Intervista/ Ambasadori i Katarit: Shqipëria, një surprizë e bukur

May 15, 2019 11:53

Intervista/ Ambasadori i Katarit: Shqipëria, një surprizë e bukur

Entela Resuli

 Të vish nga Katari e të jetosh në Shqipëri duhet të jetë kontrast i madh. Por për ambasadorin e Katarit që shërben në Tiranë vendi ynë ka qenë një surprizë e bukur.

Ali bin Hamad Al Marri që prej shtatorit është emëruar ambasador i shtetit të Katarit në Shqipëri.

Gjatë këtyre muajve ai ka njohur më tepër vendin tonë duke vizituar pjesën më të madhe të qyteteve. Vlerëson natyrën dhe mikpritjen që na karakterizon.

Sipas tij Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të kthehet në një atraksion kryesor turistik në Ballkan.

Ambasadori siguron se marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë solide dhe u shpreh besimplotë se do të ketë forcim dhe rritje bashkëpunimi dypalësh në të ardhmen në dobi të të dy vendeve dhe popujve tanë.

Ambasadori u shpreh se pas 2014, shumë shqiptarë jetojnë e punojnë në Katar dhe kontribuojnë në zhvillimin e vendit dhe për këtë gëzojnë respekt e vlerësim atje.

Për krizën aktuale të Gjirit, ai tha se Katari i ka kapërcyer efektet e saj dhe se tashmë vendi ecën me ritme të larta zhvillimi pavarësisht bllokadës së vendosur ndaj tij.

Përgatitjet për organizimin e botërorit të futbollit “Qatar 2022” janë drejt përfundimit, -u shpreh Ambasadori dhe theksoi se Katari synon që ky botëror të jetë një mesazh paqeje në botë.

Më poshtë intervista e plotë:

-Zoti Ambasador! Faleminderit që pranuat këtë intervistë…

Mirë se vini dhe ju falënderoj juve për këtë takim. Shfrytëzoj rastin të uroj lexuesit tuaj të nderuar dhe mbarë publikun shqiptar me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

-Ju keni punuar në disa ambasada në botë, si e konsideroni këtë eksperiencë në Shqipëri?

Po. Kam qenë ambasador në disa vende, si Sri Lanka, Maldive, Kore e Jugut dhe Liban. Mund të them se çdo vend ka karakteristikat dhe rrethanat e tij, kështu që përvoja në secilin prej tyre është e ndryshme.

-Z. Ambasador, ju keni më pak se një vit që shërbeni në Shqipëri si ambasador, si ju duket vendi ynë?

Unë e kam marrë detyrën time diplomatike si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shtetit të Katarit në Republikën e Shqipërisë shtatorin e kaluar. Gjatë kësaj periudhe kam bërë disa udhëtime në vendin tuaj të bukur, gjatë të cilave kam vizituar shumë zona në veri, jug, lindje dhe në perëndim. Është një vend i mrekullueshëm me një klimë relativisht të butë.

Vërtet që nuk është një vend i madh gjeografikisht, por ka një natyrë me pamje të larmishme dhe tërheqëse, nisur që nga malet e larta e deri në bregdetin mahnitës. Kam parë shumë lumenj, liqene, kështjella, zona dhe monumente të tjera kulturore, të cilat e bëjnë Shqipërinë një atraksion turistik të jashtëzakonshëm. Mendoj se vendi do të jetë së shpejti një destinacion i preferuar turistik në Ballkan, pasi të përmirësohen disa parametra në infrastrukturë.

-Çfarë dinit për Shqipërinë përpara se të emëroheshit këtu?

Në fakt, përpara emërimit nuk dija shumë për Shqipërinë, por para se të vija këtu kam lexuar shumë për Shqipërinë, historinë e vendit, sistemin politik, situatën ekonomike dhe aspiratat e mëdha të popullit shqiptar për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian. Unë e di që populli shqiptar ka luftuar shumë për lirinë e tij dhe çlirimin nga regjimi i mëparshëm komunist. Ai e meriton t’i bashkohet Bashkimit Evropian, sikurse edhe pjesa tjetër e popujve të rajonit.

-Z. Ambasador, si janë sot marrëdhëniet midis Shtetit të Katarit dhe Shqipërisë?

Jam i lumtur t’ju siguroj se marrëdhëniet politike dhe diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Shtetit të Katarit janë solide dhe të shkëlqyera, si në nivel dypalësh ashtu edhe në atë shumëpalësh. Këto marrëdhënie bazohen mbi respektin reciprok dhe interesat e përbashkëta.

Mund të them se marrëdhëniet midis dy vendeve tona nuk kanë lindur sot pasi ato u vendosën në vitin 1992, pra rreth 27 vjet më parë. Ambasada shqiptare në Doha u hap në fund të vitit 2011, ndërsa Ambasada e Katarit në Tiranë u hap në shkurt 2012.

Gjatë kësaj periudhe, dy vendet tona kanë patur shkëmbim vizitash të nivelit të lartë, ku janë nënshkruar një numër memorandumesh mirëkuptimi dhe marrëveshjesh bashkëpunimi në fusha të ndryshme. Besoj se më e rëndësishmja ndër to, ishte vizita historike e Lartësisë së Tij Emirit Baba Sheikh Hamad Bin Khalifa Al Thani në Shqipëri në tetor 2011, vizitë e cila i dha një shtysë të fortë marrëdhënieve mes dy vendeve. Po ashtu Kryeministri i Shqipërisë Sh.T.Z. Edi Rama, ka bërë më shumë se një vizitë zyrtare në Doha, ku e para ishte në 2014 dhe e fundit në prill 2019. Vizita të tjera janë zhvilluar nga ish Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bujar Nishani në vitin 2015, dhe nga Kryetari i Kuvendit Sh.T.Z. Gramoz Ruçi, i cili vizitoi Dohën në fillim të prillit të kaluar.

Gjithashtu do të doja të theksoja se midis dy vendeve tona ka një bashkëpunim të konsiderueshëm në organizatat ndërkombëtare dhe mbështetje të ndërsjellë të kandidaturave në këto organizata.

Unë jam besimplotë se marrëdhëniet mes dy vendeve tona do të njohin forcim dhe rritje të mëtejshme bashkëpunimi në të ardhmen, në dobi dhe interes të të dy vendeve dhe popujve tanë.

-Pak javë më parë kryeministri i Shqipërisë, ishte për vizitë në Katar, çfarë u bisedua konkretisht mes dy qeverive, dhe si e cilësoni këtë vizitë të zotit Rama në Doha?

Po, ishte një vizitë e dobishme dhe e rëndësishme. Kryeministri i Shqipërisë pati disa takime të rëndësishme gjatë kësaj vizite, ku u prit nga Lartësia e Tij Emiri i Katarit Sheikh Temim Bin Hamad Al Thani, nga Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm Sheikh Abdullah bin Nasser bin Kalifa Al Thani, si dhe u takua me shumë zyrtarë dhe administratorë të lartë në sektorë dhe institucione të rëndësishme në Shtetin e Katarit, ku u diskutuan format për zgjerimin dhe rritjen e bashkëpunimit midis dy vendeve.

Gjatë kësaj vizite, u nënshkruan edhe disa memorandume mirëkuptimi dhe marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme, prandaj mendoj se kjo vizitë do të kontribuojë për të nxitur dhe çuar përpara nivelin e bashkëpunimit të përbashkët midis dy vendeve.

-A ka diçka që nuk funksionon në marrëdhëniet mes dy vendeve?

Jo, jo, përkundrazi. Dhe nuk e ekzagjeroj aspak nëse them se marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë shumë të forta, të qëndrueshme dhe të shkëlqyera.

