Inkuizicioni i tiranisë zogolliane

September 6, 2017 10:10

Inkuizicioni i tiranisë zogolliane

 Njerëzit e terrorizuar bëhen dallkaukë, hipokritë e servila. Ne i dëgjojmë të brohorasin për Zogun e Parë dhe na vjen turp për ta. Zogu i shikon edhe në sy. “Popull xhevahir ky i yni !” – ju thotë atyre që ka përreth.

Ne nuk e shohim dot Zogun me sy. Shumica e jonë nuk e ka parë kurrë fytyrën dhe nuk e ka dëgjuar kurrë zërin, por përballë nesh është Dajti dhe atje në majë është shkruar emri i tij, që të rrojë sa Dajti ai dhe Tirania e tij

 

Kujtimet e Bedriu Spahiut

….(Vijon nga numri i kaluar)

Pa ndeshje të fundit

Inkuizicioni zogollian ishte inkuizicioni i sistemit shoqëror të pronësisë private. Ai kishte pra, tipare të përbashkëta me inkuizicionin e vendeve fashiste të saj kohe, ishin që të gjithë inkuizicione të një rangu. Por inkuizicioni i vendeve fashiste si Gjermania dhe Italia ishin inkuizicione vendesh të zhvilluara, ndërsa inkuizicioni shqiptar ishte i një vendi të prapambetur dhe të shikuara nga kjo anë, ata kishin tipare të ndryshme, ishin të një rangu, por ishin lloje familjesh të ndryshme.

Në të dy rastet liria e ndërmarrjes ekonomike ishte strofka e fundit e lirisë individuale, bulevardi i fundit i mbrojtjes së individit dhe pengesa e pakapërcyeshme për Tiraninë. Në qoftë se në këto dy lloje inkuizicionesh mund të rivelohet dhe një humanizëm dhe një ligjshmëri relative, kjo në analizën e fundit është e determinuar nga ndërmarrja e lirë ekonomike.

Bedri Spahiu

Nga ana tjetër Tiranitë e të gjithë kategorive kanë nevojë të mbulojnë turpin e arbitraritetit me mantelin e ligjshmërisë. Procedura penale thotë se i pandehuri nuk mund të mbahet i izoluar më shumë se tre muaj dhe nuk mund të merret në pyetje pasi të kenë kaluar tre muaj.

Bukur ! Ja dyert e dhomave tona hapen të nëntëdhjetë e një ditë. Zhurma e trishtuar dhe e kobshme e çelsave nuk dëgjohet më. Nga rrypi i mesit të Rreshter Hamdiut është zhdukur tufa e çelsave. Rojet e rrethimit janë në vendin e tyre si gjithnjë, por në oborrin tonë nuk hyjnë më kriminelët profesionistë dhe vetë Rreshter Hamdiu duket shumë rrallë. Tani oborri është i yni pa kufizim, diellin, dritën, ajrin e kemi pa racion dhe nuk është më krim ta shohim njeri – tjetrin, të rrimë bashkë e të bisedojmë.

Vetëm gojët e liga, thonë se rregjimi i Zogut është rregjim arbitrariteti!

***

Dikush mund të thotë se në Shqipëri ka njerës që janë të sakatuar, ka trupa që janë të mbuluar me shenja plagësh, por ku nuk ka të tillë? Derisa i ziu njeri është i gjallë, nuk mund t’u shpëtojë aksidenteve. Tek është duke bërë sport i thyhet këmba, plaga bëhet gangrenë dhe për ta shpëtuar i duhet prerë. Tek po shëtit në rrugë i bie një copë tjegull në kokë dhe pasi shërohet i mbetet si kujtim nga plaga e marrë, shenja. Dhe… ku numërohen të gjitha aksidentet që pëson njeriu në jetë. Vetëm kundërshtarët e rregjimit, me qëllim të keq, mund të thonë se ato gjymtime dhe ato shenja plagësh janë bërë nga torturat gjatë hetuesisë.

