Hetimi i DITA për Ujësjellësin e Durrësit, reagon paneli anti-korrupsion i BB

April 6, 2016 12:09

Hetimi i DITA për Ujësjellësin e Durrësit, reagon paneli anti-korrupsion i BB

Presioni i zyrtarit të BB-së për tenderin e Ujësjellësit Durrës. Nëpunësi shqiptar i përfshirë. Përgjigjet e munguara nga kompania gjermane PWT. Komunikimi i DITA-s nga departamentin hetimor në Uashington. Dhe dy raste botërore skandalesh, ku përfshihen zonjat Goldstein dhe Sayed, si dhe PWT Wasser. 

 

Vijon nga numri i kaluar (kliko KETU)

Tenderi i ujësjellësit të Durrësit ishte vendosur për t’iu dhënë medoemos firmës gjermane PWT. Në vijim, në periudhën tetor-nëntor-dhjetor, çështjen e “mori në dorë” Dejvid Misho, përgjegjësi i projekteve të ujit në zyrën e BB-së, i cili i shtoi “udhëzimet” ndaj Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për të nxjerrë fituese pas përmbylljes së tenderit dhe zgjedhjes së fituesit, kompaninë PWT. Në bazë të dokumenteve që DITA ka siguruar, le të ritheksojmë shkurtimisht mangësitë e PWT-së, të konstatuara nga komisioni:

Nuk faktoi dot gjendjen e parave kesh prej 5 mln euro, nuk tha të vërtetën për padi gjyqësore të hapura ku luheshin shuma të mëdha, nuk plotësonte kriterin e xhiros mesatare vjetore, teksa nuk harton dot as një listë propozimesh teknike sesi kishte ndërmend ta kryente në terren volumin e punës së kërkuar.

Këtu, është interesante se megjithëse kompania në fjalë nuk kishte paraqitur personelin e nevojshëm teknik (bëhet fjalë për inxhinierë, specialistë, manovrues makinerish, ndërtues etj), Misho është i mendimit se këto mund të gjenden më pas, pasi të sigurohet fitorja. Thënë ndryshe, të sigurojmë njëherë paratë, pastaj kismet?!

Pikërisht ky moment e bën akoma më të dyshimtë faktin që PWT kishte ofertë më të ulët se kompania fituese. Normalisht, logjika ta do që në një tender fiton oferta më e ulët, por jo duke mos plotësuar shumë prej kushteve. Sepse në të kundërt, rezulton që të merren vetëm paratë dhe puna të mos kryhet. Sa herë, dhe me sa ujësjellësa të stërinauguruar ka ndodhur kjo gjë në Shqipëri?

Misho kalon gati në akuzë ndaj Komisionit të Vlerësimit, kur i shkruan Komisionit se është gabim të skualifikohen ofertat më të ulëta.

Në një pjesë nga korrespondenca që na ka rënë në dorë, Komisioni i kthen përgjigje Mishosë:

“Së pari, ne nuk rrëzojmë ofertat më të ulëta, por ofertat që nuk plotësojnë kushtet, duke zbatuar kështu Politikat dhe Udhëzimet e Bankës Botërore. Na lejoni t’ju sqarojmë se diferenca në miliona euro, vjen ekskluzivisht nga fakti se kompania nuk ka llogaritur punët shtesë si në mjetet, edhe në financa. Nga ana tjetër, rregullorja e kualifikimit është strikte kur kërkon që pajisjet dhe personeli i punimeve të paraqiten të plotësuara para tenderit dhe jo PASI caktohet fituesi…”.  

Sipas dokumenteve, Misho bën të pamundurën në vazhdim për të siguruar dokumentet që i mungojnë PWT, si garancia e parave kesh, “Method statement” ose metodologjinë teknike të punës etj.

Çështja ka edhe një element tjetër: Ai është punonjësi shqiptar i Bankës Botërore në Tiranë, inxhinieri Artan Guxho, i cili sipas të dhënave të DITA-s, përmes të afërmve të ngushtë të tij është i interesuar që tenderin e ujësjellësit të Durrësit ta fitojë gjermania PWT. Kjo pasi këta të afërm kanë patur kompani nënkontraktore të PWT-së. Ai ka qenë i pranishëm edhe në tratativat me kryebashkiakun e Durrësit, Dako për këtë çështje. Z.Guxho nuk i është përgjigjur telefonatave dhe sms-ve tona për të hedhur më shumë dritë mbi këtë çështje.

Artan Guxho

Artan Guxho

Ndërkaq, ne i kemi dërguar përmes emailit, disa pyetje administratorit të përgjithshëm të kompanisë PWT, Marcel Salazar lidhur me këtë tender:

A është e vërtetë që PWT nuk ka plotësuar kriterin e pasjes së parave kesh;

A e keni paraqitur apo jo, pasqyrën financiare për vitin 2014 brenda afateve të tenderit;

A është e vërtetë që pasqyrat e viteve 2011-12 kishin mospërputhje;

A keni dorëzuar me dokumentet e tenderit, një deklaratë se nuk keni asnjë histori padish gjyqësore lidhur me punën e firmës suaj;

 A keni patur masa ligjore e financiare nga qeveria e Rumanisë dhe ajo e Irakut?

A ju ka sugjeruar z.Guxho, specialist i BB-së në Tiranë, të ndryshoni “method of statement”, deklaratën e specifikave teknike pasi tenderi ishte mbyllur?

A kanë patur familjarë të tij marrëdhënie pune me PWT?

Nga zoti Salazar nuk ka ardhur asnjë përgjigje.

Në këtë pikë, kemi kontaktuar me Ekipin e Hetimit anti-korrupsion e anti-mashtrim pranë Bankës Botërore në Uashington.

Me personelin e këtij departamenti që funksionon pranë BB-së, por në mënyrë të pavarur nga ajo, kemi patur dy konferenca të gjata telefonike dhe mjaft komunikime me email lidhur me këtë çështje.

Kemi mësuar se ky ekip ka nisur hetimet e tij mbi këtë episod shqiptar.

Pikërisht hetimi nga Uashingtoni duket se ka bllokuar ecurinë e tenderit në “drejtimin e dëshiruar” nga të interesuarit kryesorë të kësaj historie, ku përfshihen edhe dy hierarkë jo të vegjël të Bankës Botërore, si zonjat Ellen Goldstein, drejtoreshë e BB-së për Ballkanin Perëndimor dhe Tahseen Sayed, drejtoresha për Shqipërinë.

Bankë botërore, skandale jo dhe aq “lokale

Me dy emrat e përmendur më sipër, ka një përkim mjaft interesant. Goldstein ka qenë drejtoreshë rajonale e BB-së për Bangladeshin dhe Nepalin në periudhën 2009-2013, në të njëjtën kohë kur zv.drejtoresha për Bangladeshin ka qenë pakistanezja Tahseen Sayed. Pothuajse në të njëjtat raporte epror-vartës si të tanishmet. Në atë periudhë, Banka Botërore ishte investitore me gati gjysmën e financimit prej 2.19 miliardë dollarë, rreth 1.2 miliardë, për projektin e Urës multifunksionale Padma, Padma Bridge Project, që do lidhte Bangladeshin e varfër me Indinë fqinje duke lidhur rreth 1 miliardë njerëz.

tabelat (2)Ky projekt zbulon një histori me shumë dritëhije, më saktë shumë më tepër hije sesa dritë, dhe aktualisht është anulluar. Anullimin e ka bërë zonja Goldstein, me dyshimet se kompania e supervizionit, gjigandi kanadez SNC Lavalin, ishte përfshirë në korrupsion. Më konkretisht, gjatë procesit të tenderit të supervizionit, një nëpunësi lokal të Lavalin “iu gjet” në një bllok shënimesh, një resht ku shkruhej shifra 4% që do t’i paguhej ministrit vendas të Transportit nëse fitohej tenderi i supervizionit. Pas muajsh të tërë hetimesh nga një ekip special nga Uashingtoni, nuk u gjet asnjë. Ndërkohë, nga shtypi i vendit mësohet se qeveritë respektive, të Bangladeshit dhe Indisë e refuzuan me indinjatë akuzën dhe kërkuan të liroheshin fondet për realizimin e kësaj vepre jetike. Të kemi parasysh se ajo pjesë e botës vuan rregullisht nga përmbytjet dhe transporti kryessor është ai ujor, ku mbytjet e qindra vetëve me tragete të stërvjetëruar janë lajme të zakonshme.

Nga ana e vet, kanadezja SNC Lavalin duke i quajtur akuzat qesharake, la të kuptohej se anullimi nga këta drejtues të BB-së të një projekti të tillë, mbi akuza të pabaza, nuk ishte çudi të kishte ndodhur pasi siç po zhvilloheshin ngjarjet, tenderin mund ta fitonte jo një kompani e preferuar e tyre. Vetë Goldstein, tha për mediat vendase kur e mbylli mandatin në 2013: “E di që këtu do mbahem mend për projektin Padma Bridge, por…”.

Prapë PWT… dhe një konkluzion

Rezulton se “paqartësi” si këto të tenderit të ujësjellësit të Durrësit, kompania e preferuar e disa zyrtarëve të BB-së, pra PWT, nuk ka patur vetëm me Shqipërinë. Emri i PWT del fuqishëm në skandalin e Azerbajxhanit me projektin “Second National Water Supply and Sanitation”. Degën e Bankës Botërore

Dejvid Misho

Dejvid Misho

në këtë vend e drejton një mikeshë e zonjës Goldstein, ukrainasja Larisa Leshçenko. Në këtë projekt madhor në rajonin Agsu, mësohet se PWT Wasser ka paraqitur dokumente false në tender dhe ka bërë shtesa fiktive të kontratës për vlerën 10 milionë euro. Në këtë skandal në dukje të largët për ne, DITA ka mësuar se Uashingtoni i ka mbyllur hetimet dhe priten masa serioze, që shkojnë deri tek drejtoresha rajonale e Kaukazit.

Krahasuar me dy projektet e mësipërme, kjo e ujësjellësit të Durrësit mund të duket minore. Por ja që në Shqipërinë e vogël erdhën e u mblodhën të gjitha emrat, rrethanat dhe kompanitë e mësipërme në një mënyrë shumë… rastësore.

Ndërkohë që edhe tenderi i Durrësit do të hetohet nga investigatorët e Bankës Botërore, zonjat Goldstein dhe Sayed ndoshta kanë në plan të financojnë ndonjë urë si Padma Bridge, mes Durrësit dhe Italisë, që t’ua shohin kimetin edhe vendeve “pa bukë” si ky i yni.

 

Nga Alqi Koçiko – DITA

April 6, 2016 12:09
Komento

6 Komente

  1. Alban_2016 April 6, 13:02

    My God!!!!!

    Reply to this comment
  2. XUME PROTOPAPA April 6, 16:09

    ALQI: BEN APO JE VERTETE JO NJOHES

    i problemeve qe po trajton ne keto shkrime me komplikime te gjitheandejshme ?

    Disa vite me pare kam qene i punesuar ne nje kompani gjigante te huaj, ku jam marre me studimin, pergatitjen e dokumentacionit dhe oferten finale te mbi 400 tenderave publike, nga te cilat kompania fitoi 27 te tilla, me nje vlere rreth 250 milion €uro, vepra shume me komplekse se Ujesjellesi i Durresit.

    Konkurrenca ishte agresive, pjesmarrja ishte e larmishme, nga kompani me emer e seriozitet te fituar ne dekada, ne ato te mbira si kepurdhat pas shirave te vjeshtes. Metodologjite ishin disa: oferta me çmimin me te ulet, oferta media-mediana ne difekt, oferta me liste çmimesh etj. Per te qene korrekt, dua te specifikoj qe Kompania ku isha punesuar ishte nje lloj “general kontraktor”, posedonte vetem parate dhe nje staf super te specializuar, realizimin e veprave e bente me nen-kontraktore, pa patur as edhe nje mjet teknik, as nje impiant te vetin prodhues etj.

    E tille duket te jete edhe PWT-ja gjermane, per Vinci-n nuk arrita te gjej ndonje detaj me te hollesishem.

    Megjithate, i shtyre nga kurioziteti, humba nje paradite duke lexuar ate pjese te dokumentave te cilat jane publikuar ne faqen zyrtare online te BB-se.

    Nje sqarim desha te bej: garancia e posedimit te fondeve nga ana e konkurenteve ne gare, bazohet, ne praktiken perendimore, jo ne gjendjen “cash” te tyre, sepse edhe mund te falimentojne, apo ti perdorin per qellime te tjera, por ne “fidejusion bankar” – garanci bankare. Kompania i paguan bankes nje lojalti (shuma te vogla ne krahasim me vleren e garancise) duke siguruar, ne rast fitimi te tenderit, shumen e kerkuar.

    Ne ratin konkret, PWT-ja duket qartesisht qe ka shkelur rregullat e tenderimeve, Vinci, nuk di mbi ç’baze ka prezantuar garancine.

    Duhet te te kujtoj, sipas dokumenteve te konsultuara, se ne kete “qyp mjalti”, ngjyerja e thonjve perfshin emra tashme te ster lakuar te korrupsionit shkerdhatokracor: Bode, Cani dhe nje tjeter tani s’me kujtohet emri), si dhe me te fundmin Haxhinasto me stafin e tij jo dhe aq virgjeror !

    Mesova nga shfletimi i dokumentacionit qe deri tani jane paguar rreth 10 milion €uro nga teresia e tenderit, vetem per konsulente, projektues, psikologe (?!), vajtje-ardhje brenda dhe jashte vendit etj, pa bere as edhe nje meter nga 65 km e linjes se re te Ujesjellesit te Durresit !

    Po te shohesh dokumentin “588090PAD0P102010Box379877B00OUO090”, qe trajton masterplanin e vepres, te habit fakti qe akordimi i kredise eshte bere pa nje projekt-plan fillestar, duke iluduar ne zgjidhje te furnizimit nga puse ne Fushe Kuqe apo nje rezervuar ekzistues ?!

    Edhe pse ne rekomandimet fillestare thuhet qartazi zgjedhja si traçim i kalimit te tubacioneve ne ate ekzistues, me pas eshte zgjedhur nje traçiat i ri duke rritur shpenzimet per shpronesime, qe mund dhe duhej te evitoheshin me traçiatin ekzistues.
    Njera nga kerkesat, per tenderuesit, eshte edhe prezantimi i Projekt-planit te vepres, çuditerisht nuk kerkohet realizimi i saj ne Sitemin e Kualitetit, duke e deklasifikuar vepren ne nje ndertim te rendomte e vulgar.

    Me kete rast me lind dyshimi se edhe vete dokumentacioni i tenderit, i bere nga Haxhinasto-boys-at, eshte nje mizerabilizim i inxhinjerise tekno-ekonomike, ku specifikat e referuara jane diapazone krahe-hapura per çdo lloj allishverishixhiu te turnit dhe kaq.

    Edhe “time-line” i kerkuar ne tender, eshte aproksimativ dhe i pa bazuar ne te dhena teknike te sakta, te llogaritura mbi bazen e llogjikes inxhinjerike dhe me tej.

    Pa u zgjatur me shume, nga aq sa munda te hulumtoj ne dokumentacionin zyrtar te BB-se, pa pike dyshimi mund te them qe shkerdhatokratet e djeshem ( te Berishes) dhe te sotmit te Haxhinastos se LSI-se, ujin durrsakeve duan t’ja ofrojne si frengu pulat, thoshte nje here e nje kohe Qazimi nga Mulleti, xhaxhai shpirteror i Ismailit te “Panama Papers”….

    Reply to this comment
  3. Beso April 6, 17:23

    S’eshte cudi qe kjo te kete ndodhur.Keto duken qe ne surrat se c’jane!Mjere ne ku na ka ra me jetu.

    Reply to this comment
  4. Anila April 6, 18:11

    Bravo Alqi! Sa mire qe kemi ende gazetare, me guxim e laps te fort investigues.

    Reply to this comment
  5. ble-ta April 6, 19:54

    Mire Alqi Bravo, se beri Xumen te shkruante ate qe duhej te shkruante me shume Alqi,

    Reply to this comment
  6. Lili April 6, 20:07

    Bode, Cani dhe nje tjeter tani s’me kujtohet emri), si dhe me te fundmin Haxhinasto
    Ndoshta po tiu dergojme keto emer kolegeve investiguese te Panama papiers do gjejme tjera intéressante?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*