Indiani i urtë dhe plazhi deledash

Çapajev Gjokutaj July 4, 2016 18:20

Indiani i urtë dhe plazhi deledash

Plazh ne Jon. Nga më të bukurit që kemi. Eshtë ndarë më dysh. Në njerën anë një firme biznesi. Në tjetrën fshatarët që menaxhojnë ndonjë tavernë, fast food, shesh për çadra parkingu etj., secili në ngastrën e vet.

Cilësia që ofron firma është ku e ku me atë që ofrojnë bizneset e vogla. Edhe kultura e shërbimit. Natyrisht çmimet i ka më të larta.

Pjesa e firmës është shumë më e populluar, nuk mungojnë edhe të huajt. Pjesa e vendasve ngjan anemike, të paktën për këtë periudhë.

Në pjesën e firmës ka shumë më tepër kujdes për mjedisin, nuk ndihet era e gatimit, kutërbimi i letyrave të guzhinës, pluhuri, rrëmuja dhe mish mashi i pjesës fqinje.

Më e rëndësishmja: në anën e firmës ka një marrëdhënie shumë më miqësore me mjedisin, duke nisur nga plazhet e duke ardhur tek ndërtimet. Duket se pjesa e firmës do të jetë e mirëmbajtur dhe solide edhe pas 2-3 dekadash. Ajo e biznesit të vogël rrezikon të degradojë.

Ndihem i dyzuar. Me zemër jam në anën e fshtarëve, me mendje në anën e biznesit të madh.

Për analogji më kujtohet copëzimi ekstrem i tokës bujqësore. Dhe mijëra fshatarë, që u del më mirë të bëjnë argatin te arhondi grek, se sa të menaxhojnë ngastërzat e tyre.

Me gjasë politika që u ndoq për ndarjen e tokës ishte dritëshkurtër. Zgjidhi halle të momentit, por minoi zhvillimin. Politikanët menduan për votat e radhës, dmth për kolltuqet e tyre dhe jo për vendin, për zhvillimin perspektiv.

Përfytyroj qarjet, mallkimet dhe demonizimet që u bëjmë politikanëve, sa herë kujtojmë hynere të tilla. Kjo më sjell ndër mënd, një sociolog indian. Po i qahesha se klasa jonë politike sheh vetëm në afatshkurtër, nuk para shqetësohet për zhvillimet perspektive.

“Kështu ndodh në gjithë botën, – ma ktheu. Politika është makinë, nuk punon me naftë, po me vota. Ndaj interesohet të zgjidhë sidomos halle të momentit. Zhvillimet afatgjata përftohen ndryshe. Parashikohen dhe draftohen nga qarqet e ekspertëve. Mediat i popullarizojnë. Shoqëria civile, dmth masa e votuesve, i bën të vetat dhe ushtron trysni që të përfshihen në programet e politikës.”

Vras mendjen a e kemi mendimin e ekspertëve, median dhe shoqërinë civile që thoshte indiani i urtë? Apo laj thaj kemi vetëm politikanët që bëjnë estradë nga foltoret? Dhe ne që bëjmë sehir dhe, ndonjëherë edhe qahemi e shajmë…

Një mik më shkruan dhe më thotë të mos dyzohem. Edhe me zemer edhe me mendje, thotë ai, duhet të jem me fshatarin, jo me sipërmarrrjen e madhe. Pastaj shton se mund te sjellesh nje firme nga Norvegjia dhe ta bejë në perfeksion. Po autoktoni, pyet dhe pastaj përgjigjet se këtij i bie te shkoj ne Norvegji.

Në fakt ai që miku im e quan autotkton nuk ka shkuar në Norvegji, po në Greqi. Në gjithë krahinën kanë mbetur kryesisht pleqtë. Duket se kjo rrugë zhvillimi prodhon skamje dhe emigracion.

Naryrisht nuk ka pse të kundërvemë  sipermarrjet e kompanive dhe ato të fshatarëve individualë, madje as t’i ndajmë me thikë. Gjithsesi biznesi i vogel në perlat e bregdetit, i lenë në mëshiren e fatit, i pambështetur nga politika subvencionuese dhe pa trysni shtetërore për standardet, nuk i sherben as fshatarit qe rropatet e s’nxjerr gje ne drite, as pushuesit qe ndihet si ne Kandahar dhe as vendit, dmth zhvillimeve te perspektives.

Janë perla që s’na përkasin as mua as ty, por brezave.

 

Çapajev Gjokutaj

 

Çapajev Gjokutaj July 4, 2016 18:20
Komento

1 Koment

  1. Shushica July 4, 21:07

    Tani të kuptohemi z.Capajev që emrin e ke rus,me cilin mendim je ti që je largpamĕs,…..Pĕrpara copëzimit të tokave ,ato ishin të bashkuara,prodhonin shumë por e keqja qëndronte tek norma e lartë e fitimit që vinte shteti apriori pĕr vehten,duke mos vlerësuar realisht punën e fshatarit dhe duke ruajtur monopolin e mekanikës bujqësore.Nĕse ti je dakord që toka tu rijepej latifondistëve turkoshakë ,të ka ngelur ora në mesjetë ,sepse të gjithë vëndet moderne kanë bërë reformë agrare.Ti e di shumë mirë kush e shkatërroi ekonominë ,pĕrfshi edhe bujqësinë ,bandat e Berishës me në krye zjarrëvënësin Hajdari dhe teorikun…Pashko… sorra e bardhë ,nënë e babë ministra komunistë,por edhe ti preferon të japësh leksione.Këto 26 vjet mbi 1 milion shqiptarë kanë prurë miliarda euro por ato janë investuar në sferën e vdekur,në shtëpi …bosh ..sepse fëmijët e tyre 95 pĕrqind nuk kthehen.Prandaj edhe biznesi i vogël dhe i mesëm nuk ecën sepse paraja është investuar jo në prodhim ,por në sferën jo prodhuese.Në Itali ekonomia qëndron në radhë të parë në sajë të milionave biznese të vogla e të mesme ,me shtetin që megjithë vështirĕsitë e krizës i ndihmon në mënyra nga më të ndryshmet .Ndërsa shteti ynë luan vetëm një rol ,atë të taksambledhësit.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*