Infermierja shqiptare që kërkoi vetë të punonte në ‘repartin e vdekjes’

March 27, 2020 21:34

Infermierja shqiptare që kërkoi vetë të punonte në ‘repartin e vdekjes’

 

Nga Entela Resuli

Gjatë këtyre ditëve kemi kuptuar se kemi mjekë shqiptarë të shpërndarë në të gjithë botën. Janë të gjithë të matur teksa flasin dhe mbi të gjitha të përgjegjshëm, duke bërë thirrje për kujdes ndaj këtij virusi që ka paralizuar botën.

Sot do ju njohim me një infermiere të re, e cila ka kërkuar vetë që të shërbejë në një spital ku trajtohen pacientët me koronavirus.

Suada Prelaj e cila jeton dhe punon në Milano ka dashur të jap ndihmën e saj ndaj sëmundjes që ka gjunjëzuar Italinë.

Kur ka mbërritur në vendin fqinj ishte vetëm 18 vjeçe. Sapo kishte përfunduar gjimnazin në Mamurras dhe zgjodhi të vazhdonte studimet e larta për Infermieri në Universitetin La Sapienza të Romës.

Që pas mbarimit të shkollës, në vitin 2014, ka filluar të punoi si infermiere me kohë të pjesshme.

Punët e para kanë qenë ato që e kanë bërë të kuptoi shumëçka nga profesioni i saj.

Eksperienca ime e parë si infermiere ka nisur disa muaj pas diplomimit ku u transferova në veri të Italisë, saktësisht në provincë të Cremona-s. Kam punuar dy vite me pacientë me aftësi të kufizuara që pavarësisht aftësive më mësuan pikërisht ata të hedh hapat e mi të parë në këtë profesion.

Më tej, kam pasur fatin të kem eksperienca të ndryshme në sektorin e shëndetësisë derisa dy vitet e fundit kam punuar me analiza laboratorike gjatë paraditeve, ndërkohë në orarin e pasdites me pacientë me sëmundje kritike të cilët kishin nevojë për asistencë shtëpiake disa orë në javë. Ndërsa gjatë darkave ia kam dedikuar një ndër pasioneve të mia më të mëdha duke studiuar kanto në Cluster Scuola di Musica ne Milano“- tregon për Dita-n, 28-vjeçarja.

Pavijoni ku kurohen te prekurit nga CoVid-19 ne spitalin San Raffaele ne Milano

Pavijoni ku kurohen te prekurit nga CoVid-19 ne spitalin San Raffaele ne Milano

Në repartin “CoVid-19”

Sot, prej nga po realizojmë këtë bisedë Suada është duke punuar në Spitalin Universitar San Raffaele të Milanos.

Në muajin shkurt Milano filloi ta ndal vrullin, filloi të boshatiset, filluam të gjithë të marrim informacione rreth një armiku të rrezikshëm që na trokiti tek dera dhe që fillimisht që të gjithë ne neglizhuam, e akomoduam pa dashje, ndoshta“.

Teksa ndjeju rrezikun dhe faktin që njerëzit po i drejtoheshin gjithmonë e më tepër spitaleve, Prelaj vendosi të bëj një kërkesë për transferim në disa spitale ku trajtonin pacientë me CoVid-19.

Vajza nga Mamurrasi e kishte ndarë mendjen që do të kontribuonte në shërimin e pacientëve që vuanin nga ky virus.

Pas kërkesave që bëra, më kontaktuan fillimisht nga Spitali Universitar i Vimercates në provincë të Monzas ku fatkeqësisht u detyrova të refuzoj sepse shumë larg nga ku banoja, por kisha akoma shpresë.

Doja medoemos ta jetoja mbi supet e mia këtë eksperiencë derisa m’u dha mundësia për të punuar në San Raffaele. Carpe Diem thashë dhe ja ku nisi udha ime me “CoVid-19“”- na tregon Suada teksa nuk ka hequr ende uniformën pas 12 orësh punë në këtë spital.

Edhe pse e re, për të kjo është situata më e vështirë profesionale që ka jetuar ndonjëherë.

Punoj në repartin COVID 19. Kemi pacientë të moshave dhe me patologji të ndryshme por të gjithë janë pozitiv ndaj Koronavirusit. Gjendja është një vrapim kundër kohës“- shprehet vajza së cilës i lexohet lehtë lodhja në sy, teksa ka mbajtur për orë të tëra syzet profesionale mbrojtëse.

Punojmë minimumi 12 orë në ditë por edhe më shumë nëse nevojitet. Turne ditë dhe natë. Punojmë me orë e me radhë dhe mundohemi të rikuperojmë mesa kemi mundësi“.

Duhet ta kesh shumë pasion punën që bën për të folur me këtë qetësi me të cilën flet Suada dhe për më tepër të flasësh brenda një reparti që është i mbushur me pacientë të cilët janë duke luftuar ndaj një virusi me shumë të panjohura. Por mesa duket, adrenalina e ngjarjeve të tilla i bën bashkë njerëzit, e për më tepër, profesionistët.

Situata mes kolegëve infermierë, mjekë dhe operatorë është bashkëpunuese. Jemi gjithmonë gati ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Shohim vetëm sytë e lodhur poshtë syzeve mbrojtëse dhe maskave që na mbështjellin, por në momentet kritike bashkohemi si nota muzikore perfekte mes tyre dhe krijojmë ritëm për të përballuar situata kritike“.

 

Pak frymë

Të asistosh pacientë të cilët me vështirësi marrin frymë është një nga situatat më të vështira për një mjek. Ta shohësh njeriun teksa vuan dhe të shikon në sy, që veç të kërkon pak ajër për mushkrit e tij dhe mos të kesh mundësi ta ndihmosh është një dhimbje më vete.

Është e vështirë të trajtosh këta lloj pacientësh sepse problemet me frymëmarrjen janë të rënda, trajtohen të gjithë me antiviral oral, oksigjen terapi ose cikle CPAP për disa orë, disa herë në ditë“.

Përshkrimi i saj të merr frymën…

Suada Prelaj, infermiere

Suada Prelaj, infermiere

Të shohësh sesi njerëz mezi marrin frymë, edhe me oksigjen, mezi marrin frymë është e vështirë. Pacientët ankohen se nuk mbushen me frymë, nuk kanë shumë uri, disa kanë temperaturë për ditë me radhë. Disa kanë probleme me veshkat dhe nuk mund të pinë as shumë ujë se rrezikojnë që mushkëritë t’u mbushen me ujë. Duke mos pirë ujë kanë dhe probleme me rrugët urinare. Disave nuk ju bën efekt as oksigjeni me flluks në maksimum dhe përfundojnë në terapi intensive.

 Disa preokupohen edhe për ne që punojmë shumë orë.

Kanë frikë mos na infektojnë, kanë frikë, aq frikë sa disa dorëzohen, na braktisin duke na lënë ndonjë mesazh për familjet që fatkeqësisht nuk munden as t’i kenë pranë në këtë situatë kaq të padrejtë“- rrëfen infermierja nga Mamurrasi që sot e kalon ditën në Spitalin Universitar San Raffaele të Milanos.

Por ndihma që jep në këtë spital dhe puna që bën i jep shumë kënaqësi, pasi rezultatet pozitive nuk mungojnë. Nuk janë të pakta rastet kur shoqëron në derën dalëse të spitalit pacientë që e urojnë për punën që ka bërë ndaj tyre.

Në këtë periudhë të afërmit, miqtë, familjarët janë në merak për të. I japin zemër, por edhe interesohen në çdo moment për punën dhe shëndetin e saj.

Në fund të kësaj bisede, Suada, infermierja ende pa shumë tituj mbi supet e saj, por me një sakrificë të madhe gjatë këtyre muajve ka edhe një lutje për shqiptarët.

U lutem shqiptarë; mos e nënvleftësoni këtë situatë. Do të jemi prapë bashkë, por për momentin duhet të kemi durim, shpresë dhe të sensibilizohemi. Rrini në shtëpi. Jetoni me familjet tuaja, kujdesuni, lahuni, ruajuni këtij armiku. Ndiqni këshillat e specialistëve. Na ndihmoni ne, ndihmoni prindërit që nuk e përballojnë dot këtë të keqe, ndihmoni veten“.

 

*****

Botuar në DITA. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

March 27, 2020 21:34
Komento

3 Komente

  1. Gzim Kulufi March 27, 22:03

    Ne kete moment ne jemi jashte kesaj drame te madhe te ketyre mjekeve dhe infermjereve. Por e kemi provuar (une te pakten e kam provuar me deshiren time) kete shtres, ndaj dhe e dime c’do te thote te jesh prane njerezve te shume te semure. Kalofte sa me shpejt!

    Reply to this comment
  2. Lili March 28, 13:26

    Teksa nuk ka hequr ende uniformën pas 12 orësh punë në këtë spital.

    Boboboo po ishallah i ka heq e ka nje pare tesha per jashte e nje pare per mbrenda!!!! …
    Gazetaria duhet te jete pak e vemendshme percka shkruan! Sigurisht se i heqim teshat para se te dallim prej spitalit e nuk ´shetitim’ mikrobet e viruset kamos!!

    Reply to this comment
  3. dritan March 28, 18:15

    Nje bije e denje e nene Terezes , sa shume njerez te mire dhe altruiste kemi

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim