Interpol po kërkon pronarin e zhdukur të Eccobet, frikë për përsëritjen e skemës së Belle Air në tregun e basteve

March 9, 2014 02:10

Interpol po kërkon pronarin e zhdukur të Eccobet, frikë për përsëritjen e skemës së Belle Air në tregun e basteve

Ngjan (jo pak) më luftën që bëri legjenda e drogës Pablo Escobar për të mos lejuar që një marrëveshje Kolumbi-SHBA për ekstradimin e tij të hynte në fuqi. Një vendim i Gjykatës së Apelit Vlorë i marrë në muajin maj 2013, ka shkelmuar marrëveshjen e lidhur mes Shqipërisë dhe Italisë, për ekstradimin e shtetasve të akuzuar për vepra penale në shtetin fqinjë. Në 20 shkurt u regjistrua rasti i lirimit nga qelia të shtetasit Gramos Murataj një personi nga Fieri, që njihet mirë në tregun e lojërave të fatit. Vëllezërit Murataj njihen si pronarët e kompanisë së basteve Eccobet.

 

Arratia

Gramos Murataj rezulton në kërkim pasi gjykata e Leçes në Itali e ka dënuar me 20 vite burg për trafikimin e heroinës dhe kokainës. Në datën 17 prill ky biznesmen arrin të lokalizohet dhe arrestohet nga policia e Vlorës. Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, ka miratuar kërkesën e prokurorisë, duke i thënë “po” ekstradimit të Muratajt në Itali. Por në 6 Maj 2013, arrin të dalë nga qelia. Si? Gjykata e Apelit Vlorë, e prishë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë. Burime pranë kësaj gjykate thanë se argumenti që togat e zeza kanë përdorur në këtë rast, është “mungesa e garancisë së palës italiane, lidhur me sigurimin e jetës në burgjet e këtij shteti” (!). Ky vendim caktonte masën e “arrestit shtëpiak” me argumentin se “nuk ka rrezik ikje”. Ç’ndodhi më pas? Shtetasi Gramos Murataj është zhdukur. Momentalisht ndaj Muratajt prokuroria e Vlorës ka ngritur akuzën e “Largim të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe dosja ndodhet në gjykim. Policia nuk ka asnjë të dhënë rreth vendndodhjes së këtij personi, ndërkohë që ekstradimi i tij në Itali, ka dështuar. Sipas burimeve të prokurorisë, pritet që në ditët në vijim të marrin kontakte me autoritetet italiane, për të rishikuar mundësinë e dërgimit të një kërkese të dytë, me objekt: “Njohjen e vendimit penal të huaj”. Nëpërmjet kësaj kërkese autoritet italiane do t’i kërkojnë gjykatës së Vlorës, që të njohë vendimin e dënimit me 20 vite burg për Gramos Murataj, të dhënë nga gjykata e Leçes në Itali. Autoritetet tregohen të rezervuara për rastin, për shkak se kompania Eccobet për shkak të këtyre problemeve mund t’u krijojë mungesë pagesash në rrethana jo të paralajmëruara klientëve, gjë që do krijonte amulli të ngjashme me një kompani ajrore disa javë më parë. Por një burim nga Interpol Tirana tha dje që shumë shpejt do bëhet njoftim zyrtar për të mbrojtur klientët që mund të vijojnë të hedhin baste në këtë kompani.

 

Venezuela

Gramos Murataj nuk mund të arrestohet nga policia e Shtetit me qëllim eksktradimi në Itali, përderisa Gjykata e Lartë ka vendosur të rrëzojë kërkesën për ekstradim. Sipas prokurorisë e vetmja mundësi arrestimi është ndalimi për çështjen e dytë të ngritur kundër tij, atë që lidhet me largimin e tij nga gjykata. Se cilin person ka liruar Gjykata e Apelit Vlorë, duke sjellë dështimin e ekstradimit të tij në Itali për shkak të arratisjes, e tregon një vendim i vitit 2011 i Gjykatës së Lartë të Vezuelës: Gjykata e vendit të Amerikës së Jugut duke shqyrtuar një çështje ekstradimi të një trafikanti polak që kërkonte drejtësia italiane, ka shtjelluar edhe veprimtarinë kriminale të Gramos Murataj.

Trafikanti vlonjat rezulton i përfshirë në një grup të madh droge, që trafikonte heroinë, hashash, marjuanë dhe kokainë në shumë zona të Italisë. Banda e drejtuar nga shqiptarët, kishte planifikuar të trafikonte drogë në Amerikën e Jugut dhe Kanada. Madje për të vënë në jetë planin, në Shqipëri ka mbëritur dhe një shtetas kanadez, me qëllim ndarjen e detyrave. Vendimi i Gjykatës Venezuliane, nxjer në skenë dhe një dokument të gjykatës së Leçes, e cila tregonte të gjithë dinamikën e veprimtarisë kriminale të këtij grupi. Mes personave të implikuar në këtë rrjet janë dhe shtetas italianë.Tepër aktiv tregohet dhe roli i vëllezërve Gramos dhe Besnik Murataj. Këta dy të fundit rezultojnë në Shqipëri të dy biznesmenë dhe aksionerë në një kompani bastesh sportive, që nga verifikimet ka rezultuar se quhet “Eccobet”.

Vendimi i Gjykatës së Lartë Venezuliane, ka marrë spunto nga një kërkesë për ekstradimin e shtetasit polak Piekarniak Tomazs, i cili është dënuar nga gjykata e Leçes me 9 vite burg. Vendimi është marrë nga gjyqtarët Ninishka Kuipo Brisenjo, Deyanira Nieves Bastidas, Blanca Rosa Mármol De Leon, Eladio Ramón Aponte Aponte, Héctor Coronado Flores Dhe Gladys Hernandez Gonzalez.

Deklaratë e gjyqtares venezueliane Në 24 mars të vitit 2011 u depozitua kërkesa për ekstradim e qyterarit polak Piekarniak Tomazs, datëlindja 11.2.1975 në Varshavë dhe rezident në Jesolo të Venecies, nga ana e Ambasadës së Italisë, që kërkohej nga prokuroria e Leçes. Ndaj këtij personi ishtë shpallur dënim me 9 vjet burg nga Gjykata e Leçes.

Sipas Gjykatës, ai kishte kryer krimin e shitjes së substancave narkotike në bashkëpunim me qytetarët: Agron Xhafaj, Ervin Qezi, Tomasz Piekarniak, Gramos Murataj, Besnik Murataj, Rino Gerardi, Altin Maci, Fadil Papa, Edison Sali, Orges Seferaj. Droga ishte e llojit heroinë, marihuanë dhe hashash. Sipas autoriteteve italiane, Fadil Papa, sillte në Itali drogën, duke e shitur edhe në Jug të Italisë, në zonën e Alentos. Një pjesë e drogës trafikohej në Venecia dhe Trevizo, ku operonte Besnik Murataj, në bashkëpunim me Tomasz Piekarniak, Rino Gerardi dhe Ervin Qezi. Ndërkohë në Bolonja operonin Agron Xhafaj dhe Orges Seferaj, në Parma, Altin Maci dhe në Imperia, Edison Sali.

Sipas hetimeve, qytetari polak Tomasz Piekarniak bënte pjesë në një grup të organizuar krimi, që ishte vërtetuar nga përgjimet telefonike. Ky grup importonte hashash, heroinë dhe  marihuanë nga Shqipëria dhe kishte planifikuar trafikim të heroinës dhe kokainës ndërmjet Italisë, SHBA, Kanadasë dhe Shqipërisë. Piekarniak përdori hashash dhe marihuanë për ta trafikuar nga Emilia Romanja e Italisë në Poloni përmes qytetarit shqiptar Besnik Murataj dhe atij kanadez Frank Morello, i cili kishte udhëtuar edhe në Shqipëri. Besnik Murataj ishte lidhur me italianin Paolo lo Sasso, që jetonte në SHBA dhe ishte shumë aktiv në shkëmbimin e kokainës të prodhuar në Amerikën e Jugut me heroinë që vinte nga Shqipëria, e destinuar për tregun amerikan.

 

Roli i kunatit

Fadil Papa, me pseudonimin Ndriçim Haxhiaj (Çimi) furnizonte drogat nga Shqipëria për në Salento, në Bolonjë e shiste Agron Xhafaj (Goni) me Orges Seferajn (Gesi), në Parmë Altin Maci (Miu), në Imperia Edison Sali (Soni) dhe në Venecia Besnik Murataj. Fadil Papa ishte kunati i Besnik Muratajt. Ky i fundit siguronte të gjitha drogat, sipas përgjimeve telefonike. Hetimet nxorrën në pah faktin se Besnik Murataj dhe Paolo lo Sasso, që ishte mik i Gramos Muratajt, vëllai i Besnikut, kishte realizuar shkëmbime heroine-kokainë. Më 2 dhjetor 2000 Frank Morello mbërriti në Venecia. Vëllai i tij Antony Morello ishte në Vlorë, ku më datë 4 u takua me Fadil Papën, që i gjeti një kg heroinë, por u arrestua nga policia shqiptare më 7 dhjetor 2000. Përgjimet konstatuan se ishte përfshirë në trafik babai i tij. Ndërkohë, Gramos Murataj, vëllai i Besnikut, doli nga burgu në Zvicër, ku mbahej për akuzën e tentativës së vrasjes dhe menjëherë  tentoi të trafikonte 40 kg heroinë, më 3 tetor 2001 në Stamboll. Nisur nga këto konstatime, autoritetet italiane kanë nxjerrë 16 urdhër arresti me burg për këta persona, të implikuar në trafikun ndërkombëtar të drogës:

urdher-arrestet

 

* * *

Shkatërrohen 680 pajisjet e konfiskuara nga Fundi i Marrëzisë

Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit bëri të ditur se me udhëzim të ministrit të Financave ka shkatërruar 680 pajisjet e konfiskuara në 3 muajt e fundit në sektorin e lojërave të fatit. “Konfiskimi u krye pasi subjektet e këtyre pajisjeve nuk dispononin nipt, nuk ishin të pajisur me lejen e ushtrimit të aktivitetit dhe certifikatën përkatëse. Në kuadër të planit të ri të masave, Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit po kryen çdo ditë kontrolle, ku si pasojë e aksioneve të vazhdueshme, në muajt janar-shkurt 2014 janë konfiskuar 325 makineri dhe pajisje të sektorit të lojërave të fatit.Vetëm në muajt nëntordhjetor 2013, kjo Njësi konfiskoi mbi 1500 pajisje, përafërsisht me të njëjtën sasi konfiskimesh të realizuara gjatë gjithë vitit 2012. Në këto 4 muaj të marrë së bashku janë vendosur gjithsej 60 gjoba me vlerë 300 mijë dollarë,” – thuhet në një njoftim zyrtar ku shtohet: “Ministria e Financave në bashkëpunim me institucionet e linjës është e angazhuar për t’i dhënë fund “marrëzisë” me lojërat e fatit në vend, ku informaliteti me mospagesat e taksave kishte përfshirë pjesën dërrmuese të sektorit. Ministria e Financave është duke hartuar një paketë të re ligjore, e cila do të kufizojë ekspansionin e këtij aktiviteti”.

 

Dogana: Kujdes me biletat te “Lotaria e Zenit” 

Një burim nga dogana bëri me  dije për DITA se Lotaria Austriake që organizon një lojë të quajtur 6 nga 39 po falimenton. Kjo Lotari është akuzuar në sallën e Kuvendit se ka dhënë rryshfet te familja Berisha për të miratuar një ligj që i jep asaj licensën e lotarisë publike shqiptare por edhe i siguron pozita monopoliste në treg. “Meqë janë paralajmëruar që për shkak të akuzave për korrupsion dhe ligjit krejtësisht të njëanshëm të miratuar nga ish-mazhoranca Berisha, licensa do t’u hiqet, lotaria në fjalë po bën përpjekje që në prag të mbylljes të përfitojë sa më shumë në faturën që do paraqesë pas shpalljes së  falimentit. Ajo është duke futur pajisje të vjetra lojërash fati me qëllim që pas anullimit dhe largimit nga Shqipëria ti paraqesë këto makineri të dala nga përdorimi si investime që duhen ripaguar nga shteti shqiptar. I njëjti burim doganor tha se qytetarët duhen lajmëruar në kohë për këto probleme, me qëllim që mos bien viktimë e blerjes së biletave të pavlefshme, sic ndodhi me Belle Air. 

Lojërat e Fatit dhe Familja Berisha 

Dihet tashmë që Shkëlzen Berisha dhe një grup i ngushtë i miqve të tij drejtonte dhe kontrollonte tregun e lojërave të fatit në Tiranë para 23 qershorit. Ish-drejtori i Njësisë së Certifikimit të këtyre lojrave Viron Bezhani, ka denoncuar në Prokurori  e media, fakte të rënda. Ndër të tjera, në një shkrim në DITA, z.Bezhani shkruante: “…Gjatë kohës që kam qenë drejtori i Njësisë së Certifikimit kam evidentuar disa raste të shkeljes së ligjit nga kompani të ndryshme që operojnë në treg dhe ia kam bërë me dije drejtori të përgjithshëm, z.Çobaj. Por nuk u mor asnjë masë administrativendaj këtyre subjekteve që shkelin ligjin me dy këmbë. Jo vetëm kaq, por në rastet kur unë nuk firmosja, pasi makineritë ishin me probleme, ka qenë z. Çobaj ai që ka firmosur nën emrin tim, duke lejuar hapjen e sallave të reja apo përdorimin e makinerive të jashtëligjshme. Për fat të keq, nuk merrej më as firma e institucionit për certifikimin e makinave, ose certifikoheshin makina enigmë…”

 

 

March 9, 2014 02:10
Komento

9 Komente

  1. andi March 9, 02:35

    po kur u be dhe gramozi biznesmen .e kam patur ne shkollen e mesme ne klase ,njeri pa nivel ka qene .besoj pas tij fshihen peshqit e medhenj

    Reply to this comment
  2. Moisiu March 9, 05:23

    Nuk eshte ndonje problem i madhe per leket qe duhet te ktheje G.Murataj,ato mund ti ktheje Gjykata e apelit,gjyqtaret qe dhane garanci qe i akuzuari nuk zhduket,personat dihen,te shesin vilat ,shtepite qe i kane bere me keto pislliqe dhe problemi mbyllet paster.Kerkojuani ketyre personat ,ato ne Vlore banojne ,neqoftese i doni ,po si deshet shkoni dhe jepuni dhe ndonje kafe nga ana juaj !

    Reply to this comment
  3. dajti March 9, 06:36

    Kjo eshte drejtesia me e korrutuar ne planet. Duhet te vijne te gjithe prokurore e gjykates nga jashte, mundesisht nga vendet nordike.

    Reply to this comment
  4. A March 9, 07:57

    A te s… gjykaten. Kelyshe laviresh te kryqezuar
    me zvarranike kanalesh.

    Reply to this comment
  5. cuci March 9, 08:16

    hajdute te te gjitha trevave te pd bashkohuni

    Reply to this comment
  6. nendetsja 105 March 9, 11:01

    Ne kete mesele si zakonisht eshte perfshire Gjinovefa Gaba e famshme ne keto 15 vitet e fundit, per rryshfete, per vendime gjygjesore haptas te pa drejta.etj.etj. Eshte proceduar edhe penalisht, por prape eshte gjykatese. Ne pushtet jane alternuar te majte e te djathte jane nderrua nja tre presidente dhe perseri Gjinovefa rryshfetxhija mbete gjykatese madje me ngritje. Nje zgjidhje per kete Gramozin ka. fare mire forcar speciale mund ta rrembejne, t’i vene nje thes nekoke dhe tia dorezojne financiereve italiane. Me helikopteret e finances italianeper 35 minutae kene aeroportin e Galatinos ne Itali. Ne raste te tilla drejtori mustaqelli Didi dhe ministri San Martino Tahiri fare mire mund te perdorin edhe mjete jo ortodokse per te zgjidhur situata te tilla.

    Reply to this comment
  7. skelari March 9, 18:50

    mire gramozi, po te tjeret perse buk i lene ne jeten e tyre?perse u permenden emrat dhe atyre qe ate denim e vuajten te gjithin?me kujdes keta gazetaret se nje denunce pe prishje imazhi edhte duke u perpiluar

    Reply to this comment
  8. dario March 9, 20:30

    Ky gazetar qe ka zene gjithe keto emra…ku eshte bazuar ne ligjin e privacy…me c,te drejte i shkruan kur te gjithe e kane bere denimin ne Itali,me cfare bazash prish imazhin e kompanise eccobet…Duhet nje denoncim per deshmi te rreme,privatesine e personave..imazhin e eccobet..qe ka mbi 15 vjet.ne treg.

    Reply to this comment
  9. Vektor March 10, 03:30

    Po vjen era ndryshim. Keto palo biznese nuk mund te kishin fund tjeter. Pervec profitit financiar dhe shpelarjes se parave objektiv tjeter i tyre eshte pershkallezimi i gjendjes mizerable te shoqerise ne te cilen operojne.
    KAPUT!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*