Inspektimi dhe certifikimi i veprave të ndërtimit

August 25, 2018 15:51

Inspektimi dhe certifikimi i veprave të ndërtimit

 

Prof. As. Dr. Forcim SOFTA

Siguria e veprave të ndërtimit duhet të jetë çështje e ditës dhe shoqëria nuk mund të sensibilizohet vetëm, kur ndodhin fatkeqësi, brenda apo jashtë vendit. Siguria fillon që në fazën e projektimit, ndërtimit dhe më tej, mirëmbajtjes, në mënyrë që të zbatohen me saktësi kriteret dhe standardet teknike të veprës.

Shpeshherë, vlera e objektit vendoset thjesht nga arkitektura apo vendndodhja dhe jo nga aftësia mbajtëse dhe standardi i sigurisë së jetës dhe shëndetit.

Në Shqipëri ka objekte të ndërtuara prej shumë vitesh. Pra, “të trashëguara”, të cilat për shkak të progresit teknologjik në vite, vlerësimi i cilësisë së aftësisë mbajtëse të objektit është i diskutueshëm.

Ndërtesat ekzistuese janë projektuar sipas kërkesave të sigurisë së dekadës, kur janë ndërtuar. Megjithëse sot, kërkesat e sigurisë janë rritur.

Forcim Softa

Forcim Softa

Futja e legjislacionit të Eurokodeve të projektimit dhe zbatimit në vendin tonë ka bërë që veprat të jenë më të sigurta. Parë në këtë këndvështrim, sigurisht që dalin defekte që duhet të riparohen, brenda tolerancës që të mos lejohen dëmtime të mundshme.

Tërmetet zënë peshën kryesore të dëmtimit të strukturave me pasoja shkatërrimin, gjë që përbën një problem shumë të madh ekonomik dhe social. Gjatë dekadave të fundit, Inxhinieria Strukturore po i kushton një rëndësi të madhe, jo vetëm aspektit të sigurisë së jetës të njerëzve, por edhe vlerësimit të objekteve, për shkak të dëmtimeve të strukturave në elementë të tjerë jo strukturorë, që i shoqërojnë ato.

Tërmetet që kanë rënë në shtete të ndryshme, si dhe në vendin tone (ai i vitit 1967 në Dibër) duhen futur në kujtesën kolektive të njerëzve, qoftë edhe atyre, të cilët nuk i kanë përjetuar.

Në këtë mënyrë nuk do të dëmtojnë ambientet e tyre, duke kërkuar hapësira më të mëdha se ato të projektit. Kjo dukuri ka ndodhur në masë në Shqipëri, duke prekur katet e para të banesave, duke prishur mure, themele apo kolona mbajtëse.

Duhet të rritet vetëdija e rrezikut dhe parandalimit të incidenteve të sigurisë, që mund të na godasë në çdo kohë. Në shumë objekte të ndërtuara para viteve ‘90, në tarracat e tyre janë vendosur rezervuarë uji, që nuk parashikohen në mbingarkesën, për të cilën është llogaritur soleta. Po ashtu, këta rezervuarë janë si masa të përqendruara, që ndikojnë ndjeshëm në veprimin sizmik të konstruksionit mbajtës të objektit.

Më shumë iu duhet kushtuar vëmendje kateve shtesë të objekteve të reja, ku konstatohen raste, që shtesa është me disa kate. Është i padiskutueshëm rreziku sizmik, jo vetëm për vetë objektin, por edhe për ato që janë përreth. Kjo dukuri është shumë më e rrezikshme se një ndërtesë e vjetruar.

Në janar të 2015-ës, nga media u informova që Instituti i Ndërtimit do të kalonte “në sitë” ndërtimet, lidhur me sigurinë e tyre. Nismë e mirë, por çfarë u bë? A vazhdon? A ka rezultate të dukshme apo ka qenë thjesht fushatë?

Kjo situatë, për nga rëndësia që ka, duhet të planifikohet mirë, kontrollet të jenë të vazhdueshme dhe t’iu jepet zgjidhje problemeve konkrete me përgjegjësi profesionale.

Nëse gjendja e objekteve problematikë, ekzistuese apo të rinj, nuk do të përmirësohet në kohë dhe në përputhje me kërkesat e sigurisë, fatkeqësisht do të kemi të papritura.

Nuk duhet pritur të ndodhin tragjedi, si ajo e urës së “Gjenovës” për t’u sensibilizua dhe reaguar. Inspektimi dhe mirëmbajtja e strukturave duhet të jenë të vazhdueshëm dhe të pandalshëm. Tërmeti nuk bën dëme vetëm në strukturën e banesës, por edhe në zhvendosjen e orendive, që duke rënë, marrin jetë njerëzish.

Në këtë drejtim, do të sugjeroja edhe një rol më aktiv të medias, duke i dhënë më shumë hapësirë trajtimit të këtyre problemeve, me qëllim informimin e qytetarëve, si dhe hapjen e një debati publik mes ekspertëve dhe institucioneve shtetërore për këtë problematikë.

Pas fazës së ndërtimit, siguria e veprave vazhdon, duke u mirëmbajtur në mënyrë sistematike dhe duke bërë menaxhimin e dëmtimeve të mundshme gjatë gjithë jetës. Për këtë, duhet të bëhet inspektimi i veprave. Në shumë vende, në një kohë të caktuar prej 20 apo 30 vjetësh, bëhet ricertifikimi i strukturës mbajtëse të objektit.

Për të gjithë ndërtimet, që paraqesin probleme duhet të bëhet “check up” për të parë sjelljen e objektit, në kushtet e një tërmeti, që mund të rrezikojë. Shteti duhet t’i përgjigjet këtij problemi me një sistem të ri inspektimi, me një hallkë të rëndësishme institucionale, me specialistë shumë të kualifikuar në Inxhinierinë Sizmike.

Nisma e Autoritetit Rrugor Shqiptar për inspektimin dhe vlerësimin e disa urave të ndërtuara para viteve ‘90 është për t’u vlerësuar dhe uroj t’i jepet zgjidhja e duhur përfundimtare, pavarësisht nga kostoja e rikonstruksionit.

Vlerësimi i ndikimit të faktorëve atmosferikë është i domosdoshëm, pasi ata ndikojnë shumë në aftësinë mbajtëse të strukturës. Dëmtimi i saj nuk është gjithmonë i dukshëm. Kjo është pjesa më e vështirë e vlerësimit të dobësimit të aftësisë mbajtëse, që del në dukje, edhe për një termet mbi 6 ballë. Për këtë, bëhen matje me ndihmën e pajisjeve elektronike të specializuara dhe me këto të dhëna, duke përdorur programe të posaçme, bëhet vlerësimi sigurisë së strukturës.

Stafi i studimit duhet të jetë i specializuar në fushën e Inxhinierisë Sizmike. Specialistët në vendin tonë nuk mungojnë. Ka një grup inxhinierësh, të cilët kanë kryer me sukses studimet 2-vjeçare pasuniversitare në Institutin e Sizmikës në Shkup apo edhe në shtete të tjera në perëndim. Madje, në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit ka pedagogë të kualifikuar, që kanë kryer edhe Doktoraturat në këtë fushë të ekspertizës.

Është e vërtetë, që ndërtimet në kohën e Italisë kanë probleme konstruktive. Soletat janë zbatuar me traveta me qeramikë të armuar. Në ambientet, ku ka lagështi është bërë korodimi i qeramikës dhe për rrjedhojë, hekuri i zbuluar, shumë i ndryshkur ka dalë jashtë funksionit. Edhe në ndërtimet e banesave me “kontribut” para viteve 90, janë përdorur traveta me qeramikë të armuar, që besoj se kanë ose do të kenë probleme nga e njëjta dukuri.

Duhen vlerësuar dëmtimet në strukturat, ku elementët metalikë bëjnë pjesë në aftësinë mbajtëse.

Kështu, para viteve ‘90, ambientet me hapësira të mëdha deri në 30 metër, janë mbuluar me sistem hark (armocement), ku elementi mbajtës është tirant metalik (shufër metalike). Këto struktura, që nga koha e ndërtimit nuk janë mirëmbajtur. Për rrjedhojë, ky element është jashtë funksionit. Për ta konkretizuar, një nga këto struktura është zbatuar në një hangar të hapur pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, ku vërehet një korozion i elementëve metalikë.

Shpreh mendimin, se duhet të inspektohen edhe detajet në godinat me panela, në veçanti në kafazin e shkallëve, ku ato janë mbajtëse dhe ndodhen nën ndikimin e kushteve atmosferike.

E rëndësishme është vlerësimi i dëmtimeve në ndërtesat arsimore, spitale, që nga vjetrimi i muraturës (tullës, llaçit) rezultojnë me probabilitet për të pësuar dëmtime nga tërmeti.

Ka mjaft rreziqe që rrinë të fshehura, në pritje për të dalë papritmas dhe për të na dëmtuar, pa na dhënë kohën e nevojshme që të reagojmë.

Pavarësisht nga vjetërsia e objektit, duhet të bëhet studim i plotë i të gjithë elementëve të strukturës, për të dhënë mendimin profesional për gjendjen e objektit (rrezikon apo jo).

Në dekadën e fundit, në shumë shtete, në zonat me sizmicitet të lartë, përdoren izolime në bazë të strukturës. Kjo gjë është vendosur si kusht projektimi për objekte të veçanta, shkolla, spitale, ura etj.

Izolimi sizmik është konsideruar gjerësisht si një metodë efikase për strukturat problematike. Kështu, nëse i referohemi shifrave, për një banesë 6kt, me bazë të fiksuar të strukturës, përdorimi i izolatorëve sjell reduktimin e forcave sizmike me rreth 6 herë. Nuk mungon përvoja edhe në vendin tonë. Izolatorë sizmikë janë përdorur në një banesë me konstruksion beton arme në Tiranë (pranë pallatit me Shigjeta). Sjellja sizmike e kësaj strukture është mjaft e mirë, gjë që rezulton nga matjet e bëra gjatë shfrytëzimit të objektit. Kjo ndërtesë, referuar praktikës ndërkombëtare është nga më të sigurtat nga veprimi sizmik

Duhet të bëhen studime për vlerësimin sizmik të urave të ndërtuara para dhe pas viteve ’90. Kjo do të bënte përcaktimin e dëmtimeve të shkaktuara nga tërmetet e rëna apo faktorë të tjerë (gërryerjet e bazamentit nga lumenjtë). Firmat e ndërtimit, që operojnë mbi shtratin e lumit duke marrë inerte, ndryshimet klimatike dhe veçanërisht, sasia dhe intensiteti i shiut në periudha të ndryshme gjatë viteve kanë nxjerrë ne pah probleme të mëdha në gërryshmërinë e bazamenteve të këmbëve të urës.

Kjo ka bërë që të ketë ulje të strukturës, gjë që çon në shkatërrimin e veprës. Ndikim të ndjeshëm ka edhe tonazhi i pakontrolluar i mjeteve, që lëvizin mbi urë, duke krijuar goditje dinamike mbi strukturë.

Ndikim tjetër në aftësinë mbajtëse është edhe intensiteti i lëvizjes së mjeteve krahasuar me kushtet e projektimit para viteve ‘90. Të gjitha këto, duhet te merren parasysh në rikonstruksionin e urës.

Shqipëria zë vendin e 18-të në botë për numrin e digave të larta. Diga e Fierzës renditet ndër 150 digat më të larta në botë. Inspektimi shkencor, bazuar në Inxhinierinë Sizmike te digave është i domosdoshëm për sigurinë e strukturës, duke mos pritur të kemi dëmtime të dukshme.

Nga prova të markës së betonit në laboratorin “Albconsult 2” (i akredituar) ka ndodhur që, edhe në objekte para viteve ‘90, cilësia e betonit rezultoi brenda standardit. Betoni është materiali me “jetëgjatë”, nëse nuk ndodhet nën veprimin e kushteve agresive.

Duke gjykuar me bonsesin inxhinerik dhe në ekspertiza të bëra, mendoj që nuk duhet përgjithësuar mendimi, se ndërtimet tona para dhe pas viteve ‘90 janë të pasigurta. Por është e nevojshme, që të të gjitha strukturat, e veçanërisht ato të vjetruara, të ricertifikohen lidhur me aftësinë mbajtëse.

Për një cilësi të mirë, bazuar në përvojën ndërkombëtare, mendoj se duhet të ngrihet një institucion shtetëror studimor, me bazë hulumtimin shkencor, që të merret me studimin, inspektimin dhe ricertifikimin konstruktiv të veprave të ndërtimit.

August 25, 2018 15:51
Komento

1 Koment

  1. Duke Ardhur.... August 27, 08:49

    Te gjitha objectet, sidomos ato te rendesise se veçante ( spitale, shkolla, qendrat e emergjencave, etc) duhen vleresuar pasi do te jene keto objecte ku ne rast fatkeqesi do te kete grumbullime te njerezve. Keto objecte duhen te mbeten operacionale. Ka shume objecte ne Shqiperi qe nje sy elegant specialisti i kupton qe kane probleme ( psh ndertesa murature me hapje te pa kontrolluara) me aftesine mbajtese per te perballuar termete serioz. Gjithesesi ndaj mendim te kunderte me artikull-shkruajtesine, ne lidhje me kapacitetet e specialisteve shqiptare per vleresimin me korrektesi, sipas parimeve me te larta te objectivitet dhe pa ndikime te fatoreve te jashtem. Te berit nje master 2 vjeçar nuk te ben specialist ne fushen e vleresimit strukturor, ku nderkohe jemi te vetedijshem qe cilesia e studenteve te prodhuar ne fakultetet e inxhinierive ne Shqiperi eshte shume e dobet. Keshtu qe gjykoj qe vleresimi strukturor ne Shqiperi duhet te nis sa me pare, por duhet te thirren konsulent te huaj me eksperience reale ne vleresimin sizmik nga vende ku ka patur evente sizmike shkaterrimtare dhe ku cilesia e universiteteve eshte teper e larte si: Italy, Greqi, Turqi, New Zeland, Japan. Ne keto vende ka vertete specialiste te sprovuar(profesore te afirmuar ne sizmike) per vleresime reale, te drejta, sipas metodikave me bashkekohore. Shqiptaret duhet te qendrojne larg puneve qe lidhen me sigurine e jetes se qytetareve. Jane akoma tribu te uritura, ne simbioze te plote me te gjitha pushtetet korruptivo-mesjetaro-anakronik-terrorist-qesharako-deprisiv te Tiranes. Nuk ka specilist Shqiperia, shkenca e inxhinierise se ndertimit ne Shqiperi eshte ne nivele mjerane, po vdes. Nje pjese e specilisteve te afte jane ne moshe madhore, ne pension, jo aktiv, te terhequr nga skena e papershtatshme. Gongu bie per specialiste te tjere, jo per specialist real. Shijojeni shfaqjen: ” Tribute lokale te uritura kanibale”. Respect per njerzit e ndershem te Shqiperise, rrezet e vetme te drites per ate pak fotosinteze shprese ne Shqiperia.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*