Integrimi në BE, bllokimi absurd i Bosnjës  

July 25, 2014 14:00

Integrimi në BE, bllokimi absurd i Bosnjës  

Teksa vëzhgon panoramën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE, Serbia dhe Mali i zi duket se janë shkëputur duke u distancuar ndjeshëm. Këtij grupimi i është bashkëngjitur edhe Shqipëria me marrjen e statusit të vendit kandidat. Grupimi i dytë Maqedoni, Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë po përparon më ngadalë dhe Maqedonia dhe Bosnja janë tërësisht të bllokuara. Maqedonia ka ngecur për arsye, që dalin jashtë kritereve të kërkuara nga BE, në një marrëdhënie dypalëshe, për hir të problematikës së emrit, që imponon Greqia. Ndërsa situata në Bosnjë, tërheq më shumë vëmendjen, pasi bllokimi i saj nga BE, ekspozon një karakter të paprecedentë në historikun e zgjerimit, duke imponuar kushte, që edhe në shumë prej vendeve të saj anëtare, ato konsiderohen ende si problematike.

Megjithëse Marrëveshja e Stabilizim Asocimit me Bosnjën, është nënshkruar që në vitin 2008 dhe e ratifikuar në 2011, ajo nuk ka hyrë ende në fuqi. Këshilli, nuk ka pranuar të marrë vendim për futjen në fuqi të saj, duke nxjerrë si argument, dështimin në implementimin e vendimit mbi çështjen “Sejdic-Finci”, të Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut. Ky argument ka bllokuar edhe mundësinë për një aplikim anëtarësimi të Bosnjës në BE.

Raport progresi i fundit i Komisionit Europian mbi Bosnjën, argumenton në lidhje me këtë çështje se,  detyrimet ndërkombëtare për zbatim të vendimit të GJEDNJ, nuk janë plotësuar. Pavarësisht përpjekjeve thjeshtëzuese intensive nga BE, liderët e BH nuk kanë mundur të arrijnë në një marrëveshje, se si të adresojnë këtë çështje. Raporti vazhdon më tej duke sqaruar se, ndonëse disa angazhime pozitive janë ndërmarrë, liderët politikë nuk arritën dot të mbajnë ritmin e angazhimeve, duke mos arritur në ndonjë rezultat të dukshëm.

Çështja “Sejdic-Finci” 

Çështja e shumë përfolur “Sejdic-Finci”, e ka origjinën në ankimimin e dy shtetasve të Bosnjës në Gjykatën Europiane të Drejtave të Njeriut, në muajin korrik dhe gusht 2006. Ankimimi bazohet në shkeljen e nenit 34 të Konventës, për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, pasi për shkak të origjinës së tyre, përkatësisht rome dhe çifute, ato janë penguar të jenë kandidatë në zgjedhjet e Dhomës së popullit dhe në presidencën e Bosnjë- Hercegovinës (ref. Neni 3; 13; 14 i Konventës dhe neni 3 i Protokollit n°1 dhe neni 1 i Protokollit n° 12). 

Kushtetuta e Bosnjë-Hercegovinës, e cila është një aneks i Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit e nënshkruar më 1995, i cilëson boshnjakët, kroatët dhe serbët si « popuj përbërës », duke imponuar në njëfarë mënyre zgjedhjen apo kandidimin në poste të larta shtetërore, nëpërmjet specifikimit të përkatësisë së personave, në një prej tre popujve përbërës. Kjo logjikë formulimi në atë periudhë post konflikti të ashpër dhe një gjenocidi të spastrimit etnik, vlerësohet se merrte parasysh objektivin për rivendosjen e paqes, nëpërmjet njohjes së tre popujve përbërës, duke anashkaluar specifikimin e bashkësive të tjera, si ato rome dhe çifute.

Në dhjetor 2009 GJEDNJ vendosi, se parakushti për deklarimin e përkatësisë si serb, kroat apo boshnjak, dhunonte nenin 1 të Protokollit 12 të Konventës Europiane të Drejtave të Njeriut. Që prej këtij momenti, zbatimi i detyrueshëm këtij vendimi është vënë në fokus të diplomacisë evropiane, duke shkaktuar edhe bllokim të perspektivës së mëtejshëm të integrimit të vendit në BE.

Komisioneri për Zgjerim Stefan Fyle do të deklaronte gjatë vizitës së tij në Sarajevë ne muajin shkurt të këtij viti, se ishte thellësisht i zhgënjyer, pasi zbatimi i këtij vendimi ishte një detyrim ndërkombëtar për Bosnjën dhe sipas vullnetit të shteteve anëtare ky është tashmë çelësi i progresit në rrugën evropiane, si për hyrjen në fuqi të MSA-së, por edhe për aplikimin e anëtarësisë së Bosnjës për në BE.

Por, logjika e bllokimit të Bosnjës me argumentin, se ajo po thyen detyrimet e saj ndërkombëtare, duke mos zbatuar vendimin e GJEDNJ-së, ekspozohet si mbartëse e elementëve hipokritë, pasi BE po kërkon bllokimin e Bosnjës mbi baza, të cilat nuk zbatohen as në disa prej vendeve të saj anëtare. Ky është edhe konkluzioni i raportit të Iniciativës Evropiane të Stabilitetit (ESI), i cili saktëson se legjislacione si ai që aktualisht funksionon në Bosnjë njohin edhe vende anëtare të BE-së, si Belgjika, Qipro dhe Italia (Tiroli i Jugut). ESI i rekomandon BE-së, të mos bllokojë përparimin e Bosnjës drejt BE-së me zbatimin e detyrueshëm të këtij vendimi, duke e shndërruar në kusht, por të lërë hapësirë për zbatimin gradual të saj përgjatë rrugës integruese evropiane.

