Inteligjenca emocionale dhe si të jemi të suksesshëm duke e përdorur atë

January 11, 2019 11:34

Inteligjenca emocionale dhe si të jemi të suksesshëm duke e përdorur atë

Entela Resuli

Të gjithëve na ka ndodhur të takojmë njerëz të suksesshëm që në fakt nuk na janë dukur shumë inteligjent për arritjet që kanë pasur. Dhe habia të shoqëron ndërsa mendon për arritjet e tyre…Por ata nuk qenkan pa gjë!

Sot do flasim për inteligjencën emocionale, e cila për shumicën e njerëzve është më e rëndësishme sesa vetë inteligjenca në arritjen e suksesit në jetë dhe karrierë.

Për të qenë më konkret, inteligjenca emocionale është aftësia për të kontrolluar vetveten dhe emocionet tona, duke i vënë ato në komunikim me të tjerët.

Nuk është e lindur dhe nuk bën pjesë tek “karakteri”, siç beson shumëkush, por mund të ndërtohet dhe të rritet.

Shpesh suksesi ynë dhe suksesi i profesionit varen nga aftësia jonë për të lexuar sinjale të njerëzve të tjerë dhe për të reaguar në mënyrë të përshtatshme ndaj tyre.

Inteligjenca emocionale është diçka që të gjithë e posedojmë deri diku, por nuk mund të përcaktohet thjesht. Ajo ndikon në mënyrën sesi sillemi, si përshtatemi me situata komplekse sociale dhe sesi marrim vendime personale për të arritur rezultate pozitive.

Për të diskutuar mbi këtë temë, pasi besojmë se na prek të gjithëve për të kuptuar më tepër mbi veten, kemi folur me Eris Dhamon, pedagoge dhe lektore pranë Departamentit të Punës dhe Politikës Sociale në Universitetin e Tiranës.

Dhamo na jap një shpjegim profesional mbi inteligjencën emocionale, si dallohet ajo te njerëzit dhe se si mund të rritet dhe zhvillohet.

E kujdesshme në përzgjedhjen e termave, Dhamo na tregon më tepër mbi një aftësi që të gjithë e posedojmë, por jo të gjithë e përdorim.

Më poshtë një intervistë në Dita mbi Inteligjencën emocionale me Eris Dhamon.

-Eris, për inteligjencën emocionale kemi dëgjuar vonë, unë të paktën, a është një term që ka dalë vitet e fundit?

Inteligjenca emocionale (IE) është një koncept relativisht i ri, por që është studiuar me intensitet të lartë. Sot ne e përcaktojmë IE në dy drejtime kryesore, si aftësi (1) për të njohur, kuptuar dhe menaxhuar emocionet tona, dhe (2) si aftësi për të njohur, kuptuar dhe ndikuar emocionet e të tjerëve.

Në terma praktikë, kjo nënkupton të jemi të vetëdijshëm se emocionet mund të nxisin sjelljen tonë dhe të ndikojnë njerëzit (pozitivisht dhe negativisht) dhe të mësojmë se si t’i menaxhojmë këto emocione – si ato tonat ashtu edhe të tjerët – veçanërisht kur jemi nën presion.

-Me çfarë ka të bëj  inteligjenca emocionale dhe çfarë është në thelb?

Siç dhe e thamë inteligjenca emocionale i referohet aftësisë sonë për të identifikuar dhe menaxhuar emocionet, është komunikimi ynë me të tjerët ndërmjet ndjenjave. Është ajo “nuhatje” që ne kemi për të njohur dhe adaptuar mënyrën e të ndërvepruarit me emocionet, qofshin këto tonat apo të të tjerëve. Vlen të përmendet fakti se vetë emocionet janë çdo përvojë e ndërgjegjshme e karakterizuar nga një aktivitet mendor intensiv dhe një shkallë e caktuar kënaqësie apo pakënaqësie. Emocioni është shpesh i ndërthurur me humorin, temperamentin, personalitetin, pritshmëritë dhe motivim. Emocionet janë komplekse dhe përfshijnë komponente të ndryshme, të tilla si përvoja subjektive, proceset njohëse, sjellja shprehëse, ndryshimet psikofiziologjike dhe sjellja instrumentale.

Megjithëse ende midis studiueseve ka disa diskutime lidhur me atë që përbën inteligjencën e vërtetë emocionale, përgjithësisht thuhet se në të përfshihen të paktën tre aftësi: ndërgjegjja emocionale ose aftësia për të identifikuar dhe emërtuar emocionet e veta; aftësia për të shfrytëzuar këto emocione dhe t’i zbatojë ato në detyra si të menduarit dhe zgjidhja e problemeve; dhe aftësia për të menaxhuar emocionet, që përfshin rregullimin e emocioneve të veta kur është e nevojshme dhe nxitjen ose qetësimin e njerëzve të tjerë.

Komponenti i parë i inteligjencës emocionale është vetëdija e vetes që do të thotë, “të paturit e një kuptimi të thellë ndaj emocioneve, fortësive, dobësive, nevojave dhe orientimeve “(Goleman, 1995). Njerëzit të cilët zotërojnë këtë cilësi shmangin ekstremitetet e të qenurit shumë të rëndësishëm dhe jorealistë në shpresëdhënie. Për më tepër, këta njerëz e dinë se si ndikojnë ndjenjat e tyre dhe të të tjerët në performancën e tyre të punës.

Eris Dhamo

Komponenti i dytë i inteligjencës emocionale është vetë-rregullimi, që është një bisedë e vazhdueshme me veten, që na liron nga të qenit të burgosur të ndjenjave tona. Njerëzit që kanë shkallë të lartë të vetë-rregullimit kanë më shumë aftësi për t’u përballur me paqartësitë e një industrie avancuese sesa ata që kanë shkallë të ulët të vetë rregullimit. Njerëzit me nivel të lartë të vetë-rregullimit nuk marrin vendime të drejtuara nga sjelljet impulsive, vendime që lënë për të dëshiruar. Vetë-rregullimi do t’i ndihmojë individët të marrin vendime të qarta, të cilat mbajnë nën kontroll ndjenjat e tyre.

Komponenti i tretë i inteligjencës emocionale është motivimi, i cili shtrihet në dëshirën e thellë të brendshme për të arrirë sa mw tepër. Individët e motivuar duan të arrijnë përtej pritshmërive të tyre dhe të të tjerëve. Motivimi i bën njerëzit të nxiten drejt rrugëtimeve të reja; prandaj ata vazhdimisht hulumtojnë horizonte të reja për të gjetur mënyra më të mira për të bërë punët e tyre. Njerëzit me motivim të lartë mbeten optimistë edhe pse kanë përjetuar dështim apo pengesë. Personi i motivuar është i përkushtuar që të ketë sukses në qëllimet dhe objektivat e tij.

Komponenti i katërt i inteligjencës emocionale është ndjeshmëria, empatia që do të thotë të jesh i kujdesshëm dhe i vetëdijshëm për ndjenjat e të tjerëve. Individët empatik janë gjithashtu efektivë në ruajtjen e talenteve, sepse ata janë në gjendje të zhvillojnë vetveten raport me të tjerët.

Komponenti i fundit i inteligjencës emocionale është aftësia sociale. Individët përdorin miqësinë dhe mirëdashësinë e tyre në mënyrë që njerëzit të bëjnë atë që ata duan. Individi social është një bindës i efektshëm.

-A e kanë të gjithë këtë dhe pse?

Po patjetër. Secili nga ne ka inteligjencën e vet emocionale, sikundër ka dhe çdo aftësi apo njohuri tjetër të diferencuar nga pjesa tjetër. Për shumicën e njerëzve, inteligjenca emocionale është më e rëndësishme sesa vetë inteligjenca në arritjen e suksesit në jetë dhe karrierë.

Aktualisht nuk ekziston një test apo shkallë vlerësimi e vlefshme për inteligjencën emocionale, siç është faktori “g” i inteligjencës së përgjithshme, dhe në fakt kjo që ka bërë që disa kritikë të pretendojnë se koncepti inteligjencë emocionale është ose skeptik ose tërësisht jo-ekzistues. Pavarësisht mungesës së një koeficienti të matshëm dhe të testueshëm, inteligjenca emocionale (ose “koeficienti emocional”, siç njihet ndonjëherë) ka njohje dhe përdorim të gjerë si në përditshmërinë shoqërore por së fundmi edhe në disa industri.