-A ka ndonjë plan për të rritur kapitalin e Katarit në Ballkan, ose më specifikisht në Shqipëri?

Ka një dëshirë të madhe nga Shteti i Katarit për të investuar në sektorë ekonomikë vitalë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, sikurse ka dhe një vullnet të fortë të përbashkët nga të dy palët për të rritur bashkëpunimin në fushën e investimeve, ekonomisë dhe turizmit. Unë shpresoj që në të ardhmen e afërt të realizohen në rajon disa projekte zhvillimore dhe investuese katariane.

-A ka projekte konkrete nga Shqipëria, të dorëzuara në Katar?

Që kur kam nisur punën këtu, unë kam punuar për të sjellë mbështetje dhe investime nga vendi im në Shqipëri. Në tetor 2018 për shembull, vetëm fare pak kohë pas ardhjes sime në vend, nënshkruam një marrëveshje granti me Bashkinë e Tiranës për financimin e projektit të rikonstruksionit të shkollës “Jeronim De Rada” në kryeqytet, me një vlerë prej 1.35 milionë dollarë.

Aktualisht, të dy vendet janë duke u koordinuar dhe eksploruar mundësitë më të mira të investimit me interes të përbashkët. Dhe këtu dua t’ju rikonfirmoj edhe njëherë se ka një vullnet dhe përpjekje të përbashkëta midis dy vendeve për projekte me interes për të dyja palët dhe që i shërbejnë zhvillimit të ekonomisë shqiptare. Unë shpresoj të shohim në Shqipëri projekte të reja me investim katarian.

-Z. Ambasador! Tashmë kanë kaluar dy vjet që nga shpërthimi i krizës së fundit të Gjirit. A mund të na tregoni diçka rreth kësaj krize dhe si mund të zgjidhet ajo?

E vërtetë. Në 5 qershorin e ardhshëm mbushet viti i dytë i krizës aktuale të Gjirit. Siç e dini, kjo krizë në fakt i ka rrënjët tek incidenti i turpshëm i 23 majit 2017, ku u hakua faqja zyrtare e Agjencisë së Lajmeve të Katarit “QNA”. Pasi e hakuan, piratët kibernetikë fabrikuan dhe publikuan lajme dhe deklarata të rreme, që iu mveshën në mënyrë perfide Lartësisë së tij Emirit të Katarit.

Edhe pse Shteti i Katarit dhe zyrtarët e tij deklaruan në mënyrë të përsëritur se Agjencia e Lajmeve të Katarit ra pre e piraterimit, dhe se ato që u publikuan gjatë penetrimit ishin të gjitha shpifje, mediet e rreshtuara në krah të vendeve të bllokadës i injoruan deklaratat e qeverisë së Katarit dhe vazhduan përshkallëzimin e situatës duke stisur akuza të rreme ndaj Katarit pa paraqitur deri më sot asnjë provë apo dëshmi që të mbështesë pretendimet e tyre, edhe pse tashmë kanë kaluar gati dy vjet që nga kjo krizë.

Përshkallëzimi i situatës vijoi më tej kur katër shtete fqinje (Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Mbretëria e Bahreinit dhe Egjipti) vendosën në 5 qershor 2017, të shkëpusin marrëdhëniet diplomatike me Katarin dhe t’i imponojnë këtij të fundit një bllokadë të padrejtë dhe të paligjshme ndaj shtetit dhe popullit të Katarit, të dëbojnë qytetarët dhe studentët katarianë nga këto katër vende (duke mos kursyer madje edhe kopetë e kafshëve), sikurse mbyllën vendkalimet tokësore dhe hapësirën detare e ajrore me Katarin. Krahas kësaj, u politizuan edhe ritet fetare duke ndaluar qytetarët dhe rezindentët e Katarit të kryejnë rregullisht pelegrinazhin në vendet e shenjta (në Mekë), pasi autoritetet saudite nuk pranojnë asnjë tur apo grup pelegrinazhi nga Katari.

Bllokada e paligjshme pati pasoja humanitare dhe shoqërore të rënda, të cilat prekën shumë qytetarë të vendeve të Gjirit. Popujt e rajonit të Gjirit janë të ndërthurur mes tyre nëpërmjet martesave e krushqive, prandaj kjo bllokadë shkaktoi shpërbërje të këtyre familjeve të përziera. Studentët dhe pacientët e Katarit në vendet e bllokadës u përballën me provokime e deri në dëbim arbitrar nga ato vende, pavarësisht kushteve të rënda shëndetësore tek disa pacientë.

Të gjitha këto akte të njëanshme dhe masa shtrënguese përbëjnë shkelje flagrante të marrëveshjeve, konventave, dhe normave rajonale e ndërkombëtare. Synimi ishte cenimi i sigurisë së Shtetit të Katarit, stabilitetit dhe sovranitetit të tij kombëtar, si dhe vendosjen e Katarit nën tutelën politike të vendeve të bllokadës. Por vendi im e ruajti në mënyrë rigoroze dinjitetin, sovranitetin kombëtar dhe pavarësinë e vendimeve të tij.

Gjatë krizës, populli i Katarit demonstroi një krenari dhe patriotizëm të lartë. Ata iu bashkuan edhe më fort udhëheqjes së tyre, Lartësisë së tij Emirit Temim Bin Hamad Al Thani. Gjithashtu shumë vende dhe popuj u solidarizuan me Katarin dhe katarianët gjatë kësaj krize, dua të veçoj këtu sidomos përpjekjet e HH Emirit të Shtetit të Kuvajtit dhe ndërmjetësimin e tij për t’i dhënë fund konfliktit të Gjirit dhe zgjidhjen e krizës.

Përgjatë gjithë kësaj periudhe, Shteti i Katarit ka theksuar në vijimësi se ai mirëpret një dialog konstruktiv me shtetet e bllokadës për t’i dhënë fund krizës në mënyrë paqësore e racionale dhe mbi parimin e respektimit të sovranitetit të të gjitha shteteve, si dhe heqjen e bllokadës dhe të gjitha masave të padrejta të imponuara mbi të, qytetarët dhe rezidentët e tij. Por shtetet e bllokadës e refuzuan logjikën e dialogut dhe vendosën 13 kushte të pamundshme mbi Katarin në këmbim të heqjes së bllokadës dhe rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Kjo gjë u refuzua kategorikisht nga Doha, sepse kushtet cënonin sovranitetin e shtetit dhe punët e tij të brendshme. Shtete të ndryshme në botë gjithashtu i konsideruan këto kushte si të palogjikshme dhe në thelb të pazbatueshme.

Megjithatë, pavarësisht bllokadës, Shteti i Katarit i kapërceu me sukses dhe shpejtësi efektet e krizës falë lidershipit të urtë të HH Emirit Sheikh Temim Bin Hamad Al Thani, aftësisë së drejtuesve të vendit, si dhe falë potencialeve të mëdha financiare që zotëron Katari. Sot Shteti i Katarit është edhe më i fortë nga sa ishte para krizës dhe vendosjes së bllokadës së padrejtë mbi të. Shteti ka arritur zhvillime të mëdha në nivele të ndryshme, dhe ekonomia katariane vazhdon rrugën e saj të ngritjes me një ritëm të qëndrueshëm dhe më të shpejtin në rajonin e Gjirit, në sajë të diversifikimit ekonomik të vendit.

Dua të përmend këtu disa shembuj të arritjeve të fundit nga Katari gjatë kohës së bllokadës, si hapja e Portit Ndërkombëtar “Hamad” në shtator 2017, i cili është një nga portet më të mëdha dhe më modern në rajonit me një kapacitet prej 7.5 milion TEUs (kontejner) në vit. Ky port luajti një rol të madh në zbutjen e vuajtjeve të popullit dhe rezidentëve në Katar, pasi përmes tij u importuan materialet bazë që u ndaluan nga shtetet e bllokadës. Ky port mund të sigurojë më shumë se 200% të angazhimeve dhe nevojave të tregut të brendshëm, të ndihmojë në zvogëlimin shpenzimeve të importit, dhe të zërë afërsisht 35% të tregtisë në Lindjen e Mesme.

Ironikisht, bllokada që iu imponua Katarit për ta izoluar atë ndihmoi në fakt për të përshpejtuar hapjen e këtij porti gjigant e të rëndësishëm, i cili falë kapaciteteve të tij dhe sistemeve moderne e të avancuara e ka bërë Katarin një qendër të rëndësishme logjistike për ritransportin me anije në rajon, për shtimin e fluksit të udhëtimit (civil) detar, si dhe rritjen e vëllimit të shkëmbimit tregtar midis Katarit dhe pjesës tjetër të botës.

Në këtë periudhë, Katari hapi shtigje të reja për tregjet kombëtare, rriti prodhimin e LNG (gazit të lëngshëm natyral) dhe eksportin e tij, zgjeroi investimet jashtë vendit për të diversifikuar burimet e të ardhurave kombëtare, si dhe zbatoi mega-projekte brenda në vend në fusha të ndryshme prodhimtarie industriale, bujqësore etj, duke bërë që vendi të mbështetet me besim tek vetja dhe të arrijë self-sufficiency (vetëmjaftueshmërinë).

Në të njëjtën kohë, Katari i është përmbajtur parimeve të veta racionale e morale, duke mos ndërmarrë masa të ngjashme reciproke ndëshkimi ndaj qytetarëve të vendeve të bllokadës që punojnë në Katar. Përkundrazi, shteti i ka kushtuar më shumë vëmendje të drejtave të njeriut. Organizata të shumta ndërkombëtare, përfshirë Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe Zyrën e Komisionarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut, e kanë vlerësuar këtë vëmendje të shtuar të Katarit për të drejtat e njeriut.

Këto qëndrime të ndershme e racionale dhe kjo qasje humane në trajtimin e të tjerëve sidomos qytetarët e vendeve të bllokadës, e ka shtuar edhe më tej besimin e komunitetit ndërkombëtar tek Shteti i Katarit, gjë që e ka ndihmuar Katarin të zgjerojë rrjetin e marrëdhënieve të tij ndërkombëtare dhe bashkëpunimin me vende dhe organizata në të gjitha kontinentet e globit, edhe pse në kushte krize.

Nga ana tjetër, desha të theksoj se efektet negative të krizës në rajon e më konkretisht brenda Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), do të lënë gjurmë për një periudhë afatgjatë në rast se kriza aktuale nuk zgjidhet siç duhet dhe nëse nuk vendosen mekanizma për të garantuar shmangien e përsëritjes së asaj që ndodhi në këtë krizë, si dhe për të rivendosur besimin mes vendeve anëtare të Këshillit (të GCC-së).

Me këtë rast, dua të falënderoj Shqipërinë dhe zyrtarët shqiptarë, të cilët nuk u rreshtuan me kërkesat e vendeve të bllokadës, por mbajtën pozicion parimor neutraliteti dhe u bënë thirrje të gjitha vendeve anëtare të GCC-së të ulen në tryezën e bisedimeve për zgjidhjen e krizës me mjete paqësore, pa prekur sovranitetin e shteteve dhe vendimet e tyre të brendshme.

-Po a pati kjo bllokadë ndikim mbi Qatar Airways dhe sa ishte ky ndikim?

Në fillim të krizës, Qatar Airways-it iu mbyllën 18 destinacione për shkak të bllokadës, por kompania ia doli shpejt të arrijë planet dhe programet e saj për zgjerimin rrjetit të operimeve në pjesë të ndryshme të botës, duke u ngjitur shumë lart në industrinë e shërbimeve ajrore në rang global.

Në sfidë me bllokadën dhe gjatë saj, Qatar Airways hapi destinacione të reja në Evropë, dhe rriti numrin e fluturimeve në këtë kontinent. Po ashtu, gjatë të njëjtës periudhë, Qatar Airways shtoi dhjetëra destinacione të reja në vende të ndryshme të botës.

Gjatë krizës dhe nën bllokadë, Qatar Airways fitoi dhjetëra çmime ndërkombëtare, 14 prej të cilave në 2017 dhe 24 të tilla në 2018. Këto çmime përfshijnë çmimin për klasin më të mirë të biznesit në botë dhe kompania më e mirë ajrore në Lindjen e Mesme për vitin 2018, si dhe kompania më e mirë ajrore në botë në 2017 për herën e katërt radhazi në historinë e saj, çmime këto të ndara gjatë eventeve “Skytrax” të mbajtura në Paris Air Show.

Dua të nënvizoj këtu edhe këtu përfundimin e negociatave mes Bashkimit Evropian dhe Katarit shkurtin e kaluar, për një marrëveshje transporti ajror gjithëpërfshirës të njohur si “Marrëveshja e Qiejve të Hapur”, e cila pritet të nënshkruhet qershorin e ardhshëm. Kjo është hera e parë që Bashkimi Evropian arrin një marrëveshje të këtij lloji me një shtet tjetër jo anëtar të tij.

-Z. Ambasador, Katari është një vend ku është vendosur një nga mediat më të rëndësishme ndërkombëtare, përkatësisht rrjeti mediatik prestigjioz Al Jazeera. A do të ketë një bashkëpunim në rritje në fushën e medias dhe informacionit?

Al Jazeera është një rrjet informativ i lirë dhe i pavarur. Ai i ngre debatet mbi parimin e mendimit të lirë dhe respektimin e mendimit të palës tjetër, zbatimin e kodit mediatik dhe gazetaresk, dhe transmetimin e lajmit me kredibilitet, profesionalizëm dhe objektivitet.

Al Jazeera i ka ruajtur këto parime dhe gjatë mbulimit të ngjarjeve drastike në botën arabe apo të çështjeve njerëzore kudo në botë, duke përcjell shpresat dhe aspiratat e popujve, ndryshe nga modeli i mediave të tjera në rajon që janë në shërbim të regjimeve sunduese. Prandaj dhe mbyllja e Al Jazeera ishte një nga 13 kushtet e vendosura nga vendet e bllokadës ndaj Dohës si kusht për zgjidhjen e krizës aktuale të Gjirit.

Parimet e lirisë së mendimit, të shprehjes e të medias, diskutimi i çështjeve në thellësi pa mbajtur anën e asnjë pale dhe refuzimi i politikës së kyçjes së gojës dhe diktatit politik, e sollën rrjetin Al Jazeera në majën e mediave botërore dhe i dha audiencë globale.

Sot, rrjeti Al Jazeera flet në gjuhë të ndryshme krahas arabishtes, si Al Jazeera English, Al Jazeera Balkan, Al Jazeera Turkey dhe Al Jazeera America.

Duke iu kthyer pyetjes suaj, “A do të ketë një bashkëpunim në rritje (me Shqipërinë)?”, ka një interesim për bashkëpunim mes medias shqiptare dhe Al Jazeera. Aktualisht po punohet për një komunikim të drejtpërdrejtë mes tyre për arritjen e bashkëpunimit, sidomos me fillimin e numërimit mbrapsht për Kampionatin Botëror të Futbollit “FIFA World Cup Qatar 2022”.

-Shumë shpejt vjen kampionati botëror i cili këtë herë organizohet pikërisht në Katar, si po shkojnë përgatitjet për këtë event të madh sportiv?

Punimet për ndërtimin e stadiumeve të reja dhe projektet e tjera infrastrukturore të lidhura me përgatitjet që po kryen Katari për organizimin e Botërorit 2022, po ecin me ritme të larta pa u ndikuar nga bllokada aktuale e imponuar nga vendet fqinje. Mund të thuhet se punimet dhe projektet janë tani pothuajse drejt përfundimit, pasi shteti vendosi të përshpejtojë lëvrimin e fondeve për shpenzimet e këtyre punimeve.

Projektet që po implementohen për Kupën e Botës 2022 janë ultra moderne dhe të një teknologjie shumë të avancuar. Stadiumet janë të pajisur me sisteme kondicionimi (ajri) që mund ta ulin temperaturën nën 17 gradë edhe pse temperaturat e larta jashtë stadiumit mund të jenë në kufijtë ekstremë.

Tashmë dihet që Katari është i pari vend arab që organizon një botëror futbolli. Për këtë arsye, vendi ka mobilizuar të gjitha mjetet, kapacitetet dhe energjitë e tij për të realizuar përsosmërisht të gjitha përgatitjet e duhura, në mënyrë që organizimi i këtij eventi sportiv të rëndësishëm botëror të jetë i pashembullt dhe i denjë për vendin dhe për mbarë rajonin arab. Katari shpreson që ky botëror të jetë i veçantë dhe shërbejë si mesazh paqeje në botë dhe si burim krenarie për rajonin e Gjirit dhe për të gjithë arabët.

Me këtë rast, i ftoj të gjithë shqiptarët ta ndjekin kampionatin botëror të futbollit në Katar.

-Ju vetë jeni tifoz futbolli?

(Qesh) Po, e dua shumë futbollin dhe unë përpiqem t’i ndjek ndeshjet e mëdha sa herë më lejon koha. Personalisht më pëlqen më shumë liga spanjolle, ku jam tifoz me Barcelonën, por jashtë Spanjës bëj tifo gjithashtu edhe për Paris St. Germain-in.

-Pas disa muajve që jeni vendosur në Shqipëri, keni arritur të krijoni një përshtypje për vendin tonë dhe shqiptarët në përgjithësi?

Siç e thashë në fillim, Shqipëria është vend i bukur dhe i mrekullueshëm. Vendi ka një pozicion strategjik gjeografikisht që e bën atë një portë të rëndësishme jo vetëm për Ballkanin, por edhe Evropën. Shqipëria ka potenciale të mëdha në shumë sektorë ekonomikë ku mund të investohet, si energjia, minierat, metalurgjia, industria, transporti, turizmi, bujqësia, etj. Nëse në këta sektorë investohet mirë dhe me zgjuarsi për të rritur prodhimtarinë dhe shfrytëzimin e tyre në mënyrë optimale, kjo padyshim që do të ofronte mundësi punësimi për qytetarët e sidomos për të rinjtë, dhe do të kontribuonte në rritjen e PBB-së dhe të të ardhurave në arkën e shtetit.

Sa për shqiptarët, mund të them shumë sinqerisht se janë një popull i shkëlqyer, mikpritës, bujar dhe i hapur për të tjerët. Është një popull punëtor, i edukuar, dhe që ka aftësi dhe njohuri të mira, sikurse shumica e qytetarëve flasin gjuhë të huaja.

E them këtë, sepse në Katar kemi parë një rritje të konsiderueshme të punonjësve të kualifikuar nga Shqipëria që nga viti 2014, të cilët punojnë në sektorë të ndryshëm si hoteleri-turizëm, biznes, ndërtim, industri dhe prodhim. Ashtu si komunitetet tjera, edhe shqiptarët kontribuojnë në zhvillimin e vendit, dhe për këtë ata gëzojnë të gjithë respektin dhe vlerësimin në Katar.

-Keni ndonjë qytet të preferuar në Shqipëri?

