Incident në ambasadën amerikane, Donald Lu nuk di këngën e Bik Ndojës

December 5, 2017 10:39

Incident në ambasadën amerikane, Donald Lu nuk di këngën e Bik Ndojës

 

Festimi dinjitoz, i hareshëm dhe jashtë kornizave të ngushta protokollare, i festës së pavarësisë shqiptare në ambasadën e SHBA-së në Tiranë, mblodhi një seri personazhesh shumë simpatikë me veshje popullore shqiptare.

Gojët e Liga mësojnë se mes tyre ndodhej edhe një mesoburrë i lezetshëm me syze, i cili e fliste shqipen me një theks të çuditshëm. Prej këtej rrodhi edhe një incident pa qeder, që kishte në qendër mesoburrin që e fliste shqipen me një theks me syze, dhe një grup të ftuarish.

Burime shumë pranë gjuhës letrare bëjnë me dije se të ftuarit nisën të diskutojnë me shoshoqin se sa shumë ngjante burri me syze të mesme që e fliste shqipen me një theks të lezetshëm, me këngëtarin e fismë popullor shkodran Bik Ndoja.

“Për besë, ngjan fiks me Bikun, ndjesë pastë. Mos e ka farefis vallë? A nuk ju ngjan edhe juve dialekti i tij si shkodranishte?”, përshpëriste grupi brenda vetes.

Dyshimet u shtuan kur mesoburri i këndshëm ftoi disa mysafirë: Urdhnoni, si keni nje? Kena kërtolla të skuquna, sallatë me mollatarta, biskota me burrofresko, urdhnoni…

Atëherë, raportojnë burimet nga vendngjarja, një prej të ftuarve mori guximin dhe e pyeti mesoburrin a e dinte këngën e famshme shkodrane: “S’ma din hallin qi kam”. Tjetri mohoi.

“Po ‘Si dukat i vogel je’?”, këmbënguli i ftuari. Po “Jare te due?” Prapë asgjë.

-Jo zotëri, më vjen keq. Në shqip di vetëm këngët e Redon Makashit dhe Himnin e Flamurit. Ah po, edhe “Janinës ç’i panë sitë” – dhe mesoburri hoqi qeleshen popullore nga koka.

Atëherë të gjithë e njohën ambasadorin Lu.

I ftuari, që rezultoi se ishte pjesë e një grupi korçar ku rregullisht bien 99% të llotarive amerikane, u bë me turp.

-My god! Donaldkë, po ti je o t’u mbylltë? Po fol bre se u turpërovëm fare!

***

P.S. Pavarësisht fabulës së mësipërme, Gojët e Liga inkurajojnë fuqishëm veshjet popullore mes shqiptarëve edhe në ditë të zakonshme pune, ose papunësie. Përfshirë dhe xhubletën mirditore.   

December 5, 2017 10:39
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*