“Hej ti shqipo ! Ç’po broçkullis ? Ta paska çarë pulpën xhandari dhe të ka futur kripë në plagë në prani të hetuesit? Të paska çarë kokën hetuesi, duke të rënë më drurin e fshesësh përpara syve të Qarkkomandantit? Të paska thyer dhembët prokurori, duke të dhënë grushta përpara syve të Musa Jukës? Për herë të fundit e ke parë djalin ta hiqnin zvarrë të përgjakur në korridorin e birucave dhe s’ditke për fatin e tij?… Por kjo është propagandë kundra rregjimit! Kjo është një ofezë jashtëzakonisht e rëndë për Naltmadhninë e tij, Zogun e Parë!”

Dhe Shqipon, që sapo e kishin nxjerrë nga burgu, e kthejnë përsëri në burg. Invalidët e tjerë mësojnë nga ky rast, se që të mos ofendohet Naltmadhnia e tij dhe që të rrojnë të lirë, duhet të gënjejnë. Viktimat e arbitraritetit mbulojnë arbitraritetin. Kjo është tragjedia e viktimave.

Dhe njerëzit e terrorizuar bëhen dallkaukë, hipokritë e servila. Ne i dëgjojmë të brohorasin për Zogun e Parë dhe na vjen turp për ta. Zogu i shikon edhe në sy. “Popull xhevahir ky i yni !” – ju thotë atyre që ka përreth.

Ne nuk e shohim dot Zogun me sy. Shumica e jonë nuk e ka parë kurrë fytyrën dhe nuk e ka dëgjuar kurrë zërin, por përballë nesh është Dajti dhe atje në majë është shkruar emri i tij, që të rrojë sa Dajti ai dhe Tirania e tij.

Sikur Tirania zogiste të ishte e përjetshme lajkataria, hipokrizia dhe servilizmi të përcjellë nga brezi në brez dhe nga shekulli në shekull do të bëheshin dispozicione organike të natyrës së njeriut dhe populli shqiptar do të çante në gjininë njerëzore rrugën e një race të re: Raca e Tiranisë Shqiptare.

Tirania vret faqeza e fshehurazi me gjyq e pa gjyq, me fakte e pa fakte. Asnjë normë ligjore nuk e ndal dorën e saj. Ajo torturon e masakron. Asnjë normë ligjore nuk ka fuqi mbi të. Asnjë ligj nuk mund të kufizojë arbitraritetin e saj. Zogistët besojnë se janë të përjetshëm. Tromara do të bëjë të heshtin ata që pësojnë arbitraritetin, të vdekurit nuk dëshmojnë, ata që shohin e dëgjojnë për krimet e Tiranisë janë më të tromaksur nga ata që kanë qenë viktimë. Heshtje e plotëLigjshmëri e plotë – mendojnë zogistat.

Heshtje e plotë ! Arbitrariteti vazhdon rrugën e vet. Ai është realiteti i jetës nën Tiraninë – Ligjishmëri e plotë ! Njerëzit vazhdojnë të heshtin dhe kështu mendojnë zogistët, se mund të jetohet pa mbarim dhe se turpi nuk do të zbulohet.

***

Në 1945 unë takova në Tiranë ish major Shaban Begën, urdhëronjësin e prangosjes dhe të kërcënimit edhe ish rreshter Hamdinë. Unë kisha fuqi atëhere shumë më tepër se ç’kishin ata në kohën e tyre dhe rrethanat mund të justifikonin hakmarrjen. A patën vallë frikë ?

As që i lashë të provonin një sentiment të tillë. I takova me përzemërsi si t’i kisha pasur miq të vjetër. Hakmarrja e ç’dëmton shpirtërisht njerinë, por e zbret në rangun e kundërshtarit.

Heshtje dhe aklamacion! Të kundërtat bashkëjetojnë. Tirania ka miq dhe kundërshtarë, por edhe kundërshtarët duartrokasin dhe ata aklamojnë. Po ku janë kundërshtarët? Sa janë kundërshtarët? Cilët ndër aklamonjësit janë miq e cilët kundërshtarët? Dyshimi e pushton Tiranin. Mosbesimi e mundon. Frika e torturon. Është tragjedia e Tiranit.

Burgu është një institucion shtetëror, i cili dëshmon se shoqëria njerëzore është larguar shumë nga periudha e ligjit të Talonit, nga ajo kohë kur dënimi ishte ose me vdekje ose me të rrahur ose me gjymtime të trupit.  U zëvendësuan të rrahurat dhe gjymtimet me izolim të fajtorit nga shoqëria, me burgim të tij. Shoqëria njerëzore u largua nga barbaria. Por burgu tregon edhe se shoqëria njerëzore është ende shumë barbare për të mundur t’u sigurojë të gjithë antarëve të saj lirinë.

Kur është fjala për një “Demokraci” si ajo e Zogut gjithë Shqipëria është një burg i Madh. Në atë burg të Madh që quhet Shqipëri, njerëzit kishin të izoluar trutë e tyre. Ata nuk mund të komunikonin njeri – tjetrit aversionin e tyre kurdër Tiranisë. Në burgun e vogël, si ai ku ishim ne njerëzit janë të ndarë me trup nga shoqëria, por ata nuk kanë të izoluar trutë te tyre. Ata mund të manifestojnë në njeri – tjetrin aversioninet e tyre kundra Tiranisë, por këtë askush nuk ju bëhet mami, askush nuk i ve përpara përgjegjësisë penale. Kjo është Demokraci e burgut të vogël. Nga kjo pikëpamje, shpirtërisht njeriu gjendet më mirë në Demokracinë e burgut, se sa në atë të Shqipërisë Mbretërore.

Nga anët e tjera burgu i vogël nuk është i mirë, ai është më i keq nga ç’mund të pandehet, se është ferri i të gjallëve.

Në ferrin burg militantët kanë arsyet e tyre të gëzohen, të kënaqen, të rrojnë në ekstazë, të kenë vizione mirazhi për të ardhmen e kauzës së tyre, të asaj pjese të popullit që përfaqësojnë. Ja, dikur ata do t’i çojnë në sallën e gjyqit. Të jenë një ditë në sallën e një gjyqi të hapët, të shpërthejnë si vullkane, të vënë në shtyllën e turpit Tiranin dhe Tiraninë, të përhapet e vërteta që përfaqësojnë si kushtrim anë e kënd Shqipërisë, të ekzaltohen shpirtrat e shqetësuar dhe të ngrohen shpirtrat e ngrirë, ia vlen barra qeranë, që t’i japë njeriu jo jetën që ka,por edhe një mijë jetë po të kishte.

Dhe pas gjyqit poligoni, pushkatimi. Këtu do të ushtojë kënga. Valët e këngës do të përhape në fusha e në male dhe njerëzit do të dëgjojnë me ngashërim dhe me shpresë tingujt. Do të dëgjojë dhe kryexhelati. Do të dëgjojnë të gjithë xhelatët e Shqipërisë dhe urrejtja do të gryejë mushkritë e tyre. Plumbat do t’ia këpusin jetën militantëve. Me jetën e tyre do të këputet edhe zëri i tyre.

Por si do t’ia bëjnë këngës që do të jetë kënduar e dëgjuar ?

Tiranët, Tiranucët dhe kriminelët zyrtarë janë të pafuqishëm ndaj këngës së dëgjuar e të kënduar.

Do të shpërthejnë vullkane në sallën e gjyqit edhe nga rradhët e tyre që janë thyer në hetuesi edhe këta do të këndojnë me zë të padredhur përpara skuadrës së pushkatimit.

Salla e gjyqit dhe poligoni janë dy fusha lufte të ndryshme nga ajo e hetuesisë. Në hetuesi është vetmia, kërcënimet, torturat fizike, torturat morale. Në çdo kohë dhe në çdo rast ka njerëz që nuk luftojnë dot e nuk fitojnë dot në këtë fushë. Tiranët e dinë këtë, prandaj nuk heqin dorë nga sistemi torturave sa do që përdorimi i tyre është i dënuar nga të gjithë njerëzit e rruzullit, pavarësisht nga zhvillimi i tyre kulturor, nga ideologjitë dhe nga bindjet politike. Por në gjyq e në poligon punët qëndrojnë ndryshe. Këtu, këta njerëz të dobët gjenden të rrethuar nga shokët e tyre heroikë. Ata frymëzohen nga shembulli i tyre. Ka njerëz që nuk çajnë aspak kryet, të tregohen se janë trima, por nuk ka njerëz që duan të tregojnë se janë frikacakë. Askush nuk do të vdesë po të ketë mundësinë të rrojë si i pëlqen, por kur është çështja për të vdekur, vdis si burrë të paktën. Kjo është mençuria  më e thjeshtë. Nga ana tjetër këtyre shokëve thyer, arrestimi iu përlan lumturinë, gëzimin e jetës dhe lirinë individuale. Hetuesia e zhveshi edhe nga dinjiteti personal. Ata mbajnë në shpinë barrën dërmuese të tradhëtarit të kauzës së vet. Të çliruar nga ballamri i lumturisë së familjes, i gëzimit të jetës dhe i lirisë individuale të çliruar nga kthetrat e përgjakura të një hetuesie kriminale, ata kanë mundësi ta heqin nga shpina atë barrë turpi. Gjyqi dhe poligoni është vendi i përshtatshëm dhe i vetmi vend ku mund të bëhet ky shkarkim.

Këta shokë do të veprojnë si ai kalorësi, që pasi i janë thyer brinjët nga rrëzimi që i ka bërë kali gjen forca në vetvete, i hidhet kalit përsëri në shpinë, fluturon drejt rradhës së kalorësve, drejt vijës së parë dhe angazhohet në përleshjen në krah të tyre.

Të luftosh pa u rrëzuar nga kali – kjo është e zakonshme në jetën e militantëve të çdo periudhe dhe të çdo ideje, por të rikthehesh në luftë pasi të jesh rrëzuar kjo është e jashtëzakonshme dhe si e tillë e denjë për respekt. Brezat e ardhshëm që do të kenë interes të shfletojnë dosjen e atij gjyqi do të mbushen me admirim jo për shokët që luftuan pa u rrëzuar kurrë, me të tillë ata e kanë para të mbushur historinë, por me ata që kanë luftuar pasi janë rrëzuar, me ata që kënduan internacionalen bashkë me shokë përpara vdekjes, pasi ishin ndarë njëherë prej tyre.

Dielli, ajri e prunë në gjendjen normale çehren tonë dhe u rivendos në forcat fizike. Ishim plot humor. Një i huaj vetëm nga rrethimi me roje mund të kuptonte se ishim në burg.

E pritnim thirrjen në gjyq pa shqetësim, pa kokëçarje, bile me një farë padurimi si të atij që do të bëjë ndeshjen e fundit dhe me një ndjenjë krenare si e atij që është i sigurtë në fitoren, por…

Por Zogu nuk kishte interes që të zhvillohej kjo ndeshje. Një dita na nxorrën jashtë burgut, por jo për të shkuar në gjyq.

Zogu nuk ju dha mundësinë shokëve të thyer të hiqnin nga shpina barrën e trupit, por ata do të shkarkojnë veten pas disa vjetëve, kur populli do të ketë nevojë më shumë për ta.

***

Teorikisht Zogu ishte kundër sistemit absolut të monarkisë. Këtë tregon fakti që ai ngriti një Monarki Kushtetuese. Si rrjedhim edhe ti je kundra atij sistemi. Ja, kjo është baza e përbashkët e vazhdimit te bisedimit tonë, dikur të ndërprerë.

Të vazhdojmë pra:

Të drejtat e njeriut, të drejtat e qytetarit dhe liritë demokratike mund të garantohen edhe me sistemin Monarkik kushtetues edhe me Republikë. Për atë popull që i gëzon këto të drejta dhe liri nuk ka rëndësi në se Kryetari i Shtetit është Monark apo President. Njerëzit udhëhiqen nga utiliteti jetik. Unë nuk e mohoj rolin e preferencës, por kjo ka të bëjë me sentimentet e njeriut dhe sentimentet në fund të fundit i lenë vendit utilitetit jetik dhe bëhen shpirti i këtij utiliteti.

Garanci e lirive të shtetasve nuk është Kryetari i Shtetit, qoftë ky Monark apo President, por Kushtetuta, e cila është sinteza e utiliteti jetik të popullit dhe e sentimenteve përkatëse. Njerëzit janë dashnorë të lirive të veta dhe i kanë frikë si dreqin prepotentin. Urrejtja kundër prepotencës së individit dallon si një pe i bardhë i pakëputur në të gjitha faqet e historisë së popujve. Nuk është rasti këtu të zgjerohem në këtë çështje, por nuk do të lë pa përmendur një shembull të vogël.

Në fiset e Bollgarëve të Vollgës ekzistonte zakoni sipas të cilit po të shquhej një antar fisi përmbi të tjerë, për mençuri, thoshin se i ka ardhur koha të shkojë tek Zoti dhe prandaj e varnin në një degë peme dhe e linin të kujdesoheshin moti shpendët dhe kafshët e egra për asgjesimin e trupit të tij. Kur zgjidhnin një kryetar përpara se t’i jepnin fuqinë e tij, i hidhnin në qafë një litar lak, e pyesnin sa vjet donte që të qëndronte kryetar dhe i thoshin:

“Qofsh kryetar i yni aq vjet sa kërkove, por po qëndrove më tepër litari të pret!”

Në qoftë se dhe ti je partizan konseguent i konstitucionalitetit (unë nuk dyshoj për këtë), atëhere ne që të dy jemi partizanë të të drejtave të njeriut, të qytetarit dhe të lirive demokratike. Kushtetuta është pra, nja bazë e përbashkët për të shkuar më tej me bisedën tonë.

***

Të vimë tani në Periudhën e Monarkisë zogolliane. Fillon veprimi i Lëvizjes komuniste, i Lëvizjes revolucionare liberale, i Diktaturës së Ndritur. Janë valët e llumit të Bazës. Zogu gjendej përpara fajit të Prepotencës. Ai bëri atë që bën çdo Kryetar Shteti, pavarësisht nga lloji apo nga forma politike e Shtetit, pavarësisht nga koha dhe nga vendi: Dënoi fajtorët. Për këtë historia nuk mund ta bëjë fajtor Zogun, sikurse nuk mund të bëjë fajtor opozitën për ndërmarrjet e saj. Historia do t’i përmendi të dy palët, si dy të kundërta të asaj kohe.

Zogu nga ana e tij:

Asgjësoi lirinë e fjalës, të shtypit, të mbledhjes e të organizimit, ndonëse nuk kish asnjë bazë ligjore për këtë asgjësim dhe sistemi kushtetues i kohës, i presupozonte këto liri.

Ndaloi kritikën e misave të Qeverisë dhe të politikës Qeveritare, ndonëse nuk ekzistonte asnjë ligj për këtë dhe sistemi e presupozonte atë kritikë.

Krijoi gjendjen e inkuizicionit dhe aplikoi torturat, që i janë pajë në Hetuesi, duke asgjësuar të drejta jetike të shtetasve, si prezumimin e pafajësisë, e drejta e mbrojtjes, e drejta e padisë e të tjera.

Të gjitha këto përbëjnë veprimtarinë arbitrare të Zogut. Llumi i kryesisë lejoi prepotencën e Kryetarit. Zogu është i dënueshëm për fajin e prepotencës.

Ti nuk mundesh të përgënjeshtrosh faktet e lartpërmendura pa u vënë në kundërshtim me realitetin e Monarkisë Zogolliane.

Po të futeshim në hollësira të atij realiteti, aty ne do të përballoheshim përsëri si palë dhe ti do ta teproje në drejtim të lehtësimit të fajit të Zogut, unë do ta teproja në drejtim të rëndimit të fajit të tij. Por këto teprim nuk do të mund të errësonin të vërtetën e atij realiteti, pse historiani i paanshëm vepron si bujku. Ai ia le teprimet në shpinë palëve dhe historizon të vërtetën, ashtu si bujku, që  kofinët e zbasura ia lë mbi shpinë gomarit dhe shtie në arë plehun.

Po të mos vihesh në kundërshtim me realitetin e Monarkisë, ti do të pranosh se vendin e Kushtetutës e kishte zënë Prepotenca e Sovranit, në vend të makinës kushtetuese Vox populus Vox dei u vu makina Rex est Lex, Ligjishmërisë ia zuri vendin arbitrariteti, dhuna ligjore u zëvendësua me dhunën fizike, morale e psiqike dhe ç’ka nuk futesh në këtë kuadër ishte një “fletë fiku”. Unë kisha parasysh këtë realitet, kur kam thënë se praktikisht nuk ka asnjë ndryshim ndërmjet Monarkisë Absolute dhe Monarkisë Kushtetuese të Zogut.

Në qoftë se edhe kësaj radhe mendimet tona nuk puqen në këtë çështje, ato s’kanë për t’u puqur kurrë dhe mua më mbetet të të them vetëm se ju zogistët ishit zëdhënësit e kontenporanitetit kombëtar, ne opozita ishim zëdhënësat e së ardhmes. Ju ishit të fortë, ne ishim të paepshëm. Ideali i juaj ishte konservimi i sundimit dhe u shua me përmbysjen e këtij rregjimi, ideali ynë flakëroi mbi gërmadhat e sundimit tuaj.

 

 

Edhe diçka për ish oficerin…

Monarku absolut, diktatori dhe teokrati mund të mos jenë Tiranë. Tirani është personifikimi i anëve negative, të të tre personazheve në fjalë, ashtu sikurse bisha është individualizimi i egërsisë të të gjitha egërsirave. Zogu ishte një Tiran.

Më kujtohet, se kur unë ta thashë këtë gjë, ti mu përgjigje se Zogu ishte humanist dhe këtë ma argumentove me faktin se Zogu nuk vrau asnjë nga të arrestuarit e 1932. Asnjë nga të 40 të dënuarit me vdekje në Gjyqin e Fierit dhe asnjë nga të arrestuarit të vitit 1937 dhe 1938. Që nga dita e kurrorëzimit deri në fund të mbarimit të tij, në një periudhë dhjetëvjeçare, ai vrau vetëm dhjetë vetë – gjashtë xhandarë të Kryengritjes së Fierit dhe tre ose katër të Kryengritjes së Delvinës. Pas Hetuesisë, i dënuari kishte një trajtim njerëzor në burg dhe se asnjë i dënuar politik, nuk bëri më shumë se tre vjet burg dhe vetëm jashtëzakonisht katër (Vetëm Hasan Reçi dhe Mustafa Kaçaçi mbetën në burg deri në fund – katër vjet)

Së pari, do të të sqaroj, se unë nuk kam pas thënë se Zogu është më Tirani ndër Tiranët se edhe Tiranët janë me kategori.

Së dyti të flasësh për humanizëm të Tiranit, cilido qoftë ky, është njëlloj si të flasësh për butësi të bishës.

Njerëzit për natyrën e tyre kafshërore janë egocentrikë, dhe pra, absolutë, prepotentë dhe arbitrarë. Pa egocentrizëm gjallëria e çdo kafshe do të ishte e pamundur si në natyrë edhe në shoqëri.

September 6, 2017 10:10
Komento

15 Komente

  1. ruzhdi September 6, 10:33

    hoqem mbreterine dhe komunistet vendosen skllaverine

    Reply to this comment
  2. Arben September 6, 11:15

    SIGURIMI I SHTETI NE SULM.

    NE KOHEN E ZOGUT, SHQIPETARET ISHIN PJESE

    E BOTES, KUPTOHET ANDEJ NGA FUNDI, POR

    AMA VININ DIREKT PAS TE PARAFUNDIT.

    NE KOHEN TUAJ, O SHOKET E SIGURIMIT,

    SHQIPETARET DOLEN FARE NGA HARTA

    E NJEREZIMIT, SHQIPERIA U BE KOPSHT

    ZOOLOGJIK PER EKSPERIMENTE ME KAVIE.

