Insulti cerebral, 7 këshilla si mund të parandalohet

December 7, 2017 21:28

Insulti cerebral, 7 këshilla si mund të parandalohet

Pranvera Kola-DITA 

Pjesa dërrmuese e insulteve cerebrale mund të parandalohen. Për këtë mjafton ndjekja e disa këshillave praktike gjatë përditshmërisë, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me ndryshimin e stilit të jetesës. Është kjo këshilla që japin bluzat e bardha të QSUT-së, sipas të cilave, kjo sëmundje është shfaqur në rritje në masë gjatë kohëve të fundit edhe në vendin tonë.

Sipas të dhënave të raportuara nga strukturat ndërkombëtare të shëndetit rezulton se 1 në 6 persona mund të pësojë insult cerebral gjatë jetës. Sëmundja që njihet në gjuhën e përditshme si “goditja në tru” ndodh kur qarkullimi i gjakut në tru ndërpritet dhe për pasojë qelizat e trurit në këtë zonë fillojnë të vdesin nga mungesa e oksigjenit dhe lëndëve ushqyese. Masa dhe vendndodhja e qelizave të dëmtuara përcaktojnë shkallën e goditjes, e cila nëse nuk kapet në kohë mund të shkaktojë dëmtime të pakthyeshme të trurit, deri në humbje të jetës.

Sa i takon simptomave paralajmëruese, mjekët thonë se ndihma duhet të jetë e menjëhershme sapo të vëreni shenja të tilla si: “Mpirje ose humbje të ndjeshmërisë në fytyrë, krahë ose këmbë, veçanërisht në njërën anë të trupit, probleme me të folurin ose të kuptuarit. A është e folura jo e kthjellët?

Gjithashtu shoqërohet edhe me probleme në shikim që mund të prekin njërin apo të dy sytë, probleme në ecje, humbje të ekuilibrit, dhimbje koke pa shkak të përcaktuar. Ndaj sa më shpejt të drejtoheni tek mjeku kur keni simptomat e mësipërme, aq më të larta janë mundësitë tuaja për t’u shëruar nga pasojat e rënda që mund të lërë një insult cerebral. Duke qenë se shumica e insulteve janë të parandalueshme, në vijim të shkrimit po listojmë 7 rregullat e arta se si mund të reduktoni rrezikun për t’u prekur nga kjo sëmundje.

Kontrollo presionin e gjakut

Sipas mjekëve të QSUT-së, ju e keni në dorë vetë për të parandaluar rrezikun për ndodhjen e insulteve cerebrale, duke kontrolluar vazhdimisht presionin e lartë të gjakut, çka mund të arrihet nëpërmjet një stili të shëndetshëm jetese, që ka të bëjë kryesisht me kujdesin për ushqimin që duhet të konsumoni gjatë ditës, si dhe të qëndruarit aktiv.

Konkretisht, rezulton se 1 në 3 persona vuan nga presioni i lartë i gjakut, që është faktor risku madhor për ndodhjen e  insulteve. Ndaj ky presion gjaku duhet që të mbahet vazhdimisht nën kujdes. Për njerëz mbi moshën 18 vjeç presioni normal i gjakut konsiderohet në shifra më të ulëta se 120/80.

Megjithatë, kjo varion në disa raste për shkak të stresit ose të aktivitetit fizik. Një presion gjaku që vazhdimisht është më shumë se 120/80 deri në 139/89 është konsideruar si para-hipertension. Kur presioni i gjakut është 140/90 ose më i lartë, personi vuan nga hipertensioni. Mateni presionin e gjakut të paktën një herë në vit. Në qoftë se keni ndonjë histori të presionit të lartë të gjakut, në qoftë se keni pasur ndonjë atak në zemër, në qoftë se jeni diabetik, në qoftë se keni kolesterol të lartë ose jeni mbi peshë , atëherë duhet ta matni më shpesh presionin e gjakut. Flisni me mjekun e familjes për ta kontrolluar presionin e gjakut.

Kontrolli i çrregullimeve në rrahjet e zemrës

Aritmia arteriale është një mënyrë e rrahjes jo të rregullt të zemrës. Dy dhomat e sipërme të zemrës rrahin shpejt dhe në mënyrë të pa parashikuar, duke shkaktuar sasi gjaku të mbledhur dhe një formë potenciale për mpiksje. Në qoftë se mpiksja udhëton nga zemra në tru, atje mund të shkaktojë një insult. Mjeku juaj mund ta dallojë aritminë duke ju kontrolluar me kujdes pulsin tuaj. Megjithatë kini parasysh se edhe pse pulsi juaj mund të jetë i çrregullt, kjo nuk do të thotë domosdoshmërish se ju keni aritmi. Këtë mund ta saktësoni nëpërmjet ekzaminimeve të mëtejshme me një kardiolog.

Si duhet të jenë vlerat e kolesterolit

Një tjetër këshillë që japin mjekët është edhe kontrolli i kolesterolit (yndyrat). Sipas tyre duke e mbajtur këtë nën monitorim ju do t’i jepni shansin artereve tuaja për të mos u bllokuar, çka do të çonte në furnizimin e plotë të trurit me gjak.

Shkalla e kolesterolit (yndyrave) nuk duhet të kalojë 200. Ju jeni në risk për goditje ne tru nëse testi për shkallën e kolesterolit tregon më tepër se 240. Një nivel kolesteroli midis 200 dhe 239 ju vendos ju në rrezik.

Ulja e kolesterolit mund të reduktojë rrezikun për goditje në tru. Kolesteroli mund të kontrollohet nëpërmjet një diete dhe aktivitetit fizik, disa herë kjo mund të kërkojë medikamente. Depozitat e yndyrave mund të bllokojnë arteriet të cilat transportojnë gjak nga zemra në tru. Ky lloj bllokimi nëse lihet i pa trajtuar, mund të shkaktojë goditjen në tru. Kujdes në këtë rast duhet të bëjnë edhe diabetikët, të cilët duhet të konsultohen herë pas here me mjekun e tyre për regjimin ushqimor që duhet të ndjekin.

Të qëndruarit aktiv

Kryerja e aktivitetit fizik është gur themeli në parandalimin e shumë sëmundjeve. Këshillohet që të bëhet të paktën 30 minuta aktivitet fizik në ditë përgjatë pesë ditëve të javës, e cila është diçka e arritshme për të përmirësuar shëndetin e zemrës tuaj. Në këtë formë do të shmangni problemet me arteriet, si dhe furnizimin e trurit me gjak. Të rriturit duhet të përfshihen domosdoshmërish në aktivitet fizik me intensitet të moderuar për të paktën 30 minuta në pesë ose më shumë ditë të javës. Ushtrimet fizike mund ta reduktojnë rrezikun për goditje të trurit. Para se të filloni një program fizik për trupin tuaj në fillim konsultohuni me mjekun tuaj të familjes për intensitetin me të cilin duhet të kryeni aktivitetet sportive.

Humbisni në peshë dhe ushqehuni shëndetshëm

Rreth 70 për qind e të rriturve në ditët e sotme janë mbipeshë. Obeziteti është faktor risku për kalimin e insulteve cerebrale. Në këto kushte, personat që janë mbipeshë duhet që të konsultohen me mjekun e tyre për të marrë udhëzimet e duhura për parandalimin e rrezikut për zhvillimin e insulteve dhe sëmundjeve të tjera të zemrës. Këshillohet të ndiqni një dietë të shëndetshme të pasur me fruta dhe perime, dhe me pak kripё, për të pasur një shëndet sa mё tё mirё, si dhe për tё mbajtur në normë presionin e gjakut. Mos  harroni të zvogëloni sa më shumë sasinë e kripës. Rekomandohet që marrja e kripës të zvogëlohet në më pak se 5 gram në ditë për të zvogëluar rrezikun e ishemisë. Kripa rrit presionin e gjakut në organizmin tonë. Sa më i lartë presioni i gjakut, aq më shumë shtohen mundësitë e sëmundjes së insultit cerebral.

Redukto sheqerin në gjak

Dihet tashmë  që sheqeri në gjak është një tjetër faktor risku për zhvillimin e kësaj sëmundjeje. Sipas mjekëve, të rriturit diabetikë janë 2 deri në 4 herë më të prirur që të vuajnë nga sëmundje të zemrës, apo insulti cerebral, si shkak i mosmbajtjes nën monitorim të nivelit të sheqerit në gjak.

Ndalo pirjen e duhanit

Duhani është faktor risku, pasi është një nga armiqtë kryesor të enëve të gjakut. Me ndërprerjen e duhanit, ka mundësi që të zhduken edhe efektet e tij të dëmshme. Nuk është kurrë vonë për të ndaluar duhanin.  Këshillohet të evitoni ambientet me tym duhani. Nëse jeni duhanpirës, bëni të pamundurën për ta lënë sa mё shpejt atё. Mësoni të dalloni shenjat e ishemisë. Sa më pak alkool tё konsumoni, aq më mirë ёshtё pёr shëndetin tuaj.

December 7, 2017 21:28
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*