Informonte grupet kriminale, pranga agjentit të SHISH, lidhje me atentatin e Fierit

Artur Qoraj January 22, 2016 10:04

Informonte grupet kriminale, pranga agjentit  të SHISH, lidhje me atentatin e Fierit

Agjenti i Shërbimit Informativ Shtetëror rezulton i implikuar në një nga grupet kriminale që kreu atentatin e 8 janarit në Mbrostar të Fierit, ku u vra Denis Kasa dhe u plagosën dy miqtë e tij, ndërsa po hetohet nëse ka lidhje edhe në vrasjet e Vlorës dhe Durrësit së fundmi, ku bëhet fjalë për luftë mes karteleve shqiptare të drogës në Spanjë, Itali dhe Holandë. Pas një analize urgjente në policinë e qytetit bregdetar, Blerim Tominaj, prokuror i Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë dhe Ardian Çipa, nëndrejtori i Policisë së Shtetit, konfirmuan arrestimin e efektivit të SHISH. Ai është Florian Bushi, prej disa vitesh agjent i degës së SHISH në Durrës. Pikërisht me këtë qëllim lidhej edhe vizita e dy funksionarëve ligjzbatues. Rezulton e provuar se Bushi ka dërguar në telefonin e të arrestuarit për atentatin e Fierit, Ilir Memushajt nga Vlora, fotografi të dokumenteve të përgjuara nga institucioni për grupet kriminale dhe viktimën e atentatit. Në momentin e ndalimit, Memushajt iu gjetën këto foto në celular dhe gjithashtu u identifikua dërguesi, që ishte agjenti nga Durrësi. Ka dyshime të forta se Bushi mund të ketë bashkëpunuar edhe me grupe të tjera kriminale që kanë kryer vrasjet për larje hesapesh në Vlorë dhe Durrës dhe po kryhen verifikime shtesë nëpërmjet të gjitha tablateve telefonike dhe provave të tjera.

Agjenti i SHISH spiun

Askush nuk dyshonte tek agjenti i SHISH se ishte i implikuar në këto punë. Por ende nuk është provuar nëse ai ka dorë drejtpërdrejt në bashkëpunim me grupet kriminale tek atentatet e kryera. Konfirmohet se Florian Bushi u ka dërguar materiale një prej organizatave kriminale në aksin Fier-Vlorë. “U kërkuar ekzekutimi i urdhër-arrestit për agjentin e SHISH Florian Bushi, pasi rezulton i përfshirë si bashkëpunëtor i grupeve kriminale, që i ka furnizuar me informacione”, tha prokurori Blerim Tominaj pas analizës. Vizita e tij në Durrës lidhej pikërisht me komunikimin e këtij arrestimi dhe njoftimin e degës së SHISH në këtë qytet. Bushi u prangos pasditen e djeshme nga policia vendore. “Ka dyshime se mund të ketë informuar edhe grupe të tjera kriminale dhe po verifikojmë, në kuadër të hetimeve për atentatet e fundit në vend”, tha nëndrejtori Ardian Çipa. Në lidhje me vrasjen e dyfishtë në Durrës dhe rrëmbimin e vrasjen e Gazmend Çollakut, Çipa tha se “hetimet po ecin në rrugë të mbarë dhe së shpejti mund të kemi rezultate”. Për momentin nuk konfirmohet nëse Bushi ka bashkëpunuar me kartelet që kanë kryer 4 vrasjet e tjera, të Reagim Melit në Vlorë, Gazmend Çollakut, Ervin Kodrës dhe Endri Çaushajt në Durrës apo nëse është i njëjti grup kriminal që ka kryer të pesta vrasjet.

Lidhja me Memushajn

Burime zyrtare nga prokuroria shpjeguan edhe lidhjen e agjentit të SHISH në këtë ngjarje. “Agjenti i arrestuar i SHISH ka kryer fotografime të materialeve të përgjuara të një shtetasi tjetër nga institucioni, për grupe kriminale, dhe këto përgjime ua ka dërguar me fotografi të arrestuarit Ilir Memushaj në Vlorë. Gjatë momentit të arrestimit të Memushajt, në celular i janë gjetur fotot e dokumenteve sekrete të SHISH dhe aty u identifikua dërguesi i tyre, që ishte Florian Bushi”, thanë këto burime zyrtare. Memushaj nga ana tjetër ka mohuar lidhjen me ngjarjen e 8 janarit. Por me këto prova të fundit duket se organizata ka qenë e strukturuar, me bashkëpunëtorë edhe në radhët e organeve ligjzbatuese. Me vendim gjykate është miratuar masa “arrest me burg” për agjentin që cilësohet bashkëpunëtor në atentatin e Fierit. Më 8 janar, Memushaj i zuri rrugën me makinë pas ndjekjes mjetit ku udhëtonin Denis Kasa, Klement Kastrati dhe Elton Margariti, teksa tek kthesa e Mbrostarit shokët e vlonjatet ekzekutuan Kasën dhe plagosën dy të tjerët. Krimi ka lidhje me larjen e hesapeve të drogës dhe hakmarrjen, pasi viktima ishte kthyer nga Holanda dhe ishte rezident në Spanjë.

Artur Qoraj January 22, 2016 10:04
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*