Individi më i çuditshëm i politikës shqiptare

March 15, 2018 02:32

Individi më i çuditshëm i politikës shqiptare

I nderuar Kryeredaktor

Shumë interesante se si ngjarjet shkojnë në rezultatet që meritojnë! Disa në shtegun e objektivitetit e të vërtetës e disa në fushat e gjëra të rrenave. Për lobimin e Partisë Demokratike në SHBA, firmës “Muzin…” i janë paguar 650 mijë dollarë, nga të cilat këjo parti ka paguar 125 mijë, kurse diferencën prej 500 mijë dollarësh të mbledhura nga disa shqiptaro-amerikanë në Uashington si donacion për Partinë Demokratike, kjo firmë i ka marrë nga palë të treta nga firma “Biniatta…”.

Kaq i duhet zotit Basha këtë periudhë, asgjë tjetër nuk i intereson. “PD dhe unë, thotë udhëheqësi i partisë, mbajmë përgjegjësi dhe japim llogari për të gjitha veprimet e kryera në emër të Partisë Demokratike”.

Sipas “New York Times”-it, referuar revistës amerikane “Mother Jones” këto fonde janë fonde sekrete të mara nga ana e Partisë Demokratike nga burime ruse. Por jo! Udhëheqësi i partisë e kundërshton këtë në mënyrë kategorike, pasi kjo revistë që “ka për mision të godas Trump-in (mikun e tij) dhe e ka mision që të krijojë idenë se në Shtëpinë e Bardhë të Trumpi-it (kolegut të vet) kanë hapësirë rusët… sponsorizohet si artikull i porositur nga Rama”, thjesht për të larguar vëmendjen nga “çështja Tahiri”, për të çliruar atë nga akuza e trafikut të drogës.

Me dy fjalë, kemi të bëjmë me një status të shlëlqyer të asaj që ja atribuojnë Shvejkut “ç’më duhet mua se ç’them unë”. Këtë ngjarje të thjeshtë e që udhëheqësi përpiqej në “Opinionin” e zotit Fevziu ta shpjegojë në mënyrë që të mos e kuptonte edhe vetë, nuk ka kuptim t’a zgjatësh shumë. Janë 500 plus 50 plus 50 plus 25 mijë dollarë që janë gjetur diku andej nga Amerika, me të cilat është paguar një firmë diku andej nga Skocia, për të lobuar diku andej nga Uashingtoni, nga përfaqësues firmash që thuhet se përfaqësojnë interesa diku andej nga Kremlini. Me qenë se çështja duket se është e qepur kaq saktë diku andej nga SHQUP-i, le t’a lemë në dorë diku andej nga Prokuroria dhe ne të hulumtojmë për diçka tjetër që lidhet indirekt me këtë ngjarje nga parlamenti ynë, diku andej nga muaji tetor i vitit që kaloi.

Ish Ministri i Brendshëm zoti Saimir Tahiri, një prej figurave politike më të përfolura gjatë kësaj periudhe, nën një presion kryesisht politik e mëpastaj edhe juridik iu dorëzua organeve të prokurorisë si i dyshuar për përfshirje në trafikun e drogës, me indicie nga përmendja e emrit të tij (emrit) prej të akuzuarve për trafik droge nga prokuroria italiane e qytetit të Catanias.

Tre ditë dhe Prokuroria e Përgjithshme e uli Parlamentin shqiptar fillimisht në tryezën e Komisioni të Sigurisë Kombëtare e më pas në seancë të posaçme. Kanë kaluar pothuajse pesë muaj e “asgjë e re nga fronti i perëndimit”. Prokuroria në punë të vet, zoti Tahiri në jetë të vet, Italia aty ku ka qenë dhe 70 e ca kilometra më në lindje të saj ne, Shqipëria jonë vendi simbol i demokracisë, lirisë dhe drejtësisë të …. padrejtësisë, lirisë së kaosit dhe demokracisë së manipulatorëve.

Dy qëndrime për të njëjtin objekt. Në rastin e parë blerësi i makinës e “damkos” shitësin me paratë e veta të krimit ekonomik e në rastin e dytë shitësi e “damkos” blerësin me paratë e veta të krimit politik. Në rastin e parë atë të zotit Tahiri fillimisht menduam se kishim të bënim me një lajthitje ashtu si të gjithë lajthitjet njerëzore, si çdokush tjetër që shet diçka që nuk i nevojitet, në këtë rast një mjet. Por zhurma e mëtejshme, mpleksur për dreq me rastësi të tjera jo me shumë vlerë, e kthyen “në sekondë” këtë person nga një politikan të respektuar në një personazh që sot mban mbi kurriz ngarkesën e një “krimineli”.

E megjithatë, 4-5 muaj e asgjë nuk është vërtetuar. Ç’është ky njeri? Është ai ” njeriu i përkushtuar” që aq fort e dëshironin t’a kishin të ftuar mediat, apo është “trafikanti” i kapur nga …”policia” e opozitës tonë “atdhetare”? Jemi në të njëjtën gjatësi vale?

Po ky kryetari i opozitës të sotme, ç’është ky? Është një “idiot që veproi si një idiot” siç e karakterizon gazetari racional zoti Baze, sipas të cilit lekët e tepërta nga “veprat që ka ndërtuar” ja dha një ndërmjetësi boll, që ai t’i lobonte “vlerat” e veta pranë Presidentit Trump e administratës të tij, apo një figurë e kapur nga trafikantë të politikës globale për të konfirmuar përfaqësuesin e tyre klandestin në një prej vendeve më gjeo-strategjike të rajonit të Ballkanit?

