim lidhur me kërkesën që kam paraqitur”, shprehet Ina Rama.
Partia Demokratike pretendon se ka të dhëna për përfshirjen e ish-kryeprokurores Ina Rama dhe elementëve të dikurshëm të policisë së shtetit, në listat e PS-së për zgjedhjet e 23 qershorit.
E NDRITE SI PROKURORE TANI DO TE SHKELQESH SI GJYKATESE!!!
ME MIRE BEHU PARUKIERE…