    KY ESHTE NDRYSHIMI.

    Reply to this comment
    • PO,PO September 6, 18:10

      Kurse sot jetojme ; “te lumtur” nen demokracine Serbo – Vicidolase te Elez Biberovicit . Flm z. Arben – Janullatosi , qe na hape syte te shohim e te kuptojme !

      Reply to this comment
      • Arben September 7, 15:03

        ORE, HISTORIA ESHTE VAZHDIMESI.

        NE KOHEN E ZOGUT, SHQIPERIA ISHTE ME

        E HAPUR ME BOTEN, DHE RRJEDHIMISHT

        PJESE E SAJ, JO SE COC ISHTE ZOGU,

        NE ATE KOHE KISHTE ITALIA INTERESA

        TEK NE, KESHTU QE NEUTRALIZOHEJ

        PAKEZ NDIKIMI KRIMINAL SERB.

        NDODHI LUFTA, ITALIA HUMBI, MENDO VETE

        NE DORE TE KUJT RANE SHQIPETARET, DHE

        EKSPERIMENTET ANTINJEREZORE QE JANE

        BERE ME NE.

        EDHE SOT ASHTU VAZHDON, PER INERCI TE

        DHUNES GJYSEM SHEKULLORE, AKOMA NUK

        JEMI ZGJUAR NGA GJUMI.

        Reply to this comment
    • Arben September 7, 16:53

      SHOKE TE DITES,

      OSE LESHONI KOMENTET E MIA,

      OSE MOJ LEJONI AS TE TJERET TE KOMENTOJNE

      MBI TO,

      ESHTE I KEQ KY KAPITALIZMI, O SHOKET E

      DITES.

      Reply to this comment
  3. demo September 6, 13:57

    Qe te flasesh per te keqen,duhet ta provosh te keqen.Keta gjirokastritet mbahen per te zgjuar dhe kane nje folklor qytetar te pasur.Dhaskalica i tha te bijes se dhespotit:-Vrite nenen,hidhe ne kade te vajit,pa te shoc si do te mbaj une ty,kur te behem njerka jote!E beri,e vrau te emen dhe mori dhaskalicen per njerke.Atehere e pa matricidja cdo te thote vuajtje!Keshtu e pesoi edhe Bedri Spahiu.Ne qelite e kalase Kanines e ka bere diferencen tamam midis tiranise se Zogut dhe tiranise se Enverit.Atje e ka marre vesh tamam c`do te thote TIRANI.

    Reply to this comment
  4. HAMDI TOBLI September 6, 14:16

    Nuk ja vlen te lexosh shkrime te tilla edhe kur je duke udhetuar ne nje tren te ngadalshem. pra nuk ja vlen edhe per te vrare kohen. Nuk mund te quhet analize duke patur parasysh nje ish personalitet te tille.

    Reply to this comment
  5. HAMDI TOBLI September 6, 14:19

    Nuk ja vlen te lexosh shkrime te tilla edhe kur je duke udhetuar ne nje tren te ngadalshem. pra nuk ja vlen edhe per te vrare kohen. Nuk mund te quhet analize duke patur parasysh nje ish personalitet te tille.

    Reply to this comment
  6. Besniku September 6, 14:22

    Shikoi surratin, qe me pak ndryshime makiazhi do te ishte Hitleri , dv, dhe mendo çfare ngjashmerie ka me shpirtin e tij te zi.

    Reply to this comment
  7. Floriri September 6, 15:04

    Thoni c’te doni por shkrimi i takon nje mendjeje erudite.
    Nuk ka rendesi kush e ka shkruar. Ka rendesi permbajtja dhe mesimet qe permban ky mesazh i Bedri Spahiut, qe ra viktime e idese komuniste si shume te rinj intelektuale te asaj kohe qe e njohen komunizmin vetem nga propaganda komuniste dhe nga romani NENA i Gorkit qe kishte perkthyer intelektuali i majte e me vone redaktori dhe spikeri i Radio Londres ne gjuhen shqip.
    Bedri Spahiu me 35 vjet burg e internime ishte viktime e ideologjise qe perqafoi.
    Sa mizor eshte fati i njeriut nganjehere!

