Iran, Khamenei: “Nga programi bërthamor nuk lëvizim asnjë presje”

November 21, 2013 12:50

Iran, Khamenei: “Nga programi bërthamor nuk lëvizim asnjë presje”

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, gjatë fjalimit të tij në Basiji mohoi që Irani të jetë një kërcënim për botën, por shtoi se “regjimi sionist është i destinuar të zhduket”.  Në lidhje me qëndrimin e presidentit francez Hollande ai theksoi se Franca “po i gjunjëzohet Izraelit”. Ndërkohë Barack Obama duket i vendosur të mos tërhiqet nga një akord me Iranin

Të mërkurën, rinisën në Gjenevë negociatat mbi programin bërthamor iranian midis vendeve të grupit “5+1” (SHBA, Rusi, Francë, Kinë, Britani e Madhe, pra vende që kanë të drejtën e vetos në OKB, plus Gjermaninë) dhe Iranit.

Disa orë para nisjes së bisedimeve në Gjenevë, lideri suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, në një fjalim në Teheran përpara 50.000 rezervistëve islamikë, tha se bazat e regjimit sionist janë dobësuar ndjeshëm dhe se ai është i destinuar të zhduket. “Asnjë fenomen i imponuar me forcë nuk mund të rezistojë gjatë. Irani nuk e njeh ekzistencën e Izraelit dhe mbështet lëvizjet e armatosura që luftojnë kundër tij”, u shpreh Khamenei.

Ai theksoi se Teherani nuk do të tërhiqet  as një centimetër nga të drejtat e tij bërthamore dhe bëri të ditur që, megjithëse duke mos ndërhyrë drejtpërdrejt, ua ka parashtruar vijën e kuqe që nuk duhet kaluar negociatorëve të tij.

“Dëshirojmë që t’i shërbejmë njerëzimit. Duam të jemi të mirë me të gjithë, edhe me kombin amerikan, ndonëse qeveria e këtij shteti është disi armiqësore me Iranin. Ne nuk jemi kundër Amerikës”, deklaroi në Basiji udhëheqësi suprem.

Khamenei sulmoi më pas Francën, e konsideruar si përgjegjëse për pezullimin e marrëveshjeve të mëhershme shumë të favorshme ndaj Teheranit. Për Khamenein, “Parisi, jo vetëm po çedon për Shtetet e Bashkuara, por po i gjunjëzohet edhe regjimit izraelit”. E menjëhershme ka qenë edhe replika e Francës, mbështetëse e linjës së ashpër në negociatat me republikën islamike. Zëdhënësja e qeverisë, Najat Vallaud-Belkacem, ka paralajmëruar se fjalët e “Khameneit janë të papranueshme dhe ndërlikojnë bisedimet”.

Në këtë raund të ri bisedimesh mbi programin bërthamor, shpresa është që këtë herë të mund të arrihet një akord historik mbi programin kontroversal iranian, pasi raundi i parë që u zhvillua midis 7 dhe 9 tetorit në Gjenevë, përfundoi pa asnjë marrëveshje, për shkak të kundërshtimit të Parisit, i cili kërkon t’i imponojë Teheranit kushte më të ashpra mbi programin atomik.

Fuqitë botërore synojnë një marrëveshje, e cila në këmbim të një lehtësimi të sanksioneve kundër Iranit, parasheh masa garancie për natyrën jo ushtarake të programit bërthamor iranian.

Për presidentin amerikan, Barack Obama, një marrëveshje me Iranin do të ishte një sukses i ndjeshëm në politikën e Jashtme, por duhet të përballet me opozitën në Kongres, ku ka shumë skeptikë mbi konvertimin e Teheranit. Pavarësisht paralajmërimeve të Izraelit dhe të Francës për të “qenë të kujdesshëm” në bisedimet me Iranin, Obama duket i vendosur për vazhdimin e tyre. Obama tha se nëse nuk arrihet një marrëveshje, Irani do të vazhdojë të pasurojë uraniumin.

Qëndrimi më i ashpër është ai presidentit francez, Francois Hollande. Franca, natyrisht, sheh edhe interesat e saj ekonomikë në Lindjen e Mesme, ku gjatë muajve të fundit, ka firmosur një sërë kontratash me vendet e Gjirit, në veçanti me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite.

Por ai që ngrihet plotësisht kundër marrëveshjes bërthamore iraniane është Izraeli. Kryeministri i këtij vendi, Benjamin Netanjahu, vizitoi dje Moskën për t’i shprehur presidentit rus, Vladimir Putin “shqetësimin” për pasurimin me uranium nga ana e Teheranit. Kryeministri është shprehur i shqetësuar se Irani mund të realizojë një bombë bërthamore “për një muaj apo diç më shumë”./D.Gjuzi

November 21, 2013 12:50
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*