INTERVISTA /Çfarë do të bënte Donika Kadaj-Bujupi po t’i hidhnin gaz lotsjellës?

December 31, 2015 15:03

INTERVISTA /Çfarë do të bënte Donika Kadaj-Bujupi po t’i hidhnin gaz lotsjellës?

Është deputetja e parë që u arrestua për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës, veprim ky që sipas saj ishte për ta “mbushur mend” qeverinë.

Kështu të paktën ka vlerësuar shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj- Bujupi. Ajo në një intervistë për Indeksonline ka theksuar se më e rrezikshme se gazi lotsjellës për qytetarët dhe vetë Kosovën është formimi i të ashtuquajturës “Zajednicë” apo Asociacion brenda Kosovës. Gjatë kësaj interviste Kadaj-Bujupi flet edhe për momentin e arrestimit të saj, qëndrimin e saj në burgun e Lipjanit me kënd është shoqëruar atje, pastaj kthimin në shtëpi, atmosferën festive të Viti të Ri në familjen e saj e shumë çka tjetër.

Intervista e plotë e Kadaj-Bujupit:

Hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend, a mendon se ka mundur të jetë e rrezikshme për dikë?

Kadaj-Bujupi: Më e rrezikshme se gazi lotsjellës është “Zajednica”, e cila e kthen Serbinë në Kosovë, përmes shkeljeve të rënda kushtetuese, të cilat u konstatuan së fundmi edhe nga vetë gjykata dhe, po ashtu, Demarkacioni, me të cilin, për të satën herë Kosova copëtohet padrejtësisht dhe humbë pronë, resurse dhe pasuri të saj. Krejt kjo për shkak të politikave kuislinge dhe vasale, të njerëzve të cilët pa fije turpi negociojnë në emër të Kosovës dhe në të mirë të gjithë të tjerëve, por jo edhe në të mirë të qytetarëve që i përfaqësojnë.

-Në rast se ju do ishit në pozitë dhe dikush nga pozita do të ishte në opozitë dhe do të hidhte gaz, cili do të ishte reagimi i juaj?

Kadaj-Bujupi: Unë asnjëherë, kurrë dhe për asnjë çmim nuk do t’i shisja interesat e vendit, siç po bën kjo përbërje e këtij koalicioni. Të injorosh debatin, të shpërfillësh institucionin më të lartë, duke shkelë mbi rezoluta, ligje e, përfundimisht, edhe mbi Kushtetutën, do të thotë që nuk meriton respekt dhe, për më tepër, nuk mund të vazhdosh të përfaqësosh vendin. Prandaj, ne, sot, kemi deputetë të cilët gjuajtën gaz në mbrojtje të Kushtetutës, pasi që qeveria ndryshe nuk mori vesh, dhe kemi qeveri që shkeli Kushtetutën, rrahu persekutoi, burgosi të gjithë ata që e ndalën dhe e mbrojtën kushtetutshmërinë e vendit, pavarësisht çmimit që paguam. Ne, sot, bëmë atë që kërkohej, mbrojtëm betimin e dhënë në Kuvend dhe para qytetarëve.

-Pas këtyre veprimeve jeni arrestuar. Na përshkruaj pak momentin e hyrjes së policisë në shtëpi dhe arrestimin tënd, a e keni pritur?

Kadaj-Bujupi: Kam qenë e vetëdijshme dhe me bindje të plotë kam marrë përsipër të gjitha pasojat eventuale, deri në brutalitetin e këtij pushteti që ushtroi ndaj deputetëve dhe aktivistëve. Të mos harrojmë se pa mbërri në këtë moment, kam thirr me dhjetëra debate, kam bërë pyetje parlamentare, kemi nxjerrë rezolutë për çështjen e demarkacionit si Grup Parlamentar dhe jemi angazhuar me krejt forcën tonë për të reflektuar qeveria. Gazi ka ardhur në fund për të parandaluar të keqen, e cila do ta kapitullonte Kosovën, jo vetëm sot për një mandat, por për gjenerata të tëra në të ardhmen.

Pas arrestimit, jeni dërguar në burgun e Lipjanit. Me kë je shoqëruar gjatë kësaj kohe sa ke qëndruar në paraburgim?

Kadaj-Bujupi: Me kërkesë timen kam qenë e vetme në dhomë, ku kryesisht kam lexuar dhe orën e shëtitjes e kam shfrytëzuar për të vrapuar rreth një orë çdo ditë, po ashtu vetëm.

Kush është kujdesur për fëmijët sa ke qenë në burg?

Kadaj-Bujupi: Fëmijët e mi janë të rritur dhe të vetëdijshëm me situatën, janë shumë të pavarur dhe të aftësuar për t’u kujdesur vetë. Me ta ka qenë edhe Naseri (bashkëshorti im) dhe nëna, respektivisht gjyshja e fëmijëve.

A ke kontaktuar me ta dhe me bashkëshortin gjatë kësaj kohe?

Kadaj-Bujupi: Kur njeriu përcaktohet të realizojë një qëllim në interes të vendit, përgatitet të kalojë sfidat e ndarjes nga familja, mungesën e tyre dhe peripetitë që i përcjellin këto situata. Në burg vizitat janë një herë në javë dhe familja, me leje të gjykatës, ka qenë çdo të shtunë në vizitë.

Si kanë qenë kushtet në burg, a keni pasur komoditet në dhomën ku keni qëndruar?

Kadaj-Bujupi: Në rrethana kur vendi është në rrezik, heqja dorë me vetëdashje dhe bindje nga të mirat vetjake ose nga diçka e shtrenjtë, në këtë rast familja, është borxh që ia kemi vendit. Prandaj, për mua nuk kanë pasur fare rëndësi kushtet në të cilat mbahesha (janë të njëjta për të gjithë). Më shqetësuese ishin rrethanat e krijuara nga ky pushtet që, në kundërshtim me Kushtetutën, arreston deputetë, i mban në burg, sepse kundërshtojnë veprimet e dëmshme të qeverisë. Vepron me egërsi dhe shpërfillë të drejtat e qytetarëve të saj dhe të përfaqësuesve, duke bastisë zyra të opozitës dhe duke na kthyer në të kaluarën e afërt, të sjelljeve tiranike të cilat përjetuam si popull.

Kush nga pjesëtarët e familjes i është gëzuar më së shumti kthimit tënd në shtëpi?

Kadaj-Bujupi: Besoj të gjithë!

A keni menduar se do të mund ta prisnit në burg festën e Vitit të Ri, dhe në rast se po, a ju ka shkuar mendja se si do ta kaloje atë natë?

Kadaj-Bujupi: Po, kam qenë e përgatitur të zgjasë, duke marrë parasysh që vendimi për mbajtje ishte politik.

Si është një tryezë e Vitit të Ri në familjen Kadaj-Bujupi?

Kadaj-Bujupi: Është e rëndomtë! Me rëndësi atmosfera në shtëpi është e mbushur me dashuri, përkushtim dhe kujdes, ndërmjet anëtarëve të familjes.

Si do ta kishe përshkruar me një fjali vitin 2015?

Kadaj-Bujupi: Premtime të parealizuara, mashtrime, shumë dështime, rritje të varfërisë, papunësisë, shëndetësi e sëmurë, tragjedia e ikjes ilegale të 150 mijë qytetarëve, lajmet e këqija për mos liberalizim të vizave, mos anëtarësim në UNESCO, korrupsion, drejtësi selektive etj.

Çfarë prisni t’ju sjellë viti 2016?

Kadaj-Bujupi: Ndryshim në të gjitha sferat e jetës në vend, përgjegjësi ndaj qytetarëve, përkushtim dhe angazhim në daljen nga kriza dhe një kapitull të ri, ku njerëzve do t’iu kthehet shpresa.

December 31, 2015 15:03
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*