Intervistë imagjinare dhënë Rudina Xhungës, në Dritaren…(time!)

February 14, 2016 09:56

Intervistë imagjinare dhënë Rudina Xhungës, në Dritaren…(time!)

Shënim i redaksisë: Mbrëmjen përpara një interviste televizive të Nexhmije Hoxhës me gazetaren Rudina Xhunga, Pëllumb Kulla botoi një shënim të shkurtër në Facebook. Pas botimit të atij postimi në DITA, replikat nuk u ndalën për ditë me radhë.

Xhunga iu përgjigj Kullës duke i kujtuar se Enver Hoxha i kishte dhënë bursë, madje paralajmëroi se “mund të botoheshin letra ish-ithtarësh” duke aluduar se Kulla ka dërguar të tilla para ‘90-s.

“Sot në gazetën “Dita” është botuar një artikull i Pëllumb Kullës ku akuzonte Nexhmije Hoxhën dhe intervistuesen e saj si dy femra të dashuruara me Enverin. Pas statusit të tij në Facebook publikuar nga “Dita”, ku bënte thirrje që intervista mos shikohej, ish skenaristi, humoristi, dhe regjisori i Estradës së Fierit, i shpërblyer me bursë nga vetë Enver Hoxha, goditi sërisht. E kishte parë të gjithë intervistën dhe kishte bërë edhe interpretimet përkatëse… Do të jetë interesante kur Nexhmije Hoxha të botojë letrat e ish ithtarëve të saj, që i ka ende në arkivë. A thua do të ketë ndonjë letër falenderimi ndaj rregjimit dhe asaj vetë, nga kritikët e sotëm?– shkruante gazetarja Xhunga.

Kulla ka vendosur të përgjigjet sot në DITA. Dhe e bën në mënyrën e tij. Ka ndërtuar një “intervistë imagjinare” me Rudina Xhungën.

“Po dërgoj edhe një foto timen të moshës së atëhershme kur jepeshin bursat. Viti 1958. Ma vini në gazetë. Ndoshta bën efekt paqësor. Dhe të lutem, Thano, no comments! As të këqija që më shajnë nga gruaja dhe sidomos as komente të mira!– shkruan Kulla, në shënimin që shoqëron “intervistën” dërguar dje për kryeredaktorin e ‘Dita-s’, duke kërkuar që online shkrimi të mos jetë i hapur për reagime.

Më poshtë, “intervista” e Kullës me Xhungën:

 

 

*****

BURSAT E MBRETËRVE TË SHQIPËRISË

(Intervistë imagjinare dhënë Rudina Xhungës, në Dritaren…(time!))

Nga Pëllumb Kulla

UNË: Urdhëro Rudina, hyrë në Dritare! Sqaroj ty dhe gjithë lexuesit e mij që edhe kjo është intervista e fundit, po e fundit fare ama, që trajtoj ty dhe zonjën Nexhmije. Dhe uroj që askush të mos të të ngacmojë më në 105 vjetorin e saj, kur t’i marrësh intervistën e radhës. Kurse sot, të falënderoj që më dhe rastin.

RUDINA: Kjo është intervistë imagjinare, zotëri! E shkruar nga ty. Unë ty nuk do të të afrohesha kurrë për të të intervistuar. E kuptojnë lexuesit këtë?

UNË: Lexuesit e mi po. Të tutë… Nuk e vë dorën në zjarr. Urdhëro! Pyet çfarë të duash!

RUDINA: Nuk do të më japësh pyetje të përgatitura nga ty vetë?! Siç më akuzoje sikur m’i jepte ajo, që intervistova?

UNË: Ai qortim ishte një figurë satirike. Kërkoj ndjesë. Ti në këtë intervistën e tretë e dije vetë se çfarë duhet t’i pyesje Nexhmijes.

RUDINA: Do të jemi seriozë?

UNË: Unë e kam vështirë, por do të përpiqem. Pastaj dhe në shaka, unë do të jem thellësisht serioz. Shakatë dalin të shpifura po nuk qenë mbështetur mbi gjëra serioze dhe të vërteta. Të garantoj vetëm që do të jem i vërtetë. Ti do të më besosh?

RUDINA: Të shohim. Nuk e di.

UNË: Ti para dy-tri ditësh e dije shumë mirë që po dëgjoje një mal me gënjeshtra dhe besove. Mua, që nuk kam dërguar asnjë shoqe dhe shok në atë botë, nuk më beson?! Mirë pra, si të duash.

RUDINA: Kur je lindur?

UNË: Zogu qe arratisur. Enveri nuk kish nisur as jetën me parti dhe as atë me dashuri.

RUDINA: Zogu, në arratisje e sipër, para se të kalonte kufirin pat ndaluar në shtëpinë tuaj?

UNË: Afërsisht. Në shtëpinë përkrah. Por edhe ata njerëzit tanë ishin. Mua nuk më pyetën a ta pranonin në shtëpi mbretin, apo jo. Sepse, siç të thashë, nuk më pyesnin dot pa lindur unë akoma. Por nuk do t’i kundërshtoja dot. Ata ishin zogistë. Pastaj mbreti i një vendi ndalon ku të dojë. Më vonë edhe presidentë, psh, Berisha dhe Topi kanë ndaluar në shtëpinë time. Edhe Enveri, po të vinte puna…

RUDINA: Çfarë lidhje kishte gjyshi yt me mbretin?

UNË: Kanë qenë friends në Fejsbuk!.. Hajde, mos zgjatemi tani! Ka qenë shefi i rojeve të parlamentit të atëhershëm. Për atë ndalesë të shkurtër të mbretit, gjyshin e pushkatuan.

RUDINA: Ti, pra, konsideroheshe me prejardhje reaksionare. Me biografi të keqe.

UNË: Si urdhëron! Shumë.

Kulla 1958

Kulla 1958

RUDINA: Kush ta hapi derën për në shkollë të lartë?

UNË: Nuk më pyete më parë kush ma kishte mbyllur! Apo…

RUDINA: Jo, unë pyes: kush të lejoi?

UNË: Enver Hoxha! Dhe për këtë i jam shumë mirënjohës.

RUDINA: Fillove të tallesh tani?!

UNË: Aspak! Unë edhe tani e falënderoj. Edhe sot, 56 vjet më vonë, e përsëris këtë. Falë atij unë po të jap sot këtë intervistë. Falë atij unë u bëra i njohur dhe me një farë rëndësie. Falë atij unë bëra një jetë mjaft interesante dhe të bukur mes artistësh të mrekullueshëm, kolegësh shkrimtarë, gazetarësh të talentuar. Falë atij, dyzet e ca vjet më vonë, edhe Berisha, më emëroi…

RUDINA: Nuk rri dot dy minuta pa bërë shaka?!

UNË: Nuk bëj aspak. Sikur të mos kishte ndaluar Enver Hoxha pranë tornos sime në repartin mekanik të uzinës “Enver” atë 10 prill të vitit 1960… Po të mos më kishte vënë re kur i ngrita dorën, unë nuk do të isha kulturuar kështu si jam sot, nuk do të kisha shfaqur fytyrën në ekranin e TV shqiptar, ku nuk fluturonte dot as miza dhe nuk do të numëroja sot ata 20 libra të botuar! Me emrin që bëra, i duhesha dhe Berishës që pat marrë përsipër të tregonte se komunizmi qe përmbysur dhe gjërat ishin krejt ndryshe tani…

RUDINA: Pse a nuk është ashtu? Nuk është përmbysur komunizmi?

UNË: Do të vijmë dhe aty, po lemë të të ritheksoj falënderjen ndaj fatit dhe ndaj atij që ndaloi tek tornoja ime në uzinë. Falënderimi është një shfaqje kortezie pa shumë interpretime përmbajtësore. Nuk është një poemë madhore për të, as monument, apo qoftë edhe këngë për udhëheqësin. Berishën, bile edhe mua, për ca vite na kanë thirrur “shkëlqesi”. Thjesht kortezi është! Nuk është se unë dhe Berisha shkëlqenim!

RUDINA: Por ti nuk je për Enverin aq mirënjohës sa thua me gojë. Me vepra ti ke nxirë gjithëçka… Ke shkruar 1001 të zeza për të, dhe për të shoqen.

UNË: Nuk duhet t’i bëja këto?!

RUDINA: Aspak. Atij, ti i detyrohesh…

UNË: Prit, prit! Mirënjohja ime është e sinqertë, por mbaron këtu. Tani, çfarë bëri ai duke më dhënë shkollën? Heroizëm? U hodh në lumë dhe më nxori në breg?

RUDINA: Pothuaj! Rregulli ishte që fëmijët e armiqve…

UNË: Fëmijët e pafajshëm të shqiptarëve, thuaj! Kush e pat vendosur atë rregull? Stalini? Apo vetë ai? Ai theu rregullin për mua, por nuk e theu më për mijëra e mijëra fatkeqë të tjerë, që nuk i lejonte të drejtën e shkollimit, përfshi vëllezërit e mi dhe deri në kushërinjtë e mi të katërt. Pastaj, Rudina, koha e tregoi se unë e meritoja. Dhe në fushën që studjova, bëra paaaaakëz vend, apo jo?

RUDINA: Ja, pra! Vendimi i tij për të të ndihmuar doli që…

UNË: Zotëronte nuhatje gjeniale, thua?! Ato çaste, më 10 prill ‘60 ai me gjenialitetin e tij nuhati se ky djali njëzet vjeçar me kominoshe, e meriton?!.. Phë! Pastaj, atë që ti dhe Nexhmija e quani bursë… Mua bursë nuk më dhanë kurrë! Asnjë qindarkë! Thjesht lejë që të studjoja. Një qytetar i lirë, i pafajshëm i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, u lejua të shkonte në auditore universiteti! Pa mbështetje financiare! Ama, për atë barrë të familjes në katër vitet studentore unë punoja me pagesë që nga kanalet deri te përkthimet e Gogolit, Pirandelos, Sartrit, Çehovit, Kuprinit. Dhe rusishten time nuk e pata sjellë nga ndonjë bursë në Leningrad! Ishin katër vite të bukur shkolle, mbushur me nostalgji tani. Edhe pse pa bërë kurrë pushime verore të një studenti. Por po ta dinit, ti dhe një shoqja jote, kuptimin e fjalës bursë, këto që listova nuk janë ashtu. Ishte punë, punë pa ndërprerje e muajve të verës! Në Bistricë, Kurbnesh, në kantjeret e ndërmarrjes Rruga-Ura. Familja, e babait tim me shumë fëmijë, ishte në gjendje të mjeruar financiare. Me këtë kriter meritoja kategorikisht bursë, por ja, nuk m’u akordua!

Enver dhe Nexhmije Hoxha

Enver dhe Nexhmije Hoxha

RUDINA: Babai yt ka qenë me Ballin Kombëtar?

UNË: Asedhenjë sekondëzë të vetme! Ti, Rudina, i nxjerr pyetjet nga shporta e plehrave, plot me komentatorë frikacakë, me 3-4 emra të rremë dhe të ndryshëm sejcili… Pra unë nuk kam patur bursë, siç të ka thënë zonja e vjetër. Në dokumentat e këtyre ditëve është përmendur, ama, bursa që i ka dhënë tre vjet rresht vetë mbretit Enver, mbreti Zog. Dhe ministri i Arsimit, Ivanaj, ia preu atë bursë, ngaqë mbreti Enver, gjatë tre vjetëve nuk dha dot asnjë provim. Me të ardhur në pushtet, pastaj, ministrin Ivanaj e vendosi para skuadrës së pushkatarëve. Tre vjet në Francë! Asaj i thonë bursë! Unë i dhashë të gjitha provimet. Shoku Komandant nuk pati mirënjohje dhe nuk pushoi së anatemuari Zogun tërë jetën e duke i vrarë edhe kuzhinjerët e tij! Dhe duke e dënuar atë vetë me vdekje në mungesë! Shkrimet e mia kundër mirëbërsit tim nuk janë asgjë në krahasim me ato të tiat kundër mirëbërësit të vet. Unë nuk hodha në erë me dinamit varrin e ndonjë Nëne Mbretëreshë! Dhe më beso, Rudina, asnjëherë në ëndrat e mia nuk bëri pjesë ndonjëra për ta vrarë mbretin Enver në mungesë. As atë, as të shoqen!

RUDINA: Atëherë si shpjegohet antienverizmi yt i egër? Mos ndofta për shkak të gjyshit të ekzekutuar?

UNË: Gjyshin unë nuk e kam njohur dhe, thellë-thellë, ndjenjat ndaj tij janë të një dashurie ashtu-kështu… Gjyshi pat zgjedhur kundërshtarin e tij politik. Fati i tij! Kundërshtari doli më i zoti, fitoi dhe e pushkatoi. Unë pas shkollës që m’u dha, u rrita, u ndërgjegjësova, u pajisa me parime të shëndosha e të patundura. Dëmi i madh moral në historinë e kombit nuk ishte ngase Enveri pushkatoi gjyshin tim, të cilin unë e doja, por sepse pushkatoi shokun e tij, Beqir Ballukun, të cilin nuk e desha aspak!

RUDINA: Por ti gjatë gjithë jetës i ke shërbyer atij me besnikëri në detyrën e “edukimit komunist të masave.”

UNË: Unë u angazhova në atë edukim, por me qëllime sabotimi. Ti e ke parë edukimin enverian se çfarë rezultate dha pas sabotimit tim? A i sheh në ç‘gjëndje të mjeruar janë masat tona sot? Të ze të qarët. Pranojnë të mblidhen ende ushtarakisht nëpër manifestime. Mes tyre bën kërdinë pabesia, hajdutëria, shitja e shokut, shitja e shoqes, shitja e vajzës, servilizmi, mungesa e llahtarshme e guximit për të thënë të vërtetën, paaftësia për të zgjedhur dhe mbështetur njerëzit që meritojnë. Kjo e gjitha ka ndodhur sepse sabotova unë!

RUDINA: Ti u ktheve te shakatë! Ti, more zotëri, ishe shërbëtor në sektorin ideologjik, ku i thurrnit himne udhëheqësit, i bënit dhithirambe partisë…

UNË: Lere tani, Rudina! E zgjate përsëri dorën në shportën e karavidheve! Më mirë ti dhe ata që duan të më bëjnë të skuqem më gjeni një varg, apo një këngë. Edhe në atë fushë unë kam qenë me fat se nuk m’u kërkua kurrë ndonjë himn! Në atë shkretëtirë, unë dhe shokët e mi mbajtëm gjallë të qeshurën. Ishte një lumturi e madhe kur njerëzit halleshumë, që ju i quani masa, dilnin të çelur nga salla ku ne jepnim komeditë, gazin e ditës, karakteret qesharakë të burokratëve, servilave, demagogëve. Edhe partia kish nevojë për artin tonë e për stigmatizimin e veseve dhe burokracisë. Ishte një pikë ku takoheshim me partinë. E ne angazhoheshim sinqerisht atje, bile duke qenë krenarë për ato suksese profesionale që arrinim. Unë, moj zonjë, bëj pjesë në ata shkrimtarë dhe artistë të paktë, që nuk kanë mohuar asgjë nga ato që kanë bërë dhe shkruar. Jo vetëm nuk kam zhdukur asnjë vepër, por asedhenjë rresht nuk u kam ndryshuar atyre.

RUDINA: Po ato me ballistë dhe partizanë?

UNË: Ju i shihni që unë nuk kam kërkuar ndalimin e tyre, siç kanë bërë disa… Për ballistët kam të njëjtin mendim. Edhe për partizanët po atë. Ju digjeni nga dëshira të kem ndryshuar mendje tani.

RUDINA: Po për kuadrot e atëhershëm të partisë?

UNË: Natyrisht, kam po atë vlerësim që kisha. Edhe për të zinjtë edhe për të bardhët.Vetëm atëherë nuk e shfaqja se nuk isha as i marrë dhe as Don Kishot, siç më quan ti. Me shumë nga kuadrot e atëhershëm kam patur marrëdhënie të drejta dhe të sinqerta. Nuk është mirë kur i fusim të tërë në një kosh. Ekziston një film, “Listat e Shindlerit” titullohet, ku një gjerman i fuqishëm shpëtonte hebrenjtë. Kjo nuk ishte tipike në Gjermaninë naziste, por egërsia e nazizmit mund të evidentohej edhe duke nxjerrë në dritën e artit, një gjerman jo tipik. Kështu edhe tek ne, unë mendoj se diktaturën e egër komuniste ne mund ta pasqyrojmë edhe duke nxjerrë në pah funksionarë komunistë të ndjeshëm, mes egërsisë të përgjithëshme.

RUDINA: Të kanë dërguar në gurore për ndëshkim?

UNË: Po. Disa muaj. Tre vjet pasi mbarova shkollën e aktorëve, në Vlorë më degdisën pa shpjegim, pa motiv zyrtar që bile, nuk e di as sot. Por pa asnjë hipokrizi dhe shtirje ruaj kujtime të bukura edhe nga ata njerëz aty. Pas gurores më dërguan në Ndërmarrjen e Ndërtimit, xhenerik, poshtë kamionave. Dhe prej aty ruaj kujtime të mira për njerëzit. Edhe për qendrimin tim. Unë nuk jam shprehur ndonjë herë sa dominant ishte persekutimi mbi mua. Jam lodhur shumë, por edhe kam fituar shumë. Fitoret e mia, të arritura mes shumë përpjekjesh e armiqësish, ndrisin! Dhe unë jo një herë kam deklaruar dhe po deklaroj edhe sot, se jeta ime ka qenë shumë e bukur. Një jetë që do ta shoh me kokën lart për pastërtinë dhe mosndotjen e saj. Më fal që po e them ndryshe të njëjtën fjalë. Por edhe jam përkrahur nga njerëz të mirë që Shqipëria ka ende plot.

RUDINA: Flasim për marrëdhëniet e tua me postkomunizmin… Berisha?

UNË: Kam folur shumë për atë njeri e nuk dua të flas më.

RUDINA: Kur i ktheve kurrizin Saliut?

UNË: Mot i mirë sot, eh Rudina?… Pak ftohtë por dimri ende…

RUDINA: Lere motin! Ti ke qenë në marrëdhënie të mira me të.

UNË: Dhe jam krenar që i shërbeva me besim dhe devocion kur ai udhëhiqte punët e shtetit. Ministrat, dhe diplomatët që kanë punuar me të i shërbenin shtetit, jo atij. Siç mendohej se i shërbente dhe ai. Në detyrat që më dha nuk i kundërshtova asnjërën sepse nuk më dha asnjë detyrë për t’u kundërshtuar.

RUDINA: Përse u armiqësove me të?

UNË: Zhyt dorën në shportën e komentatorëve dhe zgjidh aty një përgjigje siç e mendojnë ata. Një arsye: “sepse nuk më dha atë, apo këtë!”Arsyeja është se çerekshekulli i tij mund të quhet periudha e mashtrimit të shqiptarëve. Dhe më mirë të jesh i mashtruari se sa mashtruesi. Ai sundoi dhe e katandisi Shqipërinë në mënyrë të tillë që të nderonte Enverin. Sinqerisht nuk u ve faj qindramijëra shqiptarëve që tani e qajnë Enverin. Gjeni atje një poezi që i kam kushtuar Berishës, apo, më mirë, një letër himnizuese.

Intervistë me Nexhmijen

Intervistë me Nexhmijen

RUDINA: Po Enver Hoxhës i ke drejtuar ndonjë letër të tillë?

UNË: Pyet atë shoqen tënde të moshuar. Ajo ka arkiv, thua ti. Dhe ka vërtet. Një herë u dha gazetave një letër që i pat shkruar asaj Kadareja. Dhe prit të ta citoj dy a tri fraza: “Shoqja Nexhmije… Ju kërkoj ndjesë që po ju shqetësoj… më shtyu një arsye e fortë…… Është fjala përsëri për apartamentin e ri,….E ndjej veten… në vend që t’ju drejtohesha për probleme më të rëndësishme, detyrohem t’ju shkruaj për një çështje strehimi……. Me respekt Ismail Kadare” E nxorri për gazetat! Një gjest i turpshëm që zonja vejushë, shpresonte se do ta vinte në dritë të keqe Kadarenë.

RUDINA: Nuk e vuri?

UNË: Aspak! Vuri veten. Unë kam besuar se kjo grua ka aq të zeza në karakter, por që të ketë qenë aq budallaqe, sa të kujtojnte se me këtë letër nuk dëmton fare veten dhe të shoqin, nuk e besoja! Si mundet ajo t’u kujtojë edhe një herë shqiptarëve, se edhe për të marrë një apartament duhet t’i luteshe me ballë në tokë Enverit dhe Nexhmijes?! Ç‘është kjo shefe e madhe e strehimit që ruan letrat e hallexhinjve?! Po a ka pikturë më të madhe mjerimi, se sa të dëshmosh që shkrimtari më i mirë i Shqipërisë, i Ballkanit e ndoshta i Europës, i lutet gruas më pa vlerë të Shqipërisë, të Ballkanit dhe ndoshta Europës, për një shtëpi të futë kokën?! Dhe mendon se poshtëron Ismailin duke i rikujtuar atij se ai i kërkonte falje për shqetësimin dhe se kish konsideratë të lartë për atë zonjë me frazën mbyllëse “me respekt Ismail Kadare”

RUDINA: E ka botuar këtë ajo?!

UNË: Po, shoqe, po! Të gjithë u gëzuan se kujtuan se filloi hapja e dosjeve. Por qe e pjesëshme. Dosjet deri më sot i ka hapur vetëm Nexhmija. Ato dosje që i duhen. A thua ajo mban dhe arkivin e Komitetit Qendror? Se atëherë duhet të ketë ankesat që unë i kam dërguar Ramizit, Paçramit, Pali Miskës, Kadri Hazbiut… Por ato janë ankesa, shoqe! Ankesa! Nuk janë urime ditlindjeje! Ju thashë më lart se më kanë dëbuar nga skenat dhe kam djersitur pesë vjet në gurore dhe ndërtim pa asnjë motivacion zyrtar. Thyeja gurë dhe nuk më linin t’i thyeja të paktën në guroren e Tiranës, ku kisha familjen. Jo! Duhet t’i thyeja në guroren e Kaninës së Vlorës dhe të flija …në hotel! Në dukje të jashtme dukesha si një kuadër i lartë, dërguar në Kaninë me dieta, si specialist i thyerjes së gurëve me metoda bashkëkohore! Në ka ruajtur ndonjë nga ato letra, gjë që është thellësisht e turpshme, se nuk i janë drejtuar asaj, – le t’i nxjerrë por le të japë tërë tekstin jo vetëm atë rresht hyrës ku shkruhet “I nderuar … kërkoj ndjesë që po ju shqetesoj… me respekt, Pëllumb Kulla”

RUDINA: Mirë, mirë… Ju mbani bindjet tuaja. Do ta mbyll me një frazë tipike intervistuesish: çfarë do t’i uroni lexuesve?

UNË: Do t’i uroja të kuptojnë se lufta e klasave nuk ka pushuar kurrë në Shqipëri. Se enverizmi po përmbyt këtë vend të vuajtur. Se Rudina me shoqet dhe shokët e saj nga pozita qiellore edhe sot përdorin fjalën “të kemi dhënë bursë” duke lënë të kuptohet se mbreti i gjysmës së dytë të shekullit 20 i jepte këto nga rroga gjashtëmbëdhjetë mijë lekshe. Se nuk mjafton që prona nuk u janë dhënë atyre që iu rrëmbyen, se nuk mjafton që të burgosurve pa faj me vite të gjata pas hekurave dhe telave nuk u janë dhënë dëmshpërblimet e premtuara, por ende nga miliarderët dhe milionerët që kaluan nga parajsa në një parajsë më të mirë, shihen përsëri me përbuzje. Dhe ata e meritojnë atë përbuzje!

 

 

*****

Botuar sot në DITA. Me kërkesë të autorit, komentet e lexuesve mbi këtë shkrim janë bllokuar.

February 14, 2016 09:56