Sikurse e përmenda në fillim të intervistës, unë kam vizituar shumicën e zonave të Shqipërisë, sepse Shqipëria është një vend i vogël ashtu siç është edhe Katari. E megjithë hapësirën e saj të vogël, Shqipëria ka një diversitet të mrekullueshëm natyror ku ndërthuren peizazhet malore, rurale, urbane dhe ato bregdetare.

Më pëlqen Tirana me gjallërinë e saj, Durrësi, Vlora dhe Saranda me plazhet e tyre. E dua Shkodrën dhe Korçën me traditat, kulturën, tregjet, organizimin dhe ushqimet e tyre… Në fakt nuk mund të bëj dot dallime midis zonave shqiptare. Të gjitha janë të bukura dhe unike në natyrën e tyre.

-Po një ushqim?

Më kanë pëlqyer shumë të gjitha gatimet tradicionale shqiptare që kam shijuar deri më tani. Kam provuar lloje të ndryshme gjellësh dhe gatimesh speciale nga veriu në jug, të gjitha janë tepër të shijshme.

Nuk jam i sigurt nëse i kam provuar të gjitha gatimet shqiptare, por jam mëse i bindur që Shqipëria ka një kuzhinë tradicionale të shkëlqyer.

-A kemi të përbashkëta me vendin tuaj?

Posi, kemi shumë gjëra të përbashkëta. Të dy vendet janë të vegjël si shtrirje, por unë jam i sigurt se ato janë vende të mëdha për shkak të forcës së popujve të tyre dhe urtësisë së elitave të tyre.

Ne kemi histori të përbashkët që në të kaluarën. Na lidh edhe feja islame, këtu në Shqipëri mund të shikosh simbole islamike pothuajse kudo.

Mund të them se populli shqiptar dhe katarian ndajnë shumë ngjashmëri mes tyre. Të dy popujt njihen për bujarinë, mikpritjen e ngrohtë, respektimin e mikut, si dhe për ruajtjen e vlerave familjare dhe të traditave autentike kombëtare.

May 15, 2019 11:53
Komento

6 Komente

  1. Dulla May 15, 12:37

    Budalleqe me okë ! Kini harruar te intervistoni edhe ata te Bangladeshit !

    Reply to this comment
    • Fjala June 15, 11:40

      Ska ambasade bangladeshi ne tirane e para dhe e dyta Katari eshte nje vend mik me kintribute ne Shqiperi

      Reply to this comment
  2. intelektuali May 15, 12:46

    KATARI QE VRET GRATE ME GURE KUR NUK MBAJNE FEREXHE APROVON ANTARSIMIN E SHQYPNISE NE BE?

    sepse:

    Mua per vete me duket si nje:

    FAKE NEWS!

    Qe i shkon per shtat dhe i vjen ne ndihme ne kete kohe krizash, Edvin Droges me urdher nga Sulltan Erdogani

    Reply to this comment
    • anticensurë25642654 May 15, 16:44

      këta kanë pyetur polinezinë,ishujt faroe,maldivet dhe tërë glasat e pulave që kanë lënë në oqean!!këto ditë do ti këthehen dhe bangladeshit e pakistanit!!vetëm këta dy antarë me të drejta të pamohueshme të BEsë nuk kanë dhënë pëlqimin!!

      Reply to this comment
    • anticensurë25642654 May 15, 16:46

      në ligën arabe jemi futur me kohë!që kur baba i salës i kishte futur salës dashurinë për kuvajtin!!
      sala ishte fëmijë në atë kohë kur baba i ka pas fol për kuvajtin!!e ka pas largpamës sepse kuvajti u krijua më vonë,shumë më vonë dashuria e babës së salës!!

      Reply to this comment
    • Fjala June 15, 11:48

      Po ngaterron Katarin me Arabine Saudite.
      Katarit nuk i hyn ne xhep se kush eshte ne qeveri ne Shqiperi por i intereson nje vend mik i suksesshem qe te mbeshtesin njeri-tjetrin

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*