-A është e lehtë për t’u kuptuar, domethënë si ta kuptojmë që një njeri ka inteligjencë më të lartë emocionale se sa një tjetër. Nga dallojnë?

Si individë suksesi ynë dhe suksesi i profesionit sot varen nga aftësia jonë për të lexuar sinjale të njerëzve të tjerë dhe për të reaguar në mënyrë të përshtatshme ndaj tyre. Prandaj, secili prej nesh duhet të zhvillojë aftësitë e inteligjencës emocionale të nevojshme për të kuptuar më mirë, për të ndërvepruar dhe për të negociuar me njerëzit e tjerë, veçanërisht kur marrëdhëniet janë bërë më globale. Kjo do të na garantojë që suksesi do të na drejtojë edhe në jetën edhe karrierën tonë. IE jonë është niveli i aftësisë për të kuptuar njerëzit e tjerë, çfarë i motivon ata dhe se si të bashkëpunojmë më mirë dhe më suksesshëm me ta, thotë Howard Gardner, teoricieni më me ndikim në Harvard.

-Sa ndikon inteligjenca emocionale në profesionin tonë?

Jeta jonë e punës dhe karriera mund të ndikohen shumë nga IE. Vendet e punës, në parim, janë mjedise relacionale. Ato zakonisht janë një “tenxhere” për shkrirjen e personaliteteve, aftësive, pikave të forta dhe emocioneve të ndryshme, prandaj, IE është e ndërthurur në mënyrë të ndërlikuar në çdo vendim dhe veprim brenda vendit të punës.

Çdo ditë, në punën tonë ne marrim vendime të ngarkuara emocionalisht. Ne ndjejmë se plani A është më i mirë se plani B dhe ndonjëherë bëjmë zgjedhje bazuar në ndjenjat tona apo përjetimet. Kur e kuptojmë origjinën dhe burimin e këtyre emocioneve, ne do të jemi më të saktë në zgjedhjen e variantit më të suksesshëm, sidomos kur punojmë në ekip, ne kemi mundësi të jemi më shumë të harmonizuar me njëri-tjetrin. Me globalizimin, inteligjenca emocionale është më e rëndësishme se përherë e më tepër ne kemi të bëjmë me ekipe që janë ndër-kulturore dhe globale, duke rritur kompleksitetin e ndërveprimeve të emocioneve dhe mënyrën se si ato shprehen. Në thelb, inteligjenca emocionale në vendet e punës përdoret për të kuptuar, shprehur dhe menaxhuar, marrëdhëniet e mira dhe zgjidhjen e problemeve nën presion.

Në mënyrë të ngjashme, një nivel më i ulët IE mund të jetë i dëmshëm për vendin e punës. Në rastin më të keq mund të shihet në acarimin, bullimin dhe stafin e demotivuar. Ajo mund të paraqitet si pandjeshmëri, arrogancë, madje edhe agresion dhe paqëndrueshmëri. Ndërsa një IE e lartë do të lehtësojë fleksibilitetin, IE e ulët do të paraqitet në mënyrë tipike si jofleksibilitet dhe ngurtësi – një gjë e rrezikshme për çdo ndërmarrje.

Ajo që dallon liderët është zakonisht niveli i tyre i inteligjencës emocionale dhe janë pikërisht këto aftësi që ndihmojnë për të zhvilluar një vend pune më efektiv.

-Janë më mirë meshkujt apo femrat në këtë drejtim?

Duke qenë se femrat priren të jenë më emocionale dhe intime në marrëdhënie në krahasim me meshkujt, pritet dhe që inteligjenca emocionale e tyre të jetë më e lartë se ajo e meshkujve. Shoqëria është përgjegjëse për këtë, pasi është pikërisht ajo që socializon të dy gjinitë në mënyra të ndryshme dhe si të tilla edhe IE e tyre do zhvillohet në drejtime të ndryshme. Për më tepër, inteligjenca më e lartë emocionale e grave mund të shpjegohet edhe në aspektin e disa prej karakteristikave të personalitetit të tyre. Gjetje e studimeve të ndryshme kanë vënë re se vajzat kanë rezultate më të larta në lidhje me ndjeshmërinë, përgjegjësinë sociale dhe marrëdhëniet ndërpersonale sesa djemtë. Më tepët ndjeshmëria është gjetur në marrëdhëniet e tyre me prindërit, miqtë dhe vëllezërit e motrat. Të gjitha këto tipare i ndihmojnë ato të fitojnë më shumë inteligjencë emocionale në krahasim me djemtë. Ka studime të tjera që ofrojnë gjithashtu pasqyra të ndryshme për inteligjencën emocionale dhe dallimet gjinore. Rezultatet e të cilave tregojnë ekzistencë të një marrëdhënieje të rëndësishme midis inteligjencës emocionale midis meshkujve dhe femrave, ku, meshkujt rezultojnë të kenë inteligjencë të lartë emocionale kur krahasohen me femrat. Këto studime janë vetëm një gur në fushën e diferencave gjinore dhe inteligjencës emocionale.

A mund të mësohet IE?

Po! Inteligjenca emocionale nuk është e gjitha deri në anën “tjetër”, ajo është në vetvete një rrugëtim. Megjithëse është relativisht e qëndrueshme dhe nuk ndryshon shumë në vetvete, ajo absolutisht mund të përmirësohet me praktikë.

Vëmendësimi është një përgjigje e tillë; ne mund të përdorim vëmendjen për të ndërtuar dhe ruajtur inteligjencën tonë emocionale dhe kjo realizohet përmes rritjes së vetëdijes dhe vetë-rregullimit. Meditimi i ndërgjegjes ka treguar e ka bërë mrekulli në zvogëlimin ose eliminimin e shqetësimeve kur përballemi me situata të tensionuara.

Literatura sot ofron një shumëllojshmëri teknikash për përmirësimin e inteligjencës, por ato që do përzgjedh të ndaj me lexuesin tuaj mund të jenë:

  • Vëzhgimi i kujdesshëm se si reagoni ndaj të tjerëve, duke bërë përpjekje të bashkërenduara për ta vendosur veten në vendin e tyre dhe duke u zotuar që të jeni më të hapur dhe të pranoni perspektivat dhe nevojat e të tjerëve.
  • Merrni parasysh ambientin tuaj të punës dhe sjelljen në punë; nëse kërkoni vëmendje për arritjet tuaja, provoni praktikimin e përulësisë për atë që bëni dhe prisni të vëzhgoni
  • Angazhohuni në vetëvlerësim për të identifikuar dobësitë tuaja dhe sigurohuni që mund të merrni një pamje të ndershme të vetes tuaj, të asaj që ju jeni realisht.
  • Shqyrtoni se si reagoni ndaj situatave stresuese dhe punoni për të qëndruar i qetë, i përmbledhur dhe nën kontroll.
  • Merrni përgjegjësinë e veprimeve tuaja – kjo përfshin edhe përballjen me gabimet, duke kërkuar falje dhe duke u përpjekur që t’i bëni gjërat drejtë.
  • Shqyrtoni se si veprimet tuaja do të ndikojnë te të tjerët para se t’i ndërmerrni këto veprime dhe duke vënë veten nën këpucët e tyre për të kuptuar plotësisht pasojat e këtyre veprimeve.

Këto duhet të kemi parasysh në të gjithë rastet e ndërveprimeve tona, jo vetëm të sjelljeve por dhe te mendimeve dhe veprimeve. Duhet të na bëhen shprehi të përditshme vëmendësimi ndaj këtyre elementëve.

January 11, 2019 11:34
Komento

1 Koment

  1. MH January 11, 19:23

    Ishte viti 1969 kur ne emer te shokve shkova ne shtepin e Dilaver Pocit per te zgjidhur nji problem qe kerkonin shoket.Me te kersitur ne dere.Ne vend te dalin Z.Poci doli e shoqja.Pamja e saj ne pragune dhe mbrenda kornizes se deres me shtangu ne vend.Mu zu goja dhe nuk dija cfare ti thoshja.Mbas nji pauzet u ctensionova dhe i thash per cfare kam ardhur.Te nesermen kerkesa e jon ishte e zgjidheshme.
    Tashti nuk po di se sa e si ekziston IE ne kete rast.Po ama une mbeta shtang para bukurise magjepse te zonjes Poci.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*