INTERVISTA / “Reforma në drejtësi, e ndërlikuar? Nuk ka alternativë. Problem, ligji për mediat”. Ky është qëndrimi i Gjermanisë për negociatat BE-Shqipëri

August 10, 2020 22:33

INTERVISTA / “Reforma në drejtësi, e ndërlikuar? Nuk ka alternativë. Problem, ligji për mediat”. Ky është qëndrimi i Gjermanisë për negociatat BE-Shqipëri

Ballkani Perëndimor është në krye në axhendën e presidencës gjermane të Këshillit të BE-së, por progresi konkret i shteteve drejt integrimit në BE – nga hapja e negociatave dhe kapitujve – varet nga angazhimi i tyre ndaj sundimit të ligjit dhe lirisë së medias, tha për BIRN Susanne Schutz, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme gjermane.

Gjermania mori përsipër presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Europian këtë korrik dhe Schutz thotë se dëshiron të shohë “një vrull të ri” në marrëdhëniet midis bllokut dhe Ballkanit Perëndimor.

Kjo pason vendimin e BE-së për të hapur bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe paketën e solidaritetit prej 3,3 miliardë eurosh të rënë dakord për rajonin, për të zbutur pasojat e pandemisë së koronavirusit.

“Ne duam ta vazhdojmë këtë dinamikë pozitive. Kjo do të thotë, para së gjithash, se duhet të vazhdohen të hidhen themelet për bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke përfunduar strukturat e bisedimeve. Ne synojmë të mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe, nëse plotësohen kushtet, gjithashtu edhe me Shqipërinë gjatë presidencës sonë të Këshillit”, shpjegoi Schutz.

Në intervistën e saj për BIRN, diplomatja me përvojë, e cila ka shërbyer në Izrael, Ukrainë, Rusi dhe Shqipëri para se të bëhej Drejtoreshë e Ballkanit Perëndimor në Berlin, tha se Gjermania shpreson të vazhdojë bisedimet e pranimit me Serbinë dhe Malin e Zi.

Reformat gjyqësore në thelb të procesit të zgjerimit të Shqipërisë

Reformat në sistemin e drejtësisë si dhe reforma në ligjin zgjedhor janë identifikuar si përparësi për Shqipërinë nga Gjermania dhe BE-ja, tha ajo.

“Që prej ndryshimeve kushtetuese në vitin 2016, ne kemi parë që reforma në drejtësi, përfshirë vetingu i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, është tepër sfiduese”, shtoi ajo.

“Është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar, i cili ka çuar përkohësisht edhe në një mosfunksionim të pjesshëm të gjyqësorit. Megjithatë, ne jemi të bindur se nuk ka asnjë alternative për këtë proces thelbësor. Pasi të përfundojë, sundimi i ligjit në Shqipëri do të forcohet në të mirë të popullit shqiptar”, vazhdoi ajo.

Gjermania po vëzhgon gjithashtu reformat zgjedhore në vend, si edhe zhvillimet rreth legjislacionit të ri për median që qeveria e sheh si një mundësi për të rregulluar hapësirën në internet, por që kritikët e shohin gjithashtu si një përpjekje për të frenuar lirinë e medias.

“Liria e medias është një temë shumë e rëndësishme për qeverinë gjermane në përgjithësi dhe sigurisht edhe gjatë presidencës tonë të Këshillit Europian”, tha Schutz.

“Një media e lirë dhe e pavarur është shtylla e çdo demokracie të gjallë. Kjo është arsyeja pse liria e shtypit dhe e medias është gjithashtu shumë e rëndësishme në procesin e pranimit.”

“Projektligji i ri për median në Shqipëri nuk pasqyron ende standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”, paralajmëroi ajo.

“Ne e shohim mendimin e fundit nga Komisioni i Venecias si një udhëzues adekuat për punën në vazhdim brenda parlamentit shqiptar për të përmirësuar projektligjin, sidomos në lidhje me përcaktimin e fushës së tij, proporcionalitetin e gjobave dhe pavarësinë e organeve të AMA-s (Autoriteti i Mediave Audiovizive i ngarkuar me monitorimin e ndryshimeve të planifikuara).

“Raporti i fundit i përkohshëm i Komisionit Europian me të drejtë e cilësoi projektligjin si si të mangët në fusha të caktuara dhe jo plotësisht në përputhje me standardet e BE-së dhe praktikat më të mira në lidhje me lirinë e shtypit dhe medias. Përmirësimi i ligjit në këto aspekte do të ishte një hap inkurajues në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së”, tha ajo.

“Procesi i pranimit ofron udhëzime: Kapitulli 23 për sistemin gjyqësor dhe të drejtat themelore, i cili përfshin lirinë e medias, është një shtyllë e rëndësishme e këtij procesi. Si një nga dy kapitujt më të rëndësishëm, ai do të përcaktojë ritmin me të cilin vendet e Ballkanit Perëndimor i afrohen më pranë BE-së”, përfundoi Schutz.

 

d.a. / dita

August 10, 2020 22:33
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim