Investigimi: Zbulohet kush e ka kërcënuar kryeprokurorin e përgjithshëm

September 26, 2016 18:28

Investigimi: Zbulohet kush e ka kërcënuar kryeprokurorin e përgjithshëm

 

Pozicionet delikate, ku detyra ta do të përballesh me të gjitha format e krimit, kanë edhe kusuret e tyre: Konkretisht, kërcënimet e kriminelëve, të cilët nuk mund të pajtohen kurrsesi me goditjet që marrin nga dora e ashpër e ligjit.

Falë një investigimi të Gojëve të Liga, është arritur të zbulohet se kush e ka kërcënuar kryeprokurorin e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë në Tiranë, z.Tik Bulmeti, aq sa e detyroi këtë të fundit të çojë urgjent familjen në një shtëpi sekrete kur rri prej vitesh, në Gjermani, dhe pikërisht në qytetin e Karlruhes, në lagjen “Dëshmorët e Kajzerit”, rruga Vilhelmshtrasse nr.5, paralel me kopshtin pa drekë “Hansel dhe Gretchel”.

Gjithçka mësohet se ka nisur në majin e kaluar, kur dy kriminelë të organizuar, burrë e grua, që po shisnin kokoshka (ata e mohojnë, duke deklaruar se po shisnin pupagjela, por stafi ynë verifikoi se është e njëjta gjë), u përballën me forcën e hekurt të ligjit. Kriminelët e organizuar jo vetëm që shisnin pa kupon tatimor, por rezultoi se në shtëpinë e tyre ishte shtuar një bide pa leje. Për këto arsye, prokuroria e përgjithshme e pa të arsyeshme që këtë çështje ta çonte te Krimet e Rënda, duke kërkuar 15 vite burg për secilin nga kriminelët e organizuar.

“Fakti që këta janë të martuar dhe shesin bashkarisht kokoshka, nënkupton pikërisht krim të organizuar”, kishte deklaruar asokohe para gjykatës, prokurori luftarak Zaçe Kopaçe.

Por krimi, si i organizuar që është, nuk mbeti duarkryq. Përveç kërcënimeve direkte në sallën e gjyqit ndaj z.Tik Bulmeti, të tipit “i bëfshi paratë ilaçe jarebi”, etj, në celularin e kryeprokurorit të jashtëzakonshëm mbërritën sms lemerisëse si “Po ç’pate me ne fukarenjtë o të zëntë majasëlli”, apo “si s’na le të hamë një çap bukë rehat”.

Krimineli ne veprim, filmime sekrete

Krimineli ne veprim, filmime sekrete

Kjo ishte pika që derdhi gotën. Një ekip special i FBI-së gjurmoi se nga erdhën mesazhet kërcënuese dhe doli se autorët ishin pikërisht çifti i frikshëm. Burrë e grua, që u martuan vetëm për të organizuar krimin e secilit prej tyre, identiteti i të cilëve mbetet mister, do të dërgohen në Guantanamo për të vuajtur pjesën e dënimit të mbetur, para se të marrin edhe një dënim të ri.

Ndërkohë, autoritetet e BE-së kanë siguruar z.Tik Bulmeti se për çdo të papritur, do t’i sigurojnë atij dhe familjes nga një pasaportë për çdo vend anëtar, si dhe shtëpi rezervë në Suedi, Spanjë, në zonën e Shampanjës në Francë dhe në Montekarlo.

 

***

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike, ndryshe nga deklaratat e z.Bulmeti  

September 26, 2016 18:28
Komento

4 Komente

  1. gjermani i fundit September 26, 18:55

    hahahahhahahaaha, Gojet e Liga kesaj rradhe godasin ne vend te lige zotin Bulmeti, qe shtepine e dhuruar ne France nga Agjensia e Kokoshkave pa Kaush e ka ne rrugen e Djathit me niseshte nr 5, bulevardi Kos me arome bananesh, karshi tramit qe ecen me rrota autobusi.

    Reply to this comment
  2. moli September 27, 14:01

    As bulmet nuk esht i ziu, sepse llallti i bie me qene tamam tamam, mbetje bulmeti ahahah

    Reply to this comment
  3. peco September 27, 14:06

    Dita, kete rubrike e keni te kendshm dhe me lezet, por mos harroni se Tiku mund te jete kercenuar vertet. Kush nga gjobaxhinjt e famshem eshte ne burg dhe e kapen kur se priste? He?

    Reply to this comment
  4. alphade October 3, 12:41

    Asnje nuk e kercenon kete dudun prokuror ! Eshte alibia
    e Tij ! Ai po pergatitet t’ ja mbathi sepse e di qe e pret
    burgu jo nga denimet qe ka bere por sepse nuk ka denuar kerkend nga peshkaqenet qe vertete do te ishin
    kercenim per kete Prokuror te Pergjitheshem qe s’ ka
    nxjerre qimen nga qulli dhe nga ana tjeter ka mbrojtur te
    gjithe ata qe ka urdheruar padroni i tij, Vicidolasi ! Tash
    po me urdher te tij Ai po ben gati valicet me rrobat sepse
    valicet me para i ka cuar me pare jasht permes gruas dhe
    garipeve te tij. Pra, investigimi duhet filluar nga Prokurori
    LLALLA dhe partaj te vazhdoje te te gjithe prokuroret e gjykatesit ,vetingu do t’i nxjerre petat byrekut ne se eshte
    apo jo DREJTESIA shqiptare !

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*