Instinkti vetëmbrojtës i PS sipas Pëllumbit

April 19, 2015 01:29

Instinkti vetëmbrojtës i PS sipas Pëllumbit

Një nga figurat më përfaqësuese të së majtës, ish-kryetari i Parlamentit Servet Pëllumbi thotë se forumet partiake tradicionale të PS-së në qendër dhe në rrethe janë kthyer në formale apo fiktive.

Ai merr në analizë dukuritë e reja në funksionimin e “partive si lëvizje” në epokën e rrjeteve sociale dhe internetit, por thekson një dobësi të liderimit të sotëm në PS: asgjë nuk mund t’i zëvendësojë kontaktet e gjalla me njerëzit…!

Më poshtë një pjesë nga analiza e prof.Pëllumbit në një intervistë në revistën Java që është rimarrë sot nga Dita:

“…Sot në kohën e internetit dhe të rrjeteve sociale ka të tjera mundësi në drejtim të zgjerimit dhe të përdorimit të demokracisë të drejtpërdrejtë dhe të zëvendësimit të strukturave fikse partiake me lëvizjet që funksionojnë në formë klubesh, bashkësish me “anëtarësi të lëshuar”, apo edhe iniciativash qytetare në vartësi të problemeve, situatave etj. që s’kanë nevojë as për struktura e drejtues permanentë, sepse veprojnë sipas parimit “lësho-grumbullo”.

Një funksionim i tillë është joshës, më i shpejtë, më dinamik dhe më fleksibël, por baza e partisë tek ne nuk e njeh dhe as janë bërë hapa për t’ia bërë të njohur të mirat dhe mangësitë e modeleve të tilla.

Po ashtu, mendoj, se ka ardhur koha e rinovimit edhe e rregullave statusore që t’i jepet fund, sa më shpejtë që të jetë e mundur, praktikës së ekzistencës formale apo fiktive të forumeve partiake tradicionale si asambletë në qendër dhe në rrethe që as mblidhen dhe as pyeten për gjë. Për më tepër që nuk është e qartë se me çfarë do të zëvendësohen.

Për pasojë anëtarët e tyre shpesh irritohen nga kjo aq sa thonë: “ka marrë fund Partia Socialiste” (!) prandaj kanë filluar të priren drejt “vetëgjyqësive” duke u larguar nga PS-ja. Ndërkaq, pa injoruar dukuritë e reja në funksionimin e “partive si lëvizje”, nuk duhet harruar kurrsesi, se asgjë nuk mund t’i zëvendësojë kontaktet e gjalla me njerëzit…!”

Pëllumbi vlerëson qeverinë për përballimin e krizës ekonomike që la pas qeverisja e PD si dhe jep nota maksimale për qëndrimet e fundit të kreut të ekzekutivit Rama lidhur me çështjen e Kosovës.

Por ai është shumë kritik lidhur me mënyrën si u zgjodhën kandidaturat për zgjedhjet e 21 Qershorit dhe shpreson që arbitraritetin e kryetarëve ta zëvendësojë ai që Pëllumbi e quan “instikti vetëmbrojtës” i PS-së.

“Organizatat, kryesitë dhe asambletë në PS nuk u pyetën si duhet as për kandidaturat e 61 bashkive të ardhshme. Mungon transparenca dhe kjo ka shkaktuar probleme serioze në raportet e qendrës me bazën e partisë. Mbetet për të shpresuar tek “instikti vetëmbrojtës” i PS-së dhe i elektoratit të saj, masiv dhe i qëndrueshëm!…”

***************

*E plotë mund të lexohet në JAVA

April 19, 2015 01:29
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*