Faktikisht, pavarësisht kuadrit ligjor, që imponon zbatimi i vendimeve të GJEDNJ-së, ajo që konstatohet edhe në disa prej vendeve anëtare të BE-së, është një zvarritje në kohë ndaj aplikimit të mundshëm të tyre. Aktualisht nëse vëzhgon në faqen online të GJEDNJ, vendet e listuara për mos zbatim të vendimeve aty bëjnë pjesë dhe një sërë shtetesh anëtare të BE-së, si Belgjika, Gjermania, Italia, Rumania, Greqia, Republika Çeke, Polonia apo dhe Britania. Një situatë vonese në zbatim, e cila prodhohet edhe për hir të rezistencës së aktorëve të brendshëm politikë dhe institucionalë, që preken nga këto vendime.

Për të mos u larguar shumë nga Brukseli, po përmendim rastin e vendimit të GJEDNJ mbi çështjen “Salduz kundër Turqisë” 2008, që në thelb ka të bëjë me detyrimin ligjor të prezencës së një avokati, që prej momentit të ndalimit nga autoritetet policore. Në Belgjikë procedura penale nuk e parashikon prezencën e një avokati gjatë marrjes në pyetje dhe një i ndaluar nuk ka të drejtën për avokat përgjatë 72 orëve. Belgjika si një prej vendeve anëtare të Këshillit të Europës, që ka detyrimin ligjor të aplikojë këtë vendim në legjislacionin kombëtar, po përballet me një rezistencë të vazhdueshme për mos zbatim tërësor të tij. Nga njëra anë gjykatat e nivelit të ulët vazhdonin të mos e konsideronin shkelje, mos prezencën e avokatit gjatë marrjes në pyetje, duke u bazuar në logjikën se e drejta për barazi nuk është cenuar pasi vendimi nga gjykata bazohet edhe në prova të tjera, përtej deklaratave të bëra pa prezencën e avokatit. Nga ana tjetër, kjo situatë shoqërohej edhe me një reagim mediatik, që favorizonte bllokimin e hapësirës për të drejtën ligjore të prezencës së një avokati, nën pretekstin se tashmë kriminelët e dyshuar do të lirohen, duke orientuar opinionin publik drejt një frike të palogjikshme.

Një sërë ndryshimesh filluan të aplikohen, por që mbartnin absurditet ligjor, për sa i përket formës së zgjedhur: si psh. lejimi i prezencës së një avokati në seancën e pyetjeve, por që nuk kishte të drejtën e fjalës dhe se duhet të ulej mbrapa të dyshuarit, për të mos pasur kontakt vizual me të. Apo e drejta për avokat vetëm nëse je i dyshuar, por jo, nëse pyetesh në cilësinë e dëshmitarit në lidhje me një dosje. Ose e drejta për t’u konsultuar përpara pyetjes me një avokat, i cili gjatë seancës së pyetjes nuk do të ketë të drejtën e fjalës dhe kjo konsultë vlen vetëm për seancën e parë të pyetjeve dhe jo të seancave të tjera, që vijojnë. Apo mohimi i rolit aktiv të tij duke e pozicionuar thjesht në role të pjesshme pasive. Tentativa këto, që shfaqin një rezistencë për aplikim të vendimit të GJEDNJ-së, duke garantuar në njëfarë mënyre prezencën e avokatit, por duke shmangur rolin thelbësor të tij. Në këtë përpjekje të gjatë në kohë akoma të papërfunduar tërësisht, nuk po llogarisim vështirësitë teknike të një vendi, që nuk e ka njohur më parë aplikimin e kësaj procedure, si edhe koston e lartë financiare me të cilën ajo shoqërohet.

Panorama e mësipërme, vlen si një procedurë analoge, për të kuptuar në njëfarë mënyrë vështirësitë aktuale që Bosnja njeh në aplikimin e vendimit të GJEDNJ-së, i cili është shndërruar në çelësin kryesor të integrimit të saj në BE. Me një memorie të ngarkuar historike, që përcjell edhe vështirësitë përkatëse në funksionimin politik dhe gjetjen e konsensusit mes forcave politike, zbatimi i këtij vendimi nuk është edhe aq i thjeshtë. Kur një vend demokratik i zhvilluar si Belgjika, njeh rezistencë të fortë dhe përplasje të aktorëve të ndryshëm institucionalë dhe politikë, duke çuar në një zvarritje prej vitesh të aplikimit të qartë të vendimit të GJEDNJ-së, që buron nga çështja “Salduz”, sigurisht që për Bosnjën, presioni evropian për zbatim të menjëhershëm të tij, duke bllokuar tërësisht perspektivën evropiane, ekspozohet si tejet absurd. Është i padiskutueshëm, se zbatimi i këtij vendimi, është tejet i rëndësishëm për Bosnjën, pasi prek kuadrin e respektimit të drejtave të njeriut dhe minoriteteve. Por, logjika bllokuese e BE-së mbart një karakter artificial, kur paralelisht në shumë prej shteteve anëtare të saj, ky fenomen nuk përbën veçse një  normë të zakonshme ligjore. Alternativa zhbllokuese, përtej konsensusit politik të Bosnjës, sigurisht që varet edhe nga vullneti i BE-së, për të mos penalizuar një vend, bazuar mbi filozofinë e aplikimit të standardeve të dyfishta. Kjo do të përbënte dhe një vlerë të konsideruar morale në historikun e zgjerimit, sidomos ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor./im.ta/

 

 

 

July 25, 2014 14:00