E këtu qëndron pikërisht edhe ndryshimi, pasi sendet, objektet këtu ndryshojnë. Në të parin rast, nga 100 rrugë ku kanë adresuar akuzat e zotit Tahiri 99  janë kurthe, të cilat janë ngritur për të viktimizuar atë që dinte më tepër se ç’duhej, kurse në rastin e dytë nga 100 synime 99 janë diversione kundër të ardhmes së vendit, kundër integritetit territorial të Kosovës dhe integrimit europian të tyre.

Në rastin e parë kemi të bëjmë me një politikan “sanguin” që i nxirrte mendimet e veta pa i gurgulluar ato në grykën e politikës së shëmtuar shqiptare e në rastin e dytë kemi përpara një politikan flegmatik e krejtësisht të dyshimtë, sytë e trembur të të cilit flasin shumë më tepër e më saktë se goja e tij e cila kufizohet në disa shprehje të mërzitshme që nuk ngrihen asnjëherë mbi nivelin e një provokatori “misionar”. Pse?

Hrushovi në vizitën e tij në Shqipëri në qershorin e vitit 1959 është shprehur se ndërtimi i një baze detare ushtarake në Butrint e kthente ish Bashkimin Sovjetik në zot të Mesdheut. Politikanët e sotëm rus e konsiderojnë prishjen e marrëdhënieve me Shqipërinë një nga gafat më të mëdha të Hrushovit, të të gjithë kohërave të politikës të jashtme ruse. Rusia e sotme kërkon hegjemoni në Ballkan. Rusia e sotme e di kaq saktë se ai që ka në dorë Adriatikun dhe detin Mesdhe fiton monopolin e sundimit të oqeanëve.

Digat e hapësirave gjeostrategjike shkatërrohen vetëm nëpërmjet plasave aty ku ato ekzistojnë, prej nga fillojnë gërryerjet mikroskopike, premisat e sigurta të përmbysjeve katastrofike. Rusia e sotme, përfaqësuesja më e denjë e politikës pansllaviste e di fare saktë se Ballkani “thembrën e Akilit” e ka në hapësirat shqiptare. Nëse nuk ka çështje shqiptare, ky gadishull rifillon “mësimin e gjuhës ruse”, ashtu siç në Krimenë e Ukrahinës kur brenda 24 orëve në Parlamentin e vet filloi të këndohej himni rus.

Ç’është ky njeri që udhëheq sot opozitën? Në ato dhjetë fjali që di e që i ka krejt instiktive, a thotë gjë apo jo? Shiheni me kujdes në fytyrë pasi ajo i flet, nëpërmjet syve të tij të stresuara e të mbërthyera për vdekje nga një lloj kompleksi, që kërkon të maskohet me buzëqeshjen e tij hipokrite e që e zhyt edhe më në llumin e qelbur të pabesisë. Është figura e dalë jo nga rrjedha e historisë, por nga nata e errët e njeriut që e drejtoi këtë rrjedhë me fije që mblidheshin larg Tiranës. Është personazhi që ka dalë nga “libri i verdhë” që akuzoi heronjtë e Kosovës me “krime ndaj njerëzimit”.

Është individi më i çuditshëm i politikës shqiptare që pa e njohur kërkush mori tre nga detyrat më të rëndësishme, që do t’a kishte zili ose ai që e do popullin e vet ose ai që e urren atë. Ishte Ministër Transporti e shpërdoroi mbi 200 milion euro (si ka mundësi…!). Ishte Ministër i jashtëm e firmosi shitjen e 350 kilometër katror territor detar.

Ishte Ministër i Brendshëm dhe vrau në mes të rrugës katër qytetarë të pafajshëm. Është një robot që vetëm kërkon pushtet, që nuk pranon bisedë por imponon, që nuk pranon kolegë por vartës, që nuk njeh zgjedhje por zgjedhë, që nuk pranon konkurentë por skllevër. Dhe ky njeri ka paguar si idiot për të lobuar andej nga SHBA-ja për ta parë me sy të mirë presidenti Trump? Pa diskutim që jo! Ky tip nuk është idiot por një kukull, që nuk punon me mendjen e vet por me kokën e tjetër kujt. Ky njeri nuk ka atdhe, ky ka vetëm pasaportë me të cilën hyn e del aty ku ka cirk politik. Ky shërbëtor i rëndomtë kërkon të bëj zotninë por nuk shkon më larg se lakeu, aq sa ç’e kërkojnë ata që e lobojnë, ata që vëzhgojnë nga lloxhat e errëta aty ku luhet bixhozi i popujve naiv, që njohin vetëm disfata e anarki.

Ç’bëhet vallë andej nga çështja …Tahiri, me ç’makinë lëviz këtë periudhë, cilin takon? Ato syze që ka patur ka apo mos ndofta i ka ndërruar?

Bardhyl Ermini      

March 15, 2018 02:32
Komento

3 Komente

  1. keshtu ndodh March 15, 08:41

    Sakte . Por ne demokraci mos kerko me shume per spiunet dhe tradhetaret apo dhe kriminelet. Ata mbrohen.

    Reply to this comment
  2. KOKEPALARI March 15, 14:19

    BARDHYL ERMINI OSE ERMIN BARDHYLI
    sa e doni partine ore ,,a nuk e shikoni se te dy palet jane zhytur ne mut deri tek veshet ,,?? ROB TE TRASHE.

    Reply to this comment
  3. Dashamirësi March 15, 21:04

    Ore , kush di të më thotë , a ka mësuar të ngasë biçikletën Salkiu i Viçidolit , se edhe notin , në pleqëri e mësoi ?!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*