    Reply to this comment
  8. Floriri September 6, 15:06

    Thoni c’te doni por shkrimi i takon nje mendjeje erudite.
    Nuk ka rendesi kush e ka shkruar. Ka rendesi permbajtja dhe mesimet qe permban ky mesazh i Bedri Spahiut, qe ra viktime e idese komuniste si shume te rinj intelektuale te asaj kohe qe e njohen komunizmin vetem nga propaganda komuniste dhe nga romani NENA i Gorkit qe kishte perkthyer intelektuali i majte e me vone redaktori dhe spikeri i Radio Londres ne gjuhen shqip.
    Eshte i vetmi komunist qe ka dale me nje pendese biblike ne Shqiperi
    Bedri Spahiu me 35 vjet burg e internime ishte viktime e ideologjise qe perqafoi.
    Sa mizor eshte fati i njeriut nganjehere!

    Reply to this comment
  9. ELIOT September 7, 10:17

    ky BEDREI SPAHIU ….E SHIKON NJE GJE TE VOGEL QE KA TJETRI NE SY …POR NUK E SHIKON ELEFANTIN QE KA PARA SYVE TE VETA… E QUAN ZOGUN TIRAN DHE ENVERIN QE E KA FUTUTR NE BURG E TORTURON SE SHEH … NUK E KUPTOJ A KISHTE 2 GRAM TRU … APO JA HONGRI QENI…. DHE NE KETE FOTO JANE SHFAQUR TRADHETARET E POPULLIT ….. KUSH NGA KETO COBANE E BERI NJE GJE TE VOGEL PER POPULLIN……… NUK FLAS PER RRACEN E VET ..????. DHE DICKA PER PO PO VICIN ….. KETO QE SUNDOJNE SOT JANE FARA E KAQE QE MBOLLI ENVERI JANE NIPERIT E ENVERIT …..HAJDUTA .. EGOISTA KORRUPCIONI .. JA CMBOLLI ENVERI RAMIZI …BERISHA ISHTE DOKTORRI PERSONAL SPIUNI I PARE I HITLERIT DHE TANI …..

    Reply to this comment
    • Arben September 7, 15:05

      BEDRI SPAHIU, ISHTE NJE VRASES ME PAGESE,

      SI TE MARRESH SOT JULIAN SINANAJ, TA FUSESH

      NE POLITIKE PER TA PERDORUR PER KRIME.

      KY SHKRIM ESHTE PROPOGANDE E HAPUR

      E SIGURIMIT TE SHTETIT, PA ASNJE VLERE

      TE LEXOSH, CFARE TI BESH, SIGURIMI ESHTE

      AKOMA SHUME AKTIV.

      DJE PUNONTE PER KASTEN, SOT PER VETEN E

      VET.

      SA ME SHPEJT TE COHEMI NGA GJUME, AQ ME

      MIRE PER NE.

      Reply to this comment
  10. Javer September 7, 19:44

    Po pse o Bedro burgu i Enverit ishte me I mire se ai I Zogut?

    Reply to this comment
  11. realisti September 8, 07:11

    Ky shkrim i Spahiut me kujton filmin” Rrofte zapata”Kush e kujton ate film me skenen kur Zapata ishte nje njeeri i zakonshem dhe presidenti i vendit ja vuri emrin ne rreth tek lsta e njerezve qe kishin shkuar per te protestuar. Me pas skena perseritet por tashme rrevolucioni meksikan kishte fituar dhe Zapata ishte bere president i vendit dhe ishte vet ai qe mori penen dhe vuri ne rreth emrin e nje fshatari qe kishte ardhur te protestonte ne presidence per arrogancen e vellait te Zapates qe bente si donte qefi me fshataret e varfer ne emer te te cileve u be rrevolucioni dhe permbys qeveria e meparshme

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*