INTERVISTA / Është mision i vështirë, thotë Ministri për Opozitën në qeverinë Rama

February 4, 2019 13:30

INTERVISTA / Është mision i vështirë, thotë Ministri për Opozitën në qeverinë Rama

TIRANË – Gojët e Liga kanë zhvilluar një bisedë me Ministrin për Opozitën në kabinetin Rama.

Duke kërkuar ndjesë se kohën e kishte të kufizuar, Lulzim Basha pohoi për të dërguarin tonë Kahreman Puftja se nuke kishte menduar kurrë që kjo detyrë do ishte kaq e vështirë.

“Kur kryeministri ma propozoi për herë të parë detyrën, me thënë të drejtën ma bëri qejfin aq shumë saqë më kaploi euforia,” thotë Basha.

“Dëgjo, më tha, ti je ende i ri, me kulturë, nuk thua llafe të pista, je shkolluar jashtë. Ti di të flasësh pafund, të rrotullohesh në një fjalor prej 300 fjalësh dhe të mos thuash asgjë. Bëje këtë për mua”.

Basha kujton sesi misioni që iu dha sapo hyri në zyrën e re të ministrisë, pranë ish SHQUP-it, në letra ishte menaxhimi i dialogut opozitar, ngritja e një imazhi solid, qytetar por edhe zëfortë të opozitës.

“Ekspozo pa asnjë pengesë problematika, skandale, çështje të dyshimta, më tha Kryeministri. Madje edhe organizo protesta. Në qoftë se të duhet më shumë staf, më thuaj. Në fakt, ja kërkova,” kujton Basha, “dhe Edi më deklaroi solemnisht: Jo staf, po parti më vete bëj! Vetëm kishte një merak”.

Sipas Ministrit, meraku dhe porosia absolute ishte kjo: “Mos më lër protesta të pakontrolluara. Ose hyr dhe merri ti në dorë, ose bëj të pamundurën për t’i shuar. Për të gjitha këto, do kesh pjesën tënde”.

Megjithatë, ministri e pranon se ndryshe janë gjërat në letër dhe ndryshe në realitetin e egër.

“Jo se kemi shkruar gjë në letër,” korrigjoi veten shpejt Basha, “ato thashethemet për 17 Majin janë shpifje”.

Ministri për Opozitën pohoi me sinqeritet se pasi e provoi këtë post të vështirë, do preferonte më mirë të ishte Ministër për Diasporën, si Pandi Majko.

“Ose dhe Ministër për Parlamentin, si Elisa. E di or vlla që do merresh me diasporën, dhe pikë. Ose do komunikosh me stafin e Kuvendit dhe grupet parlamentar dhe aq. Por të merresh me opozitën, madje më keq akoma, të shtiresh si opozitë, është torturë më vete,” psherëtiu Basha, dhe shtoi:

“E të mendosh se herë pas here duhet të bëj si i egër unë, që qesh tërë kohës!”

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike pro-holandeze, anti-qeveritare         

February 4, 2019 13:30
Komento

1 Koment

  1. Nik February 4, 18:28

    Zor e ka vallahi Lulashi. Me mir ta kishte caktu Rama me diasporen, se diasporen holandeze dritekuqe e ka ne xhep

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*