INCIDENTI / Gafa që e mori në qafë dhe në shpatull: Rilindësja pendohet për tatuazhin kinez

August 19, 2019 10:05

INCIDENTI / Gafa që e mori në qafë dhe në shpatull: Rilindësja pendohet për tatuazhin kinez

TIRANË – Nuk mund të shkonte më ters se kaq. Rilindësja me kohë të plotë dhe drejtoresha part-time e administratës, Thëllëza Pjeshka Nektarina, 28 vjeçe, ka veç pak ditë që ka turpëruar pothuajse përjetë veten pas një udhëtimi pune në Shanghai, pohojnë burime të merakosura për Gojët e Liga.

Gjatë qëndrimit, drejtoresha vendosi të bëjë një tatuazh me mesazhin “Edi, o yll bote”, të transkriptuar me gërma kineze, në pjesën e sipërme të shpatullës së djathtë.

Por sipas verifikimeve të mëvonshme, rezultoi se në vend të kësaj, tatuazhi i vërtetë në kinezçen zyrtare përkthehet si “Prina, o Taulant Balla, prina drejt sukseseve të reja elektorale në shkallë lokale, por edhe kombëtare”.

E trishtuar, Thëllëza pohon se gabimi është i saji dhe i askujt tjetër.

“Është e kotë të justifikohem,” thotë ajo duke perënduar sytë e shkruar, “unë budallaçka e futa shprehjen ‘Edi, o yll bote’ në gugëll transllejt, por përkthimi më doli në dialektet kantoneze dhe mandarine. Mirëpo në Shanghai nuk i kupton njeri këto të folme, kupto ti, sepse atje flasin dialektin Vu. Mesa duket, tatuazhisti ka shkrujt si ja ka mor menja. E zeza unë…”

Zonja Pjeshka-Nektarina zbulon për Gojët e Liga se e vërteta jo dhe aq e ëmbël doli gjatë një takimi mondan me zyrtarë e biznesmenë kinezë.

“Sum mil, sum mil,” i thanë kinezët duke i parë tatuazhin, “timonieli Taulant Bala zuli vendi Edi Lama? Loftë zoti Bala!”

Thëllëza në fillim nuk kuptoi gjë. Por kur ia shpjeguan kuptimin e tatuazhit, asaj desh i ra të fikët, dhe u desh ta përmendnin me uthull soje të zier dy herë.

“Siii? Kam një vjershë për Taulant Ballën në kurriz? Mooss! Po tani?”

Pasi kriza e panikut bëri të vetën, megjithatë Thëllëza Pjeshka-Nektarina filloi të kthjellohej.

U konsultua me specialistë, që i thanë se heqja e bojës së tatuazhit ishte shumë e vështirë dhe donte kohë. Gjatë kësaj kohe, mund të përpiqej ta mbulonte shpatullën difektoze, derisa të afrohej dimri.

Në vijim, siç ndodh me çdo lajm shokues, Thëllëza arriti në përfundimin se edhe vjersha për Ballën nuk ishte keq.

“Mendova, ç’të keqe ka?” thotë ajo për Gojët e Liga, “edhe Taulanti kuadër me vlerë është.”

Por çështja është komplikuar edhe një herë, kur Thëllëza dëgjoi se në një nga dialektet e shumta kineze, tatuazhi i saj mund të lexohet edhe: “Blendi Klosi, ku je mo bishë!”

“Edhe këtë kisha mangut,” psherëtin për Gojët e Liga Thëllëza Pjeshka-Nektarina, duke fërkuar më kot me raki tatuazhin, “hajde t’i dalësh mbrapsht Edit tani!”

 

*****

SHËNIM: Gojët e Liga është një rubrikë satirike skeptike ndaj tatuazheve që nuk hiqen. Pse moj vajzë, pse!

 

August 19, 2019 10:05
Komento

4 Komente

  1. intelektuali August 19, 12:16

    Nga Kina Komuniste:

    Thelleza-Pjeshka-Nektarina-Bio-Patatina-Albania u hodh ne Japonine Kapitaliste dhe pyeti:

    SI E LEXONI KETE TATUAZHIN TIM NE SHPATULLEN E DJATHTE QE ME NGJITEN KOMUNISTET E KINES SI “MUTI PAS KEPUCE”?

    Japonezet e mencem i thane te zhvishej lakuriq sic e kishte bere nena, pasi e kqyren nga te gjitha anet, lart e poshte, para prapa u terrhoqen per te pleqeruar se cfare pergjigje t’i jepnin Thellezes-Pjeshke-Nektarine-Bio-Patatine prej Albanie dhe ne fund i thane troc:

    Ky tatuazh komunist ne japonezce perkthet:

    EDVIN DROGA MOS KI FRIKE
    SE KE SOROSIN NE AMERIKE

    Reply to this comment
  2. Noli August 19, 12:24

    Humar burgu

    Reply to this comment
  3. Lumra August 19, 14:08

    Hahahaaaa
    Shume humor klas
    Vertet i bukur dhe i mencur

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim