Kosto e ndërtimit ulet, por çmimet e banesave rriten?

September 6, 2016 15:46

Kosto e ndërtimit ulet, por çmimet e banesave rriten?

Kostot e ndërtimit të banesave rezultojnë të jenë ulura  në pjesën e parë të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në tremujorin e dytë 2016 ndryshimi vjetor i indeksit të kushtimit në ndërtim (për banesa) është -0,2 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 0,4 %, raportoi INSTAT.

Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2015, uljen më të madhe e ka patur grupi “Shpenzime  transporti” me 3,5 %, pasuar nga grupi “Shpenzime për energji” me 0,4 %, sipas INSTAT.

Por, për ndërtuesit sektori i ndërtimit paraqet një panoramë krejt tjetër. Sipas tyre, kostoja e ndërtimit është rritur mesatarisht 6-8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Luigj Aleksi, ndërtues dhe përfaqësues i Shoqatës së Ndërtuesve, thotë se sektori i ndërtimit po përballet me një mungesë të plotë të kërkesës dhe se shitjet janë afër nivelit zero, por shton se në Tiranë, çmimet janë në nivelet që përcakton tregu.

Ndërsa ndërtuesi Hajredin Fratari thotë se shkaqet krysore që kanë ndikuar në rritjen e çmimeve të banesave janë dhjetëfishimi i Taksës së Infrastrukturës që i paguhet bashkisë, shtrenjtimi i çmimeve të materialeve të ndërtimit, niveli i lartë i çmimit të karburantit, i energjisë elektrike si dhe i kostos së punës.

Kostot e ndërtuesve janë rënduar nga aplikimi i taksës së banesës mbi inventarët. Tani ndërtuesit paguajnë taksën e banesës për objektet e përfunduara, të cilat ende nuk janë shitur.

Përpos kësaj takse, në fillim të këtij viti, taksa e ndikimit në infrastrukturë është rritur në 8% të çmimit të shitjes nga 4% e kostos që ishte më parë. Dyfishimi nga 4 në 8%, por edhe ndryshimi i bazës së llogaritjes nga kosto në çmimin e shitjes ka rritur ndjeshëm barrën fiskale.

P.sh. një ndërtues, që shet apartamente me 900 euro/m2 dhe ka kosto ndërtimi prej 500 euro/m2, më parë paguante taksë infrastrukture 20 euro/m² (500 euro/m2*0.04), ndërsa tani do të duhet të paguajë 72 eur/m2 (900 euro/m2*0.08), apo 3.6 herë më shumë.

Ndërtuesit thonë se për banesa në periferi, rritja e çmimit përllogaritet në rreth 50 euro/m².

Sipas raportit më të fundit të Bankës së Shqipërisë, Indeksi i Çmimit të Banesave në tremujorin e parë u rrit me rreth 11.3% me bazë vjetore.

September 6, 2016 15:46
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*