Infermierët e universiteteve private, shumica mbetës në provimin shtetëror

Gazeta Dita December 6, 2012 15:31

Infermierët e universiteteve private, shumica mbetës në provimin shtetëror

Rezultatet e dobëta nuk i lejojnë të diplomuarit në këtë specialitet të marrin licencën për të ushtruar profesionin. Ata duhet të rijapin sërish provimin derisa të marrin nota kaluese. Agjencia Kombëtare e Provimeve zbardh datat dhe oraret e  provimeve të shtetit për mësuesinë në 19 profilet e ndryshme lëndore

Pranvera Kola

Sezoni i dytë i provimeve të shtetit për infermierët ka nxjerrë sërish në pah fakte shqetësuese sa i takon njohurive të fituara nga të diplomuarit në këtë specialitet. Rreth gjysma e të diplomuarve në infermieri gjatë dy apo tre viteve të fundit që i janë nënshtruar provimit të shtetit nuk kanë mundur të mbledhin dot as pikët minimale për tu cilësuar kalues. Duke iu referuar rezultateve të provimeve (sezoni i nëntorit e dhjetorit 2012), ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Provimeve bëjnë me dije faktin shqetësues se 40-50 për qind e kandidatëve të infermierisë kanë pasur nivelin më të ulët të formimit arsimor, krahasuar me degë të tjera si mjekësia apo stomatologjia.

Pyetjet e testit të cilit i janë nënshtruar kandidatët e infermierisë pohohet të kenë qenë të nivelit mesatar, sërish shumica e tyre nuk kanë mundur ta kalojnë.  Ndërkohë që kandidatët janë njohur prej kohësh me temat rreth këtyre pyetjeve, pasi Agjencia Kombëtare e Provimeve i ka shpallur programet orientuese të çdo specialiteti që para nisjes së sezonit të provimeve.

Burime pranë Agjencisë së provimeve konfirmojnë se numrin më të lartë të mbetësve në profesionet mjekësore edhe për këtë sezon raportohet ta kenë universitetet private. Ky sezon i provimeve të shtetit është i dyti që zhvillohet gjatë këtij viti, i ndihmon të diplomuarit në profesionet e rregulluara që të marrin licencën për të ushtruar profesionin. Në rastet kur vlerësohen mbetës këta kandidatë do të duhet të rihyjnë sërish në provimin e shtetit gjatë sezonit të muajit maj.

Vetëm kur të vlerësohen me rezultatet pozitive mund të ushtrojnë profesionin përkatës në të cilin janë diplomuar. Për provimet e ardhshme që do të bëhen kryesisht në specialitetin e mësuesisë bëhet me dije se do të ndryshojë raporti mes pyetjeve profesionale me ato të formimit të përgjithshëm.

Sipas Agjencisë së Provimeve, testet do të jenë me alternativa dhe të shtjelluara. Aty do të përfshijnë disa profile, ashtu si edhe në rastin e provimit të mësuesisë, që do të zhvillohet për herë të parë nga datat 17-24 dhjetor. Gjithashtu, për herë të parë gjatë këtij sezoni, kanë nisur edhe konsultimet e kandidatëve lidhur me programet për të cilat ata do të testohen.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka konfirmuar gjatë ditës së djeshme se  provimin e mësuesisë do ta japin rreth 200 kandidatë të diplomuar në mësuesi  që nga 2009-ta, të cilët kanë kryer një vit praktikë profesionale. Ky provim është konceptuar për 19 profile të kësaj dege dhe mësuesit e rinj do të testohen edhe për drejtshkrimin.

Vitin e ardhshëm, gjatë muajit janar 2013, në provimin e shtetit do të përfshihen edhe tre profile të tjera të fakultetit të infermierisë, si: nënspecialiteti imazheri, logopedi dhe teknik laboratori. Sipas rregullores, provimi i shtetit nuk mund të jepet më shumë se pesë herë. Tarifa e dhënies së provimit ndryshon duke pësuar rritje sa herë që kandidati merr rezultatet negative. Të pakënaqurit me rezultatet e marra kanë të drejtë verifikojnë përgjigjet e dhëna dhe të ankimojnë rezultatin, nëse e shikojnë të arsyeshme. Për këtë ata duhet të paraqesin ankesën me shkrim pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve brenda 5 ditëve nga shpallja e rezultateve.

Detajimet për të 19 profilet lëndore

Datat dhe oraret e testimeve për kandidatët e Mësuesisë

Data  17 dhjetor

Në orën 10:00 provimi i shtetit zhvillohet për mësuesit në profilin Gjuhë-Letërsi

Në  orën 14: 00   zhvillohet provimi për mësuesit në profilin e Shkencave Sociale

Data 18 dhjetor

Në orën 10:00 provimi i shtetit zhvillohet për mësuesit e profilit Histori –Gjeografi

Në orën  12: 30 provimi i shtetit zhvillohet për mësuesit në profilin Gjeografi

Në 15:00 provimi i shtetit zhvillohet për mësuesit në profilin Histori

Data 19 dhjetor

Në orën  10 :00 provimit të shtetit do t’i nënshtrohen mësuesit e Biokimisë

Në orën  12: 30 provimit të shtetit do t’i nënshtrohen mësuesit e Biologjisë

Në 15:00 provimit të shtetit do t’i nënshtrohen mësuesit në profilin e Kimisë

20 dhjetor

Në orën  10:00 provimi i shtetit do të zhvillohet për mësuesit e Matematikës

Në orën  12: 00 provimi i shtetit do të zhvillohet për mësuesit e Fizikës

Në 15: 00 provimi i shtetit do të zhvillohet për mësuesit në profilin Matematikë-Fizikë

21 dhjetor

Në orën  10 :00, provimi i shtetit zhvillohet  për mësuesit e profilit  Edukim- Fizik

Në orën  12: 30 provimit i shtetit do të zhvillohet për mësuesit e profilit Matematikë-Informatikë

Në 15 :00 provimi i shtetit do të zhvillohet për mësuesit në profilin e Informatikës

22 dhjetor  

Në orën 10:00 provimi i shtetit do të zhvillohet për mësuesit në profilin e Arteve Figurative

Në orën  12 : 30 provimi i shtetit do të zhvillohet për mësuesit në profilin Instrumente muzikore

24 dhjetor

Në orën 10 :00 provimit të shtetit do ti nënshtrohen mësuesit e profilit të gjuhës angleze

Në orën 12:00 provimit të shtetit do ti nënshtrohen mësuesit në profilin e Gjuhës Frënge

Në 15:00 provimit të shtetit do ti nënshtrohen mësuesit për lëndën e Gjuhës Italiane

Gazeta Dita December 6, 2012 15:31
Komento

1 Koment

  1. sonila August 26, 12:33

    keshtu e duan ato te shkolles private kujtojne se puna eshte vetem te kene nje pune te mire por pa qene i afte merr ne qafe te tjeret dhe veten ………..provimi do te tregoje se kush e merr me djerse e kush me lek dhe pa tru ….se i bie qe te behen te gjithe infermiera pastaj komplimenta shkojne per univer-elbasanit ku nuk mungojne studente te kualifikuar dhe te punes ………………

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim