Përse shkruaj shpesh për Amerikën

September 16, 2020 13:13

Përse shkruaj shpesh për Amerikën

“Për shkak të formimit tim kulturor e akademik në atë vend, për shkak të eksperiencave të mia jetësore e profesionale shumë të pasura në Shtetet e Bashkuara si sociolog, si studiues i politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare dhe si një amabasador i vendit tim në Uashington, Amerika ka qenë dhe mbetet një subjekt mjaft i rëndësishëm dhe atraktiv për mua” – thotë në këtë intervistë botuar sot në DITA sociologu dhe diplomati Fatos Tarifa.

Me profesor Tarifën bisedoi gazetari Erjon Habilaj:

 

Prof. Tarifa, një pjesë e mirë e krijimtarisë suaj akademike ka pasur dhe ka për subjekt Amerikën, shoqërinë amerikane dhe politikën e këtij vendi. Disa nga librat tuaj, si dhe shumë nga artikujt që ju keni botuar edhe për këtë gazetë, flasin për Amerikën. Për një intelektual shqiptar është e pazakontë të shkruajë kaq shumë, disa vëllime, qindra apo mijëra faqe, për një vend tjetër. Si mund t’ia shpjegoni këtë publikut shqiptar?

Është e vërtetë që shoqëria, kultura dhe politika amerikane kanë zenë dhe zenë një vend të rëndësishëm në interesimet dhe në krijimtarinë time akademike të këtyre 20 viteve të fundit. Për shkak të formimit tim kulturor e akademik në atë vend, për shkak të eksperiencave të mia jetësore e profesionale shumë të pasura në Shtetet e Bashkuara si sociolog, si studiues i politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare dhe si një amabasador i vendit tim në Uashington, Amerika ka qenë dhe mbetet një subjekt mjaft i rëndësishëm dhe atraktiv për mua.

Në vitin 2007, ndërsa jetoja dhe punoja ende në Shtetet e Bashkuara, botova në Tiranë librin Saga e dy kontinenteve: A po ndahen Europa dhe Amerika nga njëra-tjetra? Një vit më vonë, kur sapo isha kthyer në Shqipëri, botova librin Amerikanofobia dhe anti-amerikanizmi europian. Në vitin 2010 botova një ndër librat e mi më të rëndësishëm, Fati i një shekulli: Hegjemonia amerikane, dilemat e Europës dhe sfidat e Azisë Lindore. Më 2011 u përkthyen dhe u botuan në anglisht dhe në shqip, nën titullin Letters to America / Letra Amerikës, pjesë të zgjedhura nga libri im To Albania, with Love, që ishte botuar nga Hamilton Books dhe University Press of America më 2007. Në vitin 2013 botova një prej librave të mi më të dashur, titulluar James. Studenti im amerikan ushtar në Irak.

Së fundmi, bashkë me kolegun dhe mikun tim të vjetër, Prof. Ksenofon Krisafi, kemi përgatitur për botim një libër që e titullojmë Amerika si demiurg dhe hegjemon i rendit të sotëm botëror.

Unë nuk kam as më të voglin dyshim se librat dhe artikujt tuaj, përfshirë edhe ata që për subjekt kanë Amerikën, lexohen dhe pëlqehen nga një masë e gjerë e publikut shqiptar, e cila, ashtu si dhe kjo gazetë, për shkak të përvojave tuaja akademike e diplomatike në Amerikë, ju vlerëson si ekspertin më të mirë të “çështjeve amerikane”. Ç’mund të na thoni për interesimin që ju vini re se ekziston te ne për Shtetet e Bashkuara?

Për shumë vite me radhë kam dhënë e jap leksione, në disa universitete amerikanë dhe në Shqipëri, veç të tjerash edhe në një lëndë, e cila, në mënyrë rutinë, emërtohet thuajse kudo njëlloj: “U.S. Government and Politics”, ose “Shoqëria dhe politika në Amerikë”.

Përvoja shumëvjeçare më ka bindur se, veçanërisht për ata studentë shqiptarë, që fushë studimi kanë shkencën politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, por po kaq edhe për ata që studiojnë sociologji, histori, ose fokusohen në studimet kulturore, si dhe për një pjesë të mirë të “publikut të lexuar”, nëse përdor një shprehje të Kantit, Amerika mbetet një vend tepër interesant, por edhe një vend ende pak i njohur për shumicën e shqiptarëve, pavarësisht disa dhjetëra mijëra studentëve shqiptarë që kanë studiuar, ose vazhdojnë të studiojnë në universitetet dhe në kolegjet e atij vendi, pavarërisht atyre 200,000 shtetasve shqiptarë që kanë emigruan në Shtetet e Bashkuara gjatë tridhjetë viteve të fundit dhe pavarësisht se mijëra shqiptarë të tjerë e kanë vizituar atë vend duke filluar nga vitet 1990 e deri më sot. Natyrisht, me atë që është dhe me atë përfaqëson, Amerika nuk lë askënd të painteresuar.

Amerika shihet nga shumë njerëz si një shoqëri sui generis, apo si një vend krejt ndryshe nga vendet e tjerë, si një vend “eksepsional”, një subjekt ky për të cilin ju keni shkruar edhe në këtë gazetë. Mund të shpjegoni nëse është vërtet kështu?

Më lejoni, me këtë rast, të shpjegoj se si e kanë parë dhe vlerësuar Amerikën disa nga intelektualët europianë më të njohur të shekullit të 19-të. Në fillim të viteve 1830, Alexis de Tocqueville e vizitoi atë vend për 9 muaj radhazi dhe shkroi veprën e tij të famshme Democracia në Amerikë, botuar në dy vëllime, përkatësisht në vitet 1835 dhe 1840.

Ky libër është një kryevepër e letërsisë historike e politike dhe vazhdon të konsiderohet edhe sot si libri më i mirë që është shkruar ndonjëherë për Amerikën dhe për demokracinë. Vepra e Tocqueville mbi Amerikën dhe marrëdhëniet e tij me atë vend janë botërisht të njohura. Ajo që njihet më pak, sidomos nga publiku shqiptar, është interesimi që kishte Karl Marksi për Amerikën dhe marrëdhënia e tij me historinë dhe me shoqërinë amerikane të kohës së vet.

Vepra e Tocqueville-it është e njohur për një pjesë të publikut shqiptar. Pjesë nga ajo vepër voluminoze, mesa di unë, janë përkthyer dhe botuar në shqip. Por, për Marksin, të cilin kemi menduar se e njohim “shumë mirë”, nuk kemi dëgjuar të ketë qenë një admirues i Amerikës. Mundet të na thoni  më shumë për të?

Edhe pse, kur ishte i ri, Marksi kishte menduar seriozisht të emigronte në Amerikë, ndoshta në Texas, ai nuk shkeli kurrë në atë vend. Kjo rrethanë, sidoqoftë, nuk e pengoi atë që të shkruante për atë vend, sidomos për Luftën Civile në Amerikë dhe për rëndësinë historike të saj. Gjatë periudhës së Luftës Civile, Marksi shkroi për gazetën New York Daily Tribune si korrespondenti i saj në Europë. Ai botoi në atë gazetë rreth 350 artikuj mbi Luftën Civile, të cilët lexohen me interes nga shumë historianë, sociologë dhe ekonomistë edhe sot, pas 160 vitesh.

Burime të ndryshme historike dëshmojnë se Abraham Lincoln ishte një lexues i rregullt i gazetës në fjalë, në atë kohë gazeta me numrin më të madh të abonentëve në të gjithë botën, si dhe i artikujve të Marksit që u botuan në të.

Në artikujt dhe në letrat e tij të asaj periudhe, Marksi argumentonte se “Deklarata e Emancipimit”, e nënshkruar nga Abraham Lincoln, dhe armatimi i ushtarëve zezakë në shtetet e veriut e transformuan Luftën Civile në Amerikë nga një luftë kushtetuese për mbrojtjen e republikës, në një luftë revolucionare.

Në janar të vitit 1861, pasi Abraham Lincoln kishte fituar zgjedhjet presidenciale, por ende nuk kishte marrë detyrën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, në një letër dërguar mikut të tij Friedrich Engels, Maksi shkruante se “[dy] ngjarjet më të mëdha që po ndodhin në botën e sotme janë, nga njëra anë, lëvizja e skllevërve në Amerikë…dhe, nga ana tjetër, lëvizja e fshatarëve bujkrobër në Rusi”.

Më vonë, në vëllimin e parë të Kapitalit, Marksi do të vinte në përfundimin se: “Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çdo lëvizje punëtore e pavarur ka qenë e paralizuar për sa kohë që skllavëria e shkatërroi një pjesë të republikës. Nuk mund të ketë emancipim të punës për njerëzit e bardhë nëse kjo nuk ndodh dhe për njerëzit me ngjyrë. Sidoqoftë, një jetë e re nisi menjëherë pas vdekjes së skllavërisë. Fruti i parë i Luftës Civile në Amerikë ishte fushata për ditën tetë-orëshe të punës”.

Zhvillimet ekonomike dhe politike në Amerikën e mesit të shekullit të 19-të dhe, sidomos, Lufta Civile në atë vend, të cilat, sipas Marksit, do të kishin pasoja në shkallë globale, kanë pasur një ndikim kaq të madh në formimin e tij, saqë, siç shkruan një historian amerikan, “edhe pse Marksi konsiderohet si një fenomen europian, pikëpamjet e tij politike radikale u formuan përfundimisht nga raportet e tij me jetën në Amerikë”. Madje, në formulimin e disa prej pikëpamjeve të tij më të rëndësishme mbi kapitalizmin, Marksi kishte parasysh pikërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duket sikur edhe vetë Marksi i konsideronte Shtetet e Bashkuara si një vend “ekspesional”, apo kjo është një përshtypje e pasaktë?

Për Marksin, Shtetet e Bashkuara ishin, në të vërtetë, një “case study”. Në atë vend, sipas tij, kapitalizmi u zhvillua si në një “greenhouse”. Tek Amerika ai dalloi të parin vend “tërësisht kapitalist”, i cili kultivoi te njerëzit idenë se “puna është burimi i pasurisë dhe pasuria i vetmi objekt i punës”. Për më tepër, edhe pse në atë kohë Amerika ishte bërë një ndër tre gjigandët industrialë të botës, ky vend ende nuk kishte krijuar një sistem strikt dallimesh klasore.

Kjo, sipas Marksit, shpjegohej me faktin se Shtetet e Bashkuara nuk kishin pasur një të kaluar feudale dhe as i kishin njohur patologjitë e rendit feudal.

Ky “eksepsionalizëm” amerikan, nëse do e quajmë kështu, sidoqoftë, për Marksin ishte një rrethanë e përkohëshme, pasi, ndryshe nga Tocqueville, vepra e të cilit nuk i kushtohej kapitalizmit amerikan, por demokracisë në Amerikë, Marksi u interesua kryesisht për marrëdhëniet ekonomike kapitaliste në atë vend dhe, prandaj, në dallim nga i pari, i cili tek Amerika shihte një model për zhvillimin edhe të Europës, Marksi besonte se e ardhmja e Amerikës është Europa.

Kjo është një pikëpamje tepër interesante dhe ju falenderoj që e sqaruat për lexuesit tanë…

Një tjetër intelektual i shquar europian, i cili shfaqi një interes të jashtëzakonshëm për Amerikën, ka qenë Max Weber. Në veprën e tij klasike Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit, Weber flet gjerësisht për Amerikën dhe jep një përshkrim tepër interesant të pejzazhit social të atij vendi, duke iu kundërvënë stereotipeve gjerësisht të përhapur në Gjermaninë e kohës së tij mbi këtë vend, si dhe imazhit të gjermanëve dhe të europianëve të tjerë mbi shoqërinë moderne në përgjithësi.

Ju, mesa di unë, keni botuar disa kohë më parë, në një revistë, një artikull shumë interesant mbi raportet mes Weber-it dhe Amerikës.

Po, është e vërtetë. Weber e vizitoi Amerikën vetëm një herë, në vitin 1904, në një kohë kur sapo kishte përfunduar së shkruari pjesën e parë të Etikës protestante. Kjo vepër u plotësua pas kthimit të tij nga Amerika në Heilderberg dhe u botua, në gjermanisht, një vit më vonë, më 1905. Në librin e tij Max Weber në Amerikë, Lawrence Scaff pohon se udhëtimi i Weber-it në Shtetet e Bashkuara mund të konsiderohet si një pikë kthese në jetën e tij dhe si një moment shumë i rëndësishëm në formimin e ideve të tij sociologjike.

Edhe pse i indikuar shumë nga tradita intelektuale gjermane e idealizmit, e romanticizmit dhe e dëshpërimit kulturor konservativ, Weber nuk mund të kuptohet pa marrë në konsideratë eksperiencën e tij në Amerikë. Vizita e Weber-it në Shtetet e Bashkuara dhe përvoja që ai fitoi gjatë atij udhëtimi ndikuan thellësisht në pikëpamjet e tij mbi emigracionin, mbi kapitalizmin, mbi shkencën dhe kulturën, mbi racat dhe diversitetin kulturor, mbi Protestantizmin dhe modernitetin, tema këto gjerësisht të trajtuara në veprat e tij.

Në fakt, krijimtaria intelektuale më e rëndësishme e Weber-it nisi pas kthimit të tij nga Amerika. Shtetet e Bashkuara i dhanë Weber-it mundësinë që ai të shihte realisht se si kishte qenë jeta shoqërore para se ajo të kalçifikohej në ato forma, që përkthyesi i veprës së tij në Amerikë, sociologu i shquar Talcott Parsons, do t’i quante “pattern variables”.

Po kështu, rruga e veçantë që ka ndjekur Amerika drejt modernitetit do të ishte e vështirë të kuptohej pa një njohje të thellë të atij korpusi të gjerë veprash që shkroi Max Weber. Hans Gerth dhe C. Wright Mills janë të mendimit se “Shtetet e Bashkuara ishin për Weber-in ajo çfarë Anglia ka qenë për brezat e mëparshëm të liberalëve gjermanë: modeli i një shoqërie të re”.

Për një sociolog tipik gjerman, si Max Weber, “zbulimi” prej tij i Amerikës në fillimin e shekullit të 20-të duhet të ketë qenë vërtet një dukuri shumë e rëndësishme.

Sigurisht. Në imagjinatën time si sociolog, gjithnjë jam përpjekur të kuptoj se si Max Weber, ky mendimtar kuintesencialisht gjerman—më gjerman edhe se internacionalisti Karl Marx—është pritur dhe çfarë ka parë ai, në vitin 1904, në rrugët e Çikagos, në malet e Karolinës së Veriut, në Nju Orlins, në fushat e Alabamës dhe të Oklahomës, në Niagara, në Boston dhe në Kembrixh (Masaçusets), në rrugët e Manhatanit, apo në qytete të tillë, si Filadelfia, Uashingtoni dhe Baltimor, të cilat ai i vizitoi gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara, dhe si konkretisht Amerika ka ndikuar në zhvillimin e mendimit të tij sociologjik. Gerth dhe Mills, në biografinë që kanë shkruar për të, na ndihmojnë të kuptojmë se çfarë pa dhe çfarë kuptoi Weber në Amerikë.

Ata shprehen: “Weber mahnitej me të ashtuquajtin rush hours në Manhatanin e poshtëm, çka atij i pëlqente ta vëzhgonte nga mesi i Urës së Bruklinit, si një panoramë transporti masiv dhe lëvizjeje të zhurmshme. Grataçielat, të cilat ai i shihte si ‘fortesa të kapitalit’, i kujtonin atij pikturat e vjetra të kullave në Bolonjë dhe në Firence”.

Çikago, nga ana e saj, me shkallën e lartë të krimit e të dhunës, me kontrastet e veta të mprehta mes bregut të artë dhe lagjeve të varfra, “tymit, pisllëkut, gjakut dhe anëve të errëta” të grataçielave, i la Weber-it përshtypjen e një qyteti “të jashtëzakonshëm”. Këtë përshtypje të tij e thelloi edhe më tej përzierja “e lodhshme” e njerëzve që e popullonin atë qytet dhe për të cilët ai shkruante: “Grekët pastrojnë këpucët e amerikanëve për pesë cent, gjermanët shërbejnë si kamerierë, irlandezi merret me politikë dhe italiani gërmon kanalet e pistë. Me përjashtim të disa zonave rezidenciale, i tëri ai qytet gjigant, më i madh se Londra, është si një njeri, të cilit i është zhveshur lëkura dhe mund të shohësh se ç’ndodh brenda trupit të tij”.

Lexuesit e veprës së Weber-it Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit nuk e kanë të vështirë të venë re ndikimin që ka pasur në mendimin sociologjik weberian një figurë e tillë ikonë në historinë dhe në kulturën amerikane, si Benjamin Franklin. Për Weber-in, Franklin ishte personifikimi i tipit ideal të “shpirtit të kapitalizmit”, si dhe një provë e qartë e fuqisë së “shpirtit” si një faktor i rëndësishëm në histori.

Si një ndër themeluesit e “Ëndrrës Amerikane”, Benjamin Franklin i shërbeu Weber-it si një ilustrim mjaft i mirë i “frymës së kapitalizmit”, që ky i fundit u përpoq të shtjellonte në veprën e tij.

Nga sa thatë më sipër kuptoj përse Amerika ka qenë dhe është edhe për ju, si sociolog, një shoqëri dhe një civilizim shumë interesant për t’u studiuar.

Natyrisht, kjo trashëgimi teorike e shkëlqyer që na kanë lënë këta intelektualë europianë të mëdhenj të shekullit të 19-të—Tocqueville, Marx dhe Weber—lidhur me shpjegimin e shoqërisë amerikane dhe të vetë Amerikës, si një qytetërim kulturor, juridik e teknologjik modern, nuk ka se si të mos ushqente kuriozitetin dhe mendimin tim sociologjik pasi u njoha me të dhe, sidomos, pas vizitës sime të parë në Shtetet e Bashkuara.

Kur mund të thoni se e keni njohur ju Amerikën? Ju keni jetuar dhe punuar në atë vend për një kohë të gjatë. Kur keni shkelur në Amerikë për herë të parë?

Unë jam i pari në familjen time që ka vizituar Shtetet e Bashkuara; madje jam ndër të parët dhe të paktët shqiptarë që e kanë vizituar atë vend para se të rihapeshin ambasada e amerikane në Tiranë dhe ambasada shqiptare në Ushashington në vitin 1992. Gjyshi, im Jano Sevo Tarifa, nga fshati Mashkullorë i Gjirokastrës, kishte jetuar si emigrant në Buenos Aires, në Amerikën e Jugut—që është një tjetër Amerikë—për 30 vite me radhë (1927-1956), por i pari në familjen Tarifa që shkeli AMERIKËN—Shtetet e Bashkuara—isha unë.

Kjo ndodhi në nëntorin e vitit 1991. Në atë kohë unë isha Dekan i Fakultetit të sapo krijuar të Filozofisë dhe Sociologjisë në Universitetin e Tiranës dhe kisha kryer, për llogari të USIA-s (United States Information Agency—Agjencia e Informacionit e Shteteve të Bashkuara), të parin sondazh të opinionit publik në Shqipëri.

Përfundimi i atij sondazhi dhe nevoja për t’ua shpjeguar rezultatet e tij zyrtarëve amerikanë—të cilët, për hir të së vërtetës, duhet thënë se, pavarësisht burimeve të CIA-s dhe të agjencive të tjera të informacionit, deri në atë kohë dinin shumë pak për një vend thuajse tërësisht të izoluar, si Shqipëria—bënë që unë të merrja një ftesë për të vizituar Uashingtonin.

Kjo, sidoqoftë, nuk ishte hera e parë që kaloja Atlantikun. Një vit më parë, në vjeshtën e vitit 1990, bashkë me profesorin dhe kolegun tim të nderuar, të ndjerin Hamit Beqja, kisha qenë në Kanada për të mbajtur një cikël leksionesh në disa universitete në provincën e Ontarios dhe atë të Kebekut. Nga ajo kohë, Kanadanë e kam vizituar dhjetra herë, por Kanadaja, edhe pse fqinji verior i Shteteve të Bashkuara dhe, deri vonë, “binjaku” demografik i saj, NUK është Amerikë.

Ai vend është, në fakt, një mélange kulturash dhe ka një sistem politikash sociale që ngjasojnë më shumë me traditën europiane sesa me qytetërimin e sotëm amerikan.

Dhe cilat ishin përshtypjet tuaja për Amerikën pas vizitës suaj të parë në atë vend?

Udhëtimi im i parë në Amerikë zgjati një muaj. Përveç Uashingtonit, m’u dha rasti të vizitoja Nju Jorkun, Bostonin (dhe rrethinat e tij Kembrixh dhe Leksington), si dhe Universitetin e Miçiganit Lindor në Ypsilanti, ku, 15 vite më vonë, nga viti 2006 deri më 2008, do të kaloja tri vitet e mia të fundit në Shtetet e Bashkuara.

Në atë kohë, unë nuk kisha lexuar asgjë nga Tocqueville dhe nuk kisha as idenë më të vogël se si Amerika kishte ndikuar në formimin e mendimit ekonomik e sociologjik të Marksit dhe të Weber-it. Deri atëherë, përfytyrimi im për Amerikën ishte ushqyer kryesisht nga leximi i romaneve të disa shkrimtarëve të njohur amerikanë, si Jack London, Theodore Dreiser, Ernest Hemingway, Irwin Shaw, Truman Capote apo Erich Segal, si dhe nga filmat “Western”. Njohurive letrare për atë vend, në fundin e viteve 1970 dhe në vitet 1980 iu shtuan imazhet thuajse surrealistë të serialëve televizivë të tipit soap opera, “Dynasty” dhe “Dallas”, që në Shqipëri i shihnim “fshehurazi” në televizionin jugosllav.

Ato çfarë unë pashë dhe mësova në Shtetet e Bashkuara gjatë vizitës sime të parë në atë vend 30 vite më parë thuajse nuk kishin asnjë lidhje me përfytyrimet që kishin krijuar tek unë për Amerikën Dreiser, Hemingway apo Shaw, ndërsa imazhet e “Dinastisë” dhe të “Dallasit” s’ishin veçse reflekse iluzore që shfaqeshin në grataçielat e Manhatanit, në Rockefeller Center apo në Time Square. Diçka të ngjashme kisha parë edhe në Toronto por, megjithatë, për mua, Amerika ishte qysh në fillim diçka tjetër. Një tjetër qytetërim.

Vizita e parë në kryeqytetin amerikan në nëntorin e vitin 1991, në të cilin, një dekadë më vonë, do të jetoja dhe punoja për katër vite me radhë, planimetria urbane e përsosur e atij qyteti, Kapitoli, Monumenti i Uashingtonit, Memoriali i Linkolnit, Memoriali i Xhefersonit pranë basenit Tidal, si dhe takimet formale në Departametin e Shtetit dhe, në javët në vijim, qëndrimi për disa ditë në Manhatan, në Boston dhe vizita në Miçigan, u dhanë qysh në fillim një tjetër dimension historik e kulturor perceptimeve të mia mbi shoqërinë amerikane dhe mbi organizimin politik e burokratik të saj.

Sa kohë keni jetuar në Shtetet e Bashkuara dhe a mund të ndani me lexuesit e Ditës disa nga eksperiencat tuaja në atë vend?

Ajo vizitë e parë në Shtetet e Bashkuara u bë preludi i nje experience të gjate e shumë të pasur në atë vend, një eksperiencë e përjetuar—privatisht dhe shoqërisht—në një mënyrë që pak njerëz kanë pasur mundësi. Vetëm disa muaj pasi u ktheva nga Shtetet e Bashkuara, në verën e vitit 1992 e vizitova përsëri atë vend, këtë herë për një periudhë shumë më të gjatë, si një ndër studiuesit e parë shqiptarë që fituan një grant “Fulbright” dhe u mora me studime në fushën e sociologjisë politike në Universitetin e Karolinës së Veriut në Çapëll Hill, universiteti I parë shtetëror në Shtetet e Bashkuara. Programi doktoral në Departamentin e Sociologjisë në atë universitet, i cili u bë “streha” ime akademike, renditej në atë kohë—dhe vazhdon të jetë edhe sot—një ndër pesë më të mirët në të gjithë universitetet amerikanë.

Kjo ishte arsyeja që, dy vite më vonë, më 1994, unë zgjodha pikërisht atë universitet për të kryer studimet e mia doktorale, në përfundim të të cilave, në vitin 1998, fitova gradën PhD.

Rasti e solli, që menjëherë pasi fitova këtë gradë (por, sigurisht, jo për këtë arsye), qeveria socialiste shqiptare e asaj kohe më propozoi postin e ambasadorit të vendit tonë në Mbretërinë e Hollandës. Pas tre vitesh në atë detyrë, një tjetër qeveri socialiste në Tiranë më emëroi ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Marrja e detyrës së ambasadorit në kryeqytetin amerikan, në prillin e vitit 2001, shënoi sojournin tim të katërt dhe më të gjatë në Shtetet e Bashkuara—mbi shtatë vite—prej të cilave 4 vite në krye të misionit diplomatik të Shqipërisë në Uashington, dhe tre vitet e fundit si profesor i sociologjisë dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Miçiganit Lindor (Eastern Michigan Univerity—EMU), në Ypsilanti. Me këtë, pas më shumë se 13 vitesh, eksperienca ime amerikane u mbyll si një “full circle”.

Një histori shumë interesante. Pas një periudhe kaq të gjatë dhe një jete e veprimtarie kaq intensive në atë vend, do të ishte me interes të dinim se çfarë mendon Fatos Tarifa për Amerikën.

Siç kam venë në dukje edhe në librin tim Amerikanofobia dhe anti-amerikanizmi europian, vlerësimet e mia për Amerikën nuk mbështeten në gjykime klishé ose në steriotipe, as në paragjykime ideologjike, racore, apo fetare dhe as në njohuri të përcipta mbi historinë, gjeografinë, kulturën dhe politikën e atij vendi.

Ato mbështeten në vëzhgime të shumta dhe në ekzaminime të kujdesshme, si dhe në përvojat e pasura të fituara përmes kontakteve të drejtpërdrejta me mijëra njerëz nga shtresa dhe grupe të ndryshme të popullsisë në Shtetet e Bashkuara, duke filluar nga personalitetet më të larta të administratës amerikane (anëtarë të kabinetit qeveritar, guvernatorë, anëtarë të Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit, gjeneralë, kryetarë bashkish etj.), por edhe qindra e mijëra akademikë, studentë, gazetarë, njerëz të artit, qytetarë të shjeshtë amerikanë, sportistë, punonjës të administratës, punëtorë dhe deri te banorët indigjenë (ose kombet sovranë) të Amerikës—“indianët” e fiseve të tillë si, Seminolët (në Florida), Cherokee (në Karolinën e Veriut) dhe, sidomos, Chitimacha (në Luiziana). Këta të fundit, madje, për shkak të marrëdhënieve miqësore shumë të ngushta që krijova me ta, më konsideronin si “përfaqësuesin” e tyre në Uashington.

Përvoja ime në Shtetet e Bashkuara është pasuruar, gjithashtu, nga udhëtime të shumta në 43 prej 50 shteteve të atij vendi, përfshirë jo vetëm qytetet më kozmopolitanë të tij—si Nju Jorku, Los Anxheles, Çikago, San Francisko, Miami, Boston, Uashingtoni, Atlanta apo Honolulu—por edhe qindra qytete të mesëm ose të vegjël—si Çapëll Hill, Rallej, Sharlot, Grinsoboro, Willmingtom apo Aberdin në Karolinën e Veriut; Detroit, Dirborn, An Arbor, Blumfilld, Pontiak, Frankenmuth, Kalamazu apo Ypsilanti në Michigan; Nashvill, Memfis, Noksvill apo Kingsport në Tenesi; Leksington apo Luiville në Kentaki; St. Pol, Mineapolis apo Stilluotër në Minesota; Medison apo Milluoki në Viskonsin, Albërkërki, Santa Fe apo Madrid në Nju Meksiko; Hollivud, Fort Loderdal, Boka Raton, Orlando, St. Pitersburg, Xheksonvill apo Ki Uest në Florida; Litëll Rok, Arkadelfia apo Hot Springs në Arkansas; Klivlend, Sinsinati, Kolumbus, Toledo, Akron apo Zanesvill në Ohio; Indianapolis, Evansvill apo Terre Hot në Indiana; Omaha apo Norfolk në Nebraska; Filadelfia apo Pitsburg në Pensilvani, Kembixh, Lexington apo Amherst në Masaçusets, Çarlston apo Mërtëll Biç në Karolinën e Jugut, Riçmond, Norfolk, Aleksandria apo Folls Çërç në Virxhinia, Las Vegas dhe Reno në Nevada, San Hose dhe Berkli në Kaliforni, Feniks në Arizona apo Dallas në Teksas, Albani, Bafallo, Athens apo Niagara Folls në Nju Jork—deri, madje, edhe në ishujt Saipan dhe Tinian të Komonuelthit të Marianave Veriore dhe në Guam, territoret më të largëta të Shteteve të Bashkuara në Oqeanin Paqësor.

Çfarë unë kam parë, kam vëzhguar, kam mësuar dhe kam përjetuar për më shumë se 13 vite që kam jetuar, studiuar dhe punuar në atë vend, si dhe qindra mijëra kilometra që kam udhëtuar kryq e tërthor Amerikës—nga Lindja në Perëndim dhe nga Veriu në Jug—kanë qenë një shkollë më vete, e një lloji të veçantë, një përvojë jetësore krejt unike, që nuk do të kisha mundur dot kurrë ta përfitoja thjesht përmes leximeve, as vetëm në katër vite studime doktorale në njërin prej universiteteteve më të mirë të atij vendi dhe, aq më pak, përmes shërbimit diplomatik gjatë katër viteve në Uashington.

E gjithë kjo përvojë personale e drejtpërdrejtë dhe e gjatë, e cila shumë herë ka qenë një përvojë shoqërore, e lidhur mirëfilli me institucionet politike, juridike, ekonomike, akademike dhe kulturore të sistemit shoqëror amerikan, më kanë ndihmuar vitet e fundit të reflektoj, nga një perspektivë sociologjike, për ato tipare “eksepsionale” që kanë vlerësuar dhe admiruar tek Amerika Alexis de Tocqueville, Karl Marx dhe Max Weber dhe çfarë kanë shkruar për atë vend këta mendimtarë të shquar.

Po kjo eksperiencë personale e shoqërore e gjatë dhe e gjithanshme në Shtetet e Bashkuara më kanë shtyrë prej kohësh të reflektoj mbi ato tipare të shoqërisë amerikane që e bënë një tjetër mendimtar europian të shquar, si Sigmund Freud, pas vizitës së tij të parë dhe të vetme në atë vend, në vitin 1909, jo vetëm të humbiste admirimin e tij të hershëm për Amerikën dhe dëshirën e tij për t’u shpërngulur në atë vend, por edhe ta quante Amerikën “një gabim, një gabim gjigand”.

Një pyetje e fundit: A është Amerika për ju një vend “eksepsional”?

Ky është një subjekt për të cilin kam shkruar edhe më parë në këtë gazetë dhe për të cilin jam duke shkruar një vëllim të veçantë. Deri më sot, unë i kam qëndruar larg synimit për të shpjeguar “eksepsionalizmin amerikan” nga prizmi i eksperiencave të mia personale e shoqërore në atë vend.

Kjo, sido që të jetë, do të ishte një detyrë e pamundur. Libri që kam në dorë është një përpjekje për të shpjeguar origjinën, motivet historike e fetare, si dhe filozofinë politike që kanë ushqyer konceptin mbi “eksepsionalizmin amerikan”—pra idenë se Amerika është një vend krejt “i veçantë” nga vendet e tjerë dhe amerikanët janë një popull “si asnjë tjetër” në planetin tonë—mbështetur në dokumente historikë, në tekste politikë dhe në një literaturë të gjerë të shkruar mbi këtë subjekt.

Duke qenë në thelb skeptik ndaj këtij koncepti, unë nuk mbaj një qendrim të caktuar, por e lë në gjykimin e lexuesit të vlerësojë nëse veçoritë historike të krijimit të  Shteteve të  Bashkuara dhe “ADN-ja kulturore” e amerikanëve i bëjnë ata një popull “eksepsional” dhe nëse kjo e legjitimon “misionin” e Amerikës si fuqia drejtuese e globit.

Ju faleminderit, profesor.

 

———

Intervistoi Erjon Habilaj. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen e redaksisë dhe pa citimin korrekt dhe të dukshëm të burimit. Në foton kryesore: Rruga “Albania” në qytetin Baldwin në Key West (Florida), ishulli ku ka jetuar Hemingway, me ish-kongresmenin (Louisiana), David Funderburk dhe dy prej miqve afro-amerikanë

September 16, 2020 13:13

Njoftim

Njoftim

Njoftim