INTERVISTA: Skema e ndihmës ekonomike dhe Shqipëria sociale

January 31, 2018 10:23

INTERVISTA: Skema e ndihmës ekonomike dhe Shqipëria sociale

Entela Resuli – Dita

Në godinën e Shërbimit Social Shtetëror  trokasin çdo ditë dhjetëra njerëz të cilët kërkojnë një zgjidhje për situatën e tyre financiare, qoftë duke marrë ndihmë ekonomike, apo edhe pagesën që u takon si persona me aftësi ndryshe.

Prej më shumë se dy muajsh në krye të këtij institucion është Luneda Sufali. Me profesion ekonomiste dhe me disa eksperienca pune në administratën shtetërore,  Sufali tregon se ky është terreni që ka më shumë për zemër.

Ka dashur gjithmonë të jetë në një profil pune që prek në mënyrë të drejtpërdrejtë njerëzit dhe ndihmën që u jepet atyre.

Më jep shumë kënaqësi shkëlqimi në sytë e dikujt që sapo ka marrë zgjidhje për një problem që e ka pasur prej kohësh”- shprehet Sufali për Dita-n.

Ajo nuk e mohon faktin se Shqipëria ka shumë familje në nevojë dhe njerëz që duan të dalin nga kjo situatë. Ankesat i vijnë nga çdo cep i vendit,  shpesh herë më të drejtë,  por në shumë raste, njerëzit janë të painformuar për atë ç’ka mund të marrin nga Shërbimi Social Shtetëror.

Sufali shprehet se e pret një rrugë e gjatë në krye të këtij institucion. Për të sfida sapo ka filluar.

Në këtë intervistë për Dita-n, drejtoresha  tregon gjendjen e institucionit, cilat janë kategoritë në nevojë që përfitojnë nga Shërbimi Social Shtetëror dhe kushtet që duhet të plotësojnë.

 

-Zonja Sufali, keni vetëm pak muaj në krye të Shërbimit Social Shtetëror si po ju duket kjo eksperiencë e re?

Sfiduese dhe e mbushur me plot dashuri. Dua të theksoj se nuk ka qenë e papritur kjo eksperiencë e re e drejtimit të një prej institucioneve më të rëndësishme që merret me zbatimin dhe implementimin e politikave sociale të qeverisë. Përkundrazi me duket se kjo detyrë dhe përgjegjësi përveç së është detyrë shtetërore është e lidhur edhe me natyrën time, me gatishmërinë që kam për të bërë sa të mundem, duke dhënë kontributin tim për të ndërtuar një shoqëri solidare në shërbim të njerëzve në nevojë.  Unë jam mësuar me sfida dhe me dëshirë i mirëpres ato. Në këtë kontekst e kam pritur detyrën e re të Drejtoreshës së Shërbimit Social Shtetëror, të cilën e kam marrë me shumë dëshirë dhe së cilës po i ofroj energjitë, përkushtimin tim etik dhe profesional.

Nuk mund të them se kryerja e këtij misioni është punë e lehtë. Është punë që kërkon energji, dhe dedikim. Problemet me të cilat merret ShSSh janë komplekse që kërkojnë trajtim njerëzor dhe të personalizuar, kujdes social por dhe iniciativa juridike për zgjidhjen e drejtë dhe në kohë të problemeve me të cilat ndeshen njerëzit, që duhet të trajtohen nga skemat jo kontributive të shërbimit social.

Por me vullnet dhe bashkëpunim me stafin e SHSSH, të Drejtorive Rajonale dhe Institucioneve të Përkujdesit Social po punojmë për të qenë pranë njerëzve në nevojë duke u ofruar paketat e shërbimeve sociale, me besimin për të fuqizuar familjet e tyre.

-Cila është gjendja e institucionit, çfarë problematikash keni gjetur në këto javë ?

ShSSh është një institucion me përvojë të gjatë dhe struktura të konsoliduara. Gjatë 22 viteve të ekzistencës së tij si agjenci shtetërore ka krijuar përvojë të gjerë pune dhe janë ndërmarrë shumë transformime për t’i bërë sa më efektive skemat e mbrojtjes sociale. Në të tre shtyllat kryesore, misioni ka qenë përmirësimi i efektivitetit të skemës së NE, trajtimit me dinjitet të PAK dhe përmirësimin e cilësisë dhe standardeve të shërbimit social në institucionet e përkujdesit për fëmijët jetimë, të moshuarit, personat me AK, gratë viktima të dhunës, etj.

Më shumë se sa problematika, do të thoja që janë sfida që duhen çuar më me vendosmëri përpara. Fuqizimi i bashkëpunimit me pushtetin lokal për ofrimin e shërbimeve komunitare aty ku njerëzit banojnë është një nga sfidat e ShSSh në kuadër të decentralizimit të shërbimeve dhe institucioneve. Reforma territoriale, Paktet Sociale të nënshkruara me bashkitë e bëjnë urgjente nevojën për më shumë shërbime dhe kjo është përgjegjësi e bashkive të reja. ShSSh vazhdimisht ka ofruar dhe do vazhdojë të ofrojë asistencë për stafet e bashkive. Kjo është një sfidë e madhe që nuk bëhet menjëherë. Por ne kemi ide të qarta dhe vullnet profesional për ta përshpejtuar këtë proces.

Doemos me shumë rëndësi dhe përgjegjësi janë zbatimi me konsistencë i disa reformave me shumë rëndësi për modernizimin e skemës së shpërndarjes të NE. Këtij qëllimi i shërben dixhitalizimi dhe hartimi i Regjistrit Elektronik Kombëtar në të gjithë vendin, si mjet për një administrim sa më efektiv, pa zvarritje e burokraci dokumentesh të ndihmës ekonomike, me qëllimin që NE të jetë vetëm një skemë tranzitorë për individët dhe familjet, pasi zgjidhja afatgjatë duhet të jetë punësimi.

Një tjetër aksion i madh dhe synim prioritar i ShSSh është padyshim edhe përmirësimi dhe modernizimi i procesit të vlerësimit të aftësisë së kufizuar. Në këtë kontekst synimi është rishikimi sa më i saktë i përfituesve të shërbimeve dhe pagesave për aftësinë e kufizuar përmes aplikimit të vlerësimit bio-psikosocial.

Shërbimi Social Shtetëror është një institucion i ri i shërbimit dhe mbrojtjes sociale jo kontributive të njerëzve në nevojë!

Nuk mund të themi se është institucion i ri, sepse ShSSh është krijuar në vitin 1996 si agjenci sociale për të mbrojtur njerëzit nga rreziqet e mundshme të reformave ekonomike të tranzicionit. Padyshim gjatë kësaj kohe është krijuar një histori pune e suksesi, për trajtimin e drejtë të skemave të përfitimit jo kontributiv të njerëzve në nevojë. Kjo skemë e mirëqenies sociale është tërësisht e financuar nga buxheti i shtetit, i cili alokon çdo vit fonde të konsiderueshme nga taksat e qytetarëve për të ndihmuar njerëzit që janë në nevojë.

Megjithatë ne kemi përgjegjësi për administrimin sa më të drejtë dhe sipas ligjeve të këtyre fondeve, duke luftuar me vendosmëri përmes kontrolleve skemat e përfitimeve. Qëllimi është të shmangen abuzimet dhe të pastrohen skemat nga abuzuesit dhe përfituesit e padrejtë, si mënyrë që ndihma ekonomike dhe përfitimet sociale të shkojnë tek ata që vërtetë kanë nevojë dhe e meritojnë mbështetjen sociale.

-Ju kemi pare të angazhuar në disa aktivitete, sa fuqi ka Shërbimi Social Shtetëror t’ju vijë në ndihmë njerëzve në nevojë ?

Detyra ime si drejtuese e ShSSh është e tillë që kërkon nga unë personalisht, nga institucionet që unë drejtoj, nga aktorët, partnerët të përfshirë në zbatimin e skemave të mbrojtjes jo kontributive, që të jemi sa më të përgjegjshëm për ta bërë mbrojtjen sociale një skemë aktive, nxitëse, funksionuese dhe mbështetëse për njerëzit në nevojë.

Shërbimi Social Shtetëror ka kapacitetet e veta njerëzore dhe financiare mbi bazën e të cilave mbështeten tre skemat kryesore të mbrojtjes sociale për individët dhe familjet në nevojë. Por duke qenë një institucion social kemi nevojë edhe për solidaritetin e shoqërisë.

Rrjeti i “Miqve të Shërbimit Social” ku përfshihen biznese, shoqata, fondacione është tregues se shqiptarët janë solidar duke ndihmuar njerëzit në nevojë gjatë gjithë vitit. Me këtë rast dua t’i falenderoj të gjithë donatorët që gjatë vitit dhe sidomos në fund viti u gjendën pranë nesh për dhuruar dashuri dhe festa në 28 Institucionet e Përkujdesjes Sociale, duke mbështetur nismën e Ministres Manastirliu.

-Aktualisht, sa është numri i personave që përfitojnë ndihmë ekonomike në vendin tonë?

Aktualisht përfitojnë rreth 80 000 familje në gjithë vendin, por ky numër është relativ pasi çdo muaj mund të hyjnë familje të reja ose mund të dalin po ashtu për shkak të integrimit në tregun e punës.

-A e ka të mundur një qytetar të kaloji muajin me pagesën që i jepet nga ndihma ekonomike ?

Ndihma ekonomike është një mbështetje për familjet në nevojë për një periudhë të caktuar kohe, por nuk është zgjidhje. Integrimi në jetën shoqërore të familjeve në skemën e ndihmës nëpërmjet programeve të tilla si ato të nxitjes së punësimit, ri-integrimit social janë zgjidhja. Kjo është një nga risitë që sjell kjo skemë me qëllim që të mos përdoret si mekanizëm përfitimi që mund të çojë në papunësi të zgjatur të anëtarëve të familjeve në skemën e ndihmës ekonomike.

-Një tjetër problem për kategoritë që përfitojnë një pagesë nga ana e shtetit është sorollatja me dokumentacionet dhe rinovimi i tyre çdo vit…A ka një plan për ta thjeshtuar këtë gjë, që personat me aftësi të kufizuara po ata që nuk kanë aftësi për punë të mos e kalojnë gjysmën e vitit duke bërë dokumentet…?

Në Qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan aplikohet sistemi elektronik për përfitimin e ndihmës ekonomike dhe që nga janari i këtij viti ka filluar të aplikohet në 9 qarqet e tjera të vendit…Procedura e aplikimit është dhe ka vetëm 2 dokumente për të paraqitur për të aplikuar, kurse me skemën e vjetër ishin 7 dokumente. Me skemën e re të NE aplikohet vetëm me kartën e identitetit dhe certifikatën e pronësisë, të lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme/ vërtetimin e lëshuar nga Zyra e Kadastrës, apo aktin e marrjes në pronësi ose në përdorim të tokës, për zonat ku regjistrimi i pronësisë nuk ka përfunduar ende.

Sa i përket pagesave të aftësisë së kufizuar kur janë raste të reja pacientët paraqesin vetëm fletën e drejtimit dhe asnjë dokument tjetër pasi si certifikata, apo vërtetime ushtrie, papunësie sepse ato verifikohen online. Edhe për rastet kur pacienti rikomisionet pacienti paraqet vetëm epikrizën përcjellëse nga mjeku që vërteton gjendjen aktuale të pacienti në. Pra si për të përfituar ndihmën ekonomike si për të përfituar pagesën e aftësisë së kufizuar qytetarët paraqesin një apo dy dokumente ndryshe siç ndodhtë më parë, duke shmangur në maksimum burokracitë.

-Nga shërbimet e kujdesit shoqëror që ofron ShSSh janë edhe familjet në situate emergjence. A kemi raste të tilla. Dhe a keni ndërhyrë në ndonjë rast këto kohë, në familje që janë në situate të vështirë ?

Dua të sqaroj që në fillim. Roli i Bashkive në menaxhimin e rasteve emergjente sidomos pas Reformës Administrative Territoriale është kryesor dhe i rëndësishëm. Shërbimi Social Shtetëror sigurisht që është aty për të mbështetur ato familje dhe individë në rastin kur të gjitha alternativat e tjera të strehimit, apo punësimit janë ezauruar. SHSSH ka nën menaxhim Qendrën Kombëtare Tranzitore të Emergjencave ku aktualisht strehohen rreth 46 familje, por kjo qendër është për rastet më emergjente siç kanë qenë rasti i familjeve të komunitetit rom. Stafi i QKTE  punon për ti fuqizuar familjet e tyre për tu rikthyer sa me shpejt në banesat e tyre. E ritheksoj pas nënshkrimit të Pakteve Sociale, bashkitë e vendit kanë dhe duhet të marrin përsipër detyrimet që u takojnë.

-Ju thatë se ndihmë ekonomike përfitojnë edhe viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare. Në ç’gjendje jemi në këtë pikë. Sa problematike është situata e dhunës në familje si është gjendja e tyre ekonomike. Sa shpesh kërkohet ndihma ekonomike nga institucioni juaj nga këto familje?

Viktimat e dhunës në marrëdhënie familjarë përfitojnë pagesën si ndihmë ekonomike për aq kohë sa zgjat urdhri i tyre i mbrojtjes. Konkretisht kjo pagesë për viktimat e dhunës mbi 18 vjeç është 3000 lekë, kurse për fëmijët është 1000 lekë. ShSSh ka nën varësi Qendrën e Trajtimit të Viktimave të Dhunës në Familje e cila aktualisht strehon 16 viktima të dhunës. Në këtë qendër viktimave u ofrohen mbështetje dhe trajnime të ndryshme profesionale, trajtim psiko-social, asistencë ligjore/mjekësore me qëllim përgatitjen e tyre për tu ri-integruar në shoqëri nëpërmjet punësimit dhe pavarësisë së tyre social-ekonomike. Dhuna në familje është problem që ka ekzistuar dhe me shumë mundësi do kemi raste te tjera, por SHSSH është përherë në shërbim të këtyre viktimave për t’i ri-integruar sa më shpejt. Kjo kërkon një bashkëpunim të shoqërisë, organizatave, familjeve, njësive administrative në mënyrë që një rast të konsiderohet i integruar me sukses.

-Jo rrallë here kemi pasur akuza nga partitë politike se ndihma ekonomike është përdorur edhe për përfitime elektorale. Vitet e fundit duket se është reduktuar disi si fenomen, por a keni ju një strategji për ta zhdukur fare?

Padyshim që kjo është një nga sfidat e mëdha, që unë e konsideroj si prioritare. Ndihma ekonomike nuk është as lëmoshë financiare as instrument elektoral, por mbështetje që shteti dhe shoqëria e ofrojnë për individët dhe familjet në nevojë.

Ndihma ekonomike nuk duhet të ketë “ngjyrë politike”. Ajo është dhe duhet të jetë krejt “neutrale” politikisht dhe atë duhet ta përfitoj çdo individ e familje pavarësisht orientimit politik apo përkatësisë partiake. Këtij qëllimi po I shërbejnë reformat e ndërmarra të skemës së re të NE duke shmangur vendimmarrjen nga këshillat bashkiakë dhe duke e bërë një sistem tërësisht elektronik. Jam e sigurt që përmirësimet në këtë drejtim do jenë të padiskutueshme. Ky është një nga objektivat e rëndësishëm të punës sime në krye të ShSSh.

Pak  ditë më pare kryeministri i vendit u shfaq në formën e Babagjyshit dhe i erdhi në ndihmë një fëmije me problem për t’i siguruar një automjet për të shkuar në shkollë dhe për të vënë në dispozicion një fizioterapist. Shumë veta u prekën nga skenat, por pati dhe ata që ishin skeptik duke e cilësuar si show. Si fëmija që i erdhi në ndihmë kryeministri në Shqipëri ka disa, a ka një strategji SHSSH për t’u siguruar atyre kushtet që të shkojnë në shkollë apo dhe të trajtohen nga ana mjekësore?

Veprimi i Kryeministrit nuk ishte show por një veprim domethënës, që përmes një rasti të sensibilizojë tërë strukturat, administratën, biznesin, pushtetin vendor dhe gjithë aktorët e tjerë që të kthejnë më fort kokën për të kontribuar për të plotësuar disa kushte për fëmijët në nevojë. Në punën tonë edhe gjestet kanë rëndësinë e tyre. Sikur të kemi më shumë nuk do ishte keq. Ato mund të bëhen shembuj dhe modele për të gjithë për të ndihmuar të gjithë personat me AK, sidomos fëmijët. Dua të theksoj së fëmijët me aftësi të kufizuara marrin pagesën sipas kritereve dhe përcaktimeve ligjore. Në 6 Qendrat e Zhvillimit ku 2 varen nga SHSSH ofrohen shërbime terapeutike për fëmijët me aftësi të kufizuara mendore. Ndërkohë që Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka miratuar vendimin për mësuesit kujdestar që do të mundësojë ndjekjen e shkollimit për shumë fëmijë me aftësi të kufizuara fizike. Sigurisht që duhet bërë më shumë, por besoj se jemi në rrugë të mbarë për ti integruar në shoqëri jo vetëm fëmijët, por të gjithë individët dhe familjet në nevojë.

 

-Kush përfiton, sa?

Cilat janë kushtet që një familje duhet të plotësojë për të përfituar ndihmë ekonomike?

Skema e re e Ndihmës Ekonomike nuk ka më kritere përjashtuese, nuk ka më familje të varfra që për shkak të disa kritereve nuk kishin mundësinë e aplikimit. Përfitojnë të gjitha familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme;

-Ndërsa të ndara sipas kategorive përfitojnë:

-Jetimët të cilët nuk janë në institucione;

-Prindërit e fëmijëve të lindur trinjakë e më shumë njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë;

-Viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit të tyre;

-Viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.

-Fëmijë të vendosur në shërbimin e kujdestarisë

-Sa shkon pagesa e ndihmës ekonomike sipas kategorive përkatëse ?

Masa e ndihmës ekonomike është e përcaktuar me VKM dhe llogaritet sipas strukturës së familjes dhe  masa maksimale e plotë e ndihmës ekonomike për familjen nuk mund të jetë më e lartë se 8 000 (tetë mijë) lekë në muaj.

Masa e ndihmës ekonomike, në muaj, për prindërit me më shumë se dy fëmijë të lindur njëherësh është:

  1. për trinjakë, 3000 (tremijë) lekë për çdo fëmijë;
  2. për katërnjakë, 4000 (katërmijë) lekë për çdo fëmijë;
  3. për pesënjakë, 5000 (pesëmijë) lekë për çdo fëmijë;

Ndërsa për kategoritë e veçanta:

  1. për jetimët 3000 lekë/muaj;
  2. viktime trafikimi 3000 lekë në muaj;
  3. viktime dhune 3000 lekë në muaj;
  4. Për fëmijët të vendosur në shërbim kujdestarie 9000 lek/muaj.+25000lek në vit për fëmijët që ndjekin shkollën;
  5. Për fëmijët me AK të vendosur në kujdestari pagesa është 10 000 lek/muaj.
January 31, 2018 10:23
Komento

1 Koment

  1. njerez; behuni "pak" ALTRUIST, ne fakt.....zbatoni LIGJIN . January 31, 18:34

    nuk ka fenomen me tragjik, se fenomeni i ndihmes ekonomike . eshte per te thirrur sa te çahet qielli …ndihma ekonomike eshte pjese kushtetues e sistemit demokratik, per momentet e papunsise . duhet te jete e perjeteshme, dinjitoze dhe e garantuar . ne shqiperi, gati 28 vjet, kjo …..eshte zbatuar ne formmen me kriminale e hipokrite, me nje shume qesharake, qe s’mbulon nje jave shpenzime minimale, per nje familje (3000 leke) . per me teper me shume burokraci dhe kercenim per t’a hequr fare, a thua se eshte lemoshe . ne te kundert, ne menyren me barbare, si kurr ne historine e njerezimit, doli teoria e kompensimit te ish pronareve (shih feudaleve) . pasi, 50 vjetet komunizem, ishin “persekutim” per ata dhe ishte e “drejte” qe kjo klase e zhdukur pergjithmone nga skena e historise, qe nga koha e revolucionit francez, te reabilitohej vetem e vetem, qe “denimi” i komunizmit te dukej sa me real, para njerezve te hutuar dhe brezit te ri . per me teper akoma; ndihme ekonomike, po quhet vetem ndihma sociale, qe jepet per njerezit me aftesi fizike te kufizuar e pak kategori te tjera dhe kjo po theksohet aq shume, sa eshte sfumuar gati krejt ndima sociale e papunesise, qe eshte me themelorja me kushtetuesja dhe me e domosdoshmja, pasi ndihma per kategorite e tjera, eshte e dukshme dhe per impaktin moral eshte domosdoshmersht e zbatueshme . ndihma sociale e papunesise, eshte mbajtur e pa negocushme, sa here eshte bere e ashtuquajtura ngritje e pageses, per njerezit ne nevoje, a thua qellimisht te “harrohet” ose te “quhet” nje “ligj” “human” i perkohshem dhe jo..KUSHTETUS.. bej thirrje; çdo krijese njerezore e ketij kombi, i afte per te kuptuar, ose per me teper, qe ka lidhe me fenomenin e papunesise; partiake, shtetar, akademik intelektual, apo qytetar i thjeshte, te reagoi me gjithe forcen e intelektit dhe moralit, te mare pjese, per te ndequr kete situate kriminale, per te rregulluar statusin e “te papunit”, nje ore e me pare, ose ne te kundert, te mos e gezojne nderin e madh, te quhen..NJEREZ..

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim