Inspektori i ISHSH-së i shet librezat e shëndetit për 3 mijë lekë

May 16, 2016 20:51

Inspektori i ISHSH-së i shet librezat e shëndetit për 3 mijë lekë

Të gjithë personat që duan të pajisen me librezë shëndetësore, të cilët duan të punësohen në vende punë kryesisht shërbimi siç janë lokale, pastiçeri, restorante etj, e kanë fare të lehtë që të sigurojnë një librezë shëndeti.

Nuk është e nevojshme që të kryejnë disa vizita dhe kontrolle mjekësore tek mjeku I familjes, të vizitohen, të bëjnë analizë prokulture dhe të vizitohen nga mjeku i lëkurës. Marrja e këtyre 4 firmave për të nxjerr librezën shëndetësore kërkon kohë, por nëse takon inspektorin e duhur, sorollatjet marrin fund.

Nuk të duhet të kryesh asnjë analizë dhe vizitë mjekësore, por vetëm të paguash.  Gazetarët e “Fiks Fare” mësuan se në Institutin Shëndetësor Shtetëror është një inspektor që kundrejt pagesës të jep në dorë librezën e shëndetit dhe çdo lloj certifikate për të cilën ka nevojë një biznes.

Inspektori Elion Karaj të siguron librezën e shëndetit brenda ditës duke plotësuar edhe shënimet e mjekëve specialistë në librezë.

Gazetarët ju drejtuan këtij institucioni duke kërkuar inspektorin Elion Karaj. Pas takimit me inspektorin Karaj, gazetarët u prezantuan si pronarë të një lokali të cilët ligji i detyron të pajisin punëtorët me librezë shëndeti.

Gjatë bisedës inspektori ju tregon që për të dalë libreza e shëndetit ka një afat kohor prej 3 ditësh. Pyetjes së gazetarëve  nëse ka ndonjë mënyrë tjetër dhe më të shpejtë për të nxjerrë këtë librezë , inspektori Karaj u përgjigjet:

“Tashti, më i bo shkurt e shkurt, 2 libreza shkojnë 60 mijë lekë  ore“.  Pasi të dyja palët bien dakord për shumën që duhet paguar për dy librezat, inspektori I ISHSH kërkon të dhënat e personave për të cilët duhet të nxirren librezat e shëndetit. Ai gjithashtu u premton të interesuarve në fjalë , gazetarëve të fiksit, se brenda ditës librezat i kanë në dorë.

Pas dorëzimit të shumës prej gjashtë mijë lekësh të reja  në orën 12 :00 të mesditës , Karaj pohon se në orën 16:00 librezat do të jenë gati.  Por inspektori Karaj ka dyshimet e tij dhe u kërkon gazetarëve të Fiksit emrin e personit që I ka adresuar tek ai : “Kush ju adresoi ore, se po me vika çudi, ndaj po them”.

Ai tregon se është inspektor në ministrinë e Shëndetësisë dhe se ka ndihmuar shumë njerëz duke iu shitur librezat e shëndetit, ndaj dhe ka frikë se mos del në “Fiks Fare”.

Pas 4 orësh  gazetarët takohen sërish me inspektorin Karaj i cili ju dorëzon dy librezat shëndetësore në dorë të rregullta e me vulë të Autoritetit Shëndetësor Rajonal Tiranë.  Gazetarët e pyesin edhe për certifikatën e DDD-së ( dezinfektim,dezinsektim, deratizim) për lokalin, nëse inspektori  mund t’I ndihmojë për ta nxjerrë edhe këtë në mënyrën që nxorën librezat shëndetësore. Inspektori kërkon informacion për sipërfaqen e lokalit dhe pohon se e bën edhe DDD-në kundrejt katërmijë lekëve:

“Numrin e telefonit e ke”, shprehet ai.

Pra, lëshimi i Librezave personale shëndetësore për individët që kanë detyrim pajisjen me to – kompetencë kjo e Inspektoratit Shëndetësor, nuk bëhet kundrejt tarifës shtetërore prej 500 lekë të rinj për çdo librezë, por lëshohen me pagesa në dorë , duke anashkaluar ekzaminimet mjekësore që kërkohen sipas rregullores në fuqi.

Rruga ligjore për t’u pajisur me librezën shëndetësore, e cila duhet të ripërtërihet çdo vit që nga data e nxjerrjes së saj, personat duhet të jenë klinikisht të shëndoshë, gjë që vërtetohet me tre vizita që ata duhet të kryejnë, te mjeku i mushkërive, te dermatologu dhe te mjeku i përgjithshëm i familjes.

Po kështu, duhet të bëhet edhe koprokultura (analizë feçe) e cila kryhet pranë Autoritetit Rajonal Shëndetësor. Me kryerjen e këtyre ekzaminimeve shëndetësore, të interesuarit duhet t’i dorëzojnë ato pranë Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, duke paguar edhe një tarifë  shtetërore 500 lekë.

Por inspektori i ISHSH anashkaloi të gjitha këto procedura dhe lëshoi dy libreza shëndetësore që mbajnë datat e vizitave mjekësore tek mjekët, dt e dorëzimin të analizës së koprokulturës dhe dy numra librezash 7356 dhe 7357.

May 16, 2016 20:51
Komento

1 Koment

  1. rolando May 17, 09:15

    Ti thua qe behen per 500 leke ne vend te 3000 qe mer ky por njerezit nuk jane budallenj sepse e dine mire qe te besh tre vizita,te besh dhe analizen shkon me shume se 3000 leke dhe don me shume kohe.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*